Albspirit

Media/News/Publishing

Historia e fotografisë shqiptare, përmes objektivit të Qerim Vrionit

Me synimin për ta përfaqësuar botën shqiptare dhe për t’i kushtuar më shumë vëmendje fotografisë si veprimtari artistike dhe shoqërore, studiuesi nga Tirana, Qerim Vrioni, i ka vënë qëllim pasionit të tij për fotografi që ta studiojë dhe ta ngrejë si një fushë artistike e lënë anash.

Autor i tre librave për fotografinë “Fotografia – një grusht diell”, “150 vjet fotografi shqiptare”, si dhe fjalorin “Fjalor i Fotografisë”, Qerim Vrioni në vitin 1992, kishte filluar të fotografonte peizazhe me një aparat amatorësh.

 

“Më 1997 erdha në Tiranë dhe nisa të botoj disa nga fotot në gazetën e përjavshme kulturore, ‘Drita’”, ka treguar Vrioni, të cilit në vitin 2000 shoku i tij Qemal Agaj i kishte dërguar një album fotografik “The Photo Book”, të shtëpisë botuese “Phaidon” të Londrës.

“Në album kishte 500 foto nga e gjithë bota dhe midis tyre edhe dy që kishin lidhje me Shqipërinë, ajo me titull ‘Kapiteni Mark Raka dhe Bajraktari i Shalës’(1922) e Kel Marubit dhe ‘Picasso’ (1949) e fotografit amerikan me origjinë shqiptare, Gjon Mili”, ka thënë Vrioni, të cilin e kishte tërhequr fotoja e parë.

Image

“Nisa ta vështroj me kujdes, një armë e kapur nga dy njerëz, një dorë civili dhe dy duar ushtaraku. Më tërhoqi vëmendjen edhe viti i realizmit të saj. Për këtë iu drejtova Historisë së Shqipërisë, ku gjeta se në atë vit, 1922, Qeveria e kohës nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Ahmet Zogu, i kishte kërkuar njerëzve që mbanin armë (krahu) pa autorizim, të ia dorëzonin organeve shtetërore. Menjëherë thashë: ky është  dorëzim  armësh”, ka treguar Vrioni, i cili pastaj shkroi një artikull me titull, “Çarmatimi në një foto të Marubit”, që u botua në revistën XXL, në shkurt 2001.

“Kënaqësia e botimit ishte shtysë për thellimin më tej të hulumtimeve në libra, revista e gazeta të kohës. Një vit më pas, në maj 2002, shkrimi u botua i plotë në ‘Gazetën Shqiptare’, duke zënë dy faqet e brendshme me titullin ‘Dorëzimi i armëve në një fotografi të Kel Marubit’”, ka treguar Vrioni, sipas të cilit emërtimi “Dorëzimi i armëve” është bërë i zakonshëm sa herë botohet fotoja në shtyp, madje shumica nuk e dinë se nuk është ky emri origjinal në regjistrin e Fototekës “Marubi”, që i ka vendosur autori.

“Por ai që e pagëzova unë pas shumë kërkimesh”, është shprehur Vrioni duke cekur se atë vit, kishte shkruar një artikull për foton tjetër të albumit, “Picasso” të fotografit Gjon Mili.

Image

“Mandej fillova të interesohesha për foto të tjera të autorëve shqiptarë e të huaj, të shkruaja dhe botoja në shtyp. Në pranverën e vitit 2005, vendosa t’i përmbledh dhe të sistemoj gjithçka kisha shkruar në shtyp për fotografinë, në një libër. Librin e titullova ‘Fotografia- një grusht diell’, me emrin e një fotoje që kisha bërë 5-6 vjet përpara me emrin ‘Një grusht diell’, që ende e mbaj ndër më të arrirat”, ka thënë studiuesi, sipas të cilit libri “Fotografia – një grusht diell” (2005), që është libri i parë në kulturën shqiptare kushtuar fotografisë, ka ardhur si rezultat i botimit të dhjetëra artikujve studimorë dhe analizave për fotografë dhe fotografi të ndryshme në shtypin shqip brenda e jashtë vendit qysh nga viti 2001.

“Libri mbështetet në katër kolona, e para teorike ‘Fotografia, historik i shkurtër i saj në botë dhe Shqipëri’, e dyta ‘Yllësia Marubi’, ku analizohen foto të zgjedhura nga të tre Marubët, Pjetri, Keli, Gega, por edhe jetëshkrimet e tyre.  Pjesa e tretë emërtohet ‘Gjon Mili’, fotografi i njohur amerikan me origjinë shqiptare, ku përveç jetëshkrimit analizohen edhe disa foto të tij. Libri mbyllet me kreun ‘Nga fotografia botërore’, në të cilën flitet për fotografët e njohur në botë, Nadar, Robert Capa, Dorothea Lange dhe Henri Cartier-Bresson”, ka treguar Vrioni për “Zërin”.

Image

Ndërsa librin e dytë “150 vjet fotografi shqiptare” e kishte botuar në vitin 2009, një vit pasi kishte organizuar në Galerinë e Arteve në Tiranë, veprimtarinë “150 vjet fotografi shqiptare”(2008).

“Këtë veprimtari e zhvillova edhe në Vlorë, Prishtinë dhe në qytetin Grand Rapids (Michigan, SHBA). Ky libër është një sintetizim i disa artikujve të mi, vetëm mbi fotografinë shqiptare, gjithashtu është edhe botimi i parë mbi historinë e fotografisë shqiptare. Në të përmenden për herë të parë figura të lëna në mjegull dhe harresë nga kultura shqiptare. Libri shoqërohet me portretet e fotografëve, dhe me 53 foto të përzgjedhura për vlera estetike, historike, dokumentare e shoqërore, një pjesë e të cilave dalin në dritë për herë të parë. Në fund të librit gjendet edhe “Fjalorth i termave të fotografisë“, hartimi i të cilit ishte edhe një nga arsyet kryesore që më shtyn për t’u marrë për së mbari me “Fjalorin e Fotografisë”, ka thënë Vrioni.

Sipas tij, në “Fjalorin e Fotografisë” ka synuar të përfaqësohet sa më shumë bota shqiptare.

“Këto janë trajtuar në pjesën e parë e kryesore të librit. Në pjesën e dytë, në rreth 24 faqe, paraqitet ‘Kronologji ose fotografia hap pas hapi”, në të cilën shpalosen ngjarjet më pikante të historisë së fotografisë duke nisur nga viti 500 p.e.r. e duke përfunduar në muajt e fundit të vitit 2013, pak para se materiali të dërgohej në shtypshkronjë, në njëfarë mënyre një skelet i historisë së fotografisë botërore dhe shqiptare”, ka treguar ai, duke shtuar se Fjalori shoqërohet edhe me 43 foto të zgjedhura aparatesh, botimesh, portrete fotografësh, si edhe disa foto-ikona nga fotografia botërore dhe shqiptare.

“Duke ditur se literatura e fotografisë në vendin tonë është shumë e varfër, mendova se përpilimi i një fjalori terminologjik të fotografisë ishte i nevojshëm dhe i hyra punës”, është shprehur ai, duke cekur se për fotografinë në Shqipëri ka edhe disa faktorë që e vështirësojnë kërkimin.

“Në padijeni të vlerës së fotove të vjetra, një pjesë e tyre i mbajnë fotot në vende e kushte të këqija. Sapo dikush jua kërkon për riprodhim, fotoja në sytë e pronarit merr  vlera të jashtëzakonshme e nuk pranojnë asnjë diskutim për çmim, thua se kërkuesi do të bëhet milioner me foton në fjalë”, ka treguar studiuesi. Sipas tij institucionet në Shqipëri, i japin fotografitë përgjithësisht me çmime mjaft të kripura (përjashtim AQSH), ndërsa kushtet e punës së studiuesve dhe çmimet e riprodhimeve në Arkivin Qendror Shtetëror në Tiranë janë mjaft të mira.

“Arkiv të rëndësishëm ka edhe ATSH-ja (Agjencia Telegrafike Shqiptare), por fotove ende nuk po u caktohet autori, një problem zgjidhja e të cilit vështirësohet me kalimin e kohës”, është shprehur Vrioni, duke shtuar se dëmin më të madh këtu e ka Historia e Fotografisë Shqiptare por edhe kultura shqiptare në përgjithësi.

Sipas Qerim Vrionit, fotografia, si veprimtari masive artistike dhe shoqërore, meriton më shumë vëmendje nga ana e institucioneve shtetërore.

“Fotografët duhet ta ngrenë zërin e të kërkojnë më shumë nga administratat dhe  në Shqipëri e Kosovë fotografët nuk kanë arritur ende të krijojnë ndonjë shoqatë të fotografëve. Edhe Shoqata e Fotografëve Shqiptarë ‘Gjon Mili’, e krijuar në Tiranë në vitin 1991, pak vite pas themelimit pushoi së ekzistuari, ndërsa i vetmi organizim shtetëror për fotografinë mbetet “Çmimi Gjon Mili”, që zhvillon Galeria e Arteve të Kosovës në Prishtinë. Nuk mund të thuhet e njëjta gjë për konkursin ‘Marubi’, që organizonte Galeria Kombëtare e Arteve në Tiranë, ai pati vetëm 8 edicione e për shkaqe të panjohura e ndërpreu zhvillimin e tij”, ka treguar studiuesi, i cili ka marrë pjesë në ekspozitën ndërkombëtare të fotografisë të hapur në Romë, në korrik 2009.

“Ajo u organizua nga Regione Lazio me fotografë nga gjithë vendet që lag Deti Mesdhe me tematikë të lirë dhe titullohej ‘Il Lazio tra Europa e Mediterraneo’. Përfaqësova Shqipërinë me gjashtë fotografi dhe në të morën pjesë fotografë të njohur jo vetëm në vendet përkatëse, por edhe më gjerë si p.sh. Ara Guler (1928), që mbahet si ndër fotografët më të mëdhenj të Turqisë dhe Ivo Përvan, që njihet si një nga peizazhistët më të mirë bashkëkohor kroat. Ishte kënaqësi të ekspozoje përkrah tyre”, ka thënë Vrioni, duke cekur se vetëm dy revista “Ekskluzive” në Prishtinë dhe “Klan” në Tiranë kanë praktikuar me të dhënien e honorarëve, gjithsej rreth 10 artikuj.

“Për mbi 60-70 shkrime të tjera për fotografinë në shtypin shqip, brenda dhe jashtë Shqipërisë, nuk është parë e nevojshme shpërblimi financiar, si në të gjithë botën. Gjithashtu, botimin e tre librave të mi e kam mbuluar vetë materialisht, ndërkohë që edhe kam blerë foto brenda dhe jashtë shtetit. Gjithsesi, nuk kam asnjë pendesë në drejtim të përfitimit material nga puna ime”, është shprehur Qerim Vrioni. /ZËRI/

Image

 

Please follow and like us: