Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Dr. Andrea GUDHA: Mjekësia dhe Mjeshtëria artistike

 

Abstrakt
Marrëdhëniet shoqërore midis mjekëve dhe artistëve, historikisht, kanë qenë të veçanta. Bisedat e tyre në klube, apo në takime kishin një sharm inteligjence. Mirënjohja dhe respekti reciprok midis tyre ishte tepër i ndjeshëm e njerëzor. Janë sinjifikative portretet e mjekëve të pikturuara nga mjeshtrat e pikturës botërore. Francisco Goya, 1820: Autoportret me Dr. Arrieta. “Në shenjë mirënjohje mikut tim Arrieta për përkushtimin dhe kujdesin që ai tregoi për të më shpëtuar jetën, gjatë sëmundjes akute dhe të rrezikshme” dhe V.Van Gogh, 1880: Portret i Dr. Felix Rey. “Në shenjë mirënjohje për trajtimin aq dashamirës…”.
Diskutim
Autoritetet shkencore sot e konsiderojnë Mjekësinë jo vetëm si Shkencë, por edhe si Art. “Mjekësia është Arti i shërimit” Hipokrati, shek.V p.e.s, kurse Florence Nightingale ka thënë: “Infermieristika është Arti më fin”, shek.XIX.
Ç’është Arti?
Fjala “Art” rrjedh nga gjuha latine  “Artis – Ars”, që do të thotë “aftësi artizanale, njohuri teknike”. Njerëzit që kishin këto aftësi quheshin zanatçinj.
Në Evropë, deri në periudhën e Rilindjes nuk ka patur dallim të qartë në mes të zanatçiut,atij që merresh me mjekësinë dhe atij që merresh me punë artistike. Zanatet brenda fushës së Mjekësisë grupoheshin me zanatçinjtë: Farmacistët ishin në një grup me shitësit e erëzave e parfumeve…

Kirurgët ishin në një grup me berberët e parukierët. Kirurgu do të dallohej nga berberi vetëm nga veshja. Ata, të veshur me fustan të gjatë dhe me kapele katrore në kokë quheshin Berberë-Kirurgë dhe ata me veshje të shkurtër quheshin Berberë. Mjekët jepnin vetëm këshilla kirurgjikale, ndërsa operacionet kryheshin nga berberët
Në periudhën e Iluminizmit dhe në veçanti në atë të Romantizmit u bë përkufizimi profesional i fjalës «Art dhe artist». U bë dallimi midis punës së zanatçiut, punës së mjekut e veprës së artistit! Pikasin pikturat dhe skulpturat e Leonardo da Vinçi, babai i Anatomisë topografike, Michelangelo, Buonarroti e Raffaello etj. Në shek.XVI u njoh profesioni i Mjekut.
Ç’është Shkenca e Mjekësisë?

Eshtë veprimtaria që zhvillohet në fushën e dijes e të njohurive të bazuara në Evidencat, në Metodat dhe në rezultatet e Hulumtimit shkencor. Në shek.XIX Mjekësia u shndërrua në Shkencë! Gjenitë e shkencës mjekësore: William Harvey, Louis Pasteur, Robert Koch etj.
Shkenca e Mjekësisë, a është si gjithë shkencat tjera?

JO!
Shkenca përbëhet nga ligje, që duhet të zbatohen në të gjitha rastet. Kurse, Mjekësia mbizotërohet nga individualja. Ajo që ka sukses tek njeri, nuk ka sukses tek individi tjetër.
Mjekësia, nga njera anë, varet nga të gjitha shkencat si: Biologjia,Matematika, Kimia, Fizika, Sociologjia e Psikologjia, por, nga ana tjetër, Mjekësia vepron në ndërthurrje të plotë me të gjitha shkencat e mësipërme.
Mjekësia është shkencë e integruar!
A është Mjekësia një Art?

Po, Mjekësia është Art!
Populli thotë: “Kirurg duarartë”. Mjekësia në përgjithësi përmban gjithë përbërësit e mjeshtërisë artistike! Mjekësia nuk mund të ekzistojë pa intuitën, pa imagjinatën, pa fantazinë, pa përfytyrimin e pa kreativitetin, të cilat janë elemente të mirëfillta të Artit. Në Mjekësi ne themi: Arti i lindjes së fëmijës, Arti i kujdesit mjekësor, Arti i mirërritjes së fëmijës etj.
Ku bashkohet puna e mjekut dhe puna e artistit?
Tek mjeshtëria teknike dhe estetike! Në vizitën mjekësor nuk ka teknologji mjekësore, apo inteligjencë artificiale (robotika), që do të nxjerrë ndonjëherë jashtë loje “gjuhën e trupit” dhe ndjesitë e shqisave njerëzore. “Instrumentet” bazë të diagnozës së sëmundjes do të mbeten: sytë, veshët, hunda dhe duart e personelit mjekësor.
Në Mjekësi kemi një ndërthurrje të mjeshtërisë artistike. Në disa nënspecialitete të Mjekësisë, mjeshtëria artistike del në plan të parë p.sh. në Kirurgji, Kirurgjinë plastike, në Stomatologji, në Dermatologji e në ndonjë fushë tjetër. Artistikisht ajo gjen aplikim: në transplantin e qelizave e organeve, në protezat ( dorë apo këmbë artificiale etj);në rregullimin e defekteve të fytyrës etj.
Artisti në krijimtarinë e tij artistike ka nevojë për elementet e Mjekësisë.
Ndër shekuj, marrëdhënia e Psikiatrisë me Artin ka qenë mjaft evidente. Gjurmët e saj i gjejmë në mjaft vepra klasike të artit, sepse Mjekësia analizon dhe trajton pjesën subjektive, të padukshmen, tek individi. Tragjeditë e Shekpsirit, Don Kishoti i Servantes, Idioti i Dostojevskit, Komeditë e Molierit, filmat e Hollivudit apo teatri modern me psikodramën kanë kontribuar, duke dhënë nuanca të Psikologjisë, të Psikoanalizës apo të Sëmundjeve mendore te personazhet e përshkruara.
Mjeku ka nevojë për elementet e Artit.
Mjeku duhet të zotërojë: Shkathtësinë dhe saktësinë e violinistit, Veshin e dirigjentit, Mendimin e shkrimtarit, Impulsivitetin e aktorit, Aftësinë në dallimin e ngjyrave të piktorit, Perceptimin e formave të skulptorit, Mprehtësinë dhe ndjeshmërinë e poetit…
Mjeku është në rolin e aktorit!

Mjekësia është një Dramë e shkruar nga njerëzimi ndërshekuj, ku mjeku duhet të luaj gjithmonë rolin kryesor gjatë ushtrimit të profesionit të tij. Shpesh Drama ka përfundim tragjik… Mjaft i dukshëm është roli aktoresk i mjekut psikoanalistit në fushën e Psikoanalizës. Psikoanaliza Frojdiane është një trup teatrale me dy aktorë: me pacientin që luan rolin e vet dhe me mjekun psikoanalist, që luan gjithë rolet psikologjike. Psikoanaliza, që të funksionojë, duhet që mjeku dhe pacienti të krijojnë një marrëdhënie të gjallë dhe në lëvizje,duet harmonik dhe me ritëm.

Psikoanalisti Jung, thotë: “Vetëm kur unë arrij të penetroj brenda qënies së të sëmurit, atëherë unë arrij ta kuptoj atë. Në këtë moment i sëmuri bëhet njësh me mua. Por jo çdo mjek e arrin këtë cak. Kjo kërkon mjaft përpjekje dhe dhunti”.
L.Landuzi, mbrojtës i flakët i gjuhës greke dhe latine, shkruante: “Mendoj se edukimi klasik duhet të jetë për njeriun një forcë, po aq sa dhe stoli. Mendoj se asnjë kudhër tjetër nuk vlen për të farkëtuar trurin, për të formuar gjykimin e për t’i dhënë vrull asaj pjese ideale, që duhet të bëjë të plotë mjekun, sa specialist aq edhe artist”.

R.Dumik, nga ana e tij mendonte: “Më të mëdhenjtë , që përpara autoritetit të tyre ne duhet të përkulemi, para Paster  Shënim: Paster në moshën e fëminisë ishte shëndetlig, por kishte talent në pikturë e shokët e gjimnazit e thërrisnin“piktor”A.G) dhe Klod Bernard, shikonin tek letërsia ide të përgjithshme dhe pranonin, se edukimi i lartë i mëndjes, i detyrohet kulturës klasike dhe se ishte i nevojshëm për vazhdimin e punës së tyre”.
Ku ndahet puna e mjekut dhe puna e artistit?
Midis Mjekësisë dhe Artit ka dallim thelbësor. Puna në Mjekësi duket si Art i mirëfilltë, por thelbi i saj mbetet gjithmonë shkencor. Mjeku, kur është para pacientit,nuk drejtohet nga emocionet e çastit, por vë në funksion trurin, mendjen, zemrën dhe shpirtin e tij. Ai vëzhgimet,impresionet dhe konstatimet i hedh në planin e tij terapeutik. Mjeku, planin terapeutik ndaj pacientit detyrimisht ia nënshtron arsyes, ndërgjegjes, moralit dhe verifikimit të rreptë shkencor.
Artisti drejtohet nga emocionet e çastit (muza). Ai vë në funksion shpirtin e mendjen e tij para veprës artistike. Puna e artistit krijohet mbi idenë e së bukurës e dominuar nga ana estetike, ku vëzhgimi, shqisat dhe emocionet e tij janë të dorës së parë. Artisti, përfytyrimin, fantazinë e intuitën i hedh në veprën e tij artistike: kompozime, poezi, pikturë, skulpturë, romane etj). E veçanta e mendjes së artistit: Muzikanti në të njëjtën kohë funksionon me të dyja hemisferat e trurit. Ai, në të njejtën kohë, lexon partiturën dhe luan në instrument.
Dijetari A.Guzzo, ka thënë: “ Shkenca dhe Arti nuk e kundërshtojnë dhe nuk e pengojnë njera tjetrë… Pa Shkencë nuk ka Art dhe pa Art nuk ka Shkencë!”.
Postulat! Mjeku nuk ka përpara një objekt, por një qenie njerëzore!
Konkluzion.
Mjekësia e frymëzon Artin.
Arti e ndihmon Mjekësinë me mjeshtërinë artistike
25 Dhjetor 2017

Please follow and like us: