Albspirit

Media/News/Publishing

KOLEGJI AAB NDERON ME TITULLIN “PROFESOR NDERI” DY PERSONALITETE TË SHQUARA AMERIKANE

8 Maj 2024

Sot në Teatrin Kamertal të Kolegjit AAB është mbajtur ceremonia e ndarjes së titujve “Profesor Nderi”, për dy personalitete të shquara amerikane Dr. Benjamín Fernández Bogado dhe Dr. Peter Marko Tase.

Në këtë ceremoni të moderuar nga prorektorja Venera Llunji, u vlerësua kontributi që Dr. Benjamín Fernández Bogado dhe Dr. Peter Marko Tase kanë dhënë rreth fushës së letërsisë dhe arsimit në përgjithësi.

Rektori Blerim Olluri falënderoi të pranishmit, stafin dhe studentët për praninë e tyre, ndërsa shtoi se është një nder për Kolegjin AAB të ketë bashkëpunime me personalitete të tilla, që kanë rol kyç në ngjarje të rëndësishme.

Me motivacion për kontributin e dhënë për promovimin e vlerave të lirisë dhe demokracisë, rektori i Kolegjit AAB nderoi me titullin “Profesor Nderi” Dr. Benjamín Fernández Bogado, ligjërues dhe ekspert ndërkombëtar për komunikimet. Ky i fundit u shpreh tejet i impresionuar me vizitën e parë të tij në Kosovë dhe në Kolegjin AAB. Ai falënderoi të gjithë për vlerësimin dhe titullin e ndarë.

Ndërsa me motivacion për kontributin e dhënë në avancimin e vlerave universale dhe promovimin e letërsisë shqipe në botë, me titullin “Profesor Nderi” u nderua Dr. Peter Marko Tase, autor dhe redaktor i dhjetëra librave, i cili pati falënderime të shumta duke shtuar se është i emocionuar që gjendet në një ceremoni i rrethuar nga studentët, si e ardhmja e vendit tonë.

Në fund të ceremonisë kantautorja kryesore e Paraguait, si dhe një nga zërat më të mëdhenj të Amerikës Latine, Lizza Bogado, mbajti një koncert ku këndoi disa nga këngët më të njohura të saj, duke sjellur momente argëtimi për të gjithë të pranishmit.

Please follow and like us: