Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA-ultimatum ndaj Koresë së Veriut: Ndalo menjëherë

September 17, 2017 9:42 amKëshilli i Sigurimit në Kombet e Bashkuara dënoi fort lëshimin e raketës së fundit nga ana e Koresë së Veriut, duke i bërë thirrje vendit komunist të ndalojë menjëherë. 15 vendet anëtarë mbajtën një mbledhje të jashtëzakonshme me dyer të mbyllura, pas kërcënimit nga Peniani, që lëshoi raketën balistike e cila kaloi sërish mbi Japoni dhe u rrëzua në det. Këshilli i Sigurimit u shpreh i shqetësuar për sigurinë në botë. Por, lideri koreano-verior Kim Jong Un e tha qartë së vendi i tij do të vijojë kompletimin e programit bërthamor, në mënyrë që të barazojë fuqinë ushtarake të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Sekretari amerikan i Shtetit, Rex Tillerson akuzoi Korenë e Veriut këtë të premte se po kërcënon mbarë botën, pasi Peniani lëshoi një tjetër raketë mbi Japoni, e dyta herë në më pak se një muaj, në kundërshtim të plotë me presionin e ndërkombëtarëve ndaj programeve raketore e bërthamore të tij.  Por, në përpjekjen e fundit për t’u përballur me këtë çështje që ka irrituar vazhdimisht fuqitë botërore, Këshilli i Sigurimit të OKB-së pritej të mblidhej në orën 21 të kësaj mbrëmjeje (15:00 me orën lokale në Nju Jork) për të diskutuar mbi lëshimin e raketës, pas kërkesës së Shteteve të Bashkuara dhe Japonisë. Këshilli 15-anëtarësh votoi unanimisht për forcimin e sanksioneve ndaj Koresë së Veriut pas testit bërthamor të zhvilluar më 3 shtator, duke vendosur ndalimin e eksporteve koreano-veriore dhe pengimin e importeve të naftës bruto.

Koreja e Veriut ka lëshuar dhjetëra raketa nën drejtimin e Kim Jong-un, ndërsa ka përshkallëzuar programin e armëve bërthamore, me synimin për të goditur Shtetet e Bashkuara me një “raketë të fuqishme me mbushje bërthamore”. Tillerson, në një fjalim me zyrtarë të Jashtëm, ka thënë se testet e fundit kanë kërcënuar mbarë botën dhe theksoi se Shtetet e Bashkuara po punojnë ngushtësisht me aleatët rajonalë, Japoninë dhe Korenë e Jugut. “Në Azinë Lindore, një regjim gjithnjë e më agresiv dhe gjithnjë e më i izoluar, si ai në Korenë e Veriut, po kërcënon demokracitë në Korenë e Jugut, Japoni, e ç’është më e rëndësishmja, së fundi ka shtuar kërcënimet ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës, duke rrezikuar të gjithë botën”, është shprehur Tillerson. Por, me një qëndrim edhe më të ashpër sesa kryediplomati amerikan, Këshilltari për Sigurinë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, H.R. McMaster ka thënë se SHBA-të po e humbasin gjithnjë e më shumë durimin për zgjidhje diplomatike ndaj çështjes së Koresë së Veriut. “Ne kemi qenë duke e shkelmuar kanaçen përgjatë rrugës, por duket se rruga ka përfunduar dhe jemi jashtë saj”, tha McMaster për reporterët. “Për ata që kanë komentuar se nuk ekziston një opsion ushtarak, po ju them se ekziston një i tillë”, tha ai, duke shtuar se gjithsesi, kjo nuk do të ishte zgjedhja e preferuar e administratës së Trumpit.

Trump takon udhëheqësit botëror

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump do të mbajë disa takime me udhëheqësit botërorë, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara që mbahet javën e ardhshme në Nju Jork, njoftoi Shtëpia e Bardhë.“Trump do të ketë një darkë pune me udhëheqësit e Amerikës Latine, pastaj udhëheqësit e Francës dhe Izraelit, u tha gazetarëve këshilltarja e sigurimit kombëtare”, Herbert Rejmond Mekmaster

SHBA, deklaratë kundër referendumit të kurdëve

Një tjetër referendum pavarësie, kontrovers edhe ky, pritet të mbahet brenda këtij muaji. Parlamenti i kurdëve irakianë ka votuar në mbështetje të referendumit të planifikuar, pavarësisht kundërshtive nga mbarë bota. Qeveria rajonale e Kurdistanit, e mbledhur për herë të parë në dy vitet e fundit, ka aprovuar votimin e 25 shtatorit gjatë kësaj të premteje. Qeveria qendrore e Irakut e refuzon këtë referendum, duke e cilësuar atë që prej së martës si antikushtetues. Kundër referendumit janë edhe Irani, Turqia dhe Shtetet e Bashkuara. Qeveria e Irakut ka autorizuar kryeministrin “të marrë të gjitha masat” për të ruajtur unitetin kombëtar. Megjithatë, disa zëra kundër janë regjistruar edhe mes deputeteve opozitarë të parlamentit rajonal, të cilët kanë thënë se do të abstenonin. Fqinjët më të afërt, Irani dhe Turqia, të cilat që të dyja kanë popullsi kurde në përbërje, kanë shprehur kundërshtitë mes frikës se një votë “pro” do të forcojë lëvizjet separatiste në vendet e tyre. Shtetet e Bashkuara, të cilat i frikësohen votës pro se mund të dëmtojë marrëdhëniet kurdo-irakiane dhe të dëmtojë luftën kundër Shtetit Islamik, sugjeruan “alternativa”, gjithsesi të paspecifikuara, ndaj referendumit. Shtëpia e Bardhë lëshoi një deklaratë disa orë pas votimit, duke kërkuar nga qeveria rajonale e Kurdistanit të heqë referendumin dhe të hyjë në dialog serioz dhe të qëndrueshëm me Bagdadin. Kreu i kurdëve, Massud Barzani tha se do të jepte një përgjigje të shpejtë ndaj çdo ideje, por duket se i ka refuzuar këto të fundit kur u pyet këtë të premte. “Ne ende nuk kemi dëgjuar ndonjë propozim, që do të shërbente si alternativë ndaj referendumit të Kurdistanit”, tha ai. “Ndaj votimi nuk do të shtyhet”, shtoi më tej.

Deklarata e Barzanit është kritikuar ashpër nga presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, si “tepër e gabuar”, siç raporton agjencia e lajmeve “Reuters”. Fjalët e tij, megjithatë, nuk i ndalën ligjvënësit rajonalë, të cilët votuan me 65 vota pro në mbështetje të referendumit. Ata janë shumicë në Parlamentin prej 111 deputetësh, por më shumë se 40 të tillë nuk morën pjesë në këtë seancë. Kurdët janë grupi i katërt më i madh etnik në Lindjen e Mesme, megjithatë ata kurrë nuk kanë pasur një shtet më vete si komb. Në Irak, ku kurdët përbëjnë rreth 15-20% të popullsisë prej 37 milionë banorësh, kurdët janë përballur me dekada të tëra represioni, përpara se të siguronin autonomi pas Luftës së Gjirit të vitit 1991. Gjatë 3 viteve të fundit, kurdët anembanë rajonit janë përfshirë në betejën kundër ISIS dhe kanë rezultuar aleatët më të mirë për SHBA-të. Votimi për këtë referendum pritet të zhvillohet në 3 provinca që përbëjnë këtë rajon: Dahuk, Irbil dhe Sulaimaniya, si dhe në “zonat e Kurdistanit jashtë administratës rajonale”, përfshi këtu Kirkuk, Makhmour, Khanaqin dhe Sinjar. Zyrtarët kurdë kanë thënë gjithashtu se, një votë e pritshme “pro” nuk do të rezultonte në deklaratën automatike të pavarësisë, por do të forconte pozitat e tyre në negociatat e tejzgjatura për ndarje nga qeveria qendrore irakiane.

 

Please follow and like us: