Albspirit

Media/News/Publishing

Lef Nosi, letërkëmbimi me nënën dhe vëllain

Nosi, origjina dhe marrëdhëniet me familjarët

 

Për figurën e tij është shkruar shumë, edhe pse deri më sot nuk kemi ende një monografi të plotë. Me emrin e këtij patrioti lidhet ruajtja e dokumentit të Pavarësisë, por edhe një veprimtari e gjerë atdhetare, politike e shoqërore. Veç të tjerave, Nosi botoi edhe fletoren “Dokumente historike” dhe në 1937 një fletëpalosje me Aktin e Pavarësisë të vitit 1912, me rastin e 25-vjetorit. Ka pasur një letërkëmbim të pasur me personalitete të njohura të politikës ndërkombëtare, albanologjisë, gjuhësisë e historisë. Por ato për të cilat thuajse nuk është folur fare e nuk janë botuar janë marrëdhëniet e Nosit me familjarët e tij. Në këtë botim sjellim për herë të parë letra të shkëmbyera mes tij dhe nënës e vëllait, “të zbuluara” në fondin personal të Nosit në Arkivin Qendror Shtetëror. Në këtë vit jubile, kur bëhen 104 vjet nga shpallja e Pavarësisë, përshkrimi i veprimtarisë, copëzave të jetës dhe dorëshkrimeve të Nosit vjen si një dedikim dhe mirënjohje për këtë figurë që dha shumë për këtë moment, jo thjesht si një nga firmëtarët e Pavarësisë. Në këtë shkrim do të sjellim një pjesë nga dorëshkrimet dhe letërkëmbimi personal i Nosit, i cili nuk është i ndarë nga atdhetarja. Për të parën herë po bëjmë publike disa dokumente origjinale, të pabotuar më parë, të nxjerra nga fondi i Lef Nosit. Nosi na shfaqet edhe më i plotë në letërkëmbimin e tij me nënën, me vëllanë e vet Gregorin, si dhe në pjesë të ditarit të mbajtur prej mikeshës së tij, Margaret Haslluck, në shënime dhe vargje poetikë të saj, mbledhur prej Nosit.

Prejardhja nga Greqia e familjes Nosi

I lidhur ngushtësisht me Shqipërinë dhe fatin e saj, veçanërisht me qytetin ku u lind dhe u rrit, Elbasanin, Nosi megjithatë kërkon thellë në rrënjët e tij e flet për to. Sipas fakteve që sjell dhe i beson e pranon si të vërteta, origjina e Nosit dhe familjes së tij është nga Greqia. Ai pohon se Nosët kanë të njëjtat rrënjë me një tjetër familje të madhe, atdhetare e intelektuale, Shuteriqët. Kjo do të thotë se dy prej intelektualëve më në zë të kohës, me të cilët krenohet jo vetëm Elbasani, por e gjithë Shqipëria, Lef Nosi dhe Dhimitër Shuteriqi, i bashkon jo vetëm vetëdija atdhetare dhe dashuria për dijen, por edhe i njëjti gjak.

“Gojdhana e familjes thotë se Nost janë t’ardhun nga Greqia. I pari që kishte ardh këtu pasi kishte “ranë më gjak në vendt të vet e kishte qenëi shtrënguem me dalë dheut. Po, sekure ka ardhë nuk dihet mirë pasi në familje nuk ndodhet asnjë dokument i shkruem që tëna e dëftejë. Ky fis me kalim të kohës ashtë shtue e ashtë ndamë në tri dega të ndryshme nga të cilat vetëm njana e ruejti mbiemrin e vjetër e dy të tjerat e ndërruan tuke marrë njana mbiemrin “Shuteriqi” e tjetra “Marku”. E shumta e emnavet që u ngjisnin fëmivet këta tre barqe janë po ato. Përshembull sot kanë: Anastas, Beniamin, Jakob, Gregor, Basil, Kolë, Dhimitër, Josif etj. Por edhe Shuteriqt e Markajt po kesi emnash kanë. Veç kësajë të tria degat festojnë Shënkollin me tëvetmin ndryshim që Nost e bëjnë festën në verë e Shuteriqt në dimën që të mund kështu të thërresin shishoqin në festë.

Mbiemnin Kapidani e gjejmë në kodikun e motshëm të kishës së Shën Mërisë në vitin 1784 e faqe 167….

Ashtë edhe në vitet 1812 e 1814 faqe 192 e 193….

…Një gjë që provon që Nost janë t’ardhun nga Greqia asht një ngjarje që më kallzon im vëlla Gregori.

Simon Shuteriqi më thotë se e ka pasë ndigjue nga i ati se i pari i familjes “Nosi” kishte pasë qenë “Kapidani i një anie e pasi kjo i kishte mbytë, nga Korfuzi ishte hudhë e kishte dalë mëktanë. Kishte ardhë e kishte zanë vend ktu n’Elbasan e prandaj i kishin quejtë Kapideni. Mirëpo nuk më gjanë të jetë kështu.

Emri kapidani asht ma fort nji titull nderi të cilin kur ishja më i vogël përdoresh edhe kapidan. U thoshin muhamedanët e Elbasanit të krishtenvet të pasun e me randësi në shoqëni. Edhe në katundin Golomesh të Lushnjës e kam ndigjue…”

Tërthorazi ai zbulon diçka edhe për jetën e tij, ndërsa thotë se mbiemrin “Nosi” e hasi në formën e tij greke, kur në 25.7.1934 udhëtonte bashkë me gruan e vet të sëmurë në Greqi.“Bashkë me time shoqe, gruan e parë që kysha sëmunë në grykë të Salaminës kundrejt Pireut…”.

Ai jep të dhëna më të gjera për familjen Nosi. Tregon për dy të afërmit e tij, Jançi e Nosi, “të bijtë e të cilëve nisë tregtinë” dhe “Patën një dyqan në shtëpi e pastaj dolnë në Pazar. Shkonin për mall në Venecia…”.

Letërkëmbimi me nënën

Nosi: Elbasani, kryeqyteti i ardhshëm i Shqipërisë

Nëse dikur Esenini i shkruante nënës që të ishte mirë dhe të mos bëhej merak për të, edhe Lefi i shkruante pak kohë pas shpalljes së Pavarësisë nënës së tij të dashur, por me një ton që tingëllon jo aq intim sa i Eseninit, por më tepër patriotik. I ndodhur në Vlorën ku disa muaj më parë ishte shpallur Pavarësia, ai, një nga firmëtarët e saj, vazhdon të mendojë e të punojë për të ardhmen e vendit. Në letrën shkruar nënës, i flet asaj për situatën në Ballkan dhe “luftën” e kombeve për kufijtë e Shqipërisë. Me optimizëm ai vëren gjithsesi se gjërat po ecin mbarë dhe beson se së shpejti Elbasani do të jetë kryeqyteti i Shqipërisë. Ndërsa flet për lindjen e njërit prej nipërve të tij ai e “urdhëron” nënën që t’i vendosin emër shqiptar.

Vlonë 21 Shkurt 1913

E dashuna im më.

Lettrën tande nga Durrësi me anë të Mustës e mora edhe ngëzova që jeni shëndoshë.Edhe ma tepër jam gëzumë për martesën e Lanës, lindjen e djalit t’Kolës, ardhjen e Sifit edhe qenjen e nuses s’Grigorit ma mirë.Besoj qi edhe Venimia ashtë kthymë shëndoshë nga Durrësi. Nji ditë thirra edhe Mitrin e Sildashit në telegrafore të Fierit e e pieta për ju.

Vërte u ba nji muaj që nuk ju kam shkrumë; po, shkaku qe se nuk gjinden shpeshë njerës për aty për me u dhanë lettra.Dua t’ju çoj edhe gazeta qi i marrim rregullisht nga vaporet e Greqiës, po nuk kam sesi.

Punët e Shqipëniës qënë tyke marrë funt shpejt; po, roi e s’undreq Turqia me Bullgariën për punë t’Edrenes, se xhemieti rrëxoi kabinetin e Qamil Pashës e vrau ministrin e luftës Nazim pashën e si e rroku frenin e mbretëniës në dorë nisi prap luftën. Për fat të mirë ushtëria e Turqvet u thye prap edhe pritet këtë javë të mbyllet paqa.

Për kufijt e Shqipniës hahesh Rusia me Austrinë aqë shumë sa qi desh të nisin luftë. Po, lajmet e fundit na kallxojnë se undreqën edhe po i lëshojnë ushtëritë qi patën mbledhë. Besoj se nuk asht për t’u vonumë më puna, e për së shpejti do të vimë në Elbasan në Kryeqytetin e pastajshëm të Shqipniës së reë. Do të përpiqem t’ju çoj edhe gazeta me anë të Mitrit në qoftë se mund t’jua dërgojë me sigurië. Nusja Kolës përintët i ka mirë edhe u gëzuan për lindjen e djalit.Emnin t’ia ngjitni shqip.Gjithve u falem me shëndet.Të vegjëlvet u puth sytë.Sifit veçan i puthi sytë.

    Tyke të puthmi dorën mbetem

biri yt Lefi (firma)

P.S: Si duket Shqipëria do të humbasë vetëm Prishtinën,Mitrovicën, Gillanin, Preshevën,Kaçanikun,Ferizo… ,Kumanovën,Plavën e Gucinën edhe të shumën Janinën, për të cilën më tjetër anë kemi lajme të sigurtë qi duan t’ia lanë Shqipniës. Këtë javë Kongresi i Londrës po bisedon çështjen e kufivet edhe vendimi do të botohet. Po,duhet të dimë se kjo punë u vendos më përpara ndërmjet t’Austriës e të Rusiës e pasandaj u vu në bisedim të Kongresit.

Letra dërguar të vëllait, Gregorit

Nosi, koleksionist dhe “tregtar”

Në letrën drejtuar të vëllait shohim një anë interesante të karakterit njerëzor të Nosit, si një person me shpirtin e tregtisë që kujdeset për mirëqenien e familjes dhe që këshillon vëllezërit për disa veprime praktike që duhet të bëjnë për të fituar para. Po këtu shfaqet edhe pasioni i Nosit si koleksionist, ndërsa kërkon të ruajë për “antika” pulla serbe…

Vlorë 12 Mars 1913

    I dashuni vlla Grigor

Kartën tate ato të Kolës edhe të Ali Irfanit i mora edhe u gëzova që jeni shëndoshë. Edhe ne jemi shëndoshë e së gjithash mirë. Presim me sot e me nesër qi të marri një funt puna e të vimë aty. Me anë të Mitrit ju dërgova letër edhe disa gazeta, të cilat besoj se ju kanë ra në dorë. Grekërit erdhën gjer në Tepelenë tyke ndjekun ushtëriën e Turkut. Komiteti Bullgar vrau në Selanik Gjergon mbretin e Greqiës. Ordia e Turkut qi ndodhet mbledhun sot në Lushnjeë e Fier po shet kualt e plaçkat se duket qi do t’i bjerë në dorë Sërbëvet pasi të bëjnë nji përpjekje të vogël me ta qi të mos thohet se u dhanë pa luftë. Mitri më thotë se ka blemë për ju 15 kual gjer më sot; do të bëjë mirë në qoftë se blenë ene ma të tjerë se si të shëndoshen bëhen që të vinë nga 40-50 lira kali.

Këtu sot pasi asht mbyllë dati oka e sheqerit po shitet (30) tridhitë grosh e s’gjindet. N’qoftë se mundeni dërgomëni sa ma parë nja Katër a pesë barrë t’i shes se fitimi ashtë shum i math si e shifni. Në qoftë se do të çoni, të bëni herapë për 10 ditë e sot të ndodhet gjija këtu e po u hap deti pa m’ardhë sheqeri këtu, munt të vijë nga jasht e s’mbetet fitimi. Mos e humpni pra kët rast e nisni nji njeri t’a sjelli.

Të më runi ca pulla të Serbiës, me vulën e sotme qi përdor në për letra në Shqipnië e ndonji shkresë…të kumandantit sërb se i dua për antika e kujtim. Për Cilkën e Ericksonin më shkruni si janë edhe u falem me shëndet. Farës e fisit u falem me shëndet. … e uroj për djalin. Të më dërgoni 5 qeleshe burrash nga ato qi prodhohen n’Elbasan edhe 5 qeleshe nga ato qi vinë nga Stambolli si në bojë hiri lesh e pambuk si ajo qi kam unë këtu … . Nanës i puth dorën, vëllezëvnet e motravet u falem me shëndet,të vegjëlvet u puth sytë. Sifit të fala. Shokvet të mij të fala.

Për një lettrë të Hafëz Sherifit nga Dibra qi ju pata… nuk na u çu përgjigja.

                     Vëllai i juajë

                         Lef Nosi

Përmbajtja e fondit të Nosit dhe figura e tij

Në dorëshkrimet e fondit dhe letërkëmbimin e vet, Nosi flet mbi nismën për të botuar gazetën “Tomorri”, veprimtarinë e tij zyrtare si drejtor i gazetës, si dhe jepen lutjet e Nosit dhe nënës së tij për ta liruar nga internimi i bursës. Një figurë e tillë shumëdimensionale shpaloset në gjerësi të madhe edhe përmes korrespodencës së Nosit me figura të njohura të kohës. Mjafton të përmendim emra si: Faik Konica, Fan Noli, Ismail Qemali, Fuat Toptani, etj. Numri i letrave të dërguara në adresë të tij nuk është pak. Pothuajse të gjithë letrat e Nosit janë të lidhura me çështjen kombëtare. Veprimtaria e tij është e gjerë edhe në publicistikë dhe etnologji. Një personalitet kompleks me veprimtari të gjerë e të thellë patriotike dhe intelektuale, Lef Nosi, pati në të njëjtën kohë një fat kontravers dhe vdekje të pamerituar. Botues i gazetës “Tomorri”, pjesëmarrës në Kuvendin e Vlorës, firmëtar i dokumentit të Pavarësisë apo Kryetar i Bashkisë së Elbasanit në kohën e qeverisë së Vlorës, ai u vra nga regjimi komunist duke u cilësuar si bashkëpunëtor i nazizmit gjerman. Nga dokumentet e sjella vërehet dashuria e vërtetë, pamëdyshje dhe e pastër që ai kishte për Shqipërinë dhe preokupimi për fatin e saj. Rëndësia e këtyre dokumenteve është padyshim e jashtëzakonshme, porse ka ende mjaft dokumente të tjera, të cilët duhet të shfletohen e të interpretohen në dritën e duhur. Është interesante të sqarohet qëndrimi i Nosit gjatë Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare, për të zhdukur “hijet” që mund të ekzistojnë lidhur me figurën e tij në këtë pjesë të historisë shqiptare. Ajo për të cilën nuk mund të dyshohet është se Lef Nosi, edhe vetëm përmes këtyre dokumenteve dhe detajeve të sjella këtu, dëshmohet si një figurë e patriot i rrallë me kontribut të madh për Shqipërinë dhe dashuri të veçantë për qytetin e tij, Elbasanin. Vrasja e tij nga regjimi komunist i Enver Hoxhës është një dëshmi e trajtimeve çnjerëzore, tmerreve dhe dëmeve që sjellin e mbartin regjimet diktatoriale.

Please follow and like us: