Albspirit

Media/News/Publishing

Kolaboracionistët grekë të genocidit ndaj çamëve në një libër në gjuhën angleze

Doli në qarkullim në gjuhën angleze libri i historianit dhe publicistit shqiptar, Arben Llalla, “Kolaboracionistët grekë projektuesit dhe udhëheqësit e genocidit në Çamëri (19441945)”.

Libri është botuar në gjuhën shqipe në në qershor të vitit 2016 dhe është shitur me një tirazh të madh. Kjo është arsyeja që autori dhe botuesi menduan ta sjellin në gjuhën angleze, veçanërisht për lexuesin e huaj.

Libri ka shumë fotografi, ku studiuesi Arben Llalla ka shfrytëzuar bibliografi greke, pra është mbështetur tek librat, gazetat dhe revistat e vendit fqinj. Libri është përkthyer nga gjuha shqipe në anglisht nga Gjeraqina Leka, ndërsa është redaktuar nga prof.dr. Saimir Lolja, lektim Besim Dogani dhe është botuar në Tetovë, në qytetin ku jeton dhe vepron nga viti 2004 Arben Llalla.

Ndër të tjera në librin e tij ai shkruan:

Qëllimi i këtij libri është për të sjellë aspekte dhe dokumente historike me pika të shkurta që nga koha e qeverisë së Joani Metaksait (1936-1941) e deri në genocidin grek ndaj popullsisë shqiptare (1944-1945). Për të nxjerrë në dritë të vërtetën se çamët nuk kanë bashkëpunuar asnjëherë kolektivisht me italianët dhe gjermanët. Ka patur individë që kanë bashkëpunuar me këta pushtues, por nuk mund të masakrohet një popull i tërë për individë, të cilët edhe në të shkuarën i kanë shërbyer pushtuesve të ndryshëm për të ruajtur pasurinë dhe privilegjet. Ne, do të sjellim fakte se djemtë e Çamërisë ishin përkrah ushtrisë partizane greke EAM-ELAS dhe shumë prej tyre ranë dëshmorë për lirinë e Greqisë duke besuar tek bashkëjetesa vëllazërore mes dy popujve. Do vërtetojmë shkencërisht se kush janë ata që bashkëpunuan zyrtarisht me pushtuesit italianë dhe gjermanë.

Libri përmban fakte nga arkivat greke, 90% e bibliografisë sonë është mbështetur tek gazetat, revistat dhe librat e autorëve grekë. Po ashtu edhe faksimile të gazetave të vitit 1942, ku lexojmë shkrime rreth bashkëpunimit të Napoleon Zervës dhe EDES me gjermanët, faksimile të botuara viteve të fundit nga CIA rreth bashkëpunimit të disa personaliteteve greke që më tej u bënë figura qendrore të jetës politike në Greqi si ish-kryetari i saj Konstandin Karamanlis, e të tjerë.

Në libër gjenden me dhjetëra fotografi që nga viti 1936-1944, që tregojnë instalimin e simboleve fashiste dhe naziste nga qeveria e Joani Metaksait, fotografi nga marrëveshja e dorëzimit paqësor, pa kushte tek ushtria naziste gjermane e ushtrisë greke në prill 1941. Me interes janë edhe faktet e klerikëve grekë si kryepeshkopë dhe peshkopë, të cilët hoqën robën fetare dhe veshën uniformën e ushtrisë EDES duke marrë pjesë drejtpërdrejtë në masakrat kundër popullsisë së pambrojtur shqiptare në Çamëri. Pjesëmarrja e Kryepeshkopit Spiridon Vllehu në aneksimin e jugut të Shqipërisë nga ushtria greke në vitin 1914 dhe roli kyç i tij në dorëzimin paqësor të ushtrisë greke tek gjermanët në prill të 1941. Në genocidin grek kundër popullsisë çame morën pjesë edhe dy figura të larta të Kishës Autoqefale të Greqisë si Peshkopi i Paramithisë, Dhorotheos dhe Kryepeshkopi Serafeim.

Këto fakte janë mbështetur në fotografit të saj kohe që gjenden në libër, por edhe në deklaratat e bëra nga vetë klerikët grekë pas shumë vitesh. Do sjellim fotografitë origjinale që historianët grekë i kanë keqinterpretuar qëllimisht për lexuesin ndër vite sikur shqiptarët e Çamërisë janë në bashkëpunim me nazistët gjermanë, por e vërteta e atyre fotografive është krejt tjetër gjë.

Ky libër nuk i përket vetëm lexuesve të rëndomtë, të cilët do të mësojnë gjëra që shumë pak historianë, studiues dhe publicistë i thonë, por edhe akademikëve do t’ju shërbejë si një udhërrëfyes për të nxjerrë nga pluhuri i harresës të vërtetën e genocidit grek ndaj shqiptarëve në Çamëri. Është një libër që nuk është shkruar për propagandë politike, as për të hedhur baltë mbi popullin grek apo personalitetet e tyre, por për të thënë të vërtetën që njerëzimi duhet ta mësojë pa ndikimet emocionale dhe interesat politike.

Çështja Çame nuk është thjeshtë një çështje historike dhe e pronave të konfiskuara me ligj nga shteti grek, por kjo çështje në radhë të parë është politike, ku prej vitit 1913, pas pushtimit grek të Çamërisë-Epirit të Jugut, filloi dhuna dhe racizmi shtetëror ndaj shqiptarëve. Ka pasur disa përzënie me dhunë të shqiptarëve nga Çamëria si në vitin 1913, 1922-1923, 1936-1938 dhe ajo më tragjike e 1944-1945, e cila njihet zyrtarisht nga shteti shqiptar me Rezolutë të votuar në Kuvendin e Shqipërisë si Genocidi Grek ndaj popullsisë shqiptare në Çamëri gjatëve viteve 1944-1945.

Zgjidhja paqësore e Çështjes Çame sa më shpejtë, do çlironte grekët nga ankthi i një përplasje tragjike me shqiptarët. Prej shumë vitesh Greqia jeton me tensionin se një ditë Shqipëria do sulmojë për të rimarrë Çamërinë. Atëherë, nëse Greqia ka pasur të drejtë në dëbimin e shqiptarëve nga Çamëria, përse jeton me ankthin e një lufte midis dy vendeve? Grekët duke qenë të ndërgjegjshëm se i kanë masakruar, grabitur dhe përzënë shqiptarët nga Çamëria pa asnjë faj, pa asnjë fakt të vërtetuar se kanë qenë bashkëpunëtorë të gjermanëve, gjithnjë në shpirtrat e tyre do kenë një ankth, një brengë për mëkatin e bërë ndaj çamëve. Meqenëse grekët shiten si besimtarë të mëdhenj, ku kisha dhe shteti janë të pandarë, atëherë Zoti e mëshiroftë Greqinë dhe grekët ndaj mëkatit që kanë bërë.

Një zgjidhje paqësore e Çështjes Çame do niste si fillim me heqjen e Ligjit të Luftës me Shqipërinë nga shteti grek, gjë që do të lejonte çamët në grupe të organizuar të vizitojnë varret e të parëve, shtëpitë gjysmë të rrënuara. Këto do të ishin hapat kryesorë që do të ndikonin pozitivisht në psikologjinë e mirëbesimit tek dy popujt. Këto veprime nuk janë të pamundura nëse vërtetë tek klasa politike e dy vendeve gjallon dëshira për paqe dhe miqësi duke thënë dhe mbrojtur të vërtetën. Atë të vërtetë që duhet ta themi të gjithë bashkë, grekë e shqiptarë, nëse duam një fqinjësi të mirë, nëse duam një të ardhme paqësore dhe të sigurt. Pa zgjidhje të Çështjes Çame, asnjëherë s’do të ketë miqësi dhe fqinjësi të sinqertë midis dy popujve. Nuk e dimë se çfarë befasish na përgatit e ardhmja, por fillimi i shekullit XXI, po tregon që në Ballkan ka më shumë shqiptarë se sa grekë.

Please follow and like us: