Albspirit

Media/News/Publishing

Shpëtim Nazarko: Kur nuk duhet të qeshësh me shakatë e Duçes

 

 

Nuk kam qejf të qesh gjithnjë me shakatë e Duçes,-i thashë Ramës ca kohë më parë. Po i tregoja një libër që e kisha me vete kur ai gjendej në fushatë, më duket diku nga zona e Dumresë.

Libri është shkruar nga disa etër françeskanë që i pushkatoi dhe i syrgjynosi Enveri që të gjithë pas 1944-s. Arritën të botonin vetëm vëllimin e parë, se në të dytin ishin syrgjynosur. E ka titullin “Të drejtat e Shqipërisë etnike” dhe nuk ka autor mbi kopertinën e tij. Por për thuajse pesëdhjetë vjet, pra dhe në kohën e komunizmit, libri shërbente si material konsultativ për shumë nga studiuesit. Arsyeja ishte shumë e thjeshtë. Pas çdo shkrimi apo të dhëne, në libër ishin burimet e këtyre të dhënave në disa gjuhë të tjera, çka tregonte durimin dhe përpikmërinë e murgjërve në studimin e gjërave. Është në të vërtetë një traditë e madhe që karakterizon gjithë epokat kur flitet për punët e tyre.

Në fakt, ai ishte vetëm njëri nga librat që më ranë dorë vonë pas fëmijërisë time. Dikur, në Shtëpinë e Kulturës, në Lushnjë, më ra në dorë një tjetër libër i ngjashëm me atë më sipër. Ai tregonte se çfarë duhej bërë në gjithë zonat e Shqipërisë. Ku rritej duhani e ku domatja, ku molla e ku kuajt.

Çfarë ishin në thelb këta libra?

Kur Duçja vendosi të pushtonte Shqipërinë, ai dërgoi emisarë të shumtë nën mbulesën e emrave të inxhinierëve, gjeometrave, veterinerëve, ushtarakëve etj. Thelbi ishte së pari bërja e inventarit, prej nga ai të kuptonte realisht si do ta administronte këtë vend. Në historitë tona të komunizmit, thuhej vetëm se Duçja kishte vendosur që përgjatë zonave nga Durrësi e poshtë të binte rreth 4 milionë kolonë italianë që të jetonin aty…

Njërën nga këto të dhëna të këtij libri të shkëlqyer, po e ndaj me lexuesit më poshtë në këtë tabelë. Është e marrë nga françeskanët, në arkivin e Romës së vitit 1936.

TABELA

Krahasimet janë bërë për 1000 banorë, e siç shihet disa prej tyre, janë sot vendet më të zhvilluara jo vetëm të Evropës, por dhe Botës. Shqipëria e vockël e vitit 1936 ua kalonte të gjithëve. Hahej vetëm me Zvicrën në numër lopësh, se në atë të deleve e kalonte. Por nëse shtoje edhe numrin e buallicave që ishte 21 për 1000 banorë ajo qëndronte më lart edhe se Zvicra. Kjo e fundit, sot vetëm nëpërmjet Nestle-së së saj, ku rolin kryesor e ka lopa, prodhon një kapital prej 100 miliardë eurosh. Pra, sa dhjetëfishi i GDP-së së Shqipërisë.

Fshatari gjenial shqiptar e kishte kuptuar se potenciali natyral i tij ishte pikërisht blegtoria, prandaj ishte kujdesur që të mbijetonte brenda rregullave të tregut, mund të thonim me shaka.

Kohë më vonë pyeta Ruçin se krerë dhen kishte Tepelena që la në 1990. Rreth 25 000 më tha. E mirë,-u përgjigja. Vetëm një fshat i saj, më duket Progonati, ka pasur më parë 84 000.

Në të vërtetë, Hoxha investoi për bujqësinë shumë. Por ky system dështoi në manaxhim, i rraskapiti fshatarët dhe në fund të fundit i la me gisht në gojë. Akoma më keq, Shqipëria bëri me këtë sistem manaxhimi një gjë aq të habitshme, sa rrezik të hyjë në manualet e budallallëqeve më të mëdha të historisë. Ajo e çoi fshatarin të blinte qumështin në qytet.

Po çfarë vlere ka e shkruara e mësipërme?

Nuk do asnjë mend, e as një llogaritje se ata që erdhën pas Hoxhës, jo vetëm gabuan në manaxhim, por e shkatërruan përfundimisht fshatin, duke e kthyer jo më prapa në kohë se diktatori, por drejt e në mesjetë.

Së pari, e la pa tapinë e tokës, në emër të ca ligjeve e llogaritjeve që duhet të shkulësh qimet e kokës për t’i kuptuar. Në vitet e Zogut, Shqipëria kishte rreth 350 mijë hektarë tokë të punueshme dhe me 90 për qind të fshatarëve pronarë të saj. Në kohën e Hoxhës, u shtuan dhe 350 000 hektarë të tjerë. Të mjaftueshëm për atë dhjetë përqindëshin që nuk kishte tokë dhe për të kompesuar plotësisht ata që ua rrëmbeu komunizmi.

Këtë llogaritje elementare që ma shpjegoi një ditë ish-presidenti Topi, tregon se kush e ka qeverisur Shqipërinë këto njëzet e pesë vjet…

Po a kanë mbaruar kusuret në kurriz të fshatarësisë?

Kur shikoj emisarë partish apo deri dhe ministra që vijnë vërdallë gjoja në ndihmë të fshatit, më kujtohet Duçja, por nuk më vjen për të qeshur.

Në realitet, për mua, maskarallëku më i madh është kur në ndarjen e tortës së pushtetit, bujqësia i kalon më të vegjëlve si dhuratë. I kemi trutë në vend, apo jo?

Megjithëse e shtypim, e shkelim me këmbë, nuk i japim pronën dhe modelojmë strategjira njëra më e çmendur se tjetra, përsëri bujku në fshat na jep gati 25 për qind të GDP-së.

Na jep turizmi-ndoshta do të thoshte një njeri tjetër. Po edhe ta zëmë se është kështu, me se do t’i ushqejmë turistët? Me ato mallrat gjysmë të kalbura që blejmë jashtë dhe helmojmë veten dhe të tjerët dhe harxhojmë edhe valutën e vendit? Mjafton të shikosh raportin import–eksport në bujqësi që të kuptosh si e kemi punën.

Po me se do të vishemi? Me çfarë çmimi do t’i blejmë ato këpucët që duan atë lëkurën e blegtorisë?

Natyrisht që nuk do ndonjë llogaritje të madhe të kuptosh se duke hedhur në erë jo vetëm bujqësinë dhe blegtorinë e Shqipërsisë, po shkatërojmë atë që na kanë lënë të parët e jo vetëm tregun dhe rregullat e tij.

Po ç’të bëjmë?

Së pari, të zëmë me shkelma ata që propagandojnë subvencione, me tre fidanë a me pesë të tillë, që vijnë vërdallë nëpër fshatra duke treguar përkujdesin e partisë përkatëse.

Bujqësinë duhet ta marrë në dorë partia fituese dhe të mos ta lëshojë kurrë më. Sepse nuk është lëmosha, por thelbi i ekzistencës sonë. Është, bashkë me pozicionin tranzit, themeli i Shqipërisë dhe i strategjisë sonë kombëtare.

Nëse nuk na pëlqen mënyra e dikurshme e admnistrimit të saj, dhe kjo me të drejtë, të vemë edhe një herë në arkivat e plota të fashistit Duçe dhe të kuptojmë se çfarë jemi duke bërë. E nëse nuk na pëlqen kjo, të kthehemi ta shpallim, siç kam shkruar edhe më parë Universitetin e Kamzës, vendin e shenjtë të Shqipërisë. T’u drejtohemi me përulësinë më të madhe atyre pleqve tanë të ndritur që punuan, megjithse në një sistem të dështuar, me përkushtim dhe ndjenjë.

Po më parë, siç thashë edhe më sipër, të përzëmë me shkelma ata që vijnë vërdallë fshatrave në emër të ndihmës me fidanë e para në dorë. Këta i pamë dhe nuk duhet t’i shohim më.

Rama ka të drejtë që duhet të ndryshojmë mënyrën e administrimit; po këtë, nëse është parti fituese, duhet po vetë ta bëjë. Nuk ka asnjë kuptim që në emër të shpërblimeve për partitë e vogla ta hedhë ku të mundë këtë sektor. Atëherë do ta besoja vërtet se po zë të mendojë realisht për bujqësinë.

Duke iu rikthyer edhe një herë tabelës së mësipërme, që tregon më shumë se njëmijë libra dhe njëmijë partiçka nga tonat që vijnë vërdallë në fshat, duhet edhe një herë të them me trishtim: Nuk qeshet gjithnjë me shakatë e Duçes…(Konica.al)

Please follow and like us: