Albspirit

Media/News/Publishing

Presidenti Nishani dekoron Vjoleta Zefin me Titullin “Mjeshtër i madh”

Presidenti i Republikës, Bujar Nishani i akordoi dt. 12/06/2017, nr. dekreti 10440 zonjës Vjoleta Zefi Titullin “Mjeshtër i madh” me motivacionin: “Këngëtares së talentuar që me zërin e saj ngriti peshë zemrat e artdashësve shqiptarë që në moshë të re, duke sjellë një kontribut të vyer në rritjen cilësore të muzikës shqiptare”.

 

E kanë quajtur “Mbretëresha e këngës shkodrane”, por te kjo këngëtare e shquar shqiptare qëndron thjeshtësia fisnike, që me muzikën popullore të interpretuar prej saj qetëson shpirtrat e njerëzve dhe i largon për disa momente nga streset e travajat e ditës. Dhe jo vetëm kaq! Ajo nuk ngurron t’i përshëndesë e t’i përqafojë njerëzit në rrugë kur ata i flasin dhe e përgëzojnë për kënaqësinë shpirtërore që ajo iu dhuron. Vjoleta Zefi lindi në Shkodër më 15.6.1960, në një familje të varfër. Një vajzë topolake, me flokë të verdha krrela-krrela, çapkëne, jashtëzakonisht e qeshur, e bukur si një kukull që impononte çdo banorë të rrugës a mëhallës ta uronte: “Zoti të ruajtë!”. Kjo zhdërvjelltësi dhe premisat që u shfaqën në talentin e saj, bënë që nëna e kësaj çapkënia të vogël, ta afronte atë pranë rretheve artistike të qytetit, ku për moshën ishte shtëpia e pionierit.

Ajo ka qenë shumë e vogël kur këndonte nëpër shtëpi. Për të parën herë, e shohim të dalë në publik me Estradën Profesioniste të qytetit të Shkodrës, me datë 26 mars të vitit 1968, ku ishte inkuadruar me një shfaqje për fëmijë, ku këndoi dy këngë, “Librazhdi im sa fort të dua”, dhe “Hyjo-hyjo, kalë vrapo”.

Që nga këto shfaqje ajo nuk u shkëput më nga skena. Sa mbaroi shkollën 8-vjeçare, për nevoja ekonomike u vendos në punë në Uzinën e Telave në Shkodër. Pa u rritur mirë tashmë ajo ishte bërë e njohur në të gjithë Shkodrën.

Formimi i plotë si këngëtare profesioniste e këngës popullore u bë pranë Teatrit “Migjeni”, në këtë institucion nga ku kanë dalë me dhjetra këngëtarë të famshëm.

Këtu pra ajo u inkuadrua me trupën profesioniste të Estradës së Shkodrës, përkrah këngëtarëve të mëdhenj Bik Ndoja dhe Shyqyi Alushi, ku për një kohë të gjatë këndoi në trio, bashkëpunim që i solli një sukses të jashtëzakonshëm si në Shkodër ashtu edhe në turne jashtë Shkodrës.

Dalja e saj gjithnjë përkrah dy kolosëve të këngës Shkodrane, krijuan tek ajo vetëbesimin për të kënduar në skenë por edhe përfitoi prej tyre shumë për këngën popullore shkodrane. Ajo pati fatin e madh, që në këtë moshë të njomë të kishte pranë vetes këngëtarë, instrumentistë dhe humoristë ndër më të njohurit dhe më të aftët e artit skenik shkodran.

Në kohën që punonte në Uzinën e Telave, u njoh me parodistin dhe humoristin e mrekullueshëm Gjosho Vasija, që në atë kohë drejtonte grupin artistik të kësaj ndërmarrjeje, humoristin tjetër dhe aktorin Mark Lëkunda, këngëtarët Bashkim Alibali dhe Eduard Jubani, me të cilët dha me dhjetra shfaqje dhe fitoi sa e sa çmime ndër festivale lokale dhe kombëtare. Kur ishte ende 13 vjeçe, dhe pse në një moshë që askush s’e beson mori pjesë në Festivalin e 13-të Kombëtar të këngës në RTSH, me këngën “Tre brezat”, e cila fitoi çmimin e tretë. I vetmi rast që në këtë moshë konkurron në festival, duke befasuar publikun e Tiranës me talentin dhe interpretimin e saj të sinqertë fëminorë, të brishtë e të pasigurtë ende. Gazetat e kohës, filluan të shkruanin për këngëtaren e vogël shkodrane, për Shkodrën që të befasonte gjithnjë me talentet e veta në festivalet e RTSH.

Kështu Vjoleta vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 14-të, duke vijuar më pas me festivalin e 15-të me këngën “Dasëm në fshat”, ku përsëri u vlersua me çmimin e tretë dhe vazhdoi të jetë pjesëmarrëse edhe në festivalin e 18-të.

 

Gjatë një bisede me muzikologun Prof. Ferid Bala ndër të tjera ai u shpreh: “Në shtypin e asaj kohe u shkrua për talentin dhe emocionet që Vjoleta krijoi tek spektatorët në përgjithësi, ku u fol më tepër për kualitetin vokal, që po çudiste kësaj radhe kritikën muzikore dhe specialistët e vokalit.

Veç interpretimit tek kjo këngëtare, shiheshin premisat e qarta të një vokali, që premtonte shumë dhe që nuk ishte ndeshur më përpara. Zor se do të gjeje në këtë moshë ende të njomë një zë të tillë kaq të madh dhe të gjërë për nga dimensioni dhe intensiteti, të bukur dhe imponues për nga timbrika e të tjera vlera të përkryera vokale.

Prandaj edhe interesimi dhe diskutimet që u ngritën nga specialistët dhe gazetarët në ato vite për Vjoletën ishin plotësisht të motivuara. Kritika gazetareske kishte përpara saj një fenomen që nuk i vinte shpesh Shqipërisë. E theksoj edhe një here se ajo pati fatin e mirë që të qëndronte gjithnjë pranë grupeve orkestrale profesioniste dhe gjysëm profesioniste të ndërmarrjes, që në përbërjen e tyre kishin shumë muzikantë cilësorë dhe të njohur, këngëtarë dhe aktorë të nderuar të qytetit tonë”.

Vlerat e Vjoletës nuk qëndrojnë vetëm tek zëri, por edhe tek inteligjenca e saj për të plotësuar vetveten edhe me një repertor sa më të larmishëm e të dashur për publikun, me këngë shkodrane, të Shqipërisë së Mesme, kosovare dhe të Jugut.

Vjoleta Zefi, u aktivizua në shumë drejtime, si këngëtare, si spikere dhe si aktore; kujtojmë këtu aktivizimin e saj tek drama “Përmbytja e Madhe”, ku ajo luajti përkrah aktores së njohur të Teatrit “Migjeni”, Vitore Nino, dhe ku ajo në një aktivitet kombëtar të teatrove fitoi çmimin e parë si aktore amatore.

Natyra e saj e gëzuar, optimiste dhe plot humor, përfaqësohet edhe në repertorin e zgjedhur për interpretim, këngë të gjalla dhe të gëzuara, plot dinamizëm të brendshëm e me shtrirje që i përgjigjen edhe natyrës së saj vokale, tematikë e larmishme, nga ato lirike dashurore, tek ato të trimërisë, të kurbetit, nga këngët e vjetra tek ato më të rejat.

Talentin e saj ajo e ka demonstruar edhe në marrëdhënie me zërat e tjerë si në duete, ansamble vokale etj. Vjoleta që nga koha kur ka dalë për të parën herë në skenë, ka fituar respektin dhe dashurinë e spektatorit, i cili e ka duartrokitur dhe mirëpritur në çdo shfaqje. Këtë respekt e mirëpritje Violeta e ka patur jo vetëm në Shkodër, por në mbarë Shqipërinë, e në të gjitha skenat ku ka përformuar jashtë shtetit.

Në të gjitha aktivitetet artistike kombëtare dhe ndërkombëtare Vjoleta ashtë vlerësuar maksimalisht me diploma, çertifikata dhe medalje. Kështu vlerësohet me Çertifikatën e Çmimit të Parë, në konkursin e këngëtarëve dhe instrumentistëve solistë zhvilluar në Tiranë nga data 25 deri me 28 Mars 1971.

Festivali i Estradave i zhvilluar në Tiranë prej datës 21 korrik deri me 2 gusht 1971 e vlerësoi punën e Vjoletës me Fletë Lavdërimi. Po kësaj kohe i takon edhe një Festival i Estradave që u zhvillua nga data 4 e deri me 6 gusht të vitit 1971, i cili e vlerësoi me Medaljen e shkallës së parë, për interpretim shumë të mirë.

Në Festivalin kombëtar të Shtëpive të Kulturës, zhvilluar në vitin 1975, në Durrës, nderohet me Çmimin e Parë, si këngëtarja më e mirë.

Me 22 Shkurt 1975, i jepet Çertifikata dhe medalja me motivacionin “Për punë të dalluar në përhapjen e kulturës në masat e gjëra”.

Në vitin 1976 Vjoleta Zefi dekorohet nga Presidiumi i Kuvendit Popullorë me urdhërin “Naim Frashëri i klasit të dytë”.

Vitet ’80, kur Ansambli i Radio Shkodrës shkoi në Kosovë për të bërë një turne në qytetet kryesore, ajo këndoi me bashkombësit e saj. Ky kujtim do të mbetet i pashlyer në gjithë karrierën e saj artistike.

Në takimin ndërkombëtar të Turqisë (1981), Vjoleta u nderua nga juria me çmimin më të lartë duke i dhënë titullin “Mbretëresha e Festivalit”. Vjoletën sukseset e ndoqën kudo. Në vitin 1993, kur shkoi në Amerikë, pritet shumë mirë, pastaj vijnë turnetë e tjera si: Zvicër 1994, Gjermani 1995, Mal të Zi 1996 e Maqedoni 1998.

Më 2 qershor 2005, nderohet nga Këshilli Bashkiak i qytetit të Shkodrës me titullin “Mirënjohja e qytetit”, me motivacion: “Për merita të veçanta në fushën e interpretimit të këngës popullore dhe për kontributin e madh të saj në këtë gjini”.

Duke analizuar veprimtarin artistike të Vjoleta Zefit ndër vite konstatojmë se ajo ka bashkëpunuar me institucione të rëndësishme të artit dhe të Radios para viteve ’90, si: Radio Shkodra, Radio Tirana, TVSH, Teatrin “Migjeni”, “Kino Puntori”, Klubi i Rinisë “Herojt e Vigut”, dhe pas viteve ’90 me institucione kombëtare kulturore dhe mediat vizive më prestigjioze brenda dhe jashtë atdheut.

Ka kënduar nën shoqërimin e brezave instrumentistë si: Abdullah Salabegu, Mark Kaftalli, Nazmi Lishi, Luan Barova etj.

Ka kënduar me orkestrat Simfonike të RTSH, RT Prishtinë, Shtëpisë së Kulturës Shkodër, Orkestrën e Ansamblit Shtetëror të Këngëve dhe Valleve Popullore, Banden Frymore të Shkodërs, Orkestrinën e Estradës së Shkodrës, dhe shumë formacione të tjera orkestrale edhe jashtë vendit. Ka regjistruar 39 potpuri, prej të cilave 5 janë kolazhe dhe 20 janë duete dhe trio.

Ka bashkëpunuar me figura të tilla të artit shkodran si: Tish Daija, Tonin Harapi, Xhavit Ujkani, Nazmi Lishi, Luan Borova , Tonin Daija, Ilir Zoga e shumë të tjerë.

Në 7 albumet e saj ka 84 këngë të regjistruara, prej të cilave 61 janë shkodrane, 9 Shqipëri e Mesme dhe të tjerat nga krahina të ndryshme të Shqipërisë dhe të trojeve shqiptare jashtë atdheut.

Në Albumin “Hala jam”, ka një bashkëpunim me këngëtarët Bik Ndoja e Shyqyri Alushi, si dhe një duet me këngëtarin Adnan Bala me këngën “Dukane”.

Tek kënga “Edhe baba po m’bërtet”, një këngë e re e viteve ’70, e krijuar enkas për dy tenorët e famshëm popullorë Bikun e Shyqin dhe vajzën e re, u krijua një trio e bukur që u realizua mjaft mirë nga të tre kengetarët.

Në këtë shkrim ja vlen të evidentojmë disa nga interpretimet më brilante që Vjoleta ka në karrieren e saj, në veçanti në interpretimin e këngës shkodrane, duke përmendur këtu disa prej tyre: “Kndon bylbyli me t’madhin za”, “Hala emrin s’ta kam zan”, “Ashtë nji djalë moj nanë”, “Këngë për Mujo Ulqinakun”, “O bylbyl, o i bukri shpendëve”, “Shtëpia pastë gjithmon pranverë”, “Erdhi pranvera”, “Pse ti lule rrin e mshehun”, “Këpucët me meste”, “Djalë i dashur”, etj., të cilat i gjejmë edhe në albumet e saj: “Tash du me fillu”, “Pasha sytë e mi”, “N’andërr më del”, “Hala jam”, “Merre nji tub lule”, “Ti je si nji gonxhe” dhe “Shkodra ime”.

Për këngëtaren e mirënjohur Vjoleta Zefi morëm edhe disa opinione nga kolegët e saj, të cilët u treguan të gatshëm dhe të respektshëm për të dhënë edhe ata opinionin e tyre për Vjoletën.

Artisti i madh, 90 vjeçari Bik Ndoja, në shtëpinë e tij më priti jashtëzakonisht mirë dhe pasi ai mori vesh qëllimin e vizitës sime, më shprehu një konsideratë brilante për Vjoletën ku ndër të tjera tha: “Për Vjoleten kam me thanë shumë pasi me te kam kënduar për një kohë të gjatë, kemi bërë shumë inçizime bashkë, kam duete me te, ajo është një këngëtare shumë e mirë. Ka qenë shumë e vogël kur unë e merrja në biçikletë dhe e çoja në teatër dhe me biçikletë e sillja prap në shtëpinë e saj, pasi e ëma ma linte amanet që të kujdesesha për te. Kam një simpati të madhe për Vjoleten sepse kemi punuar bashkë shumë. Ajo e meritonte një simpati të tillë pasi ishte një këngëtare e mirë ashtu siç është edhe sot.

Edhe “Artisti i merituar” Shyqyri Alushi u tregua i gatshëm që të thoshte dy fjalë për kolegen e tij, duke thënë: “Vjoleta Zefin e kam nxjerrë përdore në skenë, ajo ishte e vogël kur e sollën në teatër dhe që atëherë ajo nuk ju nda asnjëherë skenës. Është një këngëtare shumë e mirë dhe gëzon respekt shumë të madh nga të gjithë. Ajo i ka qëndruar besnike kënës popullore qytetare shkodrane dhe për këtë e përgëzoj shumë sepse sot nuk dëgjoj ndonjë këngëtar apo këngëtare që e dashuron apo e këndon këngën popullore shkodrane me aq fanatizëm dhe origjinalitet siç janë kënduar në kohën tonë”.

Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, shprehet: “Për të parën herë Vjoleta Zefi ka kënduar me estradën profesioniste që kur ishte shumë e vogël. Një këngëtare shumë e mirë dhe e përpiktë në të gjitha shfaqjet, sidomos në prova të cilat kanë shumë rëndësi. Ajo këndon shumë bukur, saktë. Ashtu siç ia kemi mësuar këngët, ashtu i ka kënduar”.

“Mjeshtri i madh” Bujar Qamili kur i kërkova një opinion për Vjoleten, me buzë në gaz dhe me pasion ndër të tjera tha: “Vjoleta është jo vetëm një këngëtare që i dha shumë Shkodrës me zërin e saj karakteristik shkodran, por dhe një kolege, shoqe dhe mike e pakrahasueshme. Me Vjoleten kam kënduar shumë në Zvicër, Kosovë dhe SH.B.A. si dhe në shumë ambiente familjare shkodrane. Gjithmonë e pëlqyeshme me zërin e saj të veçantë dhe repertorin e bukur shkodran që i qëndroi besnike gjatë gjithë kohës. Për mua Vjoleta qëndron lart si këngëtare, si kolege, si nënë dhe si gjyshe”.

Këngëtari shkodran Adnan Bala, i emocionuar dhe plot dëshirë e pasion tha për Vjoleten: “Në fillimet e mia si këngëtar në teatrin “Migjeni” në vitet ’90 pata privilegjin dhe fatin e madh që të aktivizohem pranë këtij tempulli ku ishin këngëtarë të mrekullueshëm të skenës shqiptare, të cilët kishin lënë gjurmë në këngën popullore shkodrane dhe asaj shqiptare. Isha krenar që në kolazhe të ndryshme të këngës popullore shkodrane të isha pranë këngëtares së famshme Vjoleta Zefi. Eksperienca e viteve të kësaj këngëtare të madhe që këndonte dhe kultivonte me fanatizëm këngën popullore qytetare shkodrane, jam krenar që bën pjesë në jetën time artistike si këngëtar. Bashkëpunimet me Vjoleten përveç estradës profesioniste të qytetit të Shkodrës, i kam pasur edhe në qytetet tjera të vendit si dhe në skenat jashtë vendit. Një bashkëpunim tjetër i suksesshëm përveç koncerteve televizive, spikat edhe dueti im me Vjoleten me këngën “Dukane”, kënduar në një nga sofrat shkodrane në vitin 2008. Do të doja dhe dëshiroja që bashkëpunimi im me Vjoleten të vijojë përsëri, pasi mendoj që kjo këngëtare e madhe ka shumë për t’i dhënë prapë këtij qyteti ku një pjesë e mirë e rinisë u rrit me këngët e saj të cilat edhe sot i këndojmë në dasma e gëzimet tona familjare. I uroj jetë të gjatë dhe lumturi me familjen e saj”.

Ishte e pamundur që të mos merrnim edhe mendimin e drejtuesit të muzikës në Teatrit “Migjeni” z.Ilir Zoga i cili në opinionin e tij për Vjoleten tha: “Është kënaqësi që kam rastin të them dy fjalë për këngëtaren e mirënjohur shkodrane Znj. Vjoleta Zefi. Bashkëpunimi im artistik me këngëtaren Vjoleta Zefi ka filluar rreth 20 vjet me parë. Vjoleta, gjithë jetën e saj ia ka dedikuar këngës, skenës dhe spektatorit. Talenti dhe përkushtimi për këngën u vunë re që në aktivitetet e para te saja, në moshë fare te vogël. Në të gjitha aktivitetet që ka zhvilluar Teatri “Migjeni” Vjoleta Zefi ka qenë përherë pjesë e tyre. Prezantimi i saj ka qenë gjithmonë i suksesshëm dhe mjaft profesional. Vjoleta me interpretimin e saj përcjell përherë tek spektatori emocione të ngrohta që janë veçori vetëm e një artisteje të vërtetë. Jo vetëm në skenën e Teatrit “Migjeni” por edhe në aktivitetet që ka zhvilluar brenda dhe jashtë vendit, suksesi dhe fama e saj kanë treguar më së miri se Vjoleta është një këngëtare e përmasave të mëdha profesionale.

Edhe bashkëpunimi me Vjoletën në studion e inçizimit për realizimin e albumeve të saja, ka qenë mjaft i suksesshëm. Përsosmëria e realizimit të këngëve dhe vokali i saj mjaft interesant flasin më së miri për një këngëtare të formuar artistikisht dhe mjaft të talentuar.

Vjoleta Zefi është ndër ato këngëtare që me zërin e saj të ëmbël dhe me interpretimin e saj mjeshtëror ka mahnitur dhe ka bërë që spektatori të bëhet pjesë e këngës së saj duke e shoqëruar vazhdimisht me duartrokitje e duke kënduar bashkë me te. Skena dhe kënga popullore do ta dëshirojë gjithmonë zërin e ëmbël dhe interpretimin mjeshtëror të këngëtares Vjoleta Zefi”.

Këngëtarja e mirënjohur Vjoleta Zefi jeton sot në qytetin e saj të lindjes në Shkodër me familjen e saj të mrekullueshme e shumë të nderuar. Ajo respektohet, ashtu siç edhe këndon në një këngë të saj “Si një zonjë e randë” sepse në asnjë moment nuk është shkëputur nga dashuria dhe respekti që ka për qytetin e Shkodrës dhe anasjelltas. Në ekranet e televizioneve dhe emetimet e valëve të radios, shpesh bie heshtje në ambientet familjare ose lokalet e qytetit për ta dëgjuar atë, por edhe më shpesh krijohen atmosfera të gëzueshme, sepse çdo i pranishëm do ta shoqërojë me zërin e tij këngën e saj.

Përgatiti: Ramazan Çeka

Please follow and like us: