Albspirit

Media/News/Publishing

Media e “të ndenjurave”, Kim Kardashian dhe lufta për paqe

Lorenc Vangjeli

Ka një pakënaqësi në rritje ndaj medias. Ka pakënaqësi ndaj medias së shkruar, e cila ka vite që është në krizë për shkak të mediave vizive; ka pakënaqësi ndaj mediave vizive, të cilat janë në krizë për shkak rritjes së mediave sociale; ka një pakënaqësi në rritje ndaj mediave sociale për shkak të përdorimit të tyre në shumicë dërmuese nga joprofesionistë. Dhe për shkak të përdorimit të tyre nga profesionistë të së ligës. Një qark i mbyllur shkak-pasojë, ku çdo pasojë mund të shërbejë edhe si shkak dhe anasjelltas.

Ka pakënaqsi nga publiku – konsumatori i produktit të medias – por ka pakënaqësi dhe nga subjektet dhe objektet e trajtuara nga media. Që nga politikanët, njerëzit publikë e deri tek këngëtaret me zë “kompiuteri” dhe gjoks e buzë silikoni, për të vazhduar tek politikanët e silikonit që kanë lidhje me politikën po aq sa ka sharra e drurit me muzikën.

Ekzistojnë të gjitha mundësitë dhe premisat që armiqësia mes medias dhe objekteve dhe subjekteve të saj, pra, të rritet dhe më tej dhe të bëhet madje edhe një premisë shqetësuese më shumë në qerthullin e krizave. Të krizave të vërteta të vendit dhe atyre të sajuara.

Portreti i gazetarit ka ndryshuar shumë në kapërcyellin e një shekulli; njeriu me bllok në dorë u zëvendësua nga radiokronisti që mbante dhe magnetofonin në krahë. Radiokronisti me gazetarin televiziv me mikrofon në dorë dhe të gjithë këta, sot kanë portretin e çdo qytetari me dorën e tretë: “smarttelefonin” që regjistron dhe transmeton në kohë reale. Edhe pse të gjitha këto kategori gazetarësh janë edhe në bashkëjetesë, edhe në kundërshti për të siguruar terren, aksione e “pronësi” në të vërtetën dhe mbi të vërtetën, të gjitha së bashku janë në krizë. Në krizë të thellë besimi, e cila në thelb është barku që i pjell të gjitha krizat.

Larushia e pafundme e mediave, pluraliteti ekstrem – jo domosdoshmërisht politik – nguti i kohës që konsumon vetëm sipërfaqen, aprofesionalizmi e klientelizmi, e deri tek simptomat që shfaqen në shoqëritë e pushtuara nga globalizmi dhe konsumizmi, janë vetëm një pjesë e vogël e shenjave të krizës. Si kudo dhe në Shqiopëri. Ku më shumë dhe ku më pak, por gjithkund njëlloj, lajmi se Kim Kardashian, fjala vjen, do të hiqte implantet e vitheve të saj, do të kishte shumë më shumë interes se motivaconi i Nobelit për paqen.

Media në Shqipëri është nën sulm kryesisht nga politika dhe në mosbesim nga publiku.

Kryeministri, i cili është gazetar, po aq sa është piktor dhe politikan, i kthehet shumë shpesh “profesionit” të tij të hershëm në media dhe shfaqet si gazetar. Qoftë dhe për këtë arsye ai luan vazhdimisht me median. Ku duke e mikluar atë, sipas kritikëve të tij, ku duke e shpërfillur dhe duke e ironizuar e goditur. Nga “të falat e djeshme për Sandrin” e deri tek mediat e kazanit në të sotmen, Rama e ka temë të preferuar median. Herë si tabelë ku qit batuta dhe herë si transmetues të batutave të tij,

Prej pothuaj dy muajsh, me median si temë të preferuar po merret non stop edhe kryetari i opozitës. Zoti Basha nuk po shmang asnjë rast pa e përdorur fjalën e tij kundër njerëzve të fjalëve dhe të imazhit. Mbiemri “qeveritar” për mediat është i zakonshëm dhe më i buti në përdorim prej tij.

Nuk është risi. Në Shqipëri është ligjësi. Të gjithë, si rregull bëhen me të fortin. Pushteti dhe fituesi i pushtetit, pothuaj pa përjashtim, në mos i merr, i vetafrohen të gjithë.

Për ironi të fatit, gazetarët riprodhojnë fjalë për fjalë dhe sekuencë për sekuencë çfarë thuhet kundër tyre. Duke qëndruar në “raftet” e këtij vendi si një produkt që është edhe shkak, edhe pasojë e ndeshjes për pushtet. Sepse dhe media është pushtet më vete. Zakonisht e quajnë pushtet të katërt. Ndaj është fare i kuptueshëm mllefi me mediat. Eshtë kohë e rikonfirmimit të tre pushteteve të tjera. Media, me gjithë kusuret e saj të pafundme, me gjithë papërsosmërinë e saj, është në fund të fund dëshmitare e kohës. Më shpesh si pasojë dhe jo si shkak.

“…kam dëgjuar broçkullat e mediave qeveritare që interpretojnë siç ju do prapanica fjalët…”, tha kryetari i ri i Partisë Demokratike. Pa ditur se në këtë botë, fatkeqësisht, vithet e Kim Kardashianit tundojnë shumë më shumë se Nobeli për Paqe. Dhe se për të vendosur paqen, si rregull, nuk vlen vetëm hapja e b..thëve për të bërë luftë!

Please follow and like us: