Albspirit

Media/News/Publishing

Censura letrare në Kosovë

Ndue Ukaj

Javën e kaluar, në Tiranë, në një atmosferë të mrekullueshme letrare, u shënua 25 vjetori i kalimit në amshim të shkrimtarit Martin Camaj, me ç’rast u lexuan poezi dhe u fol për autorin dhe veprën e tij. Kur mbaroi aktiviteti, një mik i imi, mu drejtua: “Po mirë, ne në Shqipëri nuk mund ta botonim Camajn, po pse ju në Kosovë nuk e botuat, meqë juve s’u ndalonte kush?”

Natyrisht, kjo pyetje më vuri në siklet të madh. Me mikun tim biseduam për dy veprat e tij të para të botuara në Kosovë (1953-1954), për rëndësinë dhe influencën që ato patën në jetën letrare e kulturore të Kosovës, për ikjen dhe jetën e tij prej shtegtari nëpër vende të ndryshme, duke e kërkuar “qetësinë e humbun”, për vetmin dhe heshtjen që ia bënë sivëllezërit shkrimorë sa ishte gjallë. Mirëpo, në esencë, pyetja ngeli pa përgjigje. Dhe ka një javë që më tundon. Pastaj mendova me vete: njëmend pse nuk e botua Camaj në Kosovë, pas ikjes dhe ndalimit që i bëri Shqipëria zyrtare veprës së tij?

Në fakt, përgjigjen për këtë duhet ta japin sivëllezërit e shkrimtarit, ata që e njihnin atë si krijues dhe intelektual, dhe që i njihnin vlerat e tij, për të cilat disa shkruan vetëm pas 90-tave, kur ra komunizmi në Shqipëri. Gjithsesi, pyetja që mu drejtua nga miku im studiues e shkrimtar, meriton një trajtim të veçantë, duke mos u kufizuar vetëm te vepra e Camajt.

Së pari, të flasim hapur, pa pezmatim dhe tendosje: pati apo jo censurë letrare në Kosovë? Pse u anatemuan shumë shkrimtarë shqiptarë? Shkrimtarët e ndaluar në Shqipëri, a ishin njëmend të ndaluar edhe në Kosovë? Apo, heshtja dhe përjashtimi i tyre, (nga ana e shkrimtarëve dhe studiuesve të Kosovës), u bë në shenjë solidarizimi me sivëllezërit e tyre nga Shqipëria?

Këto pyetje dhe dilema, gjithsesi meritojnë një debat të hapur. Sidomos nga protagonistët e kohës, nga ata që mund të përkthenin e botonin shkrimtarë të huaj, “borgjez”, disidentë, dhe ndërkohë s’e botonin Fishtën, Koliqin, Kutelin, Konicën, Haxhiademin, Pipën, Camajn, dhe një sërë autorësh tjerë me vlerë të letërsisë shqipe, të cilët Shqipëria i shpalli armiq.

Dihet, Shqipëria komuniste, nëpërmjet deduksioneve socrealiste, për njeriun e ri, tentoi ta shkatërronte trashëgiminë letrare të figurave që konsideroheshin hale në sytë e regjimit. Pastaj ajo e instrumentalizoi artin në funksion të ideologjisë utopike, për krijimin e njeriut të ri socialist, të moralshëm e pa mëkate, ku partia kujdesej për moralin publik, dhe ku individi detyrohej t’i nënshtrohej kodit të përcaktuar të ideologjisë.

Mirëpo, në Kosovë, mësime dhe shtrëngime të ngjashme nuk pati. E meqë nuk pati metoda të tilla, shkrimtarët nuk burgoseshin pse shkruan vepra letrare, atëherë pse u heshtën shumë shkrimtarë shqiptarë? Në fakt, kur përsiasim rreth këtyre temave, atëherë mund të themi se në Kosovë pati tip të vetë-censurës letrare.

Së paku, premisat të çojnë në këtë drejtim. Koha është që të bien maskat dhe të flitet hapur për këtë temë. Dhe për fund, për mendimin tim, është neveritëse tendenca që çon krye herë pas herë në Kosovë, kur shkruhet dhe flitet rreth figurës së Ismail Kadaresë dhe veprës së tij.

Ka shumë autorë, nga Kosova, që e stigmatizojnë dhe akuzojnë rëndë Kadarenë, për gjoja flirte me komunizmin dhe socrealizmin, ndërkohë që të njëjtit, heshtnin ndaj shumë sivëllezërve të tyre shqiptarë, që shpalleshin armiq, heshteshin, përbuzeshin dhe anatemoheshin. Prandaj, pyetja, nëse pati Kosova censurë letrare apo shkrimtarët bënë auto-censurë, është aktuale, dhe si e tillë, nuk mund të shpërfillet.

Please follow and like us: