Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipëria, në një koleksion pullash

(konica.al)

Koleksioni i veçantë i filatelisë shqiptare sjell ekskluzivisht për konica.al  disa foto të rralla pullash shqiptare. Pulla postare është pasqyrë  e historisë së popullit shqiptar. Ajo ka pasur përherë fytyrën e saj të papërsëritshme, portretin e vet autentik. Ky portret filloi të skicohej menjëherë pas Aktit madhor – Shpalljes së Pavarësisë, më 28 Nëntor 1912.  Fillimisht, me krijimin e shtetit të pavarur shqiptar, për vetë rrethanat në të cilat ndodhej administrata e Qeverisë së Ismail Qemalit, vazhduan të ekzistojnë postat osmane. Madje ishin po ata nëpunës, që deri në maj 1913, përdorën vulat dhe pullat turke.

Gjërat hynë në normalitet duke filluar nga 5 maji i vitit 1913, kur u emetua dhe u vu në qarkullim  pulla e parë kombëtare shqiptare. Qeveria e Ismail Qemalit, duke pasur në përbërje të saj si Ministër të Postave intelektualin e njohur Lef Nosi, i kushtoi vëmendje të veçantë veprimtarisë postare përgjithësisht dhe emetimit të pullave posacërisht. Vetëm në pak muaj të ekzistencës së saj, më 7 korrik 1913, Qeveria e Përkohshme e Vlorës bëri kërkesë për antarësim në Bashkimin Postar të Përbotshëm, realizimi i së cilës zgjati më shumë se tetë vjet. Pikërisht në tetor të vitit 1922 Shqipëria u bë anëtare e UPU-së.

Emisioni i parë, ose pulla e parë, u realizua afro gjashtë muaj pas shpalljes së Pavarësisë. Ajo nuk ishte e zakonshme, siç janë pullat aktualisht, por kishte formën e një vule në ngjyrë të zezë, me të cilën u shtypën gjithsej 2232 zarfa.

Si në të gjitha shtetet e tjera edhe në Shqipëri, filatelia ka qënë pjesë e kulturës dhe e lidhur ngushtësisht me historinë. Këtë e dëshmon më së miri edhe periudha midis dy luftrave botërore. Kjo periudhë pasqyrohet në filateli me veçoritë e saj specifike. Ndër to mund të përmendim p.sh., numrin e paktë të emisioneve të emetuara në vitet 1914-1919, pra gjatë Luftës së Parë Botërore. Ato kanë qenë kryesisht emisione pullash lokale si në Shkodër, Korcë, Berat, Vlorë, Gjirokastër, Tepelenë, Himarë, Elbasan etj. Larmi emisionesh emetuan edhe fuqitë ndërluftuese të Luftës së  Parë Botërore që pushtuan Shqipërinë. Këto emisione qarkulluan së bashku me vulat datare që mbajnë shkrime në gjuhët e këtyre fuqive pushtuese.

Jo rastësisht, por nisur nga kuriozitetet e shumta, po veçojmë nga kjo periudhë historinë postare dhe emetimin e pullave nga Qeveria e Përkohshme e  Durrësit, e kryesuar nga Esat Pashë Toptani .

Pas largimit të Princ Vidit, duke filluar nga 2 tetori 1914, Esat Pasha formoi Qeverinë e Përkohshme të Durrësit. Në këtë kohë zyrat postare ishin të mbyllura; shërbimin postar e kryenin postat e Levantit austriak dhe atij italian. Kjo situatë e detyroi Esat Pashën që më 9 janar 1915 të çel zyrat postare në Durrës, Elbasan, Shijak, Lezhë, Kavajë. Fillimisht u përdorën pullat me portretin e Skënderbeut.

Sigurisht kjo sasi pullash nuk i plotësonte kërkesat për një kohë të gjatë. Prandaj Qeveria e Esat Pashës vendosi të vinte në qarkullim dy emisionet “Tarabosh”, të porositur qysh në vitin 1913 nga Pleqësia e Shqipërisë së Mesme. Ishin gjithsej 12 vlefta, nga të cilat 7 të formatit 27×30 mm dhe 5 të formatit 27×34 mm. Këto pulla, që gjithashtu kanë si mbishtypje një myhyr të rrumbullakët me gërma arabe, u përdorën, duke filluar nga 10 shkurti 1915 në Shqiperine e Mesme, madje edhe në Berat e Skrapar.

Pas këtyre emisioneve, do të duhej të vinte viti 1919 që të dilnin në dritë disa emisione të tjera interesante: Zarfi me “Zyra e Financave në Elbasan”, me tirazh 500 kopje, që u vu në qarkullim gjatë muajit janar 1919; emisionet lokale të Shkodrës me mbi shtypje të pullave fiskale të administratës austro-hungareze, që ishin gjendje në zyrat e financës në Shkodër, si dhe pulla 1 grosh e emisionit të vitit 1919 me mbishtypjen “SHKODER 1919” në formë ovale.


Në periudhën që vijon ka vite të tëra si ato 1921, 1926, 1932, 1935, 1936, kur nuk u emetua asnjë emision . Gjithashtu, krahas numrit të paktë të emisioneve, karakteristikë është edhe ngushtësia tematike. Zotëruese mbetet tema politike. Në vijim të një tradite edhe të vendeve të tjera, në pulla filloi të dukej përherë e më shumë portreti i mbretit, Ahmet Zogut, (në periudhën deri në 1939 shumica e pullave janë me fytyrën e tij), ndërsa gjatë pushtimit italian spikat shpesh fytyra e Viktor Emanuelit III.

Me interes të veçantë dhe që e kapërcenin disi këtë ngushtësi tematike, ishin pullat ajrore. Duke pasur të fiksuar figurën e avionit, ato tregonin se i shërbenin postës ajrore, çka përligjte edhe tarifën e lartë që kishin.

Pra filatelia shqiptare e periudhës 1913-1944, është mjaft interesante. Këtu mund të përmenden jo pak emisione që janë bërë tejet të rrallë: zarfat me vulë ari të pullave me fytyrën e Skënderbeut, zarfi me vulën e Zyrës së Financave të Elbasanit, zarfi me vulën e Tepelenës, zarfi me vulën e Beratit, emisioni gotik me mbishtypjen “Mbr . Shqiptare”, pullat e Komisionit të Kontrollit Provizor të Korcës, emisioni i 19 marsit 1915 kushtuar ngritjes së flamurit në fortesën e Shkodrës, ato të pushtimit grek, italian dhe gjerman, sidomos emisioni i 14 shtatorit 1943, që spikat veçanërisht për shumëllojshmërinë e gabimeve.

Koleksioni i pullave gjatë periudhës së Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë

 

Please follow and like us: