Albspirit

Media/News/Publishing

Historia mbi fytyrën e Kosovës, dhimbjet i ka vizatuar varg

Violeta Mirakaj

Në festat e fundvitit është shumë bukur të shkëmbehen dhurata, dhurime urimesh të ndërsjella dhe gjithandej krijohet një atmosferë festive…, pra  dhe unë po ju uroj: Për shumë vjet Gëzuar! Por këtë urim doja ta plotësoja me një shkrim homazh kushtuar atyre qindra apo mijëra shqiptarë kosovarë, që u vranë, u zhdukën, u sakatuan… Është një homazh që kurrë të mos harrohet e kaluara, po në emër të saj të përpiqemi për një jetë më të bukur, më të paqtë për brezat, për sot edhe për të ardhmen.

Për njeriun shtëpia është kështjella e tij, dhe për kosovarin Kosova është shtëpia e tij, kështjella e tij…  Gjithë përpjekja e tij ka qenë një kalvar i gjatë mundimesh, ku si është shprehur dhe Akademiku  R. Qosja  se, Shqiptarëve në Kosovë u kishte mbetur vetëm ajri. Nën dritën tragjike të historisë njerëzit zhvisheshin nga misteri i tyre shqetësues; e gjithë bota ndihej pezull në këtë pritje universale. Në jetën  të këtij populli gjithçka mbetej pa të nesërme dhe se gjithë uji i lumenjve nuk do të lante dot dorën e vrasësit të këtij kombi.

Në qershor të vitit 2000, u raportua për 3,368 civilë ( 2,500 shqiptarë, 400 serbë, dhe 100 romë) ende të humbur, afërsisht një vit pas konfliktit… Tablonë tragjike dhe rrëqethëse e plotësojnë varret masive, ku më 2001-in, 800 trupa ende të paidentifikuar u gjetën në gropa në një terren të policisë jashtë Beogradit dhe në lindje të Serbisë. Skenat makabre nuk kanë të sosur, të paktën 700 trupa u zbuluan në një varr masiv i gjendur në një kompleks të një njësie policore speciale anti- terroriste në periferi të Batajnicës, e cila pasohet nga 77 trupa të gjetura në qytetin lindor të Serbisë, Petrovoselo, dhe në qytetin perëndimor të Serbisë, Perucac u gjendën 50 trupa. E gjithë kjo tablo është një klithmë që s’duhet të fashitet, se ka të bëj me fatin e një kombi sa të lashtë dhe heroik.  Lufta e fundit çlirimtare në Kosovë ishte luftë, e cila ia ktheu dinjitetin kombit shqiptar. Nuk mund të harrohet operacioni më 27-të prill në 1999. Forcat serbe rrethuan “ Reken e keqe” e “Lugun e Carragojës”, në rrethinën e Gjakovës. U ndërprenë të gjitha rrugët duke lënë të hapur vetëm dy rrugë në drejtim të Mejës. E gjithë kjo ofensive barbare filloi në orët e hershme të mëngjesit; njëherazi u goditën 15 fshatra të rrethit të Gjakovës, u grumbulluan meshkujt në grupe nga mosha 15 deri 60 vjeç, duke i ekzekutuar të gjithë. Skena si në kohërat barbare dhe ato të nazizmit hitlerian. Njësitet e ushtrisë serbe, policia, beretat e kuqe, paramilitarët si hiena ju turrën me barbarizëm njerëzve të paarmatosur.. .Brenda disa orëve u krye ekzekutimi më makabër dhe masakra më e madhe në luftën e Kosovës.

Sot, aty është Qendra Përkujtimore – 27 prill në Lëndinën e Pikëllimit në fshatin Meje të Gjakovës, njëkohësisht dhe Dita e të pagjeturve në Kosovë që simbolizon po këtë datë të vitit 1999. Ja si shprehet poetja R. Maleçka “Ju o varre jeni si betimi/ në gjakun e të rënëve gjith’herët mbetë/ Pllakate varresh me gurë graniti,/do të gdhenden në këto troje përjetë”. Përvojë e hidhur për shqiptarët, për kosovarët që s’gëlltitet e s’gëlltitet; thikat copëtonin shpirtrat e tyre, dhe ata ishin të mbërthyer nga zinxhirët e fatit. Dhe ky popull është me të vërtet i madh, sepse vuajtjet, lodhja, padrejtësitë nuk e përulën. Dhimbjet janë vizatuar varg, këtu një varr, matanë një muranë, një varr e një muranë prapë, historia plagët e saj i ka lënë dhe  shprehur në fytyrën e Kosovës, si lulëkuqet që lulojnë në arat me grurë. Lufta e Kosovës ishte një konflikt i armatosur, e cila filloi në 28  Shkurt të vitit 1998 pas sulmit jugosllav në fshatrat Likoshan dhe Qirez në Drenicë të Kosovës deri në 11 Qershor 1999. Në mesin e luftës  në 6 shkurt 1999, me Sekretarin e NATO-s arrihen negociatat e para midis palëve ndërluftuese, dhe në 18 mars 1999, delegacionet shqiptare, amerikane dhe britanike firmosën atë që u bë Marrëveshja e Rambujesë, ndërkohë që delegacionet jugosllave dhe ruse nuk pranuan.

Si gjithmonë në momente të vështira të fateve të kombit tone dhe këtë radhë mbështetja e SHBA ishte jashtëzakonisht determinues, dhe ndihmës deri sa erdhi momenti final i kurorëzimit të kombit shqiptar, krijimi i shtetit të Kosovës.  R. M – “Ta bëjmë Dardaninë/ si ka qenë qëmoti/ Ta bëjmë Shqipërinë si në kohën e Kastriotit. Në këtë luftë u dëbuan 800 000 shqiptarë, u ranë 15 000 persona nga të cilët 2 400 luftëtarë të UÇK-së e të tjerë civilë. Gjatë luftës janë zhdukur rreth 5 000 njerëz, fati shumicës prej tyre është zbardhur deri në vitin 2007, por i madh ka mbetur numri i rasteve të pasqaruara.  Vite me radhë janë shkruar, janë skalitur momente nga tragjeditë dhe plagët e saj.

Ku si është shprehur dhe poeti A. Podrimja te poezia “Kulla”. “Prej lashtësisë, thonë kanë ardhur/ nëpër mure të pëlcitura të Kullës kanë hyrë,/ Gurë e m’gur atje janë ngjitur/ në majë të botës kanë mbetur sot e atë ditë/. E një kulle është ngritur një mijë vjet/ mbi një asht, mbi një emër ajo flet/ për shkak të dashurisë, për shkak të urrejtjes.” Pra historia përsëritet, Kosova, kulla shqiptare i ka mbijetuar stuhive dhe hordhive. Edhe si e thamë më lart jemi në prag festash, por në traditën tonë shqiptare shpeshherë trokasin në memorien tonë për të kujtuar të munguarit, na trokasin për të bërë homazh. Dhe kjo është  një traditë e bukur që të mos harrojmë… Jeta, vazhdimësia e saj shkon në gjurmët e saj dhe evidenton se, “Virtyti shkëlqen në fatkeqësi”. Bashkëbisedimi me të birin e Shefki Dedincës, ( i cili është një nga të shumtët që u zhdukën në periudhën e luftës pa lënë gjurmë), Zeqir Dedinca dhe me familjen e tij në njërën nga këto ditë ishte shumë prekës.

Duke marrë shkas nga teksti i këngës “Brezi me kapuç të bardhë”, teksti A.Kalaja, Muzika: Ylli Kalaja të cilën e kënduan në festivalin e fëmijëve organizuar këtu në New York, dy vajzat e vogla Enesa dhe Joana Dedinca interpretuan me ndjenjën e dashurisë dhe të respektit, për të mos harruar gjyshin dhe të gjithë martirët e Kombit. Drama kosovare erdhi në këtë repertor si një histori, erdhi si një kujtim si një betim.“Me kapuç mbi kry’/Përmbi maja e pamë gjyshin/ Është trim kosovar’/ Zemra e tij kishte dy krena/ flamurin shqiptar”. Biseda në familje rrodhi shtruar, rrodhi ngadalë me drithërimë, me kujtime personale dhe meditim…

Shefki Dedinca ishte nga fshati Leskoshiq të komunës së Obiliqit. Vinte nga një familje e madhe, dhe punonte si udhëheqës i pastrimit të shiritit në Rotorn 4 të kombinatit, Vështirësitë ishin të mëdha, me gjashtë fëmijë në shtëpi, sepse e shoqja i vdiq herët, duke punuar si në shtëpi dhe jashtë saj, por me dëshirën dhe dashurinë e madhe që fëmijët e tij të bëheshin të ndershëm, të arsimoheshin dhe të kulturoheshin. Dhe këtë e shprehte shpesh se: “Fati së pari është te mendja; shko në shkollë, të mësohesh e të bëhesh i ditur. Libri është arma e të mençurit e nuk të lë kurrë të varfër… Ngjarjet e njëpasnjëshme që ndodhën pas vitit 1991 në Kosovë, vazhdon të rrëfej Zeqiri ishin shumë të rënda, ishte një reprezalje e vërtetë për popullin. Filluan përjashtimi nga puna pothuaj i të gjithë shqiptarëve, u mbyll televizioni si dhe fakultetet… kërkojnë të mos mësohet dhe të flitet gjuha shqipe, po ajo serbe. Në atë kohë ishte student në Fakultetin  Ekonomik, u veprua vetëm me dhunë e ushtruar nga policia, i larguan nga godina…, por kurrë nuk mundën të shuajnë dëshirën për vazhdimin e leksioneve në ambientet të tjera familjare. Një kurajo të madhe na jepte baba, i cili shprehej: “S’ka forcë dhe fuqi  që të bllokojë universitetin e Prishtinës, dhe se ju studentët jeni arma më e fortë e popullit Kosovar”. Në momente të vështira atë e kishim mbështetje me mençurinë, kurajon dhe guximin që u jepte deri sa një ditë. 24 mars i vitit 1999, lëshojnë banesën si shumë e shumë banorë për t’u strehuar atje ku këmba e serbit të mos shkelte, ku forcat ushtarake separatiste militariste të mos t’i gjenin. Që nga ajo ditë nuk u mor vesh kurrë se çfarë fati pati Shefki Dedinca.

Një nga dhimbjet më të mëdha të shqiptarëve, pra është ajo e lirisë, dhimbje që prodhoi akte heroike, humanizmi, dashurie për vendin dhe në emër të kombit me të cilën  po i thërret unitetit të botës së qytetëruar. Trevat shqiptare u bënë të njohura nga lufta, se ato u unifikuan me trimat e rënë për liri, dhe marrin funksionin e një “kumti” toponimik – historik, të cilat mbartin një epokë historike, realisht të nevojshme shqiptare. Këto treva mbartin në vetvete dhimbje, prelude, momentalit dhe shqiptarizëm; të bëjnë krenar për vendin tënde, për njerëzit e t’u, për viset e tua, për historinë dhe për atë që i duhet vendit dhe njerëzve të t’u. Te “Dhimbja Gjakovare” kombi lëngon… “…Kudo vajë, kudo piskamë,/ – Ku t’kam babe, o ku t’kam nanë!?/ – O ku je motër, o ku je vëlla!?/ Ma tmerrim, o për ne nuk ka!/ Disa trupa, o t’përgjysmuar,/ shumë pa k’am’ e shumë pa duer,/ Shumë u dogjën n’flakë e n’prush,/ s’ka shka ban, medet – kurkush!/ M’falni vëllazën, s’muj duroj ma!/ Këta shqiptarë në gjak janë la,/ asnjëherë për ne s’do t’vdesin,/ O n’zemra tona përjetë do t’mbesin!”. Dhe sot e kësaj dite dëgjohen klithmat e përvuajtur të këtyre njerëzve. Skalpimi i historisë tregon se mbetet esenca e ngjarjeve, simboli i përsëritshëm i sfidës për të jetuar, një jetë më të drejtë, një jetë ku të mos lejuar kurrë të përsëritet e kaluara dhe ky është një apel. Si shprehet dhe poetja R. Meleçka “Liria dhe gjaku kanë lindur nga një nanë/ ushqyer e rritur nga njëri- tjetri mot pas moti,/rritur në djepat, në dru e lis mali,/ Rritur nga kënga, amaneti dhe loti”.

Please follow and like us: