Në fshatin Kastri me 1800 banorëRadio Tiranaishte stacioni radiofonik më i preferuar, saqë fshatin e quaninTirana e Greqisë”.

Nga Alba Haruni

Në artikullin 2 të Traktati të Paqes i Athinës, midis Turqisë dhe Greqisë nëntor 1913, theksohet: “Greqia pranon të sigurojë mbrojtje të plotë për jetën dhe liritë e të gjithë banorëve të Greqisë pa dallim origjine, kombësie, gjuhe, race apo përkatësie fetare”. Sipas artikullit 3 të këtij dokumenti Greqia pranon dhe deklaron qënien si qytetarë grekë, “ipso-facto” dhe pa kërkesat e çfarëdolloj formaliteti të të gjithë atyre me kombësi bullgare, turke apo shqiptare, të cilët janë përgjithësisht banorë (rezidentë) në ditën e hyrjes në fuqi të këtij Traktati në territoret e transferuara Greqisë nga traktatet (e nënshkruara) pas 1 janarit 1913. Artikulli 8 i këtij Traktati konfirmon se qytetarët grekë, që u përkasin minoriteteve racore, fetare apo gjuhësore, do të gëzojnë të njëjtin trajtim dhe siguri, me ligj dhe zbatim si qytetarët e tjerë grekë. Në veçanti ata do të kenë të drejtën e barabartë për të ngritur, drejtuar dhe kontrolluar, me shpenzimet e tyre, institucione sociale, fetare apo bamirësie, shkolla dhe struktura të tjera arsimore, me të drejtën për të përdorur gjuhën e tyre dhe të ushtrojnë besimin e tyre lirisht. Në mënyrë solemne, me një dokument ndërkombëtar Greqia pranoi se kushtet e përshkruara në artikujt 2 dhe 8 do të njihen si ligje themelore dhe asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të konfliktojë apo ndërhyjë me këto kushte, po ashtu asnjë ligj, përmirësim apo veprim ligjor nuk do të mbizotërojë mbi to.

Por, as Traktati i Athinës, as Traktati i Sevrës i gushtit 1920 i mbajtur mes aleatëve dhe Turqisë si pjesë e negociatave të Konferencës së Paqes në Paris, si dhe dy artikujt (nenet) e tij nuk u zbatuan asnjëherë nga shteti grek.

Regjistrimi i popullsisë i bërë nga Administrata Turke në 1910 tha që në krahinë ishin 83.000 shqiptarë ortodoksë dhe myslimanë. Harta demografike e misionit ushtarak britanik e dërguar në qeverinë britanike në Londër që në prag të Luftës së Dytë Botërore, tregonte që 75% e popullsisë së Çamërisë ishte shqiptare.

Por, në Greqi atje ku feja mbizotëruese është krishterimi ortodoks, besimi fetar ngatërrohet qëllimisht me etnicitetin dhe shtetësinë, ashtu  si në kohën e sundimit të Patrikanës së Kostandinopojës. Autoritetet greke, duke iu përmbajtur parimit të refuzimit absolut të ekzistencës të grupeve etnike në territorin grek, ndoqën një politike shoviniste të mirëkrijuar dhe siç dëshmon historia, kryen një genocid kundrejt shqiptarëve të besimit mysliman. Sulmi racial kundrejt shqiptarëve myslimanë të Çamërisë filloi të zbatohet së pari me mbarimin e Luftës së Dytë Botërore, në vitet 1944-1945, kur banda kriminale e gjeneralit famkeq Napoleon Zerva kryen pastrimin etnik kundrejt tyre.

Edhe pjesës myslimane të Çamërisë, rreth 35000 banorëve, iu mohua identiteti kombëtar shqiptar nga qeveria greke duke shënuar në letërnjoftimin e tyre vetëm besimin fetar. Duke mohuar de facto identitetin kombëtar, minoritetet etnike janë parë nga shteti grek si të dyshimta, për t’u shkatërruar dhe dëbuar me dhunë ose për t’u asimiluar me anën e izolimit, ndalimit nga kisha greke të përdorimit të gjuhës shqipe në liturgji, mohimit të shkollës në gjuhën amtare, kulturës përkatëse dhe përdorimit të propagandës së shfrenuar raciste. Kështu, historiani pro-grek Spiro Muselimi, në librin e tij “Historical sight through Thesprotia” (Shikim historik nëpër Thesproti), i botuar në Janinë me 1974, shkruan që Peshkopi i Thesprotisë në vitin 1870 përktheu disa pjesë të biblës në shqip, meqë popullsia e besimit ortodoks të krahinës nuk kuptonte asnjë fjalë në greqisht.

Në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore të drejtat e minoriteteve në përgjithësi u injoruan në favor të të drejtave individuale njerëzore. Konferenca e ministrave të jashtëm të forcave aleate, jo vetëm njohu rrethanat me të vërtetë të vështira, në të cilat ishin nënshtruar çamët, por gjithashtu kërkoi riatdhesimin e tyre dhe kthimin e pronave të tyre. Komisioni Hetues Ndërkombëtar i Kombeve të Bashkuara, i caktuar për verifikimin e tragjedive në të dyja anët e kufirit, nxjerr përfundimet në raportin e tij në vitet 1946-1947, raport i mbushur me fakte dhe prova për sa i përket masakrave dhe tragjedive të dhimbshme të popullit çam.

Edhe Shqipëria pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike më 1972, u përpoq të paktën për të evidentuar se çfarë kishte mbetur nga minoriteti shqiptar në Greqi pas dëbimit të dhunshëm të tij, në përfundim të Luftës së Dytë Botërore. Përfaqësuesi shqiptar i shoqëruar nga zëvendësministri për Epirin në vizitën e 5-9 qershorit 1972 në Çamëri, konstatoi që në zona të caktuara si ato të Sulit, Prevezës, Gumenicës, Pargës, Filatit dhe Artës kishte mbetur një numër i konsiderueshëm banorësh shqiptarë. Dy prej zyrtarëve vendas që i shoqëruan pranuan se shumica e popullsisë flisnin shqip. Vetë kryetari i Bashkisë së Gumenicës, i cili fliste shqip dhe ishte shqiptar, pohoi se në fshatrat e shumta shqiptare ka njerëz, sidomos të moshuar, që nuk dinë fare greqisht dhe flasin vetëm shqip. Një tjetër pohoi që midis Prevezës dhe kufirit me Gumenicën kishte 40 fshatra që flisnin shqip. Një vit më vonë, më 1973, funksionarë të tjerë të ambasadës zbuluan shumë fshatra të krishterësh rreth Gumenicës që flisnin shqip. Në fshatin Kastri me 1800 banorë “Radio Tirana” ishte stacioni radiofonik më i preferuar, saqë fshatin e quanin “Tirana e Greqisë”. Por nga shteti komunist nuk u bë më shumë se kaq për ruajtjen e identitetit shqiptar në vendin fqinj.

Që nga ajo kohë në Greqi zyrtarisht është zhdukur çdo gjurmë shqiptare ose e trashëgimisë së saj. Të gjitha figurat e historisë e të kulturës shqiptare janë tjetërsuar në greke, janë ndryshuar emrat shqiptarë të vendeve me emra të shpifur në greqisht, monumentet e kulturës janë lënë në mëshirë të fatit dhe po i nënshtrohen një degradimi pa kthim.

Sot, komuniteti ndërkombëtar ka çuar një hap përpara standardizimin dhe kodifikimin e të drejtave të minoriteteve. Për këtë ka shërbyer Deklarata e Kombeve të Bashkuara mbi të drejtat e personave që u takojnë minoriteteve kombëtare ose etnike, fetare dhe gjuhësore, adaptuar me Rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të KB 47/135 të 18 dhjetorit 1992. Sot vlerësohen si shumë të rëndësishme tri dokumente, si Marrëveshja Ndërkombëtare mbi të Drejtat Civile dhe Politike, Konventa Kuadër për Mbrojtjen e Minoriteteve Kombëtare dhe Karta Europiane për Rajonet ose Gjuhët Minoritare.

Të tria këto dokumente nuk janë ratifikuar nga Greqia. Konventën Kuadër Greqia e ka firmosur më 22.09.1997 dhe kanë kaluar 20 vjet që nga ajo kohë dhe Parlamenti grek ende nuk e ka ratifikuar, por vazhdon të mohojë haptazi ekzistencën e ndonjë minoriteti kombëtar brenda kufijve të saj përveç atyre fetare.

Në fakt, sipas Enciklopedisë së Madhe Greke “Çamëria banohet nga rreth 70 000 banorë të quajtur çamë” (1927). Sipas regjistrimit italian të vitit 1940, në Çamëri rezultojnë 28 000 çamë myslimanë, 26 000 çamë ortodoksë dhe 20 000 grekë. Në kohën e këtij regjistrimi një pjesë e popullsisë ishte zhvendosur jashtë territorit për shkak të internimeve që bëri qeveria greke para se të fillonte lufta me Italinë, ndaj shqiptarëve që i konsideronte si subjekt dyshimi. Rregjistrimi i fundit që jep të dhëna për përkatësinë fetare dhe gjuhën amtare është ai i vitit 1951, nga i cili rezulton se 22 736 persona flasin shqip.

Ku u zhdukën këta dhjetëra mijë shqiptarë brenda një dekade nga koha e regjistrimit deri në botimin e librit të ministrit Pentzopulos në vitin 1962, i cili pretendon se na qenkan asimiluar?

Por, sa më shumë presion ushtron shteti grek ndaj këtij minoriteti etnik aq më shumë kjo politikë provon kundërproduktivitetin e saj në rajon dhe më gjerë.