Albspirit

Media/News/Publishing

Çapajev Gjokutaj: E mbuluan apo s’e mbuluan Skënderbenë?

E mbuluan apo s’e mbuluan Skënderbenë? Sot e kësaj dite nuk mund të flasësh me siguri.

Shumë burime mediatike njoftuan se gjatë faljes së Kurban Bajramit në sheshin ‘Skënderbej’, Komuniteti Mysliman kishte mbuluar shtatoren e heroit kombëtar. Disa portale nxituan madje të postonin edhe një foto të vjetër, ku shtatorja ishte rrethuar nga të katër anët, me sa duket gjatë ndonjë restaurimi vite të shkuara.

Burime nga Komuniteti Mysliman njoftuan se ishte fjala për një keqkuptim: gjatë natës në shesh ishin vendosur dy ekrane të mëdhenj në mënyrë që besimtarët, pavarësisht nga distanca, të mund të shihnin qartë klerikun që do të drejtonte lutjen. Punë nate, bërë në nxitim, thoshte në thelb myftiu i Tiranës, ndaj nuk na shkoi ndër mend se kështu fshihej shtatorja e Skënderbeut.

Disa televizione ofruan pamje ku, në plan të parë dukej kryetari i komunitetit duke drejtuar lutjen, kurse në sfond dallohej shtatorja. Këto pamje të shtyjnë të hamendësosh se nuk ka patur mbulim total të Heroit.

Zëra të tjerë, artikuluar si nga figura mediatike, ashtu edhe nga ndonjë klerik mysliman, e merrnin të mirëqenë mbulimin e shtatores, por nuk e shpjegonin si të shkaktuar nga pakujdesia dhe nxitimi i natës. Feja islame nuk lejon që besimtarët të falen para ndonjë shtatoreje apo imazhi çfarëdo.

Burime të tjera thanë se bajramin e kaluar, dikush kishte shpërndarë në rjet një foto që, në plan të parë kishte shtatoren e heroit, kurse në sfond, nën këmbët e kalit, shquante moria e besimtarëve, rënë përmbys, siç e kërkon riti i faljes. Fotoja ishte bashkëshoqëruar me komente të tipit: Skënderbeu shtrin edhe një herë barkas myslimanët, vë përpara turqit etj. etj.

Dhe atmosfera e festës ishte ndotur me përqshje e qesëndi në publik. Nisur nga ky pësim, kësaj here krerët e komunitetit kishin venë monitorët për të shmangur pa zhurmë e bujë përsëritjen e qesëndive, sqaronin përkrhësit e këtij versioni.

Pati edhe shpjegime të tjera, por sot e kësaj dite, mbështetur në ato që thanë meidat dhe portalet, publiku e ka vështirë të thotë si është e vërteta: u mbulua totalisht shtatorja e heroit, apo jo. Akoma më vështirë, në mos të pamundur, e ka të thotë pse ndodhi ky incident dhe ç’ishin motivet e palëve ‘ndërluftuese’.

Por më e vështira e të vështirave është të gjesh: Kemi të bëjmë me paaftësi gazetareske për të sjellë të vërtetën në publik, apo me përpjekje individësh e grupesh për të manipuluar faktet për hir bindjesh ideologjike e fetare?

( Nga cikli ‘Djerrinat e shpirtit’ )

Please follow and like us: