Albspirit

Media/News/Publishing

Blerina Gjylameti: Iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore e doganore

Projekti që ne po shqyrtojmë sot është një tregues i vullnetit dhe i kujdesit që kjo mazhorancë tregon ndaj qytetarëve, por edhe ndaj biznesit.
Ndër vite janë ndërmarrë iniciativa ligjore për faljen e detyrimeve tatimore e doganore, por të tilla iniciativa ligjore asnjëherë nuk janë ndërmarrë paralelisht me thjeshtimin e procedurave, fushatat sensibilizuese për rritjen e ndërgjegjësimit, si dhe luftën kundër informalitetit, duke çuar kështu në mospërmbushjen e plotë të objektit kryesor të faljes së detyrimeve fiskale.
Kjo duket qartë, pasi një masë e madhe detyrimesh tatimore dhe doganore edhe pse kanë qenë objekt i ligjeve të faljeve ndër vite, kanë mbetur në llogarinë e tatimpaguesve dhe nuk janë shuar.
Për fat të keq, në vitet e mëparshme, ndërhyrjet që janë bërë nga qeverisja e mëparshme ishin të pastudiuara, duke qenë të shkëputura me atë që ndodhte në realitet.
Rezultatet, si pasojë e neglizhencës dhe e paaftësisë së treguar, duke akumuluar një borxh dhe duke bërë që dhe bizneset të dekurajoheshin për pagesat e prapambetura si dhe ato në vazhdim.
Këto detyrime që fshihen me këtë ligj i përkasin periudhave tatimore përpara 6 vjetëve; dhe përveç faktit se një pjesë e tyre duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve.
Më vjen mirë që pothuaj pas katër vitesh të qeverisjes sonë, ne kemi treguar se kemi arritur që të konsolidojmë ekonominë dhe mbi të gjitha që të ndërtojmë atë që premtuan, një shtet ligjor ku i jepej fund informalitetit dhe pagesave nën dorë.
Më vjen mirë që jemi ne ata që propozojnë me këto nisma në ndihmë të qytetarëve dhe të biznesit, por sigurisht nuk mund të rri pa shprehur keqardhjen që opozita vijon të qëndrojë jashtë kësja salle, duke u bërë bojkotuese e nismave në shërbim të interesit të qytetarëve shqiptarë të cilët duan një jetë më të mirë.
Ashtu sikurse ne që jemi në mazhorancë, besoj se edhe opozita ka të njëjtin detyrim ndaj qytetarëve: që të marrë pjesë në diskutimin e këtyre nismave dhe të paraqesë propozimet e saj për përmirësimet e nevojshme. Diskutimi në komisionet parlamentare të nismave të tilla duhet të kuptohet nga ana e kolegëve tanë të djathtë si tregues i përgjegjshmërisë ndaj qytetarëve dhe jo si tradhti ndaj interesave personale të kryetarit që i ka bllokuar për 40 ditë tek çadra.
Duke u ndalur tek nisma që ne do të shqyrtojmë dhe miratojmë sot, dua të theksoj se përmes kësaj nisme përfitojnë të gjithë tatimpaguesit të cilët janë debitorë ndaj administratës tatimore qendrore dhe vendore, të regjistruar në regjistrin aktiv apo atë pasiv, ose të çregjistruar, të cilët pavarësisht faktit se kryejnë apo jo veprimtari tregtare, rezultojnë me detyrime të papaguara në sistem. Gjithashtu përfitojnë të gjithë debitorët ndaj administratës doganore dhe pronarët e mjeteve të transportit që nuk kanë kryer asnjë veprim me mjetet e tyre, sipas kushteve që përcaktohen në nenin 11 të këtij projektligji. Subjektet që përfitojnë nga fshirja për detyrimet tatimore, përfitojnë me kusht që këto detyrime të jenë të papaguara në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji.
Si detyrime tatimore që fshihen pa kusht, përfshihen jo vetëm gjobat por edhe tatimi (principali) dhe kamatëvonesat, që i përkasin periudhave tatimore përpara dhjetorit 2010, pavarësisht datës së konstatimit apo evidentimit të tyre, duke përjashtuar detyrimet për kontributet shoqërore dhe shëndetësore, si dhe rastet kur në këtë ligj përcaktohen ndryshe. Përjashtimet për kontributet dhe taksat e makinave janë përcaktuar në dispozita të tjera të këtij ligji. Ndërkohë që për llojet e tjera të tatimeve/taksave/tarifave fshihet edhe principali. Kontributet janë përjashtuar nga kjo fshirje, pasi kontributi është detyrim që i është mbajtur të punësuarit nga punëdhënësi dhe si i tillë duhet paguar në buxhet për qëllime të sigurimit të detyrueshëm dhe për vitet e punësimit për qëllime të përfitimit të pensionit. Për këtë kategori nuk fshihet detyrimi (kontibuti), por synohet vetëm fshirja e kamatevonesave dhe dënimeve administrative (gjobat) për sigurimet shoqërore dhe shëndetesore të aplikuara sipas ligjit nr.9920, datë 19.08.2008 “Për procedurat tatimore në Republikën e Shqipërisë”, i ndryshuar, që i përkasin periudhave tatimore Dhjetor 2010 e më parë. Këto detyrime që fshihen i përkasin periudhave tatimore përpara 5 vjetëve dhe, përveç se një pjesë, duhej të fshiheshin si rezultat i ligjeve të mëparshme të faljeve, gjithashtu për këto 5 vjet rezultojnë të pambledhura.
Më lejoni që të ndalem pak më gjerësisht tek një kategori që përfitojnë faljen e gjobave dhe të kamatëvonesave, siç janë të vetëpunësuarit në bujqësi.
Amendamenti i propozuar zgjeron faljen edhe për gjobat dhe kamatëvonesat mbi sigurimet e fermerëve, të cilat i përkasin 5 viteve të fundit. Pra e thënë më thjeshtë për lexuesin, do të fshihen gjobat dhe kamatëvonesat për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që i përkasin periudhës 1 janar 2011-31 dhjetor 2016, me kushte pagesën e kontributeve brenda datës 31/12/2017.
Për fat të keq, tranzicioni i këtyre 25 viteve krijoi edhe një kaos në sistemin e kontributeve, ndërkohë që një nga shtresat më të prekura ishin pikërisht ata që merreshin me bujqësi. Nëse kjo gjendje e lënë e tillë për kaq vite do të vijonte, atëherë me mijëra të vetëpunëusar në bujqësi nuk do të mund të përfitonin asnjë pension që do të mbulonte shpenzimet e tyre të jetesës kur të arrinin moshën e caktuar.
Besoj se kjo nismë që do të miratohet sot është një nga nismat më pozitive të ndërmarra, dhe që mbështetja e atyre që punojnë në bujqësi do të japë efekte shumë shpejt përmes rritjes së atyre që duan të paguajnë kontributet.
Kjo jo vetëm që do të lehtësojë ata nga disa detyrime penalizuese të akumuluara ndër vite, por në të njëjtën kohë do të shërbejë edhe si një nxitës që kjo kategori të rifutet në skemën e sigurimeve.
Më lejoni që të rendis edhe një sërë përfitimesh që do shtyjnë qytetarët të paguajnë kontribute.
I/e vetëpunësuari/a në bujqësi, pasi plotëson kushtet e përcaktuara në Ligjin nr. 7703, datë 11.5.1993 “Për sigurimet shoqërore në Republikën e Shqipërisë”, të ndryshuar, është përfitues/e, sipas rastit, i/e:
–  Pensionit bazë të pleqërisë;
– Pensionit të pjesshëm të pleqërisë;
– Pensionit të reduktuar të pleqërisë;
– Pensionit të invaliditetit;
– Pensionit të pjesshëm të invaliditetit;
– Pensionit familjar;
– Të ardhurës për barrëlindje;

– Shpërblimin për lindje fëmije.

Përmes fshirjes së gjobave dhe të kamatëvonesave për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore për të vetëpunësuarit në bujqësi, që i përkasin periudhës 1 janar 2011-31 dhjetor 2016, me kushte pagesën e kontributeve brenda datës 31/12/2017, do të përfitojnë mjaft prej qytetarëve që jetojnë në Berat, Kuçovë, Durrës, Krujë, Elbasan, Peqin, Fier, Lushnjë, Mallakastër, Gjirokastër, Përmet, Korçë, Pogradec, Devoll, Lezhë, Laç, Shkodër, Tiranë, Kavajë, Vlorë, Sarandë dhe Delvinë, si dhe në Bulqizë, Dibër, Gramsh, Has, Kolonjë, Kukës, Librazhd, Malësi e Madhe, Mat, Mirditë, Pukë, Skrapar, Tepelenë dhe Tropojë.
Projektligji parashikon edhe fshirjen e gjobave për subjektet që kanë shitur duhan në mënyrë të paligjshme. Kjo fshirje argumentohet me faktin që akciza për duhanin e grirë, në vitin 2017, është përgjysmuar dhe borxhi i vlerësuar më parë paraqet vështirësi dhe kosto administrative për t’u mbledhur.
Një tjetër pikë ku ia vlen të ndalemi është dhe ajo që njihet si amnistia për mjetet e qarkullimit.
Projektligji parashikon heqjen nga qarkullimi të mjeteve të transportit për të cilat nuk është kryer asnjë veprim pas datës 31 dhjetor 2011. Kjo shoqërohet edhe me fshirjen e detyrimeve të papaguara. Subjektet përfituese duhet që brenda 6 muajve nga hyrja në fuqi e ligjit, të paraqiten në Drejtorinë e Përgjithshme të Transportit Rrugor për të kryer procedurën e heqjes nga qarkullimi të mjetit.
Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, janë përafërisht 100,000 mjete të cilat nuk janë aktive (që nuk kanë kryer veprime për detyrimet financiare dhe kontrollin teknik) për një periudhë të gjatë kohe, afërsisht rreth 10 vjet.
Nisma parashikon dhe fshirje të detyrimeve në sektorë të rëndësishëm, si ai energjetik dhe të ujësjellësave. Duke qenë se sektori elektro-energjetik është sektor strategjik, për shoqëritë që veprojnë në këta sekorë dhe që kanë 100 për qind kapital shtetëror është parashikuar të fshihen deri në dhjetor 2010 të gjitha detyrimet.
Për periudhën janar 2011 deri në dhjetor 2013 fshihen detyrimet e papaguara, me përjashtim të kontributeve të sigurimeve shoqërore e shëndetësore, si dhe të detyrimeve si rezultat i vetëdeklarimeve; si dhe për vitin 2014 fshihen gjobat dhe kamatëvonesat, me kusht që të paguhet principali. Gjithashtu, edhe për shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve zbatohen të njëjtat rregulla si në sektorin elektroenergjitik, por ato kanë si përjashtim që nuk fshihen detyrimet për kontributet e sigurimeve shoqërore e shëndetësore.
Në këtë nen është parashikuar gjithashtu të fshihen nga regjistrat detyrimet e pagueshme në doganë sipas kuptimit të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, të evidentuara në administratën doganore, për TVSH-në e shtyrë dhe të papaguar për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, sipas listës përkatëse në fuqi deri në datë 31.12.2016.
Me herët, për makineritë dhe pajisjet, importimi i të cilave është përjashtuar nga tatimi mbi vlerën e shtuar, aplikohej skema e shtyrjes së pagesës së TVSH-së në doganë për një periudhë 12 mujore, që mund të shtyhej edhe më shumë se 12 muaj me autorizim të Drejtorit të Përgjithshëm të Doganave/Ministrit të Financave. Kjo skemë është zëvendësuar me përjashtimin e makinerive dhe pajisjeve në import, sipas listës të përcaktuar me vendim të Këshillit të Ministrave.
Si pasojë e një sërë problematikash gjatë kryerjes së procedurave, rezulton tashmë se TVSH e shtyrë në doganë dhe e papaguar është në shumën rreth 1,28 miliard lekë në vite. Si në rastin ku aplikohej skema e shtyrjes së TVSH-së për makineritë dhe pajisjet dhe më pas aplikimi i përjashtimit të TVSH-së direkt në import, ka si synim lehtësimin në fazën e parë të investimit për kategorinë e subjekteve përfitues, me qëllim promovimin e investimeve në vendin tonë.
Është një kategori subjektesh dhe pikërisht kjo që përfshihet në këtë projektligj, të cilët për shkak të një sërë faktorësh kanë detyrime të TVSH-së së shtyrë në doganë, e cila edhe pse mund të paguhet sot, në zbatim të dispozitave të ligjit të TVSH-së, nuk është më e zbritshme (kreditueshme) dhe për pasojë as e rimbursueshme. Pra, kjo TVSH do të ishte kosto direkte për biznesin investitor dhe do t’i ngelej atij në ngarkim, në një kohë që tashmë makineritë dhe pajisjet për të cilat ishte shtyrë pagesa e TVSH-së janë të përjashtuara në import nga ky tatim.

Të nderuar kolegë deputetë,

Mendoj se është për t’u përshëndetur edhe kujdesi i treguar në hartimin kësaj nisme, ku është përcaktuar qartësisht se për detyrimet tatimore apo doganore, të cilat janë në proces ankimimi administrativ apo gjyqësor, ato do të falen me kushtin që tatimpaguesi heq dorë nga procesi i ankimimit apo ai gjyqësor. Administrata tatimore ose doganore për detyrimet e fshira, sipas këtij ligji, ndërpret procedurat e mbledhjes me forcë të detyrimeve.
Nisma të tilla besoj se gëzojnë mbështetjen e të gjithëve ne, pasi ato janë në mbrojtje të interesit të qytetarëve si dhe të biznesit. Besoj se efektet që do të fillojë të japë zbatimi i kësaj nisme, do të përmirësojnë klimën e biznesit në Shqipëri duke gjeneruar vende të reja pune, dhe në të njëjtën kohë do të konsolidojnë financat duke pasur të dhëna realiste dhe jo fiktive.
Në të njëjtën kohë, impakti i drejtpërdrejtë për qytetarët si për faljen e gjobave për automjetet, ashtu dhe për kamatëvonesat për kontributet në bujqësi, do të ketë impakt direkt tek qytetarët duke i lehtësuar ata dhe në të njëjtën kohë duke rritur formalitetin.
Për të gjitha këto, ju ftoj të nderuar kolegë që ta miratojmë bashkërisht këtë nismë, me shpresën që edhe kolegët tanë do të arrijnë që të dalin nga çadra ku janë bllokuar për hir të postit të kryetarit të tyre dhe të mbrojnë atë për të cilën realisht janë votuar, mbrojtjen e interesit qytetar.
*Fjala në Parlament e deputetes Blerina Gjylameti
Please follow and like us: