Albspirit

Media/News/Publishing

Edison Ypi: Droga jam unë

Ke vajtur në sheshin e fshatit ose dikund tjetër ku kalojnë njerëz dhe syri ka çfarë të shohi. Ke mbështetur shpinën pas murit. Njërën këmbë e ke në tokë. Tjetrën këmbë e ke përthyer te gjuri dhe e ke mbështetur nga pas mbi mur. Fut dorën e majtë në xhep. Përkëdhel me gishta mua dhe shoqet e mia. Mbush grushtin me disa dhjetra prej nesh, njëra prej të cilave jam unë. Nxjerr nga xhepi grushtin e mbushur. E ngre në gjysëm lartësie. Hap grushtin. Me dorën e djathtë merr nga grushti i majtë, atë që të zënë gishtat, mua. Më çon te goja. Më vendos me kujdes mes dy dhëmbëve të përparëm. Me një manovër që tashmë e ke mësuar nga përvojat e mëparshme me qindra a mijëra të tjera si unë, me një lëvizje të shkathët ku marrin pjesë dhëmbët, nofulla, buzët, gjuha, ma thyen lëvozhgën në dy pjesë. Më dhemb ky kafshim. Por duke ma xhveshur lëvozhgën, ndjehem më e lehtë, më e lirë. Lëvozhgën e pështyn. Bërthamën, e mban. Qef për të dy. Qefi im është loja brenda gojës tënde duke më vërtitur mua mes gjuhës dhe qellzës në prezencën e pështymës. Qefi yt është kënaqësia që të jep kafshimi, lëpirja, përtypja, kripa, gëlltitja. E shijon me epsh fatin që të ke futur në gojë. Ndjehesh i lirë. Bie në mendime. Gremisesh nëpër fantazira. Zhytesh nëpër plane. Për të tashmen, të ardhmen, fatin. Ky lloj qefi nuk kushton shumë. Një gotë qelqi me brenda nja 1 mijë si unë, peshon 100 gram dhe ty të kushton 500 lekë të vjetra. Këtë gotë, filxhan, apo kaush, ti e blen mbi trotuare ose qoshe rrugësh. Njerëzit kujtojnë se për të dehur me kënaqësi si këto shqiptarët si ty me shpinë pas murit, mjaftojnë disa thasë. Gabohen. Shqipëria prodhon rreth 200 tonelata si unë në vit. Asnjë gram për qëllime të tjera. Të gjitha për tu përtypur nga mendimtarë si ty me shpinë pas murit dhe sytë drejt infinitit. Shqiptarët e ngeshëm, të papunë, hallexhinj, hileqarë, dinakë, intrigantë, të paaftë, parazitë, ëndërrtarë, ditën, natën, në behar, në dimër, të gjithë më përtypin e përtypin pafund mua. Sipas një përllogaritjeje të thjeshtë, ato 200 tonelatat në vit, janë hiç më pak se 2 miliardë si unë dhe shoqet e mia. Nga gjysëm leku që kushton secila prej nesh, bëjnë nja 4 miliardë. Pra rreth 6 milionë Dollarë në vit shpenzojnë shqiptarët për përtypje, kërcitje, lëpirje, pllaquritje. Përtypësit e kudondodhur ndoshta nuk e dinë se industria farmaceutike mua dhe shoqet e mia na përdor për gjithfar produktesh të vlefshme; Ushqim për bebet. Kremra zbutës të lëkurës, buzëve, duarve. Bërjen e shampove. Lubrifikante për motorrat. Ilaçe kundër dëmtimit të qelizave të trurit. Parandalues të tumoreve. Paksues të dhimbjeve të çfardollojshme. Qetsues të nervave. Antidepresivë. Shërues të infeksioneve. Kundra Azmës. Kundra sëmundjeve të zemrës. Forcues të kockave, dhëmbëve, muskujve. Dhe të tjera e të tjera. Kohëvrasësit nuk merren me ilaçe dhe dokrra. Intuita e vanitetit kolektiv nuk i gënjen. Ata dinë ç’bëjnë. Kufizohen me atë që u intereson; kafshimin, lëpirjen, lojën e kokrrës brenda gojës, antistresin, efektin qetësues që u shkakton përtypja dhe ngrënia ime. Ata nuk e kuptojnë, dhe as duan ta kuptojnë, çfarë bëjnë me kohën e tyre të tashme dhe të ardhme, nëse e përdorin, e lënë të rrjedhi, e ndalin, e plagosin apo e vrasin. Sa është koha që pushkatojnë përtypësit tanë kohëbjerrës ? Nga 3 milionë banorë që ka Shqipëria, duke zbritur të painteresuarit për përtypje dhe mbllaçitje, për të qënë brenda, jo më pak se 300 mijë përtypësa. 2 miliardë si unë dhe shoqet e mia, ndarë për 300 mijë përtypësa, bëjnë 7 mijë. Pra secili mendimtar i përhumbur shqiptar, përmes lojës me xhep, dorë, dhëmbë, pshtymë, ledhatim, kafshim, përtypje, gëlltitje, stomak, masakron 7 mijë si unë në vit. Nga gota te stomaku, me në mes procedurën e sipërpërmendur, cikli përtypës për çdonjërën si unë zgjat 2 minuta. 2 minuta të përsëritura 2 miliardë herë, bëjnë 4 miliardë minuta. Sikur këto 4 miliardë minuta të ishin ditë pune 480 minutëshe, Shqipëria dhe 300 mijë brejtësit e saj vrasin çdo vit një kohë ekuivalente me mbi 8 milionë e ca ditë pune. Hesapet e kostos materiale kombëtare të kësaj kataklizme kohore, ti bëjnë ekonomistët e banaqeve televizive. Unë që në oqeanin e budallallepsjes shqiptareske sjam më tepër se një pikë uji në oqean, bereqaves me kaq. E vogël, ama i bëj nofullat të lëvizin, dhëmbët të përtypin, kokën të bluaj. Nuk ka protagonist më të rëndësishëm se unë picirrukja e xhepit të kohëbjerrësit. Para meje, ata të gazetave dhe televizorave janë hiçasgjë. Unë jam Drita. Unë jam ngjyra. Unë jam Bukuria. Unë jam Jeta. Un jam dehja. Unë jam Droga. Nuk janë Droga hashashi dhe kokaina. Droga jam unë fara e lulediellit. Droga jam unë Dielli i vogël i zi në xhepin tënd, gojën tënde, trurin tënd. Mos më bëj bashkëpuntore në vrasjen e kohës dhe dreqnira të tjera. Më lëpi, kafsho, gëlltit, dhit. Por me mua farën e lulediellit që jam Droga jote bëj atë që e meriton dhe të përket; Dehu bukur.
Please follow and like us: