Albspirit

Media/News/Publishing

CIA: Dushan Mugosha nxiti Enver Hoxhën gjatë luftës me gjermanët të ndiqte rrugën komuniste, mbi 10 mijë shqiptarë u arratisën në Jugosllavi

Për amerikanët, Dushan Mugosha është personi që e futi Enver Hoxhën në rrugën e regjimit komunist. Në një dokument të deklasifikuar nga CIA, tregohet se si gjatë luftës me gjermanët, Mugosha i futi në mendje idetë komuniste Hoxhës, i cili i ndoqi më vonë duke krijuar të dy së bashku Partinë Komuniste. Në dokument tregohen dhe përpjekjet më vonë të Mugoshës për të rrëzuar regjimin komunist në Shqipëri, këtë herë përmes shqiptarëve të arratisur në Jugosllavi.

Mbështetja, opozicioni i shqiptarëve në Jugosllavi ndaj Titos

Ka rreth 10 000 shqiptarë në Jugosllavi, të cilët janë arratisur nga regjimi komunist i Enver Hoxhës. Mes tyre përfshihen dhe rreth 800, të cilët megjithëse punojnë në fabrika, dyqane apo miniera, janë ushtarë të gatshëm e të organizuar. Ata kanë armë dhe kryejnë stërvitje thuajse të rregullt ushtarake. Ndërsa rreth 2000 janë pleq, gra ose djem që nuk mund të rekrutohen. Shumica e refugjatëve të grupit aktiv gjenden në Prishtinë, provinca shqiptare e Jugosllavisë, Kosovë, ku gjendet dhe selia e tyre drejtuese e Komitetit të Refugjatëve Shqiptarë në Jugosllavi. Grupe të tjera me influencë gjenden në Gjakovë, Prizren, Diber dhe Shkup, të gjitha pranë kufirit me Shqipërinë. Presidenti i Komitetit Shqiptar është Apostol Tenefi nga Korica, shtetas shqiptar me origjinë bullgare, që do të thotë sllave. Por ai e konsideron veten shqiptar dhe para se të arratisej ka qenë mësues në Shqipëri. Feja e tij është ortodokse. Zëvendës-presidenti i komitetit është Lufti Spahiu, mysliman, i lindur në Shqipëri. Gjatë kohës së luftës ai ka mbështetur regjimin fashist italian dhe ka simpati federaliste. Më shumë se të tjerët ai mbështet idenë e federalizmit të Shqipërisë, për arsye se kështu mund të rrëzohet Enver Hoxha nga pushteti dhe sepse kështu provincat sllave të jugut të kalojnë nën mbrojtjen e Titos. Sekretari i Përgjithshëm i Komitetit është Hajrullah Ishmi, ndërsa anëtarët e komitetit janë Mark Doda katolik, Mane Imsi ortodoks dhe Shaqir Lleshi mysliman. Ky komitet dhe në përgjithësi të gjithë shqiptarët në Jugosllavi marrin ndihmë materiale dhe morale nga qeveria e Titos. Anëtarët e komitetit të refugjatëve kanë rroga mujore ndërsa presidenti Tenefi që ka qenë mësues në Shqipëri, është bërë prej disa kohësh drejtor i liceut shqiptar në Prishtinë. Por në fakt ai merret shumë me problemin e refugjatëve shqiptarë. Qeveria komuniste jugosllave i ka ndihmuar punëtorët shqiptarë për të fituar besimin e tyre në kauzën komuniste. Refugjatët shqiptarë janë të gjithë pa përjashtim të punësuar në fabrika, ndërmarrje, miniera etj. Për të fituar ushqimin e tyre. Ndërsa fshatarët dhe disa intelektualë kanë mbetur nganjëherë pa punë. Të gjithë liderët shqiptarë të komitetit të refugjatëve kanë karaktere të forta por autoritetet e kanë kuptuar se asnjë prej tyre nuk mund të luajë një rol madhor në çlirimin e Shqipërisë nga Hoxha, si nga shqiptarët dhe nga jugosllavët. Dushan Mugosha është përfaqësuesi i qeverisë jugosllave në komitetin e refugjatëve. Ai është një 48 vjeçar inteligjent dhe energjik dhe në fakt është drejtuesi i vërtetë i Komitetit. Ka qenë ai që ka stërvitur Enver Hoxhës në rrugën komuniste gjatë luftës gjermane dhe italiane, duke jetuar në malet e Shqipërisë si përfaqësuesi i lartë i Titos. Ai ka organizuar gjithë kohës komunistët shqiptarë dhe flet gjuhën shqipe në mënyrë të përkryer. Në të gjitha takimet e shqiptarëve të Jugosllavisë ai nuk heziton të flasë në mbrojtje të politikave të Titos.

Federalizmi i Titos

Refugjatët shqiptarë që jetojnë në Kosovë raportohet se nuk shkojnë mirë me banorët shqiptarë të Kosovës, të cilët e respektojnë Titon. Shumica e refugjatëve nuk e mbështesin Titon sepse për ta ai është i huaj dhe sepse besojnë se ka në plan federalizmin e Shqipërisë në Jugosllavi, që do të thoshte anulim të pavarësisë së Shqipërisë. Gjithashtu shqiptarët janë arratisur nga regjimi komunist dhe e dinë se shumë shqiptarë të tjerë nuk do të ishin bërë komunistë po të mos ishte për propagandën dhe terrorin. Por në këtë rast mendojnë se Enver Hoxha, megjithëse është komunist, të paktën është shqiptar, kurse Tito do të mbetet gjithmonë një i huaj. Këtë pikë të dobët të Titos në lidhje me shqiptarët e njeh mirë dhe Enver Hoxha dhe e shfrytëzon rregullisht në propagandën e tij në radio dhe në shtyp, ku thekson se jugosllavët dhe grekët kërkojnë territore të mëdha nga Shqipëria, dhe nuk do të heqin dorë kurrë nga ambiciet e tyre. Deklarata e fundit turko-greke-jugosllave, ku pranohet parimisht pavarësia dhe sovraniteti i Shqipërisë në rast të përmbysjes së regjimit komunist të Hoxhës, nuk përmendte integritetin territorial të vendit. Prandaj dhe shqiptarët nuk kanë marrë garanci dhe influencë nga ky akt politik. Shqiptarët, si komunistët dhe jo-komunistët besojnë se Enver Hoxha ka një kartë të fortë në pretendimet e tij se Tito kërkon të bashkojë Shqipërinë me Kosovën në formën e një republike tjetër federale të Jugosllavisë. Shqiptarët, si komunistët që janë pakica dhe jo-komunistët, janë krenarë dhe nuk duan të dorëzojnë territore. Vendet e bllokut të Aleatëve janë gjithashtu përgjegjës për këtë situatë pasi nuk bënë asgjë për të ndaluar vendosjen e regjimit komunist të Enver Hoxhës, një herë kukull e Titos dhe pas kukull e Bashkimit Sovjetik. Ata nuk po bëjnë asgjë edhe tani që një goditje e vogël e organizuar mund të zhdukë regjimin e Enver Hoxhës. Por përkundrazi, Aleatët mbështetën Hoxhën në vitet 1944-1945 ndërsa tani ishulli komunist shqiptar nuk merr më asnjë ndihmë perëndimore, as ato të tipit platonik siç i jepen ishujve Fortmosan në Çiang-Kui –Shek. Duke respektuar parimet nacionaliste komuniste, të cilat mund të gjurmohen prej Stalinit deri të njësitë e mozaikut të federatës së Titos, shqiptarët jugosllavë në Kosovë kanë marrë nga autoritetet njëfarë lirie të kulturës dhe identitetit kombëtar. Ata kanë shumë shkolla shqipe (edhe serbe) dhe gazetën e përditshme “Flamuri i Lirisë”, edhe pse të gjitha këto janë në funksion të injektimit të komunizmit të Titos, të cilin shqiptarët e Jugosllavisë e quajnë “më marksist se komizmi i Moksës”. Në verën e vitit 1952, Komiteti i Refugjatëve u dërgoi ftesa për në Kongresin e Prishtinës, shumë liderëve shqiptarë të emigracionit në vende të tjera. Mes tyre përfshiheshin grupe besnike të ish-mbretit Zog, Ballit Kombëtar dhe indipendentëve të tjerë. Dy persona shkuan në Stamboll në gusht, njëri prej të cilëve kishte qenë më parë në Egjipt. Por në Kongresin e Prishtinës morën pjesë vetëm gjashtë refugjatë të tjerë shqiptarë, madje dhe ata zbuluan se nuk kishte mundësi dakordësie me komitetin e refugjatëve të Jugosllavisë. Kjo sepse organizata ishte në kontroll të plotë të komunistëve jugosllavë dhe veçanërisht të Titos, të cilët nuk simpatizoheshin nga asnjë prej grupeve të tjera demokratike të refugjatëve. Ata e donin vendin të çliruar nga komunistët, prandaj dhe Kongresi nuk dha rezultate konkrete në bashkëpunimin e grupeve të diasporës. Komiteti i refugjatëve shqiptarë të Jugosllavisë mbajti një tjetër kongres në 1 korrik 1953, por kjo ishte vetëm një çështje lokale me grupet e shpërndara nëpër Jugosllavi. Lajmet për rezultatet e tij nuk kanë mbërritur ende në Stamboll.

Studim: Problemi i Kosovës në Jugosllavi

Prill 1979

Rrjedha e ardhshme e rivalitetit mes serbëve dhe kroatëve në Jugosllavi është çelësi i ruajtjes së integritetit të vendit në periudhën post-Tito. Ndërsa zhvillimi i rivalitetit të çështjes më pak publike mes shqiptarëve dhe serbëve në provincën e Kosovës, mund të ketë një rëndësi po aq të madhe në menaxhimin e problemeve të minoriteteve etnike nga Beogradi. Beogradi ka tentuar vitet e fundit të fitojë besnikërinë e minoritetit të tij etnik shqiptar me anë të dhënies së autonomisë politike dhe fondeve të investimit për reduktimin e boshllëkut ekonomik mes Kosovës dhe republikave veriore më të pasura të federatës. Por nacionalizimi shqiptar vazhdon të rritet, kurse premtimet ekonomike të Beogradit nuk po plotësojnë masën e premtimeve të tij. Regjimi i Hoxhës në Shqipërinë fqinje e konsideron Kosovën vetëm si përkohësisht nën kontrollin e Beogradit. Me gjithë përmirësimin në lidhjet shtetërore mes Jugosllavisë e Shqipërisë, pas ndarjes së kësaj të fundit nga asistenca e Kinës, Tirana nuk duket se ka ndryshuar qëndrim armiqësor për çështjen e pakicës shqiptare atje. Të dy regjimet mbeten të ndërgjegjshëm për pretendimet reciproke territoriale. Megjithëse nuk kemi prova për aktivitete të huaja subversive në Kosovë, situata atje duket se është e gatshme për trazira nga jashtë. Kjo është e vërtetë për sa i përket edhe minoritetit shqiptar ne republikën maqedonase të Jugosllavisë, trazirat e së cilës mund të ringjallin dhe pretendimet territoriale të Bullgarisë ndaj saj. Rreth 1 milionë shqiptarët e Kosovës janë popullsia më e varfër në Jugosllavi dhe kanë përqindjen më të lartë të lindjeve por dhe të analfabetizmit. Mes tyre është krijuar në ndjenjë e fortë nacionalizimi e nxitur prej sundimit të mëparshëm serb dhe premtimeve të papërmbushura për zhvillim ekonomik. Me gjithë ndihmën federale të Beogradit rajoni mbetet i pazhvilluar dhe diferenca ekonomike me rajonet e tjera të Jugosllavisë zgjerohet çdo vit. Gjithashtu prezenca e një atdheu të pavarur në anën tjetër të kufirit i jep një tjetër dimension problemit. Tito është përpjekur për 34 vjet të reduktojë këtë nacionalizëm dhe ka arritur njëfarë suksesi në integrimin e Kosovës, por pas vdekjes së tij, përplasjet mes serbëve dhe shqiptarëve mund të nxisin konfrontime të tjera mes etnive të federatës jugosllave. Gjithashtu ushtrimi i forcës nga serbët do të sillte acarime dhe te kroatët, myslimanët sllavë apo grupet e tjera etnike. Prandaj moderimi i problemit të Kosovës është kritik për vetë mbijetesën e federatës së Jugosllavisë.

Sfondi historik

Si shqiptarët dhe serbët kanë kritikuar lidhje të thella emocionale ndaj provincës së Kosovës. Serbia e quan atë themelin e Serbisë së vjetër dhe pretendon se në Peç është themeluar Patriarkati i parë Ortodoks Serb në 1346. Provinca ishte gjithashtu fushëbeteja e fundit e qëndresës së serbëve ndaj turqve otomanë në 1389. Ndërsa shqiptarët myslimanë pretendojnë se janë pasardhës të ilirëve të vjetër që janë banorët origjinalë të krahinave, ndërsa sllavët ishin popuj të ardhur. Beogradi e njeh natyrën eksplozive të nacionalizimit shqiptar në Kosovë, pasi siç raportohet partizanët e Titos kanë luftuar në 1944 kundër një ushtrie vendase që kërkonte rivendosjen e kontrollit shqiptar në provincë. Armiqësia shqiptare e cila zakonisht qëndron nën sipërfaqe, shpërtheu përsëri në fund të viteve 1960, pas rënies nga pushteti të nacionalistit serb Aleksandar Rankoviç, i cili kishte qenë drejtues i policisë sekrete të Titos që nganjëherë kishte shtypur brutalisht tentativat shqiptare për ngritjen e zërit. Largimi i tij solli shpresa për ndryshime politike e sociale dhe në 27-28 nëntor 1968 shpërthyen demonstrata të gjerë e të organizuara. Mes kërkesave të shqiptarëve kishte si nga ato të arsyeshme e të moderuara deri te më ekstremet. Sloganet e tyre kërkonin “fundin e kolonizimit serb” duke iu referuar dominimit të Serbisë në të kaluarën, si dhe plotësimin e premtimeve të pas-luftës për autonomi. Demonstruesit kërkonin të drejtën për vetëvendosje, për kushtetutën e veçantë të Kosovës, krijimin e republikës shqiptare brenda Jugosllavisë, krijimin e një universiteti shqiptar dhe të drejtën e ngritjes së flamurit shqiptar. Demonstratat në Kosovë shkaktuan trazira dhe nga shqiptarët e Maqedonisë fqinje. Në demonstratën e Tetovës në 23 dhjetor 1968 u kërkua t’i jepet fund paragjykimit anti-shqiptar dhe bashkimi me Kosovën. Në 1971 shqiptarët e Kosovës demonstruan përsëri duke kërkuar statusin e republikës, kësaj here të nxitur nga trazirat nacionaliste në Kroaci. Ndërsa në shtator 1974 trazirat në Kosovë kishin në qendër Universitetin e Prishtinës. Me qindra arrestime u raportuan mes shqiptarëve, që u akuzuan për shpërndarje të fletushkave nacionaliste dhe vizatime të sloganeve të tyre në ndërtesat e universitetit. Disa nga sloganet e pikturuara kërkonin “Shqipërinë e Madhe”. Edhe në vitet në vijim ka pasur ringjallje të herëpashershme të protestave dhe akuza për keqtrajtim nga mbikëqyrësit serbë.

Politikat dhe pasojat e Beogradit

Reagimi i Beogradit ndaj protestave të shqiptarëve të Kosovës në përgjithësi ka qenë duke bërë tolerime dhe duke plotësuar kërkesat e arsyeshme, si ato për zhvillimin ekonomik, por gjithashtu ka vepruar ashpër ndaj agjitatorëve nacionalistë dhe politikave ekstreme. Përpjekjet për shuarjen e problemit të Kosovës kanë pasur një sukses të kufizuar. Qeveria investoi në infrastrukturën e krahinës dhe Universiteti i Prishtinës fitoi pavarësinë e tij, por këto ishin të pamjaftueshme për të treguar rezultate të dukshme. Përveç trajtimit të kërkesave të shqiptarëve, zyrtarët e Beogradit dhe zyrtarët shqiptarë në Kosovë kanë mbajtur gjithashtu nën vëzhgim ndjesitë nacionaliste të serbëve në shkallë kombëtare. Shumë prej tyre e konsiderojnë rritjen e autonomisë së Kosovës si një shenjë dobësimi të Serbisë në federatën jugosllave, e madje çështjet e shovinizmit serb diskutoheshin hapur në partinë komuniste serbe. Në 1976 nacionalistët serbë u përpoqën gjithashtu të hiqnin të drejtën e Kosovës për t’u përfaqësuar në qeverinë federale. Drejtuesit shqiptarë të Kosovës si përfaqësuesi në Beograd, Fadil Hoxha, shpreheshin vazhdimisht kundër nacionalizimit ekstrem të shqiptarëve apo bashkimit me Shqipërinë. Fadil Hoxha ka thënë se Kosova ka zgjedhur federatën jugosllave të Titos, si një komunitet kombesh dhe kombësive të barabarta. Por në nivel lokal liderët shqiptarë flasin më hapur duke theksuar trazirat ekonomike të provincës dhe mbajtjen gjallë të aspiratave të krijimit të republikë. Me ndërgjegjësimin botëror ndaj fesë myslimane, si rezultat i ngjarjeve në Iran, tashmë qeveria jugosllave ka një problem të ri për të menduar, atë të akuzave për mangësi në të drejtat e rreth 4 milionë myslimanëve të federatës. Sipas Këshillit të Lartë jugosllav, rreth 1.3 milionë shqiptarët myslimanë të Kosovës jetojnë në tekstet e kulturës dhe civilizimit mysliman, ashtu si dhe rreth 350 000 shqiptarët myslimanë në pjesën maqedonase. Gjithashtu rreth 1.7 milionë myslimanë-sllavë jetojnë në Bosnje-Hercegovinë por ata janë më të ndarë në nivel gjeografik dhe racor dhe problemi i tyre është më pak kërcënues se ai i kosovarëve. Konfliktet e gjakut dhe shitjet e nuseve janë një fenomen i zakonshëm në Kosovë, por ato ishin zhdukur prej kohësh në komunitetet myslimane sllave. Në çdo lëvizje të ardhshme nacionaliste në Kosovë, pritet të dominojnë dy fraksione të kundërta. Njëri mund të jetë ai me tendencë drejt vendeve myslimane si Libia, Iraku e Kuvajti, ku shumica e klerit mysliman jugosllav shkojnë për mësime fetare, ndërsa tjetri mund të jetë grupi relativisht më i ri që shikojnë për frymëzim te regjimi i Tiranës.

Zhvillimi ekonomik

Në vitet 1957-1961Kosova nisi të marrë ndihmë të veçantë ekonomike, në kuadër të programit të zhvillimit të rajoneve të prapambetura jugosllave, por programi nuk arriti të plotësonte nevojat e Kosovës. Pas largimit të Rankoviç në 1966 dhe në përputhje me përshpejtimin e reformave ekonomike dhe centralizimin, Beogradi u përpoq seriozisht të trajtonte problemet ekonomike të Kosovës me subvencione dhe fonde sociale. Ndihma erdhi nga republikat e pasura veriore të Jugosllavisë, nga e cila Kosova mori më shumë se një të tretën e të gjithë paketës për jugun e pazhvilluar të Jugosllavisë. Por megjithatë, krahina nuk arriti të ndalonte diferencën e madhe me republikat veriore, me një rritje ekonomike prej 3 për qind të GDP në vit, në krahasim me rritjen prej të paktën 6 për qind në republikat veriore. Përgjegjësia për këtë ndahet si mes autoriteteve të Kosovës he atyre të Beogradit. Investimet e reja ishin kryesisht projekte industriale për trajtimin e problemit të vjetër të papunësisë, por ai neglizhoi infrastrukturën e rrugëve dhe komunikacioneve që ishte e domosdoshme për projektet. Për arsye të problemeve të saj, Kosova është një territor i mriz për ndërhyrje të huaja, çka i shton një tjetër dimension problemeve të Jugosllavisë. Regjimi i Tiranës e konsideron Kosovën se përkohësisht nën kontrollin jugosllav dhe mbron të drejtën për t’u kujdesur për të drejtat e minoritetit shqiptar në Kosovë dhe në Maqedoni. Por që prej pushtimit sovjetik të Çekosllovakisë në 1968 qëndrimet e tij armiqësore ndaj sllavëve janë moderuar. Në Kosovë raportohen gjithashtu ndërhyrje të sovjetikëve. Mes të arrestuarve nga qeveria jugosllavëve në prill të vitit 1974 për konspiracionin pro-sovjetik, ishin disa serbë nga Kosova. Praj atëherë liderët lokalë partiakë kanë qenë më të zëshëm në paralajmërimet kundër agjentëve të huaj të shërbimeve ë inteligjencës, që në fakt nënkuptojnë aktivitetet nga Shqipëria ose Bashkimi Sovjetik. Dënimi ndaj liderit konformist Vladimir Dapceviç në 1976 ishte për plane të ndarjes së pjesëve nga Kosova dhe Maqedonia për ta dhënë Shqipërisë.

Please follow and like us: