Enkel Demi

Nuk e di në është Shkullaku apo Bushati autori i neoligjizmit “tregu çam” që po zë shtrat në gazetarinë dhe politikën e dasisë. E kam thënë dhe herë tjetër që kjo shprehje që me siguri i zbavit krijuesit, meqë kanë sajuar një “të fortë”, është shprehja më e lartë e cektësisë intelektuale, sektarizmit që ka vetëm një qëllim: ngjalljen e urrejtjes populiste të injorancës ndaj një komuniteti të caktuar krahinor. Është e njëjta mendësi që futi dikur në të folmen e rrugës shprehje të këtilla si “çeçen” apo “malok” ndaj një komuniteti kryesisht geg që kërkonte hapësira jetese në qytete më të mëdha. Ata që i përdorin epitete të këtilla, ka gjasë mos të jenë të ndërgjegjshëm për fyerjen që bëjnë, e cila natyrisht kalon mbi shijen politike të ditës. Është në fakt mjerane që të sulmohen disa njerëz, thjesht sepse edhe pas 72 vjetësh duan t’i konsiderojnë ardhacakë, pasi fiset është e mira të mos krahasohen. Shkullaku vjen në Tiranë nga malësitë e Mokrrës, kurse Bushati ka gjithë të drejtën të krenohet me gërxhet, ku ha pula gurë nga na mbiu fara e frankofonisë. Nejse, shqiptarët këta janë dhe nuk kemi pse t’i shpikim aristokratë, kur nuk i janë ndarë opingës, ani se qysh nga katragjyshi tek dera ime kostumet janë alla frënga.

“Tregu çam” përdoret me kast për të caktuar një forcë politike, tëpkë si përdorte skrapallinjtë Fatos Nano, tek donte të denigronte LSI-në. Natyrisht, këto sulme përherë kanë efektin boomerang, por kjo është temë tjetër analize. Duhet thënë që të sulmosh një forcë politike, madje të bësh propagandë, të mbash qëndrime kundër saj, nuk ka asnjë gjë të keqe. Të merresh me zakonet, traditat, huqet e një krahine është krejt tjetër punë, sepse këtu prek edhe dikë që as e ka ndërmend të rreshtohet në PDIU, por ia ka ënda të hajë, gatuajë, të flasë në dialekt, të vajtojë dhe gëzojë si nana ime që kam në shtëpi. Këta e ndjejnë fjalën therrëse më shumë se sigla e një partie, pasi i bashkon i njëjti dert, genocidi. Të vazhdosh t’i tallësh, skërmitësh, sepse janë viktima të masakrës, është dashakeqe, është frymë e dreqit e të birit. Kjo është fyerja, e cila të prish punë, më shumë se sa të dallon, tek e përdor si pedanë kërcimi që të të dallojë Luli, kur të ka vënë në rresht.

Tani, o Mand, të dy ne kemi le e jemi rritur në Tiranë. Kë nuk kemi njohur, falë dhe punës sonë, por janë ca njerëz, me të cilët nuk kemi pirë vetëm një gotë tek Xhoda çami që pjek peshk, por edhe në shtëpitë e sho-shoqit. Tek ai që kemi hyrë e kemi dalë, kemi lënë dhe një shenjë miqësie, përveçse mund të kemi ndarë gjëra tonat e të atij tjetrit. Ky është shoku, miku, qoftë ky kryetar, sekretar, nënkryetar apo anëtar i “tregut çam”. A ia vlen që për hir të një konjukture ditore të humbësh edhe këtë fije romantizmi që ka mbetur në jetët tona? Pasi e di fort mirë që në pjesën tjetër të veprimtarisë jetësore, robi në këtë vend shihet në gazetari, politikë, sipërmarrje si pare shkëmbimi.