Albspirit

Media/News/Publishing

Kastrati: Intelektualët e angazhuar, nuk prodhohen kurrë me lehtësi 

Diana Kastrati, fituese e çmimit Kombëtar për Përkthimin  e ftuar në Klubin e Letërsisë Bashkëkohore me Alda Bardhylin

 

 Alda Bardhyli

Diana Kastrati shqipëruese e njohur për kontributin e dhënë për sjelljen në shqip të disa autorëve të njohur nga kultura italiane në gjuhën shqipe, ishte e ftuar në Klubin e Letërsisë Bashkëkohore Shqipe që mbahet çdo muaj në Universitetin Europian të Tiranës përballë Alda Bardhylit. E ftuar për të folur mbi rolin e përkthimit nga një kulturë në tjetrën, ajo foli për autorë të rëndësishëm si Alberto Moravia apo Antonio Pennacchi… dhe intelektualin që mungon sot.

 

Diana do doja ta nisnim bisedën pas në kohë, pikërisht në një lidhje që duhet të ketë pasur ndikim në rrugën që ju keni ndjekur në jetë. E kam fjalën për babain tuaj albanologun dhe studiuesin e njohur Jup Kastrati. Cili ka qenë ndikimi i tij në lidhjen tuaj me letrat?

 

Duke patur parasysh që kur flitet për lidhje familjare, rreziku që të biesh në patetizëm mund të jetë potencial, do të përpiqem t’i përmbahem, për sa është e mundur, objektivitetit të fakteve. Është botërisht i njohur ndikimi i mikrouniversit familjar ku lindim e rritemi. Për vetë natyrën e punës së tim eti, të studiuesit, historianit të gjuhës shqipe, por edhe për një tjetër karakteristikë të tij personale si bibliofil autentik, biblioteka e tij mjaft e pasur e krijuar shumë herët nga vetë ai, ishte me një profil thuajse tërësisht humanistik dhe në gjuhë të huaj, kryesisht në italisht, frëngjisht dhe pak gjermanisht (vepra studimore mbi shqipen). Përpos këtij realiteti libresk me të cilin rrethohesha, të cilit vështirë se mund t’i qëndrosh indiferent, ishte vetë temperamenti i tij, mënyra e vendosjes së marrëdhënieve në familje, ose më mirë të themi e një komunikimi intensiv që ai vendoste me ne familjarët, e cila të fuste në një dimension që ishte krejt i pazakontë: për shumë kohë kam menduar se ky realitet i të jetuarit për librin e me librin, duhet të ishte normalisht në çdo familje! Pasioni i tij i pazakontë për kulturën humanistike në përgjithësi e, për atë italiane në veçanti, i cili për ata që e kanë njohur nga afër ishte “infektues”, solli tek unë krejt natyrshëm përgatitjen mendore e psikologjike që ky drejtim do të përbënte edhe habitatin tim të ardhshëm profesional. Në fund fare më duhet të shtoj se, është krejtësisht falë tij që me të mbaruar studimet universitare, teksa po pushoja këndshëm një ditë korriku pas marrjes së diplomës, më solli një turrë me libra të/mbi letërsinë italiane të Treqindshit dhe më tha tekstualisht: “Pas pak muajsh del numri i radhës i revistës ‘Buletini shkencor’ i Universitetit të Shkodrës. Përgatit një artikull mbi cilin autor të pëlqen më shumë. Kur ta kesh strukturuar, flasim për aspektin e aparatit shkencor…”. Ai artikull ishte sprova e parë e imja për të nisur rrugëtimin në të cilin ndodhem akoma.

Narratori i madh i letërsisë italiane e quani Alberto Moravinë në vitin 1992. Ju keni sjellë për herë të parë në shqip romanin e tij të parë “Indiferentët” një roman i cili do ta vendoste atë menjëherë në krye të autorëve italianë të viteve 30-të? Ndjehet një ndikim i Frojdit në letërsinë italiane të pas viteve 30-të, leximi i Frojdit ndryshoi rrëfimin jo vetëm të Moravisë, por dhe të autorëve të tjerë që erdhën më pas…

“Indiferentët” është romani i parë i Moravias, i botuar në 1929, kur autori ishte vetëm 22 vjeç. Një roman i cili shënjoi një kthesë në skenën letrare italiane, jo vetëm për faktin se e katapultoi autorin në qendrën e vëmendjes të publikut lexues italian si dhe kritikës letrare të kohës duke e kthyer atë nga një anonim në një fenomen letrar falë gjenialitetit të tij, por në mënyrë të veçantë për revolucionin e letërsisë që prodhoi; atë të tipit ekzistencialist me derivim dostojevskjan, i cili i parapriu kësaj tipologjie letërsie (asaj franceze) që do të vinte më vonë gjate gjysmës së dytë të shekullit të XX-të. Një vepër që vinte pas një periudhe paksa të zbrazët në narrativën e letërsisë italiane të fundshekullit të XIX-të dhe fillimshekullit të XX—të, me një subjekt që vërtitet në një dialog të vijueshëm me vetveten për tv gjithë personazhet e romanit, pa drama reale të asnjërit, pa ngjarje për t’u rrëfyer dhe me një sfond të pastër frojdian. Përpos këtyre risive, një meritë e padiskutueshme e romanit qëndron në faktin se, autori kishte patur ambicien e fortë që të shkruante një pjesë për teatër, pra dramë, por përfundoi duke shkruar një roman ngjarjet e të cilit zhvillohen brenda 48 orëve. Kësisoj, gjejmë të zbatuar mirëfilli standartet aristoteliane të vendit, kohës dhe veprimit. Siç e thamë pak më lart, Frojdi dhe teoria e tij kishte hedhur rrënjë tek formimi i shkrimtarit të ri, ashtu sikurse pashmangshmërisht kishte ndodhur edhe për pjesën më të madhe të intelektualëve europianë të asaj kohe. Por Frojdi pati atë ndikim tek Moravia (ndikim që zgjati gjatë gjithë jetës së tij artistike), edhe falë një fakti privat të autorit: duke qenë se ai që i vogël vuajti nga një sëmundje e rëndë kockash, u detyrua që pubertetin dhe adoleshencën e tij ta kalonte i mbyllur nëpër klinika. Aty ai kreu edhe formimin e tij letrat e kulturor, paksa në mënyrë eklektike, por ku Frojdi ishte “përgjigja” e shumë pyetjeve që rëndom i lindin një djaloshi që po rritet pa kontakte me botën e jashtme. Pra, ai zhvilloi në mënyrë ë spikatur formën e dialogimit me vetveten duke e transplantuar më pas edhe në letërsinë e tij. E gjithë kritika letrare që është marrë me dekada me veprën e Moravias, e ka cilësuar këtë roman si pararendës të letërsisë ekzistencialiste evropiane, duke e vënë autorin në fronin e artë të skenës letrare të pionierëve të saj.

 “Burri që këqyr”, flet për një pushtet tjetër që po bëhet dominant sot ai përmes seksit?

 “Burri që këqyr”, doli nga shtypi në Itali në vitin 1985, pra kur Moravia ishte tashmë 78 vjeç. Ndjesitë e autorit në këtë roman janë kryesisht ato të një vuajëri, i cili nuk këqyr aq objektin se sa lëvizjen e tij, do me thënë sjelljen e tij. Dalin në pah sërishmi ndikime frojdiane të cilat përdoren nga Moravia (e shprehur nga ai vetë) në ekses, natyrisht brenda një kornize letrare artistike. Autori, i cili prej kohësh i mbetet bindjes se është seksualiteti ai që kushtëzon ekzistencën tonë në të përditshmen, e përdor këtë element si një metaforë të shtyrë shumë ppërtej kornizave të zakonshme që një vepër artistike mund të mbajë. Bëhet fjalë në fakt për një raport midis protagonistit dhe dy personazheve të tjerë të romanit (të atit dhe të shoqes), të një pushteti mirëfillazi me bazë subkoshence, ku dominimi i sublimuar përbën edhe kryefjalën e tij. Aftësia e Moravias qëndron edhe në këtë aspekt: ai përkthen me fjalë ndjesitë më primitive, më të errëta të psikës njerëzore të cilat gjatë gjithë ekzistencës së saj i është nënshtruar konvencioneve të imponuara ndër shekuj.

Umberto Eco, “Gjashtë shëtitje në pyjet e tregimtarisë” 2007 është një tjetër përkthim juaji. Në fakt leximi i këtij libri është si të endesh në pyje. Eco flet për lexuesin e mirë, si mund të bëhesh një lexues i mirë? Eko është krijuesi i estetikës së re të të menduar të shekullit të XX. Çfarë ka mbetur nga estetika e tij sot?

Kjo vepër e Umberto Eco-s, e mbajtur nga autori në formë leksionesh (gjashtë) në vitet ’90 në Universitetin e Harvardit, të cilën e kam përkthyer në vitin 2007, ka revolucionarizuar teorinë e letërsisë, kritikën letrare por mbi të gjitha ka sjellë risinë në këndvështrimin krejtësisht inovator të pozicionit të lexuesit me veprën. Këto leksione janë një gur miliar i teorisë së “thatë” semiotike, e shndërruar në një zbavitje autentike intelektuale, përmes “shëtitjesh” në vepra të ndryshme letrare tregimtare të kohërave e autorëve të ndryshëm. Të flasësh për mendimin estetik të Eco-s nuk mjaftojnë libra të tërë, por do të parapëlqeja të jepja vetëm atë që mbase është edhe postulati (në gjykimin tim, të paktën) i veprës në fjalë: lexuesi i mirë, apo lexuesi Model siç e klasifikon Eco, është ai që bën paktin e marrëveshjes me veprën artistike (fiction) që në faqen e parë të saj, është ai që nuk ndikohet nga përvojat e tij empirike për të interpretuar veprën letrare, është ai që kultivohet nga lexime Letërsie cilësore, është ai që autori ka patur në mend teksa e shkruante veprën.

 

Antonio Pennacchi çfarë e bën këtë autor bashkëkohor, dhe pse rreket në histori? A  mund të jetë Pennacchi një lloj shembulli i intelektualit/shkrimtarit të impenjuar edhe këtu në terrenin shqiptar?

Antonio Pennacchi është realisht një autor bashkëkohor. Në të njëjtën kohë ai përbën me plot gojën një “fenomen letrar”. Pas një jete të kaluar si punëtor fabrike, si aktivist protagonist në beteja politike dhe sindikaliste, kur ishte rreth të 50-tave, frekuenton Fakultetin e Letërsisë dhe fillon aktivitetin e tij letrar. I refuzuar në vijëmësi nga shtëpitë botuese, ai ngulmon në mënyrë ekzemplare deri sa tërheq vëmendjen e tyre. Vepra në fjalë, është edhe konferma e kësaj që sapo thamë. Në dy vëllime ai përmbledh një histori reale gjashtëdhjetë vjeçare të Italisë së shekullit të kaluar (nga hipja në pushtet e fashizmit deri në boom-in ekonomik të Italisë), duke kaluar në sitë të imët të gjitha ngjarjet më të rëndësishme që e karakterizuan atë, por duke e “letrarizuar’ me një ngjarje reale të realizuar nga Musolini, siç ishte tharja e kënetave të Agro Pontinos nga fshatarët e zonës së Venetos të shpëngulur në Lazio. Një sagë familjare, që rrëfehet nga një Zë tregues i cili identifikohet edhe me atë të Autorit, e vendosur në një kornizë historike. Një epope postmoderne, një sagë e jashtëzakonshme, një roman historik, një vepër autentikisht korale, me përmasa gjigande letrare. Mund të thuhet se Pennacchi ka kryer një mision ndaj Italisë: ai, duke marrë përsipër edhe rrezikun e kritikave të forta (siç edhe ka ndodhur), duke e vendosur veten në lëkurën e historianit/letrarit/misionarit për të paraqitur një periudhë të errët të historisë së Italisë, atë të diktaturës fashiste, duke i njohur asaj dëmet kolosale që shkaktoi, po aq sa edhe ato të mira që prodhoi.

Më pyesni nëse mund të jetë Pennacchi një lloj shembulli i intelektualit/shkrimtarit të impenjuar edhe këtu në terrenin shqiptar? Besoj se, po. Por, nëse Italisë iu deshën shumë dekada për të hedhur sytë me vërtetësi nga e kaluara e vet e errtë nëpërmjet këtij romani, Shqipërisë nuk i kanë munguar këto përpjekje gjatë këtyre 27 viteve postkomuniste. Intelektualët e impenjuar, ato që i paraprijnë mendimit dhe veprimit, nuk prodhohen kurrë me lehtësi. Duhet shumë “dekantim”, shumë ndërgjegjësim, por mbi të gjitha, shumë liri mendimi dhe shprehjeje. Në gjykimin tim, kjo tipologji ka përfaqësuesit e saj në Shqipëri (në terrenin letrar, flasim), por mbase, akoma jo zëra të fuqishëm.

Një nga debatet që vazhdon më shumë prej më shumë se dy dekadash është mënyra sesi duhet ta lexojmë të shkuarën, qoftë edhe atë letrare. Ju si do ta komentonit debatet mbi letërsinë e soc-realizmit?

Të lexosh apo të rilexosh të kaluarën, është detyrim për secilin individ të ndërgjegjshëm. Për intelektualët është një condicio sine qua non. Dua të shmang qëndrime subjektive ndaj një letërsie që zotëroi skenën letrare shqiptare për 50 vjet, por duke u përpjekur ta shoh në parim çështjen, është një debat që, sipas meje, ka nevojë të strukturohet në parime të forta të kritikës shkencore letrare, dhe jo sipas “humoreve” individuale të cilat sjellin më shumë kaos se qartësi. Optika tejet politike që mbizotëron në gjykimin e fenomeneve sa shoqërore po aq edhe kulturore apo letrare në shoqërinë tonë, është dëmtues për një vlerësim objektiv e të thelluar të kësaj letërsie, e cila, volens nolens, ka qenë protagoniste për një gjysëm shekulli. As nihilizmi, e as idolatria, nuk kanë qenë e nuk do të jenë instrumentet e duhura në lëminë studimore.

 A ka një histori të gruas në letërsi? A mund të flasim sot për një histori krenare të femrave në fusha të ndryshme të jetës?

 A ka një histori të gruas në letërsinë tonë? Sigurisht që, po. E madje, fort të lavdërueshme. Indikatori më i fuqishëm i këtij roli, është ai që sjell ndryshime në emancipimin e një shoqërie. Dhe emra të tillë e kanë populluar skenën letrare shqiptare e cila vazhdon të pasurohet gjithnjë e më shumë. Ndërsa skenat e tjera, si arsimi, ai “gëlon” nga prani femërore, por edhe ajo e biznesit ka njohur arritje të lavdërueshme, në një kohë që ajo politike ka mjaft për të thënë në këtë drejtim. Në këtë rast, mendoj se ndërhyn ndërgjegjësimi i vetë femrës për të qenë apo jo protagoniste e një skene të tillë. Jam e mendimit se perspektiva e afërt, por edhe e ardhshme, premton për mirë.

Please follow and like us: