Albspirit

Media/News/Publishing

16 vjet më pas/Kujtimet e ish-shefit të CIA: Çfarë ndodhi pas 11 Shtatorit 2001

Pa asnjë dyshim sulmi terrorit i 16 viteve më parë kundër Shteteve të Bashkuara, futi jo vetëm SHBA por mbarë politikën botërore në një fazë të re. Është folur shumë për atë ngjarje kyçe, por kujtimet e shefit të CIA-së, George Tenet janë nga më realistet.

Me sinqeritet dhe emocion, në kujtimet e tij të botuara në një libër të titulluar “Në syrin e ciklonit Xhorxh Teneti rrëfen kohën e shërbimit të tij në Agjencinë Qendrore të Informacionit, me një vështrim zhbirues në punët e brendshme të organizatës më të madhe inteligjente në botë gjatë kohës më të vështirë të historisë së viteve të fundit.

Me një njohje të pashoqe, si të skalioneve më të larta të qeverisë dhe informacionit të gjallë nga terreni, Teneti ndriçon përpjekjet e CIA-s për të përgatitur vendin kundër kërcënimeve të reja dhe vdekjeprurëse, shkoklavit ngjarjet e ngatërruara që çuan te 11 Shtatori, ndërsa ofron informacion të ri shpërthyes mbi diskutimet dhe strategjitë që kulmuan me pushtimin amerikan të Irakut.

Duke filluar me emërimin e tij si Drejtor i Informacionit Qendror në vitin 1997, Teneti shpalos ngjarjet shumë të rëndësishme që çuan te 11 Shtatori, ashtu siç i pa dhe përjetoi ato: shpalljen nga ana e tij të luftës me al-Kaedën; operacionet e maskuara të CIA-s në Afganistan; planin operativ mbarëbotëror për të luftuar terroristët; paralajmërimet e tij drejtuar zyrtarëve të Shtëpisë së Bardhë për sulmet e afërta kundër interesave amerikane në verën e vitit 2001; si dhe planin për bashkërendimin dhe kundërsulmin shkatërrues kundër al-Kaedës që u skicua vetëm gjashtë ditë pas sulmeve. Në këtë fragment kujtimesh që po botojmë, tregohet reagimi i Shteteve të Bashkuara menjëherë pas 11 Shtatorit.

Amerika në luftë

Më 12 shtator, presidenti kryesoi një mbledhje të Këshillit të Sigurisë Kombëtare dhe theksoi me terma të fortë çfarë kishte thënë në televizion në mbrëmjen e kaluar: ne duam jo vetëm të ndëshkojmë ata që janë pas sulmeve të ditës së djeshme, por të ndjekim terroristët dhe të gjithë ata që i strehojnë, në të gjithë globin.

Ditën tjetër, në Sallën e Situatave të Shtëpisë së Bardhë, unë takova presidentin dhe Kabinetin e Luftës, për herë të parë mbi planin tonë të luftës. “Ne jemi përgatitur të nisim në një kohë të shkurtër një program aksioni të maskuar i cili do të zhvillojë luftë me armikun, veçanërisht me al-Kaedën dhe mbrojtësit e saj talebanë”, i thashë. “Për të bërë këtë, ne do të vendosim një grup paramilitar të CIA-s brenda Afganistanit për të punuar me forcat opozitare, në mënyrë të veçantë me Aleancën Veriore, dhe do të përgatisim terrenin për ndërhyrjen e Forcave Speciale të Shteteve të Bashkuara.” Kjo nuk është e lehtë, i thashë Kabinetit. Vrasja e Ahmed Masudit, më 9 shtator, e kishte lënë Aleancën Veriore pa një figurë të fuqishme dhe të respektuar gjerësisht, por ne, tashmë, kishim teknologjinë në anën tonë dhe një rrjet të shtrirë të burimeve në vend, dhe ne do t’ia dilnim mbanë.

Kofer Blleku më ndoqi me një prezantim në kompjuter, që jepte me hollësi aftësitë tona të aksioneve të maskuara, pozicionimet e menduara e të tjera si këto. Si edhe unë, Koferi e bëri të qartë që ne do të merrnim përsipër të përballonim jo vetëm al-Kaedën, por edhe talebanët. Të dy ishin të pandashëm, po të mos donin vetë talebanët të ndaheshin, gjë që dukej e pamundur, pavarësisht nga përpjekjet tona për të futur një pykë midis tyre. Me pak fjalë, ne do të fillonim, jo vetëm një mision kërkimi dhe shkatërrimi për Bin Ladenin dhe ndihmësit e tij – luftë kundër një armiku që në pjesën më të madhe do të hidhte në erë vetveten para se të kapej. Kjo donte të thoshte viktima në anën e tyre dhe në tonën. Koferi nuk u orvat të parashikonte se sa do të ishte numri i amerikanëve që mund të vriteshin, por ai ia bëri të qartë presidentit që të kuptonte se misioni nuk do të kalonte pa gjak. Bushi i tha se e dinte këtë.

“Sa shpejt mund të dislokojmë ne grupet e CIA-s?” pyeti Presidenti.

“Brenda një kohe të shkurtër”, u përgjigj Koferi.

“Dhe sa shpejt mund t’i thyejmë talebanët dhe al-Kaedën?”

“Punë javësh”,  i tha Koferi.

Unë nuk mendoja se ishte e mundur; dhe në fakt nuk ishte. Presidenti shprehu pakënaqësi kur mësoi se Pentagoni nuk kishte një plan të mundshëm në tavolinë për të ndjekur al-Kaedën dhe talebanët. Xhorxh Bushi ecte me njëqind milje në orë që nga ajo kohë, ishte tërësisht i zënë me punë. Nëse nuk ishe në gjendje për ta ndjekur, ai e largonte interesimin nga ti.

Thelbi i asaj që donim të bënim unë dhe Koferi ishte që kjo luftë të zhvillohej nga shërbimi inteligjent, jo thjesht të ishte një demonstrim i fuqisë. Sfida nuk ishte thyerja ushtarakisht e armikut. Sfidë ishte gjetja e armikut. Kur të bëhej kjo, mundja e tij do të ishte e lehtë.

Të premten, më 14 shtator, ne e përmirësuam më tej planin tonë, ku Afganistani ishte i vetmi akt fillestar në një strategji gjithëpërfshirëse për luftimin e terrorizmit ndërkombëtar. Pastaj bëmë një përmbledhje në përgatitjen për paraqitjen që do t’i bëja planit të nesërmen në Kemp Dejvid. Atë mbrëmje, NSC-ja na dërgoi tufën e dokumenteve për t’i këqyrur para se të mbërrinim në Kemp Dejvid, të dhëna që duheshin mbajtur fort parasysh në të gjithë sektorët e shërbimit inteligjent dhe ushtarak të qeverisë. Më kujtohet se ndërsa vozisja me vështirësi përmes tyre mendova se qindra drurë kishin shkuar dëm. Dokumentet ishin të panevojshme, për aq sa mund të tregoj, për gjithçka që do të flisja, ndaj dhe që atëherë isha plotësisht i bindur në drejtësinë e qasjes sonë, të cilën e kisha përdorur fare pak, në krahasim me masat gjysmake dhe strategjitë pa formë që agjencitë e tjera kishin filluar të vinin në lëvizje.

Të shtunën, më 15 shtator, i shoqëruar nga Xhon Meklaflini dhe Kofer Blleku, u takova me Kabinetin e Luftës në Kemp Dejvid. Presidenti ishte ulur përballë meje, në anën tjetër të tryezës së madhe katrore në sallën e thjeshtë të konferencave Kemp Dejvid, me zëvendëspresidentin dhe Kolin Pauellin në secilin krah të tij. Të pranishmit e tjerë ishin Don Ramsfelldi dhe Pol Volfovic, të ulur në krah të njëri-tjetrit, Kondi Rajs, Stiv Hadlli, Riç Ermitejxh, Prokurori i Përgjithshëm, Xhon Eshkroft dhe drejtori i ri i FBI-së, Robert Myler.

Titulli i materialit ishte “Shkatërrimi i Terrorizmit Ndërkombëtar”. Nëntitulli i faqes së parë mbante këto fjalë: “’Kurthi i Parë’: Shkatërrimi i al-Kaedës dhe mbyllja e Strehës së Sigurt”. Unë dhe Kofer Bllejku paraqitëm përmbledhtas pjesët e dukshme të planit.

Ne kishim për ta rrethuar Afganistanin duke siguruar mbështetje të menjëhershme për Aleancën Veriore dhe komandantët e saj, si dhe me përshpejtimin e kontakteve tona me udhëheqësit e Pashtunit Jugor, përfshi dhe gjashtë komandantë ushtarakë të lartë talebanë, që dukej se ishin të gatshëm për të hequr Mullah Omarin nga pushteti. Për këtë ne kishim nisur të punonim që në fillim të vitit 2001, për të krijuar një çarje midis krerëve talebanë dhe Bin Ladenit, dhe luftëtarëve të tij arabë. Ne kishim për t’i mbyllur kufijtë e Afganistanit me angazhimin e drejtpërdrejtë të iranianëve, turqve, taxhikëve, uzbekëve dhe pakistanezëve.

Ne i thamë presidentit se prej kohësh i vetmi aleat i yni i vërtetë në kufijtë afganë kishte qenë Uzbekistani, ku ne kishim ngritur qendra të rëndësishme për mbledhjen e materialeve sekrete, si dhe kishim përgatitur një grup special për të ndërmarrë operacione brenda Afganistanit. Ne e dinim që Uzbekistani do të ishte pika jonë më e rëndësishme në nisje për të mbështetur Aleancën Veriore.

Ne sugjeruam përdorimin e Grabitqarëve UAV të armatosur për të vrarë ndihmësit kryesorë të Bin Ladenit, si dhe përdorimin e kontakteve tona përreth botës për të gjurmuar burimet e financimit të al-Kaedës, nëpërmjet identifikimit të organizatave joqeveritare (NGO) dhe individëve që financonin operacionet terroriste.

Ne shkonim për të bllokuar strehën e tyre të sigurt në Afganistan, të mbyllnim kufijtë, të shkonim pas udhëheqjes, të ndërprisnim paratë e tyre, si dhe të gjurmonim terroristët e al-Kaedës, në nëntëdhjetedy vende nëpër botë. Ne ishim gati t’i ndërmarrim të gjitha këto aksione menjëherë, sepse ne ishim përgatitur për këtë moment prej vitesh. Ne ishim gati, sepse plani na e mundësonte këtë. Me kompetencat e duhura, vendosmërinë politike dhe me oficerë të zotë, ne ishim plot besim se mund t’ia dilnim mbanë. Të tjerët mund ta kenë parë këtë si një lojë me zare. Por ne ishim gati dhe Presidenti ishte duke na e dhënë shansin.

Mbledhja e mëngjesit në Kemp Dejvid ishte e lirshme, të gjithë ishin aty. Diku rreth drekës, presidenti propozoi të bënim një pushim. Kur u rimblodhëm atë pasdite, diskutimi ishte edhe më shumë i drejtpërdrejtë dhe presidenti ishte plotësisht dakord me thuajse të gjitha ato që kishim thënë gjatë ditës. “Ky është i shkëlqyer”, tha ai për planin tonë. E gjithë mënyra e të sjellurit ishte për rritjen e optimizmit.

Ditën tjetër, më 16 shtator, unë lëshova një memo të titulluar: “Ne jemi në luftë”, për zyrtarët kryesorë në institucionin tonë dhe gjithandej bashkësisë inteligjente, ku ndër të tjera thuhej:

Për të pasur sukses nuk mund të ketë pengesa burokratike. Të gjitha rregullat kanë ndryshuar. Duhet të ketë një shpërndarje dhe një përdorim absolut dhe tërësor të informacionit, ideve dhe aftësive. Nuk kemi kohë për takime për të zgjidhur problemet – i zgjidhni vetë ato – me shpejtësi dhe objektivitet. Secili duhet të marrë një shkallë më të lartë të përgjegjësive personale.

Katër ditë më vonë, më 20 shtator, në një fjalim drejtuar kombit, përpara një sesioni të përbashkët të Kongresit, Presidenti tha: “Lufta jonë kundër terrorizmit fillon me al-Kaedën, por nuk përfundon aty. Ajo nuk do të ndalet, derisa çdo grup terrorist në të gjitha anët e globit të gjendet, të ndalohet dhe të mposhtet”. Që atëherë, me sa më kujtohet, presidenti na dha kompetenca të zgjeruara operacionale, të cilat i kisha kërkuar me kohë.

Tashmë që ishim hedhur në një luftë në terren, çështjet që ishin dukur të vështira në ditët e para, papritmas u pa se kishin qenë shumë më të lehta në praktikë. Problemi i Pakistanit ishte një nga këta shembuj. Më 13 shtator, Riç Ermitejxhi ftoi për t’u dhënë një dush në Departamentin e Shtetit ambasadorin pakistanez Maleeha Lodhi dhe Mahmud Ahmed, shef i shërbimit inteligjent të Pakistanit, të cilët ishin ende në Uashington. Kishte ikur koha e të folurit me diplomaci. Nuk do të kishte më lojëra. Xhorxh Bushi kishte thënë në fjalimin e tij të 11 Shtatorit drejtuar kombit se Shtetet e Bashkuara nuk do të bënin dallim midis terroristëve dhe vendeve që i mbronin ata.

Pakistani ishte dhe me ne, dhe kundër nesh. Konkretisht, Ermitejxhi kërkoi që Pakistani të fillonte ndalimin e agjentëve të al-Kaedës në kufirin e tij, t’u lejonte Shteteve të Bashkuara korridore ajrore dhe uljeje për të gjitha operacionet e nevojshme ushtarake dhe të zbulimit, të lejonte hyrjen në territorin e vet të agjentëve të shërbimit inteligjent amerikan dhe të aleatëve, si dhe të ndërpriste të gjitha dërgesat me karburant për talebanët. Ermitejxhi është një njeri i prerë dhe imponues. Mahmudi duhet ta ketë ndier këtë kur kishte ikur nga sytë këmbët nga zyra e Riçit. Megjithatë, unë dyshoja që Riçi të kishte kërcënuar me të vërtetë se “do ta bombardonte Pakistanin dhe do ta kthente në epokën e gurit”, sikurse thuhet se Gjenerali Mahmud i kishte thënë më vonë Presidentit Musharraf. Ndërkaq, në takimin me Mahmudin, unë luajta rolin e një polici të mirë, ose të paktën e policit më të mirë. A nuk mundej ai të takohej të paktën me Mullah Omarin dhe t’ia bënte krejtësisht të qartë se talebanët do të paguanin një çmim të tmerrshëm nëse vazhdonin të mbronin me fanatizëm al-Kaedën dhe Bin Ladenin?

Presidenti, gjithashtu, u përfshi plotësisht në këtë çështje, gjë që nuk e kishte bërë kurrë përpara sulmeve. Në takimin e mëngjesit të 13 shtatorit, ai më kërkoi një shqyrtim vend pas vendi të luftës kundër ekstremistëve islamikë dhe Bin Ladenit. Çfarë kishin bërë shërbimet e tyre të ndërlidhjes vitin e kaluar për të na ndihmuar? Ç’mund t’u kërkonim më shumë atyre? A do të ishte e dobishme një telefonatë nga Presidenti, apo nga ndonjë prej zyrtarëve të tjerë të lartë të qeverisë? Si gjithnjë, Pakistani ishte në krye ose afër kreut të listës.

Të gjithë këta faktorë luajtën një rol në hedhjen e Mahmudit në anën tonë, por ndoshta fakti që ai ishte në Uashington kur ndodhën sulmet ka të ngjarë të ketë pasur ndikimin më të madh. Ai pa si ngriheshin nga Pentagoni shtëllungat e tymit. Ai pa reagimin e të gjithë njerëzve përreth tij, dhe nuk mund ta kuptonte kurrë se sa thellë dhe së brendshmi i përjetuan amerikanët sulmet po t’i kishte ndjekur ngjarjet nga Islamabadi. “I ngjante një kafshe të plagosur”, na e përshkroi gjendjen ai. Dhe kjo nuk e ndali atë nga vazhdimi i bërjes së paralajmërimeve – edhe pas sulmeve, Mahmudi ishte ende duke u përpjekur t’i mbronte talebanët – veçse tashmë ai e dinte që nëse ne ishim të kënaqur, ne do të shkonim pas al-Kaedës pa vënë re se kush na pengonte ose kush na dilte në rrugë.

***

Në ditët menjëherë pas 11 Shtatorit, ne iu kthyem procedurave të mbledhjes së informacioneve tona sekrete. Në një kohë normale, agjentët kryesorë mblodhën informacion me anë të korrierëve që kishin depërtuar brenda ose pranë zemrës së një organizate të interesit. Me raste, korrierët dhe agjentët që i kontrollonin ata ndeshnin në informacione që kishin ndryshuar, si dhe në çfarëdo materialesh të klasifikuara si “sekrete” dhe të përcjella ose drejtpërdrejt analistëve në Langlej, ose me anë të vargut të komandave që agjentët kryesorë përcillnin. Si të gjitha modelet burokratike, kjo kishte pengesat e saj, kryesisht të kohës – edhe kanalet më të shpejta krijonin probleme dhe i kthenin njoftimet e freskëta në jo të freskëta – pavarësisht se jepte maksimumin e sigurisë për të gjithë elementët e përfshirë.

Në qoftë se 11 Shtatori na kishte dhënë një mësim të mirë, kryesorja ishte se ne nuk mund t’i linim njerëzit që ishin të përkushtuar kundër nesh të qëndronin qetë-qetë në strehëzat e tyre, ndërsa ne të ndiqnim rendin e zakonshëm të gjërave dhe të punësonim njerëz për një siguri normale. Na duhej një raportim në kohë nga terreni dhe pastaj marrja e masave të nevojshme.

***

Para 11 Shtatorit ne kishim punuar shumë për të prishur protokollet e vjetra, për ta shndërruar veten tonë në një nga organizatat më të rëndësishme. CIA kishte një nga rezervat më të thella dhe më të larmishme të talenteve në botë; oficerët tanë të terrenit kishin bërë gjëra që ju nuk keni për t’i lexuar as në romanet me spiunazh. Për mua, nuk ka kuptim të sjellësh një zëvendësdrejtor apo shoqërues të drejtorit në një takim, fjala vjen, me presidentin, vetëm sepse posti e kërkon këtë. Unë doja të merrja personin që ishte më afër aksionit, atë me përvojë të drejtpërdrejtë, për t’i treguar kryekomandantit se çfarë po ndodhte në të vërtetë. Herë-herë, unë duhej t’i merrja me vete, sidomos kur sapo kishin ardhur nga disa pika të nxehta në anë të largëta të botës dhe donin një dush të ngrohtë apo të flinin një ditë, por në shumicën e rasteve, mendoj, ata e merrnin këtë si një shenjë respekti për çfarë kishin bërë dhe sakrifikuar, dhe për njohuritë që kishin fituar.

Pas 11 Shtatorit ne i dyfishuam këto përpjekje. Unë do të dukesha në Shtëpinë e Bardhë apo në Kemp Dejvid me njerëz që i kishin thonjtë të paprerë dhe me veshje të zhubrosura, pasi ata sapo kishin zbritur nga një aeroplan që kthehej nga një zonë lufte. Asnjë burokraci qeveritare nuk mund të jetë tërësisht e përkryer, por ata tanët, në postet më të larta të CIA-s, punonin fort për ta bërë burokracinë tonë sa më horizontale që të ishte e mundur.

Ne bëmë në thelb të njëjtën gjë me oficerët tanë në terren – u dhamë atyre lejen për të bërë telefonata në pikën e kontaktit me armikun. Rrafshimi i piramidës së autoritetit na dha mundësinë e marrjes së vendimeve në kohën e duhur. Pjesërisht ne nuk kishim zgjidhje tjetër. Terrorizmi nuk ishte vetëm al-Kaeda. Në qoftë se atje kishte luftë – dhe, me sa dukej, kjo ishte e pashmangshme – nuk do të luftohej vetëm në Afganistan. Ne ishim duke u përballur me një formë kërcënimi mbarëbotëror dhe duhej t’i përgjigjeshim globalisht me një ortakëri, që tashmë ishte tendosur jashtë mase.

***

Rreth mesnatës së 12 shtatorit, pas një darke të vonë me shefat britanikë të shërbimit inteligjent, të cilët kishin fluturuar për të shprehur ngushëllimet e tyre, unë isha ulur në zyrën time duke shënuar ide të ndryshme bashkë me Xhemi Misik, analisten tonë të dytë më të vjetër në atë kohë. I thashë asaj se doja të krijoja një grup brenda CIA-s, qëllimi i vetëm i të cilit do të ishte t’i mendonte idetë ndryshe. Klisheja në Uashington është  për “të menduar jashtë kutisë”, por unë nuk doja që të dilnim vetëm përtej kufirit të zakonshëm. Unë doja që njerëzit shumë larg jashtë kutisë të kishin një kod postar të ndryshëm. Xhemi e pëlqeu idenë dhe, brenda rreth pesëmbëdhjetë minutash, e pagëzuam grupin “Celula e Kuqe”…

***

Më 27 shtator, gjashtëmbëdhjetë ditë pasi ishin goditur Qendra Botërore e Tregtisë dhe Pentagoni, ne futëm grupet tona të para të maskuara në Afganistan. Më pak se dy muaj e gjysmë më vonë, një bërthamë prej nëntëdhjetë punonjësish paramilitarë të CIA-s, tok me një numër të vogël grupesh të Forcave Speciale, në bashkëpunim me forcat rebele afgane dhe të mbështetur nga një bombardim masiv prej ajrit nga ushtria amerikane, bëri të thyheshin talebanët dhe të vriteshin ose kapeshin një e katërta e ndihmësve kryesorë të Usama bin Ladenit, përfshirë dhe komandantin ushtarak të tij, Muhamed Atef, një njeri kyç në sulmet e 11 Shtatorit. Kabuli u çlirua dhe Hamid Karzai u emërua president nga një këshill kombëtar. Afganistani do të shënonte suksesin më të madh të CIA-s.

Besoj se vlerësimi ynë i zymtë ndikoi ndjeshëm në përfundimet e presidentit që ndokush kishte nevojë t’i kushtohej vëmendje gjatë gjithë kohës për të mbrojtur amerikanët brenda kufijve tanë dhe më pas në vendimin për krijimin e një Departamenti për Sigurinë e Atdheut. Prej vitesh, ne në CIA kishim qenë duke luajtur në sulm kundër terrorizmit të jashtëm, por askush nuk ishte marrë me mbrojtjen kundër tyre në planin e brendshëm. Ka një aksiomë të vjetër midis trainerëve të futbollit: kush luan vetëm në sulm nuk fiton kurrë.

Nga fundi i shtatorit Presidenti e pyeti Xhon Meklaflinin: “Pse mendoni ju se asgjë tjetër s’ka për të ndodhur?”. Sipas meje, nuk kishte mister. Ne kishim bërë atë që kishte pyetur presidenti: të gjithë ishim me këmbë në tokë. Është e vështirë të provosh një gjë nga hiçi, në këtë rast, të ndjekësh sulmet në tokën amerikane, unë nuk mund të ndihmoj veçse duke menduar që diku përgjatë rrugës, në këto javë të para pas 11 Shtatorit, dikush ishte supozuar të bënte diçka vendimtare – duke blerë pasaporta të falsifikuara, për shembull, për një grup të dytë terroristësh, ose të kalonte tinëzisht armë apo eksploziv në kufi – ishte prapsur, ose ishte përçarë, ose ndryshe ishte penguar nga ajo që po bënim ne dhe FBI-ja dhe patrullat kufitare dhe forcat policore të qytetit dhe plot alarme të kohëve të fundit të sajuara nga amerikanët. Në luftën kundër terrorizmit, unë sinqerisht besoj se heronjtë janë gjithkund. /Përktheu dhe përgatiti Xhevdet Shehu

Please follow and like us: