Albspirit

Media/News/Publishing

Joschka FISCHER: Sfida e Merkel për Europën

Në një fjalim të fundit të kancelares gjermane, Angela Merkel ndryshe nga gjuha e saj e zakonshme dhe e qetë, kancelarja pati një shpërthim oratorie në mbrojtje të Europës dhe sigurisë së saj

Kancelarja gjermane Angela Merkel nuk është konsideruar kurrë një oratore veçanërisht frymëzuese. Në fakt, ajo ka reputacion se flet aq urtë saqë audiencat e saj i zë gjumi. Por e gjitha kjo është sfiduar disa ditë më parë. Ndërsa bënte fushatë në periferi të Mynihut në Trudering, Merkel duke folur nga një tendë birre dha një fjalim të fuqishëm që dominoi lajmet në të dyja anët e Atlantikut.

Me festën e krishterë të të dielës së shtatë pas Pashkëve që po afrohet shpejt, shumë pyesin veten nëse Merkel është frymëzuar nga Shpirti i Shenjtë. Nëse jo, ajo mund të jetë nxitur në aksion pasi ka kaluar shumë orë në shoqërinë e presidentit amerikan Donald Trump gjatë samiteve të fundit të NATO-s dhe G7. Dhe zgjedhjet e ardhshme federale në Gjermani padyshim që janë kryesisht në mendjen e saj.

Por fjalimi i Merkel nuk ishte thjesht i një tende birre në Goslar. Ajo nuk po matej me ish-kancelarin Gerhard Schröder, i cili ndërsa bënte fushatë në qytetin Goslar në janar 2003, deklaroi se Gjermania nuk do të merrte pjesë në Luftën në Irak pavarësisht se kishte apo jo mbështetjen e Këshillit të Sigurimit të OKB. Kishte më shumë përmbajtje në fjalimin e Merkel në Trudering sesa thjesht fjalë fushate.

“Koha kur mund të mbështeteshim plotësisht te të tjerët, deri diku, ka mbaruar,” tha Merkel “dhe për këtë arsye mund të them vetëm që ne europianët duhet ta marrim fatin në duart tona”. Disa mund të thonë se kjo nënkupton që Gjermania po i kthen kurrizin aleancës transatlantike, duke ndjekur një risistemim strategjik apo se po hyn në një periudhë të re të pasigurisë. Por deklarata e Merkel nuk nënkupton asnjë nga këto.

Çdokush që i ka kushtuar vëmendje ndryshimeve historike që po ndodhin sot e di që ato nuk e kanë origjinën nga Gjermania. Në fakt, ato burojnë nga dy anëtarë kryesorë gjeopolitikë të Perëndimit: Shtetet e Bashkuara dhe Mbretëria e Bashkuar. Përpara zgjedhjes së Trump dhe referendumit Brexit, gjermanët nuk shihnin arsye të bënin ndryshime thelbësore në rendin e vet gjeopolitik ekzistues.

Por këto dy ngjarje kanë tronditur themelin mbi të cilin ka qendruar paqja dhe begatia e Europës pas Luftës së Dytë Botërore. Vendimi i Britanisë për t’u larguar nga Bashkimi Europian mund të frymëzojë vende të tjera të bëjnë të njëjtën gjë. Dhe axhenda izolacioniste e Trump me sloganin “Amerika e Para” nënkupton se SHBA do të heqë dorë nga roli i vet lidershipi në botë dhe me gjasa të braktisë garancinë e sigurisë për Europën.

Europianët shmangën një katastrofë të përmasave historike në zgjedhjet e muajit të shkuar në Francë. Nëse Marine Le Pen nga Fronti Kombëtar do të qe zgjedhur, me gjasa do t’i kishte sjellë fundin euros, BE-së dhe tregut të përbashkët. Europa kontinentale do të ishte zhytur tani në një krizë të thellë politike dhe ekonomike.

Ata që ende mbështesin një Europë të bashkuar duhet të marrin leksion nga shpëtimi për një fije në Francë, që historia të mos e përsërisë veten. Europa duhet të zgjerojë kapacitetin e vet për të vepruar dhe për t’iu përgjigjur krizave dhe rrethanave në ndryshim. Ky ishte mesazhi në zemër të deklaratës së Merkel.

Njëkohësisht, Merkel po i drejtohej debateve që po vazhdojnë mes ekspertëve dhe analistëve të medias rreth asaj që mund të nënkuptojnë Brexit dhe presidenca Trump në të ardhmen e bashkëpunimit transatlantik dhe europian. Kur Merkel tha se “ne europianët duhet ta marrim fatin në duart tona” ajo po shprehte një fakt të thjeshtë.

Ende, vetëm ata që e kanë shpërfilluar Merkel mund të mendojnë se ajo do të largohet nga transatlanticizmi. Merkel e di që SHBA është e pandashme me sigurinë e Europës. Por ajo gjithashtu e di që presidenca e Trump do të hedhë dyshime mbi garancinë amerikane të sigurisë dhe vlerat e përbashkëta që deri më tani kanë qenë të lidhura ngushtë nga të dyja anët.

Një analizë e kujdesshme e fjalëve të Merkel tregon se ajo nuk po vë në pyetje të ardhmen e aleancës transatlantike. Në fakt, ajo po bën thirrje për një Europë më të fortë. Merkel e di që nëse SHBA sakrifikon vendin e vet në krye të rendit botëror për arsye politike të brendshme, nuk do të zëvendësohet nga një fuqi tjetër drejtuese apo nuk do të shfaqet një rend i ri botëror. Ç’ka do të kemi, do të jetë një vakum i pushtetit, i shënuar nga kaosi. Dhe teksa bota bëhet gjithnjë e më pak e qëndrueshme, ne europianët nuk kemi zgjidhje tjetër veçse të bashkohemi për të mbrojtur interesat tona. Askush tjetër nuk do ta bëjë për neve.

Ndaj fjalimi i Merkel ishte së pari dhe kryesisht për forcimin e Europës. Dhe, fatmirësisht, ajo ka gjetur një partner te presidenti i ri francez, Emmanuel Macron. Të dy liderët duan të stabilizojnë eurozonën, të kthejnë rritjen ekonomike dhe të forcojnë sigurinë e Europës me një forcë të përbashkët kufitare dhe një politikë të re të refugjatëve.

Merkel patjetër që e mendonte atë që tha në Trudering. Duke marrë parasysh mjedisin e trazuar ndërkombëtar dhe thirrjen e fundit të BE-së, nuk ka alternativë tjetër veçse të veprojmë dhe deklarata e saj mund të ketë pasoja të thella për vendin e GJermanisë në BE dhe marrëdhënien me Francën. Roli aktual i Gjermanisë si kryeplaku i eurozonës lidhet me qasjen e re që duhet të ndërmarrë. Për të treguar lidership real brenda partneritetit Francë-Gjermani, Gjermania duhet të bëjë lëshime politike.

Për më tepër, thjesht se Trump thotë diçka nuk nënkupton automatikisht se është e gabuar. Gjermania dhe Europa përgjithësisht, duhet të bëjnë më shumë për të garantuar sigurinë e vet dhe për të futur në fuqi urën transatlantike që ruan paqen dhe begatinë europiane. Dhe teksa ndjekim këtë projekt, duhet t’i qëndrojmë fort vlerave liberale që na bëjnë neve lakmi të demokratëve aspirues dhe kundërshtarë të autoritarëve kudo në botë./Project Syndicate/

Please follow and like us: