Albspirit

Media/News/Publishing

Bardhyl Prifti: Dy pamje të një fshati

 

Kolonja është një nga krahinat më të shpopulluara pas rënies së diktaturës. Janë braktisur shumë fshatra, sidomos ata të thellësisë. Shkaqet jenë të ndryshëm: varfëria, mungesa e infrastrukturës, emigracioni, sidomos i rinisë dhe tendenca për tu përqëndruar në qytete ose në periferi të tyre. kryesisht në Tiranë, Korçë, Elbasan, Durrës. Ajo që bie në sy është se edhe në ata fshatra që ka akoma disa familje nuk funksionojnë kryepleqësitë.

Po jap një shëmbull

Fshati Rehovë-Kolonjë ishte dhe mbetet një nga fshatrat më të mëdhenj të Kolonjës.  Dikur ai “komandohej” nga kryepleqësia, e cila ishte shumë aktive. Ajo zgjidhej me vota e të gjithë kryefamiljarëve nga Mbledhja e Përgjithshme e fshatit. Pas kësaj kryepleqësia merrte “frenat e fshatit”, duke krijuar organizmat ndihmëse të saj: komisionin e dëmçmuesve, prokurorin, mendonte për rojtësin e fshatit, i cili duhet të njihte mirë kufijtë e fshatit dhe duhet të kryente rolin e postjerit, vendoste gjobat për ata që bënin dëme si për kafshë edhe për njerëz, zgjidhte barinjtë për kafshëët e imta dhe të trasha , pajtonte sherre, mblidhte fshatin për të shtënë radhën e ujit për vaditje, bënte marrëveshje me çelnikët vëllehë për dhënien e kullotës Gramozit me qira për një vit, oraganizonte punë në dobi të fshatit etj. Duke qenë se kryepleqësia i njihte mirë kufijtë e pronave dhe pronat e përbashkëta të fshatit ( kullota, pyll etj), ajo dinte edhe sa të ardhura kishte fshati për të bërë punë në dobi të gjithë bashkësisë, bile edhe për të ndihmuar ndonjë familje të varfër ekonomikisht. Në krye të vitit kryepleqësia jepte llogari para Mbledhjes së Përgjithshme, në veçanti për shpenzimet e të ardhurave. Kryepleqësia ishte administratorja e vetme e pronave të fshatit.

Kjo ishte panorama e përgjithshme e organizimit të fshatit para viteve 1940.

Tani vërehet një lloj indiference për problemet e fshatit. Kryepleqësia nuk di se cilat janë pronat e fshatit, sepse ka ndërhyrë komuna ose bashkia dhe nuk merret vesh, se pse bashkia qënka bërë pronare e pronave të Rehovës!!! Bashkia jep lejë për të investuar dikush në tokat e fshatit pa pyetur fare kryepleqësinë, nuk i ka dhënë kryepleqësisë asnjë qindarkë për nevojat e fshatit, nuk dihet se kush i ka marrë për më shumë se 25 vjet dhe kush i merr sot të ardhurat nga shitja e kullotës së Razdollit dhe nga shitja e prodhimit të pemëve të arrave në zonën e Blanjës dhe në Manastirin e Shën Pjetrit. Dhe këto nuk janë pak para…

Nuk po tregoj këtu se fshati nuk ka rojtës, nuk ka barinj të përhershëm për bagëtitë, nuk bën dot marrëveshje për shitjen e kullotës dhe arrave. Kryeplaku i fshatit i ka duart të lidhura, pasi nuk ka asnjë të ardhur nga pronat e fshatit, të cilat i paska administruar “dikush”, një i panjohur!!! Cili?! Fshati nuk e di !!! Tani në pronat e fshatit  po investon dikush. Cili? Sa është vlera e investimit? Cili është projekti? Përse investohet? etj. Fshati hesht!!! Heshtje që flet shumë paralizën dhe dëmin që solli e shumëreklamuara reformë territoriale.

Dy pamje në dy kohë të ndryshme…

Please follow and like us: