Albspirit

Media/News/Publishing

Davjola Ndoja: Politikja e kujtesës – qokat dhe premtimet

Më 10 shkurt 1917, do lindte në Adana të Turqisë në një familje patriotike, Musine Kokalari. Intelektualja, shkrimtarja dhe e para politikane në Shqipëri e për fatin e saj të keq dhe një nga mijëra viktimat e përndjekjes së diktaturës komuniste në Shqipëri. Sot, në Tiranën e pas komunizmit, asaj me nderime iu festua 100-vjetori i ditës së lindjes, në një konferencë shkencore nën kujdesin e Institutit “Musine Kokalari”, Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë dhe asaj të Kosovës si dhe Ministrisë së Kulturës së Shqipërisë. Konferenca dhe njëkohësisht përkujtimorja mbante emërtimin “Vetëdija e shkrimit dhe e kujtesës” dhe u zhvillua mes dyerve të mbyllura e nën masa të mëdha sigurie për shkak të pjesëmarrjes së kryeministrit të vendit tonë.

Salla ishte e ndarë thuajse menjëherë në dy kahe, nga njëra anë familjarët, fisnikë dhe të nderuar e në anën tjetër politikanë, zyrtarë e intelektualë. Fare pak ish të përndjekur politikë, si përherë, vetëm disa që gëzojnë ca benefite më shumë se disa të tjerë kur bëhet fjalë për kësi rastesh.

Kryefjala e takimit ishte qëndresa dhe tingëllonte shumë ironike shqiptuar nga persona që s’iu është dashur aspak të jenë qëndresëtarë, por kanë qenë të përkëdhelur në vitet kur të tjerët përjetonin burgjet dhe internimet. Teksa dëgjoja zonjën ministre ta quante “gruaja-libër”, mendova e ç’di kjo ministre sa shumë i kanë munguar librat Musinesë, ç’di ajo për torturat e vuajtjet e një vajze të re së cilës i vranë dy vëllezër dhe e dënuan me 23 vjet burg në moshën 28-vjeçare? Si do kishte qenë politika dhe fati i Shqipërisë nëse Musineja e të tjerë s’do ishin persekutuar dhe ç’është më e rëndësishmja, ku ka qenë kjo ministre këta 27 vjet (?). S’është dëgjuar kurrë më parë as për Musinenë e as për Arshi Pipën, Gjon Shllakun, Vinçenc Prenushin Vilson Blloshmin e Genc Lekës, Havzi Nelën e At Zef Pllumin dhe dhjetëra të tjerëve që humbën jetën nga diktatura, as ajo dhe as drejtoresha e re e Bibliotekës Kombëtare që mbante dje një zë të ulët kinse të përshpirtshëm. Buzëqeshja 32-dhëmbëshe e ministres Kumbaro është ofenduese! Për familjarët, për Musinenë dhe për qindra e mijëra nëna, gra e motra viktima të komunizmit, të cilat e mbyllën jetën kampeve e burgjeve me lot në sy, e s’mundën kurrë më të qeshnin… Kam qenë e pranishme në të tilla ceremoni në disa vende në Evropën Qendrore e Lindore dhe personalitetet pjesëmarrëse, qofshin ata politikanë apo intelektualë, i karakterizon serioziteti dhe përulja, ndjenja e pamatë e respektit për ata dhe ato që kujtohen, fatkeqësisht ministrja s’diti të bënte dallimin përballë kujt ishte.

Më pas e mori fjalën gjithë respekt e nderim Linda Kokalari, drejtuesja e Institutit “Musine Kokalari”, njëra nga mbesat e Musinesë, e cila me një modesti të jashtëzakonshme dhe në emër të të gjithë familjes i bëri përkujtimin Musinesë, duke folur pak fare pak por për dëgjuesin ato fjalë thonë gjithçka, aq shumë sa ç’thonë dhe zëri dhe lotët në sy. Familjarët dje më dhimbseshin sa s’e shpreh dot me fjalë…

Kryeministri, nga ana tjetër ishte protagonisti. Nën shpurën e tij të fotografeve personalë, gati për të shkrepur foton perfekte për rrjetet sociale, ai, jo vetëm foli për 40 minuta rresht, por fjalimi i tij që në dukje sulmoi politikën e vjetër, lexo atë të Partisë Demokratike, në thelb s’ishte gjë tjetër letra kalk e po kësaj politike. Ai përmendi faktin se si Shqipëria e vetme përkrah Rusisë, nuk ka bërë ende ballafaqimin me të kaluarën e saj. Për ironi, ky muaj shënjon edhe 100-vjetorin e Revolucionit Bolshevik, i cili kaloi në radikalizëm me Tetorin e Kuq, pasojat e të cilit i dimë të gjithë.

Ndoshta në gjuhën dhe mendësinë politike lëvizja e kryeministrit është e pranueshme, ashtu siç e pranoi edhe ai vetë në fund të fjalimit të tij: “cilido kryeministër do vinte këtu sot për interesat e veta politikë” dhe ai, s’bëri asgjë më pak se kjo! 40-minutëshi i radhës u mbush me propagandë pro-rilindase për të ashtuquajturat arritje me “muzetë” Bunk’Art 1 dhe 2, për “Shtëpinë e Gjetheve” dhe Autoritetin për Informimin dhe Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit dhe duke iu referuar këtij të fundit, ai vuri sërish gishtin në plagë. Musine Kokalari dhe grupi i të akuzuarve si sabotatorë, u dënuan prej Nevzat Haznedarit në atë që njihet si “show trial”, gjyqet farsë, për sehir të popullit tonë të paditur. Sërish, pas 71 vitesh, Musinesë i bëhet një “show” tjetër, kur kryeministri deklaroi se dosja e parë që do hapej prej Autoritetit do ishte dosja e Musinesë. E turpshme! Familjarët, viktimat dhe ata qindra që sot janë ende gjallë, i njohin shumë mirë persekutorët e tyre, të cilët lirisht ecin rrugëve të qyteteve ku jetojnë, të pashqetësuar e mbi të gjitha pa u distancuar prej asaj që kanë bërë e pa u ndëshkuar. Kjo, ndodh ende sot, ku kryeministri shprehet se “bota qe mizore me Musinenë”, cila botë kryeministër? Nuk është bota si njësi abstrakte por ishin njerëz, ishin shqiptarë ata që e vranë Musinenë.

Aspekti tjetër që duhet të vendosë në lëvizje gjithë opinionin publik mendoj unë, e veçanërisht historianët e studiuesit, është ndërhyrja dhe karakteri selektues i çështjeve të dosjeve. Një kryeministër që shprehet se dosja e parë që do hapet është ajo e Musinesë, gabon dhe gabon rëndë. Autoriteti ka një bord dhe një drejtues, Autoriteti paçka se është institucion qeveritar duhet të ndjekë parime rigorozisht shkencore për përpunimin dhe publikimin e dosjeve e jo të zbatojë qoka kryeministrore. Nuk i takon kryeministrit të shprehet kështu, se në anën tjetër, shumë edhe në sallë mund ta kenë pyetur veten, zoti kryeministër, po dosjen e babait, dajës dhe të tjerë miqve e familjarëve të tu, të satat do i hapni ose duhet të themi a do i hapni?

Politikat e kujtesës në Shqipëri janë të mangëta dhe tejet të vonuara. Ato kanë veç politikën si kryefjalë dhe vazhdojnë ende të përdoren, hidhen e përplasen në sy e në kurriz të viktimave vetëm e vetëm për protagonizëm politik e ca vota më shumë, sidomos në një vit elektoral si ky. Vitet e fundit po vërehet një farë tendence për përvetësimin e fushës së kujtesës në lidhje me krimet e pasojat e komunizmit në Shqipëri, jo prej vetë viktimave a të mbijetuarve, as familjarëve të tyre si trashëgimtarë legjitim të vuajtjes dhe terrorit por, të asaj shtrese të shoqërisë shqiptare që u ka përkitur nomenklaturës, që kanë përfituar gjithë të mirat nën diktaturë duke u arsimuar dhe që në fillim të viteve ’90 s’bënë gjë tjetër veçse vazhduan të forcoheshin ekonomikisht e të prosperonin secili në fushat e tyre ku janë edhe sot, janë po këta individë që duan të përvetësojnë dhe kujtesën, janë po ata që në fill trashëgimie u përkasin kastës së persekutorëve që sot kanë marrë në dorë edhe fatin e kujtesës.

Veç në një vend hibrid si Shqipëria ku drejtësia nuk u vu në vend, mund të ndodhte që ata që të kanë persekutuar sot të qajnë, e bëjnë sikur të kujtojnë e të nderojnë. Këto personazhe, në rolin e kameleonëve, kanë nevojë të rikrijojnë veten e tyre duke u bërë pjesë tanimë në kulturën e kujtesës, duke u hequr në sy të Evropës, donatorëve të huaj dhe një brezi të ri e të paditur për krimet e komunizmit, duke u hequr si njerëz që i kanë përzemër të drejtat e njeriut, që dënojnë ashpër çdo gjë që ka ndodhur dhe në majë të gjuhës kanë frazën klishe “që e shkuara mos përsëritet më kurrë”.

Nëse Musineja do mund të shihte gjendjen e ish të përndjekurve politikë sot në vendin e saj, nëse do mund të shihte atë që u tha dje në atë sallë do ishte thellësisht e trishtuar, e zhgënjyer dhe s’do quhej aspak e nderuar nga fjalët lajkatare, duartrokitjet dhe buzëqeshjet e atyre që drejtojnë këtë vend, por nuk kanë bërë asgjë për këtë shtresë. Nëse në këtë vend fajtorët do ishin nxjerrë para drejtësisë, nëse në këtë vend do kishte mbaruar procesi i dëmshpërblimit të ish të përndjekurve dhe të persekutuarve politikë, nëse në këtë vend do ishte kërkuar falje me sinqeritet, nëse ata do respektoheshin e nderoheshin siç e meritojnë atëherë, e vetëm atëherë këta individë mund të toleroheshin për praninë e tyre në të tilla ceremoni e vetëm atëherë do mund të arrinim atë bashkim që për këta 72 vjet komunizmi ka shkaktuar në shoqërinë tonë.

*Ish-studiuese shkencore në Institutin e Studimit të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. MA në Demokraci dhe të Drejtat e Njeriut në universitetin e Bolonjës dhe atë të Sarajevës

Please follow and like us: