Albspirit

Media/News/Publishing

Kanceri i gjirit dhe si ta zbuloni sa më shpejt atë

Kanceri i gjirit është kanceri më i shpeshtë tek gratë. Në Shqipëri rastet kanë ardhur duke u shtuar duke e kthyer në kancerin më të hasur, pas atij të mushkërive, i cili zë vendin e parë të shkakut të vdekjeve tek gratë mbi 50-vjeçe. Megjithatë, specialistët shprehen optimistë se depistimi i hershëm dhe trajtimet e reja dhe efektive do të ndikojnë ndjeshëm në uljen e mortalitetit nga kjo sëmundje.

Një rol të rëndësishëm në këtë drejtim luan edhe sensibilizimi për kontrolle shëndetësore dhe kurim në rast diagnostikimi.

Cilët janë faktorët e riskut?

Etiologjia e shumicës së rasteve me kancer të gjirit është e panjohur.

Si faktorë risku të njohur përmenden:
• Gjinia femër;
• Histori familjare për kancer gjiri;
• Menarke (menstruacione) të hershme;
• Menopauza e vonshme;
• Mosha e madhe e nënës në lindjen e parë;
• Dieta e pasur me yndyrna;
• Rrezatimi jonizues i përsëritur i regjionit të gjirit për qëllime mjekuese (mastite) ose diagnostike (mamografi dhe radiografi të shpeshta të toraksit);
• Mutacionet gjenetike si psh BRCA 1/2 etj.

Kanceri i gjirit karakterizohet nga një periudhë e gjatë subklinike. Që ai të bëhet i kapshëm duhet të arrijë madhësinë së paku 1 cm. Aftësinë për të dhënë metastaza kanceri i gjirit e fiton në 10-20 dyfishimet e para, pra që në fazën subklinike pa shfaqur shenja klinike, prandaj në përfytyrimin bashkëkohor, kanceri i gjirit nuk është një sëmundje e lokalizuar, por një sëmundje sistemike që në diagnostikimin parësor. Përhapja e metastazave bëhet në rrugë limfatile dhe hematogjene (gjakut).

Në fazën klinike kanceri, në sajë të rritjes infiltrative, përhapet në strukturat fqinje, në lëkurën mbi të, muskujt e gjoksit dhe nën to. Me rrugë limfatike qelizat tumorale përhapen në enët e nyjet limfatike aksilare (të sqetullës), që përbëjnë rrugën kryesore të drenimit limfatik për të gjithë gjirin dhe në enët e nyjet limfatike të zinxhirit mamar të brendshëm në të cilin drenon kryesisht gjysma e brendshme e gjirit. Metastazat e largëta prekin më shpesh mushkëritë e pleurën, kockat (shtyllën kurrizore, baçinin, 1/3 e sipërme të kockës së kofshës) dhe mëlçinë.

Si mund të zbulohet?

Për të zbuluar kancerin e gjirit këshillohet:

  • Vetëkontrolli mujor i gjirit
    • Kontrolli i gjirit tek mjeku
    • Mamografia
    • Ekografia e gjirit

Cilat janë ato ndryshime në gji që kërkojnë konsultë të menjëhershme me mjekun specialist?

  • Zmadhim apo forcim të gjirit që nuk është normal për ju. (Zakonisht, para ciklit menstrual gratë kanë gjoks të fortë dhe mund të ndjejnë dhimbje, kjo është normale.);
    • Gjendra ose inflamacion në gji;
    • Njëri gji është më i ulët se tjetri në mënyrë të pazakontë;
    • Tërheqje nga brenda e thithave të gjirit ose rrjedhje lëngu apo gjaku prej tyre;
    • Dhe çdo gjë tjetër që nuk ju duket normale.

Ju duhet të drejtoheni sa më parë tek mjeku nëse vëreni këto ndryshime. Edhe pse jo të gjitha gjendrat që mund të dalin në gji janë kancer, vetëm mjeku mund të bëjë dallimin.

Please follow and like us: