Albspirit

Media/News/Publishing

Kosta Barjaba: “Leksione” akademike nga Kina tjetër

Ajo që konstatova gjatë vizitës sime të fundit në Kinë, nuk më surprizoi. Sepse vizitat e mëparshme në këtë vend të madh, më kishin pothuajse përgatitur për të papriturat e zhvillimeve kineze.

1. Sistemi arsimor dhe shprehitë sipërmarrëse

Arsimi dhe formimi profesional në Kinë nuk është më një çudi. Ky gjigand ekonomik kërkon punëtorë e teknikë për të gjitha industritë e shërbimet. Jo vetëm e kërkon, por edhe e prodhon këtë forcë pune. Në vend është ndërtuar një rrjet i fuqishëm dhe i gjerë shkollash e qendrash profesionale, në të cilat vajzat dhe djemtë shkojnë me dëshirë.

Pa pasur nevojë as për propagandën e qeverisë, as për reklamat e institucioneve, as për shtytjen prej prindërve. Arsimi dhe formimi profesional është rruga për të hyrë në tregun e punës, pa pasur nevojë për luksin e diplomave. Vizita në qendrën kombëtare të formimit profesional më bindi se kjo qendër është “truri” i arsimimit profesional të Kinës.

Një kantier i vërtetë ku parashikohen nevojat e ekonomisë dhe të tregut kinez për profesionistë e teknikë. Parashikohen, jo siç mund të na shkojë ndërmend ne, pas një reflektimi sipërfaqësor.

Por sipas metodave më të fundit bashkëkohore të programimit. Arsimi dhe formimi profesional në Kinë nuk ndjek nevojat e tregut e të shërbimeve për profesionistë. Bën shumë më tepër se kaq: u paraprin atyre. Mund të them pa droje se në këtë qendër prodhohen programe për të gjitha profesionet e mjeshtëritë që kërkon ekonomia e sotme botërore.

2. Oferta universitare dhe oferta tekniko-profesionale
Prandaj ekonomia kineze vuan më pak se mjaft prej ekonomive të zhvilluara asimetrinë midis sistemit arsimor dhe tregut të punës. Oferta universitare nuk mbyt ofertën për arsim dhe formim profesional, sepse ky i fundit është një përparësi e zhvillimit të forcës së punës. Këtu ne duhet të shohim mirë vetën në pasqyrë. Ndërkohë që ekonomia jonë kërkon punëtorë e teknikë me aftesi e shprehi, ne i ofrojmë specialist të diplomuar, të cilët nuk kanë as shprehi, as motivim për të hyrë në tregun e prodhimit dhe të shërbimeve. Sepse shumica shohin përtej tyre.

Por edhe përmbajtja e ofertës universitare nuk është kaq asimetrike sa në ekonomitë e tjera, të paktën krahasuar me ofertën universitare shqiptare. Në programet tona universitare mbizotërojnë specialitetet e shkencave humane e shoqërore, në raport me ato natyrore e teknike. Kjo pasohet nga vërshimi i panevojshëm i studentëve drejt degëve joproduktive. Ndërkohë, në universitetet kineze ky hendek është më pak i dukshëm. Le të mos më mërziten vajzat dhe djemtë shqiptare kur them se moshatarët e tyre kinezë e duan matematikën, shkencat natyrore dhe teknikën e teknologjinë më shumë sesa ata. Madje më shumë sesa ne, si komb.

Rezultatet e PISA 2015 treguan se Shqipëria ka realizuar përmirësime substanciale dhe të qëndrueshme: në matematikë dhe në shkenca rritje më shumë se një vit shkollimi dhe në lexim rritje me rreth gjysmë viti shkollimi. Por këto arritje janë të pamjaftueshëm për të filluar kthesën në raportet e rinisë me shkencat natyrore dhe teknologjinë. Teknologjinë të mos e perceptojmë si mjet argëtimi dhe luksi, por si një nevojë instrumentale dhe një mënyrë të punuari e jetuari.

3. Akademia e Shkencave si gjenerator i progresit shkencor
Nuk besoj se ka në botë një Akademi të Shkencave të përmasave të Akademisë së Shkencave të Kinës. Kjo madhësi nuk buron as nga faktori demografik (Kina ka popullsinë më të madhe në botë), as nga faktori ekonomik (Kina është ndër fuqitë më të mëdha ekonomike të botës së sotme). Në fakt, buron nga mentaliteti i shoqërisë kineze për shkencën, teknikën dhe teknologjinë.

Tre simotrat akademike, Akademia e Shkencave Natyrore, Akademia e Shkencave Inxhinierike dhe Akademia e Shkencave Shoqërore janë ndër institucionet më prestigjioze të vendit. Jo vetëm në kuptimin akademik, por në një kuptim shoqërore dhe kulturor. Akademia e Shkencave ishte ndër institucionet e para që u formuan pas vitit 1949. Në Kinë Akademia (sot Akademitë) e Shkencave ishin dhe mbeten institucione polivalente. Funksionimi i tyre harmonizon meritën shkencore me kërkimin shkencor dhe mësimdhënien.

Për nga vendi dhe roli i akademikëve, vetëm Akademia e Shkencave Shoqërore është aktualisht një institucion i bazuar në meritën, një forum shkencëtarësh të shquar të shkencave për shoqërinë. Akademia e Shkencave të Natyrës dhe Akademia e Shkencave Inxhinierike janë agjenci tripërmasore. Si edhe Akademia e Shkencave Shoqërore, ato janë organizata të bazuara në meritën, pranimi në të cilat është një proces i vështirë, me shumë “flitra” të vlerësimit të kredencialeve shkencore.

Por Akademia natyrore dhe ajo inxhinierike kanë në sistemin e tyre qindra institucione kërkimore, madje edhe universitete. Bashkëbiseduesi im në Akademinë e Shkencave Natyrore ishte optimist se qeveria kineze do ta miratonte kërkesën e lidershipit të Akademisë që buxheti i vitit 2018 të arrinte të paktën tetë miliard dollarë.

“Nuk është i mjaftueshëm, por është i pranueshëm për të mbështetur funksionimin e 104 instituteve të kërkimit, tre universiteteve dhe 75 mijë punonjësve kërkimorë”, arsyeton kolegu Ning Bolun. Nëse Kina ka sot një ekonomi vibrante dhe në rritje të vrullshme, për këtë është edhe merita e Akademive të Shkencave të Kinës.

4. Respekti për kulturat e tjera: Albanologjia kineze
Universiteti i Studimeve të Huaja të Pekinit, jo vetëm ka ruajtur të paprekur, por ka mbështetur në mënyrë përparësore katedrën e gjuhës shqipe në këtë universitet. Nën drejtimin e profesoreshës, albanologes së shquar Ke Jing, “e pagëzuar” në emrin shqip Gjina, katedra është shndërruar në një qendër të njohur të studimeve shqiptare.

Profesoresha Jing është lauruar në Universitetin e Prishtinës në vitin 1989 dhe prej dekadash ndjek me pasion zhvillimet shqiptare dhe studimet shqiptare. Në saj të kontributit të profesoreshë Gjinës, por edhe në kapacitetin e saj si drejtuese e zyrës së shkëmbimeve ndërkombëtare të universitetit, katedra e shqipes është shndërruar në një qendër të vogël, por të rëndësishme e domethënëse të studimeve albanologjike në kohën e sotme. Profesorët dhe studjuesit kinezë janë fokusuar veçanërisht në çështjet e identitetit të shqiptarëve.

Vetë Gjina ka mbrojtur doktoraturën mbi aspektet albanologjike në veprën e Kadaresë (Katër të tjerët në veprën e Ismail kadaresë: Një studim mbi indentitetin kombëtar shqiptar). Ndërkohë, një ndër studiueset më të reja të katedrës, që me krenari pëlqen ta thërresim me emrin shqiptar Bora, po punon për një tezë doktorature mbi çështjet e identitetit kombëtar në veprën e Kadaresë dhe Andric.

Bashkë me akademikun e shquar shqiptar Rexhep Ismajli, anëtar i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, u mrekulluam, kur, në cilësinë e anëtareve të jurisë, konstatuam thellësinë dhe vizionin me të cilën studjuesja kineze po i qaset studimit krahasues Kadare-Andric mbi identitetin kombëtar. Një grup studjuesish seriozë, simpatikë, kinezë dhe shqiptarë: Gjina, Bora, Moza, Rudi, Eranda e të tjerë, po kontribojnë me modesti në studimet albanologjike. Duke formuar ndoshta skajin më të largët të albanologjisë në distancë fizike prej Shqipërisë, por ndoshta më të afërtin në sensin njerëzor e profesional.

Please follow and like us: