Albspirit

Media/News/Publishing

Prof. Fatos Tarifa: Ideja e Universitetit

 

Në ditët tona, debati mbi Universitetin dhe vetë idea e Universitetit janë shumë të ndryshme nga disa prej debateve më të mëdha mbi universitetin që janë zhvilluar në shekullin e 19-të dhe në gjysmën e parë të shekullit të 20-të, ose edhe pas Luftës së Dytë Botërore. Vizionet grandioze dhe programatike mbi universitetin modern, të parashtruara nga mendimtarë të shquar si, Wilhelm von Humboldt, John Dewey, Karl Jaspers, Talcott Parsons, Jürgen Habermas dhe Pierre Bourdieu kanë reflektuar besimin tek universiteti si një institucion që ka një mision moral dhe kulturor iluminist në shoqëri. Në këtë ese evidedentohen origjina perëndimore dhe përmbajtja e idesë së Universitetit, siç është zhvilluar kjo ide gjatë dyqind viteve të fundit, periudhë kjo, që mund të konsiderohet si periudha e modernitetit të vonë, ose si periudha post-tradicionale, post-mesjetare, post-agrare, si periudha e industrializimit, e sekularizimit, e krijimit të shtetit kombëtar dhe e racionalizimit të shoqërisë.

Wilhelm von Humboldt

Ideja e universitetit e ka origjinën e saj në një periudhë shumë të rëndësishme të historisë së universitetit modern, në kohën e reformave arsimore të inicuara nga ministri prusian i arsimit, Wilhelm von Humboldt. Duke nisur me themelimin e Universitetit të Berlinit, në vitin 1810, universiteti “humboldtian” u bë modeli i universitetit për tërë Europën kontinentale. Deri në vitet 1930, me përjashtim të Universitetit të Oksfordit dhe atij të Kembrixhit në Angli, universitetet gjermane—si ato në Heidelberg, Berlin, Goettingen dhe Leipzig—ishin ndër universitetet më të mira në botë. Jürgen Habermas vë në dukje se: “Ideja [humboldtiane] e universitetit kontribuoi në shkëlqimin dhe suksesin e pakrahasueshëm ndërkombëtar të shkencës universitare gjermane gjatë shekullit të 19-të dhe deri në vitin 1930”. Ishte pikërisht modeli gjerman ai, sipas të cilit, duke filluar me Universitetin Johns Hopkins, në vitin 1876, u krijuan universitetet kërkimore private dhe publike më të mira në Shtetet e Bashkuara, të cilat sot qendrojnë në krye të universiteteve të botës.

Parimet kryesore të universitetit “humboldtian” ishin katër: (1) uniteti i të mësuarit me kërkimin në veprimtarinë e çdo profesori, (2) uniteti i shkencave natyrore me disiplinat humane dhe me filozofinë, si një disiplinë fondamentale, (3) uniteti i shkencës me arsimin e përgjithshëm dhe (4) uniteti i shkencave me iluminizmin, çka nënkupton rolin e universitetit në krijimin e një shoqërie me qytetarë të lirë e të barabartë. Në fakt, siç ve në dukje Habermas, këto ishin “kërkesa integrale të Idealizmit Gjerman”. Kant, Fichte, Schelling, Schleiermacher, Hegel dhe filozofë të tjerë gjermanë të fundit të shekullit të 18-të dhe fillimit të shekullit të 19-të e ndjenë të nevojshme që ta trajtonin idenë e universitetit nga një perspektivë e re radikale. Fichte, fjala vjen, mendonte se universiteti, në të cilin shkenca duhej të institucionalizohej, do të bëhej “vendlindja e shoqërisë së ardhshme të emancipuar” dhe “fokusi i zhvillimit kombëtar”. Në njërin prej fjalimeve të tij të famshëm, titulluar Thirrje Kombit gjerman, Fichte e shprehte besimin e tij në rolin politik dhe shoqëror të universitetit për të shëruar plagët e shoqërisë gjermane me këto fjalë: “Vetëm arsimi mund të na shpëtojë nga të gjitha të këqiat që na shtypin”.

Për Humboldt-in, funksioni i universitetit është progresi i dijes përmes kërkimit origjinal dhe kritik, jo thjesht përmes transmetimit të trashëgimisë kulturore e shkencore të së kaluarës, apo përmes të mësuarit të shprehive dhe të mjeshtërive të caktuara. Vetë të mësuarit, sipas tij, duhet të mbështetet në kërkimin e së vërtetës dhe studentët duhet të jenë edhe vetë pjesëmarrës në procesin kërkimor.

John Dewey

Në Amerikë, në fund të shekullit të 19-të dhe në fillim të shekullit të 20-të, ishte filozofi i shquar John Dewey ai, i cili, më shumë se çdo intelektual tjetër amerikan në atë kohë, i kontribuoi Idesë së Universitetit dhe, përgjithësisht, idesë mbi rolin e arsimit e të shkollës në zhvillimin e demokracisë. Vepra e tij e njohur The School and Society (1899), mund të thuhet se shërbeu si një manifest për “rindërtimin e sistemit amerikan të arsimit” dhe ka patur një ndikim shumë të madh që nga ajo kohë. Për Dewey-n, “arsimimi është një proces social; arsimimi është rritje, arsimimi është jo përgatitje për jetën, por vetë jeta”. Sipas tij: “Universiteti…nga vetë ideja e tij, është një vend ku kryhen kërkime…një vend i bibliotekave dhe i muzeve, në të cilin mblidhen, ruhen dhe organizohen resurset më të mira…si për shkollën, ashtu edhe për universitetin, është e vërtetë se fryma e kërkimit mund të arrihet vetëm përmes dhe me anë të një qendrimi që e nxit kërkimin”.

Në veprën tjetër të njohur të tij, Democracy and Education (1916), Dewey argumenton idenë se shkolla dhe universitetet duhet të mbështeten jo në principe autoritariste, por në principe demokratike, çka sot merret si një fakt i mirëqenë në shkollat publike të të gjitha niveleve në Shtetet e Bashkuara. Dewey ishte ndër të parët mendimtarë që artikuloi idenë mbi nevojën e transformimit të universiteteve publike në institucione të vërteta demokratike, të orientuara nga nevojat e komunitetit. Ai besonte se shkollat dhe universitetet mund të luajnë një rol qendror në zhvillimin e një shoqërie demokratike pjesëmarrëse. Sipas tij, nëse i tërë sistemi arsimor nuk e përshpejton “progresin demokratik”, kjo do të thotë se diçka nuk shkon mirë me universitetin.

Karl Jaspers

Në periudhën mes dy luftrave botërore dhe në fillim të gjysmës së dytë të shekullit të 20-të, një tjetër mendimtar i shquar gjerman, filozofi ekzistencialist Karl Kaspers, e bëri idenë e universitetit qendrore në veprën e tij. Në librin e tij të mirënjohur Idea e universitetit (1923), Jaspers zhvilloi më tej idenë e Humboldt-it mbi universitetin si institucion. Për Jaspers-in, universiteti nënkupton një sërë funksionesh dhe detyrash: kërkimin shkencor, mësimdhënien dhe edukimin, kualifikimin, komunikimin, tërë botën e shkencave. Sipas tij, qëllimi kryesor i universitetit është “kërkimi i të vërtetës” përmes shkencës dhe, ipso facto, kërkimi shkencor është një detyrë themelore e tij. “E vërteta”, shkruan Jaspers, “arrihet përmes kërkimit sistematik”. Kjo detyrë presupozon transmetimin e dijeve shkencore, arsye kjo për të cilën, kërkimi shkencor është i lidhur ngushtësisht me mësimdhënien.

Pas ardhjes në fuqi të nazistëve, Jaspers u bë një mbështetës vokal i demokracisë, pasi sipas tij, demokracia është “e vetmja rrugë e domosdoshme, edhe pse pafundësisht e vështirë, përmes së cilës njerëzimi mund të arrijë shkallën më të lartë të lirisë dhe të organizojë botën në atë mënyrë, që të mund ta zgjerojë këtë liri”. Për Jaspsers-in, “në idenë e demokracisë, vetë politika është arsim”. Ai e quan një të vërtetë që s’mund të vihet në dyshim atë se demokracia kërkon arsimimin e të gjithë popullit. “Demokracia, liria dhe arsyeja varen të gjitha nga arsimi. Vetëm përmes arsimit është e mundur që të ruhet përmbajtja historike e ekzistencës sonë dhe të përdoret ajo si një forcë gjeneruese për jetën tonë në situatën e re që kalon bota”.

Talcott Parsons

Pothuasje në të njëjtën kohë me Jaspers-in, në Amerikë ishte Talcott Parsons, ai që, nga një këndvështrim funksionalist, trajtoi idenë e universitetit në një prej veprave të tij, The American University. Parsons, i cili kishte studiuar në Gjermani dhe kishte fituar gradën e doktorit në sociologji dhe në ekonomi nga Universiteti i Heidelbergut, u bë figura që dominoi mendimin sociologjik amerikan dhe atë botëror në prag, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Duke iu referuar specifikisht Universitetit Amerikan, Parsons u përpoq ta aplikonte modelin e tij funksionalist në fushën e arsimit, duke ndjekur, në thelb, të njëjtën logjikë si Émile Durkheim me teorinë e tij mbi ndarjen shoqërore të punës. Parsons argumentonte se “Arsimi i lartë, përfshirë edhe kompleksin kërkimor, është bërë tipari i vetëm më kryesor i zhvillimit të strukturës së shoqërive moderne”.

Ai dallonte katër funksione bazë të arsimit të lartë: (1) “Arsimimi i përgjithshëm” (general education) i qytetarëve. Ky funksion përbën bazën prej së cilës diferencohen të gjitha funksionet e tjera të arsimit universitar; ai është i ngjashëm me atë që Durkheim e konsideronte funksion socializues të shkollës. (2) “Kërkimit” (research industry), i cili synon zhvillimin e teorisë dhe thellimin e njohjes. Ky funksioni njohës (knowledge function), sipas tij, është ndoshta më i rëndësishmi sepse, në thelb, ai bën të mundur vetë riprodhimin e universitetit. (3) “Arsimimi pasuniversitar” (graduate training) i atyre që do të zëvendësojnë klasën e profesorëve në detyrë. Ky funksion, gjithashtu, është një aspekt i ndarjes së punës, edhe pse trajnimin dhe kërkimin shkencor pasuniversitar nuk i gjejmë si funksione të diferencuara te Durkheim-i. Megjithatë, qysh nga koha kur ky i fundit botoi veprën e tij të njohur Ndarja shoqërore e punës (1893), ky aspekt i arsimit të lartë ka marë një rëndësi gjithnjë e më të madhe, duke u bërë një formë e re e ndarjes shoqërore së punës. Kërkesat e reja të ndarjes së punës, të bazuara në një masë gjithnjë e më të madhe në shkencë e në teknologji, kanë çuar jo vetëm në një diferencim dhe proliferim të theksuar të disiplinave akademike e shkencore, por edhe në kërkesa të reja për grada akademike të avancuara. (4) “Trajnimi i profesionistëve” (training of practioners) në profesionet e aplikuara. Parsons vinte në dukje se në kohën e tij ky funksion sapo ishte diferencuar dhe nënkupton riprodhimin e profesioneve të ndryshëm, si dhe zgjerimin dhe thellimin e njohjes në fushat e tyre përkatëse

Jürgen Habermas

Në dekadat e fundit, një ndër mendimtarët më të njohur që është marrë me trajtimin filozofik e sociologjik të Idesë së Universitetit, është Jürgen Habermas. Kontributi më i madh i tij përsa i përket idesë së universitetit lidhet me marrëdhëniet e këtij institucioni me demokracinë. Vepra e tij, në përgjithësi, vlerësohet si fondamentale në traditën teorike që e sheh arsimin, veçanërisht arsimin e lartë, si një faktor shumë të rëndësishëm për zhvillimin e arsyes kritike, pa të cilën nuk mund të ketë zhvillim demokratik. Habermas ka zhvilluar një kornizë analitike metanarrative për të shpjeguar proceset e ndryshimeve sociale dhe vetë projektin demokratik të shoqërisë, duke i dhënë një rëndësi të veçantë sferës publike, rolit të arsimit, mendimit racional kritik që ai kultivon dhe vetë universitetit.

Për Habermas-in, roli i arsimit (veçanërisht i arsimit të lartë) në zhvillimin e demokracisë synon organizimin e shoqërisë në një mënyrë të tillë, që të mundësojë format më të lira të komunikimit e të diskursit mes anëtarëve të saj. Sipas tij, në shoqërinë e sotme, komunikimi diskursiv, i cili presupozon liri dhe drejtësi dhe mësohet kryesisht në shkollë, sidomos në universitet, është “kolonizuar” dhe pengohet nga imperativat funksionalë të shtetit dhe të ekonomisë. Këtij “kolonizimi” nuk kanë mundur t’i shpëtojnë as gjuha dhe praktikat pedagogjike të universitetit. Në këto rrethana, sfida e universitetit është pikërisht që të çlirohet nga ky kolonizim, me fjalë të tjera, që universiteti, si pjesë e sferës publike, ta çlirojnë arsyen kritike nga tirania e pushtetit dhe e parasë dhe të ndihmojë për krijimin e një demokracie pjesëmarrëse funksionale. Refleksioni kritik, diskursi racional dhe praxis janë kushte të domosdoshme të pjesëmarrjes emancipuese në një demokraci. Sipas Habermas-it, demokracia dhe arsimi i lartë kanë të përbashkët, veç të tjerash, faktin se krijojnë oportunitete dhe mjedise për zhvillimin e një komunikimi diskursiv, i cili është i domosdoshëm për zbulimin e të vërtetës. Me pak fjalë, një shoqëri e demokratizuar është ajo, në të cilën anëtarët e saj mësojnë; i tillë është edhe universiteti. Detyra e një edukatori është që të praktikojë dhe t’u mësojë studentëve sesi të krijohet ajo hapësirë e nevojshme publike, në të cilën qytetarët të diskutojnë për t’u gjetur zgjidhje problemeve të shoqërisë. Në këtë mënyrë, sipas tij, arsimimi i shërben veprimit social racional. Pikërisht këtu Habermas sheh rolin kritik dhe transformues të arsimit të përgjithësi, dhe të universitetit në mënyrë të veçantë.

 Pierre Bourdieu

Një ndër socologët që i ka kushtuar një vëmendje të veçantë problemeve të jetës akademike dhe rolit të universitetit në shoqërinë bashkëkohore është Pierre Bourdieu. I njohur për konceptin e tij mbi tri format e kapitalit (kulturorekonomik dhe shoqëror), në veprën e tij Homo Academicus, Bourdieu analizoi tensionet dhe tendencat e zhvillimit të sistemit të arsimit të lartë në Francë, duke u fokusuar në rrethanat historike (kryesisht ndryshimet demografike dhe ekonomike në universitetet franceze), që çuan në shpërthimin e protestave studentore në majin e vitit 1968. Bourdieu analizoi statistikisht faktorë të ndryshëm demografikë që kishin të bënin me përbërjen e profesoratit francez, duke identifikuar tri kategori opozitare të kapitalit kulturor, të prodhuar brenda universitetit, dhe që kanë të bëjnë (a) me prestigjin e disiplinave akademike, (b) me rinovimin e stafeve akademike dhe (c) me ortodoksinë/heterodoksinë e tyre. Ai argumentoi se: (a) Stafet akademike në disiplina të ndryshme kanë pozita më shumë ose më pak të privilegjuara dhe, ipso facto, gëzojnë më shumë ose më pak influencë brenda universitetit dhe në shoqëri; (b) Një ndër mënyrat për ruajtjen e pozitave drejtuese dhe të pushtetit akademik në universitet është kontrolli mbi mekanizmat e rekrutimit të stafit të ri akademik, pra riprodhimi i “academic corps”. Bourdje besonte se ata që kontrollojnë rrethanat dhe mekanizmat e zëvendësimit të njerëzve në pozita akademike kontrollojnë të ardhmen e instituciomeve akademike; (c) Institucionet akademike karakterizohen nga tensione të vazhdueshme midis asaj pjese të stafeve akademike që janë bartëse dhe shprehëse të pikëpamjeve ortodokse, institucionalisht të aprovuara, dhe pjesës tjetër që bart dhe shpreh pikëpamje “heretike”.

Një ndër idetë më të rëndësishme të Bourdieu-së është ajo se ndryshimet në institucionet dhe në jetën akademike të një vendi, sidomos ndryshimet e rëndësishme, motivohen nga ndryshimet demografike dhe nga nevojat ekonomike të shoqërisë në përgjithësi. Edhe pse kjo dhe ide të tjera të Bourdieu-së u formuluan në kushtet e krizës së universiteteve franceze në fundin e viteve 1960 dhe si refleks i saj, ato kanë vlerë për të kuptuar ndryshimet që kanë ndodhur në idenë e universitetit në ditët e sotme.

Ω Ω

Dy shekuj pas vizionit iluminist mbi Universitetin që krijoi Humboldt-i idetë e tij mbeten shumë larg realiteteve të papërsosura të sotme. Sidoqoftë, hendeku që e ndan këtë nga realiteti i ditëve tona nuk do të thotë doemos prapambetje, ose rënie e rolit të universitetit në jetën e shoqërisë.

Universitetet e sotëm kanë, sigurisht, problemet e tyre dhe vetë Ideja e Universitetit po transformohet në një mënyrë të tillë, e cila ngjason gjithnjë e më pak me vizionin iluminist të Humboldt-it për të. Të paktën qysh nga viti 1987, kur Allan Bloom botoi librin e tij shumë të komentuar, The Closing of the American Mind, debati mbi universitetin ka marrë jo vetëm një përmbajtje të re, duke venë në dyshim vlerat e këtij institucioni dhe garancitë që japin kostot gjithnjë e më të larta të studimeve universitare për atë çka është produkti i tyre, por edhe është bërë një prej debateve më të mëdha intelektuale në kohën tonë. Bloom vuri në dukje se kultura e lartë dhe universaliste e universitetit po sulmohej dhe rrezikohej nga një kulturë e ulët dhe relativiste, që vjen nga politika dhe nga kultura popullore. Autorë të tjerë, si Russell Jacoby, parashikuan fundin e intelektualit universalist për shkak të ekspertizës ngushtësisht të diferencuar në fusha të ndryshme, e cila do të çonte në paralizën intelektuale të universitetit. Sidoqoftë, pavarësisht shqetësimeve të shprehura në vitet 1980, asnjëherë nuk ndodhi që universiteti të hiqte dorë nga kultura universalitste dhe të binte pre e kulturës pop.

Në vitet 1990, debati mbi universitetin mori një tjetër përmbajtje dhe një tjetër ton, më ofensiv. Në pjesën më të madhe të tij, ky debat u dominua nga kritika postmoderniste, e cila e sheh universitetin si një bastion të modernitetit të vonë dhe nga teza postmoderniste mbi universitetin si një institucion i tejkaluar, anakronik, i cili bashkë me institucinet e tjera të modernitetit, përpiqet të mbijetojë në rrënojat e modernitetit, në një epokë globale të kapitalizmit të mbështetur mbi informacionin. Kjo kritikë, e artikuluar qartë sidomos në librin The University in Ruins (1997), nga Bill Readings, konsiston kryesisht në idenë se, si një institucion i modernitetit, universiteti do të ketë të njëjtin fat si edhe shteti kombëtar, të cilit ai i shërben. Sipas këtij autori, në kushtet e globalizimit universiteti ka humbur “shpirtin” e tij të dikurshëm dhe nuk është më ai institucion kulturor i rëndësishëm që ka qenë për shekuj me radhë. Përkundrazi, mendon ai, universiteti është shndërruar sot në një biznes dhe çmohet si i tillë, në garë me bizneset e tjera.

Në ditët tona, ideja e universitetit modern, si një institucion që kombinon mësimdhënien dhe kërkimin shkencor dhe që mundëson arsimimin dhe kualifikimin e specializuar, duket se ka tri mundësi zhvillimi:

Së pari, kjo ide mund të konsiderohet se i përket të kaluarës, pra e ka humbur vlerën e saj në kushtet e shoqërisë së sotme postmoderne, çka do të thotë se universitetet e sotëm duhet t’i përshtaten një vizioni të ri utilitarist dhe menaxherial, të ndryshëm nga modeli humboldtian.

Së dyti, ideja e universitetit modern mund të zgjerohet duke u bërë parimi bazë i të gjithë sistemit të arsimit të lartë, që sot është masivizuar si kurrë më parë.

Së treti, ideja e universitetit modern mund të mbetet vetëm njëra prej ideve mbi universitetin, ndërkohë që ide të reja vihen në qarkullim duke pranuar se jo të gjitha universitetet kanë të njëjtin mision. Me fjalë të tjera, vetë Ideja e Universitetit mund të interpretohet në mënyra të ndryshme. Nuk duhet harruar se ideja e universitetit modern është e lidhur me modelin perëndimor të këtij institucioni, ndërkohë që, edhe pse Perëndimi (sidomos Amerika) vazhdon të ruajë monopolin e universiteteve më të mira, sukseset e vendeve të tillë si, Japonia, Tajvani, Korea e Jugut, Singapori dhe Hong Kongu në arritjen e një forme moderniteti që dallon nga ai i vendeve perëndimore dhe të një modeli universiteti që dallon nga ai i universiteteve europiane, kanë mundësuar atë që sociologu i njohur amerikan Peter Berger e quan një “rast i dytë” i modernitetit kapitalist. Një zhvillim i tillë mbështet një kuptim alternativ jo vetëm mbi zhvillimin historik, duke e vënë theksin kryesisht në rrugët e ndryshme të zhvillimit, në dallimet kontekstuale dhe në pasojat e ndryshme të tyre sesa në një model universal, por edhe një model të ndryshëm (ose një kuptim të ndryshëm) të vetë Universitetit. Ekzistenca e një pluraliteti modernitetesh, në Perëndim dhe në Lindje, mund të shihet, pra, si kundërvënie jo vetëm ndaj teorive të derisotme mbi demokracinë dhe demokratizimin, të cilat, në përgjithësi, supozojnë se, një ditë, të gjitha shoqëritë do të konvergojnë në një formë të vetme organizimi politik dhe shoqëror, por edhe si një kundërvënie ndaj vetë idesë moderne të universitetit./dita.al/

Please follow and like us: