Albspirit

Media/News/Publishing

Anisa Markarian për Robert Shvarc: Xhaxhi Berti…

Kjo fotografi më është veçanërisht e shtrenjtë. Është kujtimi i fundit me xhaxhi Bertin. Në krahun e djathtë kam tezen e vogël, Aristea MIMA. Edvini, që në ato vite studjonte në Amerikë, është dyfish “i pranishëm”, tek muri dhe tek bufeja. Një foto e shkrepur në apartamentin e tyre – dëshmi e çastit familjar që të shpëton nga duart në një thërrmijë sekonde. Fatmirësisht, atë ditë kisha me vete aparatin fotografik. Xhaxhi Berti pranoi të ndërpriste punën e të pozonte. Sipas mënyrës së tij! Me atë buzëqeshjen e kursyer, që më shumë se në buzët, i lexohej në sytë. Aq sa kisha kuptuar që kur i qeshnin vetëm buzët, në fakt ishte i mërzitur… Mërzitjen që e mbyste me punë, duhan, kafe e konjak. Dufin që e shfrynte me romuzet gjakatarë – klithmë qytetare kundër absurditetit të pafund që e rrethonte. Padrejtësitë që i vuante në heshtje, të ndrydhura përbrënda – pasoja të guximit intelektual, të mosrradhitjes brenda “binarëve”, të një jete jashtë “kallëpeve”. Nuk mund të hyje tek Shvarcët lakadredhasi, t’u shkoje për një vizitë, sa për të kaluar rradhën. Duhej peshuar mendimi e mprehur arësyetimi. Duheshin konsultuar paraprakisht Fjalori i Gjuhës Shqipe dhe Rregullat e Drejtëshkrimit. Duhej spastruar truri nga dogmat marksiste-leniniste, duheshin thënë gjëra të mençura, që të merrje përgjigje. Nuk ikej nga ajo shtëpi si të mos kish ndodhur gjë, sepse nuk ishe më i njëjti njeri. Ndaheshe prej tyre i bindur që rruga e mundimshme drejt së Vërtetës kalonte, pashmangërisht, edhe përmes livadhit të letërsisë botërore. Nga dasma e teta Linës dhe xhaxhi Bertit, mbaj mend darkën festive në oborrin e shtëpisë së Momës.

Ishte fund qershori. Pesë ditë më pas do të mbushja 6 vjeç. Mbrëmja erëmonte jargavanë e lulezoja. Tryezat e stolisura me qëndisma të ngrira në niseshte, ndiqnin gjeometrinë e brazdave me shimshirë, në zemër të të cilave spikatnin lulet më të larta e më të fisme të kopështit: zambakët, gladiolat, trëndafilët, dahliat, kelkazet… Të ftuarit vallëzonin me merakun për të mos shkelur shtretërit e mbjellur me aguliçe, vjollca, zymbyla, fillikate e këmbanore, që daja Kopi i kultivonte me një dashuri pothuaj prindërore. Daja Kopi e xhaxhi Berti : XHIVOLA dhe PËRKTHYESI i Brecht-it. Viti 1971 – premiera e dramës “Arturo Ui”, në sallën e Teatrit Kombëtar. Kujtimet i kam të pakët, por të saktë. Prozhektorët e stërmëdhenj, në llozhën “teknike” ku kishim zënë vend, që e bënin ajrin përreth përvëlues; gratë e fisit, të veshura resmije, që na mbanin mbi gjunjë ne fëmijët; këmba e çalë e Xhivola-s, që daja Kopi e kishte provuar edhe në shkallët e shtëpisë sonë kur përgatiste rolin; xhaxhi Berti dhe duartrokitjet e bujshme të spektatorëve, kur regjisori Pirro Mani përmendi emrin e përkthyesit të pjesës; fjalët e tezes së madhe në fund të shfaqjes : “kështu siç jemi, grup, të shkojmë tani te Moma e t’i tregojmë triumfin”! “Harku i Triumfit”- shkruar nga Erich Maria REMARK, autori i tij i preferuar. E kishte përkthyer me iniciativën e vet, pa dyshuar, për asnjë çast, se ai libër do të merrte trajtat e persekutimit të tij shumëvjeçar. Më dha vetëm një natë kohë për ta lexuar, detyrimisht në shtëpinë e tyre. (Dorëshkrimi nuk mund të dilte kurrsesi jashtë katër mureve). Ndodhi të nesërmen e 16-vjetorit tim. E ç’kisha bërë për ta merituar?! Apo, thjesht, kisha arritur “moshën”? Siç ka një “moshë” edhe për të tjera “bëma” në jetë. Për shembull: tymosja e cigares së parë (dhe të fundit); dhurimi i virgjërisë; biseda e parë politike si kundërshtare e vetëshpallur; vallëzimi nën tingujt e një kënge të ndaluar; leximi i një libri të çensuruar… E lexova e shtrirë në krevatin e tyre (ç’privilegj!) brënda një gjysëm nate. Gjysmën tjetër mund ta kisha kaluar duke formuluar përshtypjet mbi cilësinë e përkthimit, mbi rrjedhshmërinë e tregimit, mbi sensualitetin e dialogjeve mes Ravikut e Xhoanës…, por zgjodha të ikja. Më saktë, të fluturoja! (Me biçikletën e vjetër të sime mëje.) Nga dritarja e katit të katërt, picingulthi mbi asfalt! Duhej të ishte ora katër e mëngjesit. E trullosur, por e ftilluar; e cungulluar dhe e plotësuar. E vetëndërgjegjësuar që kisha kapërcyer në një përmasë të katërt! Në një kaltërim hyjnor që zigzagonte nëpër mjegulltinë e së pagëdhirës, tymnaja e së cilës vesëtonte parfum Parisi.

(Kisha çarë ferrën?!) Rrugët e Tiranës përgjatë itinerarit tim kishin dyzuar identitet. Qenë binjakëruar me emra francezë. (Kisha lajthitur unë, apo kryeqyteti ëndërronte në frëngjisht atë buzëagim?!) Rruga Ali Demi – Avenue Wagram, rruga e Pishës – Avenue Montaigne, sheshi Avni Rustemi – Place de la Concorde, Pazari i Ri – Place de l’Étoile, rruga Shinasi Dishnica – les Champs Elysées… – Eheeeej!!! Zgjohuni, bre! Shkunduni nga amullimi! U shembën barrikadat! Rrugët u çliruan! U hapën Portat! – kisha dëshirë të ulëritja lajmin e shumëpritur, por nuk më lejohej të dhunoja sekretin. Kisha dhënë fjalën… Oh, fjala, fjala, fjala! Fjala mbretëreshë, fjala burrneshë, fjala e zhdërvjelltë në vendin e vet. Fjala kryekomandante dhe ushtar i thjeshtë! Më ka ndodhur të jem e pranishme në çastet e ethshëm kur, i pakënaqur, i tallazitur, huqemadh e i papërtuar, zhbironte fjalorët, apo krahasonte përkthime në gjuhë të tjera, në kërkim të FJALËS. Atë që e pengonte të përmbyllte punën, që nuk e ngopte, nuk e paqësonte. Fjalën që e lexonte dhe e rilexonte me zë të lartë; e rrokëmonte, e nënvizonte, e fshinte dhe e rishkruante; e shoshiste, e shkarraviste; e hulumtonte, e kthente përmbys dhe e rindërtonte. Me ngulmin legjendar të kërkuesve të arit që lajnë, shpëlajnë, qëmtojnë, përzgjedhin qindra qindra kilogramë zhavorri lumi gjer çastin e lumtur kur në fund të sitës, përshkëndrit befas çikërrima e mineralit të çmuar: fjala-flori. Fjala e kulluar, e aratuar, e pasuruar, e tingëlluar! Fjala, aq mjeshtërisht e shqipëruar! Sikur Goethe, Remark, Cvajg, Brecht, Schiller, Hajne, të kishin folur e shkruar vetëm një gjuhë: SHQIPEN e SHVARC-it. A.M.© Mars, 2016. P.S. E njihni atë shprehjen që thotë: «prapa çdo burri të suksesshëm, qëndron një grua e madhe»? Në rastin e xhaxhi Bertit, gruaja e madhe shtatimët i qëndronte dy hapa përpara. Teze e mençur, besnike, durimmadhe dhe e pamposhtur!

Vetëm një gruaje si ty mund t’ia kishte lejuar xhaxhi Berti t’i printe udhën e jetës.

Please follow and like us: