Albspirit

Media/News/Publishing

Enida Bozheku: Neni 449, një amnisti me stil evropian

Situata e nderë midis dy partnerëve qeverisës nuk e pengoi aspak konsensusin faktik PS – LSI i cili miratoi unanimisht në seancën e fundit të Kuvendit të Shqipërisë ndryshimet e kodeve organike, pjesë e sistemit të drejtësisë. Arsyetimi i përdorur ishte nevoja për t’iu përgjigjur sfidës së harmonizimit të legjislacionit shqiptar me standardet më bashkëkohore “euro-amerikane” të fushës.

Ishte e qartë se paketës së ligjeve të domosdoshme për t’i dhënë jetë dhe zbatim reformës në drejtësi duhej t’i përshtatej kuadri i normave të përmbajtura në kodin e proçedurës penale.

Në morinë e ndryshimeve që prekin këtë kod, i cili për mendimin tim do të kish qënë i dobishëm të reformohej ex novo, pra tërësisht, dhe jo me pjesë apo nene të caktuara, u miratua edhe  neni 449 k.p.p., nëpërmjet një manovre aspak trasparente dhe ekstremisht të dyshimtë, veçanërisht nëse u referohemi standardeve që kërkohen të arrihen nëpërmjet reformës në drejtësi.

Çfarë nënkupton neni i shumëpërfolur 449? Neni në fjalë është vendosur në kreun e IV të titullit të X të kodit të proçedurës penale dhe për nga funksioni që kryen në sistemin e drejtësisë ka qëllime garantuese të së vertetës koinçiduese faktuale me atë proçesuale.

Neni 449 së bashku me nenin 450 k.p.p., janë pjesë e të ashtëquajturës masë e jashtëzakonshme për ankimimin e vendimeve gjyqësore të formës së prerë.

Në formulimin e mëparshëm, neni 449 k.p.p., duke marrë parasysh strukturën kontroverse socio–politike dhe natyrën hibride të sistemit të drejtësisë shqiptare, ishte i ndërtuar në mënyrë të tillë që t’i linte hapësirë rishikimit të vendimeve gjyqësore që kishin marrë formë të prerë, me qëllim garantimin e së drejtës faktuale në raport me atë proçesuale. Ky nen parashikonte mundësinë e rishikimit të plotë të vendimeve të formës së prerë edhe në rast pafajësie, kur palët e interesuara (të dëmtuara) duke i drejtuar një kërkesë prokurorit (apo vetë prokurori me iniciativë të tij) brenda 5 vjetësh nga marrja formë të prerë një kërkesë rishikimin e vendimit të pafajësisë.

Ndryshimi i fundit i ndërmarrë nga Kuvendi i Shqipërisë shpalos një rishikim total i këtij neni, i cili gjatë diskutimeve edhe me ndërkombëtarët që asistojnë në proçesin e reformimit të drejtësisë sonë, nuk ishte paraqitur apo vënë në kontekst debatimi, në formatin në të cilat u votua.

Neni 449 k.p.p., i mbi-titulluar “amnistia”, parashikon: “ … mos lejimin e rishikimit të vendimit të pafajësisë dhe as rishikimin e vendimit të dënimit, kur synohet rëndimi i pozitës së të dënuarit”.

Një analizë e thjeshtë e kontekstit na tregon fare qartë se nëse Shqipëria do të ishte realisht një vend me nje sistem juridiko–gjyqësor të nivelit të lartë moral, etik dhe profesional, të aftë të vetë-menaxhohej me integritet dhe përkushtim ndaj së mirës së përbashkët “e drejtë”, ky nen i shumëpërfolur nuk do të kishte asgjë për t’u kundërshtuar.

Por, duke mos iu larguar asnjë çast situatës aktuale, ku në Shqipëri gjendet në reformim i gjithë i sistemi i drejtësisë, ku korrupsioni ka kapur nivele të frikshme, ku niveli përgatitor i gjykatave është i tillë që ka nevojë të kalojë në sitën e të ashtëquajturit “vetting”, atëherë duhet vërejtur se dyshime të konsiderueshme nuk kanë sesi të mos bien mbi formulimin e zgjedhur për nenin në fjalë, veçanërisht përsa i përket ndërthurjes së interesave të mbrojtjes së ndërsjelltë dhe personale midis politikës dhe gjyqësorit.

Ky nen respekton dhe pasqyron direktivat europiane në lidhje me parimet garantuese të së drejtës por, siç çdokush di, ligjet janë krijim autokton i vendit ku lind nevoja që ato të zbatohen dhe jo një copy – paste i formulimeve të vendeve me drejtësi të konsoliduar qindravjeçare. Ligjet i përshtaten terrenit, nivelit kulturor, mentalitetit, dijeve dhe aspiratave të një vendi. Ato janë “pjellë e sistemit” dhe duhet të disiplinojnë fenomenet negative, të cilat shoqëria nuk mund t’i vetëadministrojë në mënyrë qytetare.

Rishikimi i nenit 449 k.p.p., na tregon diçka që bie ndesh me konstatimin e mësipërm. Fakti që tashmë nuk është më e mundur të rishikohen vendimet e pafajësisë, është shqetësues dhe bie ndesh me frymën e vettingut dhe me të gjitha përpjekjet që janë bërë dhe po bëhen për të luftuar korrupsionin në Shqipëri.

Ky konstatim vjen si rezultat i një arsyetimi tërësor, që shkon, dhe nuk ka sesi të mos shkojë përtej argumentit rreptësisht juridik. Ai lidhet me koordinimin e egzigjencave kombëtare në luftën kundër korrupsionit në peridhën e tranzicionit demokratik. De jure ky nen në pjesën e mos rishikimit të pafajësisë legjitimon të gjitha vendimet që deri më sot, gjykata të korruptuara kanë dhënë ndaj individëve “të aftë për të paguar” apo “mbështetës të gjykatësve në ngritje karriere”.

Në një tranzicion demokratik 27-vjeçar, ku me drejtësinë është luajtur në mënyrën më makabre nga pushteti, ku gjyqësori është vënë fshehtazi dhe haptazi në shërbim të korrupsionit qoftë ky ad personam apo qoftë shërbyes i klikave pushtetase të kohës, mbetet fakt që deri sa flitet për korrupsion të gjyqësorit si problem dhe vetting për spastrim të tij si zgjidhje  -“amnistia” e vendimeve të pafajësisë  të këtij sistemi të konsideruar si ekstremisht korruptuar, duke mos lejuar rishikimin – prek në themel vetë reformen dhe vettingun e shumëpritur.

Nëse reformatorët e drejtësisë do të kishin dashur sinqerisht të koordinonin dhe jepnin një zgjidhje të mençur dhe të realizueshme, si për politikën, ashtu dhe shoqërinë shqiptare, hipotetikisht mund të kishin riformuluar nenin 449 në termat e mëposhtëm:

“Vendimet e pafajësisë që kanë marrë formë të prerë mund të rishikohen vetëm atëherë kur, në prezencën e një prove të re që provon përtej çdo dyshimi të arsyeshëm fajësinë e subjektit të shpallur të pafajshëm, ndërmerret një iniciativë nga pala e interesuar (dëmtuar) apo nga prokurori brenda afateve të parashkrimit të veprës penale”.

Ky riformulim, ofrohet si shembull ndërmjetësimi midis parimit garantues të pafajësisë dhe atij të drejtësisë sociale në kushtet e një vëndi ku sistemi juridik është i korruptuar që në themelet e dijes, pra që në sallat universitare.

Përsa i përket pjesës së dytë të dispozitës normative, nulla quaestio!

Gjithsesi ky nen, në kushtet aktuale të shoqërisë shqipëtare është i parakohshëm, jashtë qëllimit spastrues të sistemit nga padrejtësia dhe korrupsioni, si dhe bie ndesh haptazi me ligjin e Vettingut, i cili synon “rilindjen” e drejtësisë shqipëtare, duke ndëshkuar korrupsionin, mediokritetin dhe konfliktet e interesit të lidhur me pushtetin.

Please follow and like us: