Albspirit

Media/News/Publishing

Xhemal Ahmeti: Pelegrinët kundër mikroborgjezëve

Pas ndarjes në dysh të dyvëshave, cili fraksion ka gjasa të etablohet në skenën politike kosovare, e cili jo? Spekulime dhe prognoza.

Pas gjithë kësaj afere brenda dyvëshave, këto pyetje bëhen esencialet:

a) Do të ikë Albin Kurti me grupin e tij nga partia?

b) Do të ikin tjerët dhe ku do të shkojnë

c) Cili nga dy grupet nuk do t’i mbijetojë zgjedhjet pasuese?

Nuk mund të kemi përgjigje profetike ndaj këtyre pyetjeve, spekulime dhe prognoza mirëpo kemi mjaftë. Paraprakisht do të ishte mirë që t’i portretojmë dy fraksionet në konflikt brenda PVV sipas përshkrimeve që ata ia bëjnë njëra tjetrës dhe në fund e provojmë një sintezë rreth asaj se: si perceptohet gjendja jashtë taborëve të ngatërruara brenda. Le t‘i ndajmë dy grupet, ashtu siç edhe janë pagëzuar vetë:  në „Pelegrinë“ (ithtarët e Kurtit) dhe në „mikroborgjez“ (Molliqaj, Dërguti dhe Co.).

1. PELEGRINËT SIPAS MIKROBORGJEZËVE

Dardan Molliqaj qenka akuzuar nga kolegu i tij Kurti të jetë mikroborgjez. Se ky lloj etiketimi ur-marksist është pjesë e fjalorit të ish liderit të LVV-së nuk e dyshon kush. Sidomos ata që kanë dëgjuar fjalimin „prekës“, shkundullues të Albin Kurtit, kundër Devolllëve, kapitalizmit në parlament. Gjithë e kuptuan se ai referat de facto ishte denoncim kundër „borgjezit“ të jahteve me coca-cola zero në duar me emrin Shpend Ahmetit. Për „pemët që mund të rriten vetëm të plehëruara me ekstraktet e luftës kundër pabarazisë sociale“, sjellja aristokrate është blasfemi totale, është arsye për çvarvatur çdo vartës që eksponohet si i tillë – si lakmues i jargëzuar i kastave kapitaliste.

Për „mikroborgjezët“ Molliqaj, Ahmeti, Dërguti e të tjerë, ky diskualifikim është vetëm njëra nga shpifjet, insinuatat dhe linçimet e shumta që ju bëhen gjithë atyre që nuk duan të kultivojnë kultin e personalitetit, por që duan të ushtrojnë politikë pragmatike në favor të shoqërisë dhe politikës së barazisë sociale. Përveç se qenkan shpifje të ulëta janë edhe demagogji e thellë ngase funksionarët e Kurtit qenkan ata që marrkan rroga astronomike nga partia e jo tjerët.

Deri këtu kemi të bëjmë me një konflikt ndërmjet puritanëve militant marksist dhe atyre që demokracinë sociale nuk e kuptojnë si gijotinim të pronës private. Pasi ky konflikt inter-ideologjik marksist është ngritur nga një imazh pa përmbajtje (çka donë të thotë ta pishë një pije në jahtin e dikujt?) nuk mund të jetë motivi bazë i përçarjes, por vetëm simptoma e diferencave më kapitale, më tronditëse.

Sipas ish sekretarit organizativ të kësaj partie – nëse e kuptuam drejtë bisedën me Baton Haxhiun – ama e konfliktit del të jetë demagogjia e Albin Kurtit dhe grupit të tij, ngase; nuk mund të jesh për bashkim kombëtar duke bërë aleanca me ata  – religjiofanatikët – që nuk ta pranojnë kombin dhe fyejnë mitet kryesore, konstituuese të atij vetpërceptimi; nuk mund të jesh për barazi sociale, kur merr rroga marramendëse nga arka e anëtarësisë; nuk mund të jesh parti demokratike e lirisë nëse boshtin e kauzës nuk i ke idealet për liri dhe mirëqenie të të gjithëve, por atë të personalitetit të Njëshit.

Vetëm kaq është thënë deri tash nga grupi i pandehur si „mikroborgjez“.

2. MIKROBORGJEZËT SIPAS PELEGRINËVE

Grupi deri tash i identifikuar si i Dërgutit dhe Molliqajt qenkan shantazhues, të cilët paskan synimin ta eliminojnë, respektivisht neutralizojnë themeluesin e kësaj lëvizjeje nga instancat drejtuese të partisë. Kjo luftë për pushtet brenda partisë, sipas ithtarëve besnik të Kurtit, u bëka nga ata që duan të zhvillojnë biznese me pasanikët kapitalistë dhe partitë që zhvatin, vjedhin dhe torturojnë popullin punonjës, të varfër e pa bukë. Të njëjtët janë antidemokratikë ngase duan t’ia heqin të drejtës popullit përkrahës të liderit që ai të jetë Lideri i Pakontestueshëm i Partisë.

Tjera akuza? Përgjigjet ndaj tendencës së fekondimit me islamin politik; akuzës për kultivimin e kultit të personalitetit si causa prima dhe ekzistenciale e një partie të shek. 21? Në këto tema nuk hyjnë fare funksionarët e anës së Albin Kurtit. Pse?

3. KUNDËRTHËNIET

Nuk mundesh të jesh perfekt i kryeqytetit të një vendi dhe të mos komunikosh me bizneset. Të fundit janë partnerë të rëndësishëm për bashkëveprim. Komunikimi nuk është i domosdoshëm vetëm për shkak shpresës në zhvillim ekonomik, por edhe për arsye se në to punojnë mijëra qytetarë, ndaj të cilëve komuna ka poaq përgjegjësi si ndaj atij divizionit të punësuar në emër të partisë.

Është e drejtë një eksponenti aq të rëndësishëm si Albin Kurti të kërkojë islamizimin e partisë së tij dhe hyrjen në aleancë me parti të pandehura si religjiofashiste. Është e drejtë e tij të kandidojë për kryetar partie. Poaq të drejtë të pakontestueshme kanë të tjerët ta kundërshtojnë kandidimin e tij dhe të mos lejojnë islamizimin e partisë. Në partitë demokratike kjo është loja. Në partitë e diktaturës këto pluralitete mendimesh e qëndrimesh janë të pamundshme, por të fundit ndalohen me ligj në sistemet siç i kanë shtetet shqiptare.

Vërtetë është demagogji të kërkosh bashkimin e një etnie në baza kombëtare dhe njëkohësisht të mos ia njohësh subjektet përfaqësuese demokratike – shtetet – po të së njëjtës. Është demagogji të parandalosh lëvizjen e lirë të një mase duke pasur vetë tri pasaporta në xhep. Është demagogji të luftosh për „atdhe e komb të bashkuar“ e njëkohësisht të bësh aleancë me kryemohuesit e identitetit së shumicës absolute të atij kombi. Është demagogji të flasësh për barazi sociale, duke pasur vetë rrogën 4 fish më të lartë se ai mësuesi anëtar i partisë që ndan bukën nga goja e fëmijëve për të paguar për kauzat e „liderit“.

Është e pandershme që ky grup anti -Kurti ka heshtur kaq gjatë, madje edhe pas gjithë asaj kritike të ashpër nga mediat se brenda partisë janë instaluar klane me interesa të rrezikshme për shtetin e Kosovës dhe liritë e qytetarëve.

Të ndarë e pandarë PVV nuk mund të ecë mëtutje më me këto kundërshti kolosale në trastë. – se do ndodhë ndarja me këste apo përnjëherë, varret nga fraksionet e përmendura.

4. SPEKULIMET, PROGNOZAT

PVV nuk do të mbetet kështu. Njëri grup do të ikë. Pas ndarjes nuk do të zhduket asnjëri tabor nga skena politike. Ato do veprojnë njëra si e kohës e tjetra si për muze.

Nëse blloqet mbeten kështu, drejt defaktorizimit, ekzistencën dekoreske do të mbetet krahu i Albin Kurtit. Kjo për arsye se partinë nuk e bënë të madhe Boiken Abazi, Hysamedin Ferraj, Dejona Mihali, Elvis Hoxha – përkundrazi këta mirë që nuk nxjerrin kokat aq shumë gjatë zgjedhjeve se do të dëmtonin rëndë – por partinë e rritën Shpend Ahmeti, i cili punësoi brigada partiake në kryeqytet nga ku pastaj agjitohej e punohej në mbarë Kosovën, kështu duke mbajtur financiarisht gjallë anëtarësinë aktive; partia u rrit nga Aida Dërguti, Ylli Hoxha, Dardan Molliqaj, Fisnik Ismaili të cilët punonin me masa, gjersa Kurti bashkë me Albulena Haxhiun Europës dhe kur ata në Tiranë rilexonin Kantin duke kërkuar ndonjë fjalë pozitive për Islamin e Gëzim Kelmendit.

Ata që besojnë se Albin Kurti me grupin e tij të Tiranës, me radikalët islamikë dhe marionetat e tij të ditëve të para, që sot e mbrojnë aq zhurmshëm, do të arrijnë të etablohen si parti politike dhe do të marrin vota sa për të qenë të rëndësishëm, bëjnë shkalkulim fatal. Kjo nuk do të ndodhë kurrë.

Mësim i kanë partitë e spektrit që sot vetëm mediat nuk i dorëzojnë ende e i mbajnë gjallë.

Do të ekzistojnë si grup koti, si këta fijet e fundit komuniste që mezi ruajnë postin e një deputeti komunist parlamenteve europiane, si relikt pra nga kohët e shkuara.

Ata që do të ecin më me sukses janë të grupit tjetër – ata që demokracinë sociale nuk e kuptojnë si planin e famshëm 5 vjeçar dhe liritë e qytetarëve nuk i përdorin si grazhd të ndonjë deveje që mund t’i dilte udha Ballkanit. Qoftë nëse përbashkohen edhe me dy deputetët e vetmuar të alternativës e qoftë nëse bëhen parti në vete ose si do që t’ia bëjnë. Ka mundësi, po ditën si, që të bëhen pikërisht këta ajo alternative aq e kërkuar në Kosovë.

Kjo do të ndodhë nëse Kurti ndërkohe nuk heq dorë nga mania e kultit të personalitetit, grupi i ashtuquajtur i Tiranës, islami politik dhe urrejtja e pronës private.

Koha e „baballarëve të kombit“ ka perënduar. Kush nuk i beson këtij fakti le t’ia bëjnë një vizitë fisnike Rexhep Qosjes dhe ndonjë kolegu të tij, që dikur shumica e shqiptarëve përbeheshin në ta. Shoqëritë shqiptare megjithatë nuk janë më ashtu primitive siç shpreson dikush.

 

Please follow and like us: