Albspirit

Media/News/Publishing

Muzeu “SOLOMONI”, 500 vjet histori e hebrenjve në Berat

Dokumente dhe foto; nga lista e parë e vitit 1526 tek ajo gjatë Holokaustit në 1944, nga mjeku Zino Matathia te kimistja Taisa Pisha Batkina.

Simon Vrusho 

Në pesë shekujt e fundit hebrenjtë kanë pasur në Berat një lagje të fuqishme, që nga pikëpamja urbanistike ishte vendosur në qendër të qytetit, që nga ana ekonomike kreditonte edhe hyqymetin, që nga ana kulturore nxirrnin talente që konkurronin me krijues të tjerë në këtë qytet, një komunitet që kishte faltoren e vet, sinagogën e vet, që u vendos këtu që fillim të shekullit XVI, në vitin 1526 aq sa mund të thuash se kanë qenë edhe ky komunitet që e ringriti Beratin pas pushtimit e rrënimit osman.

Këtu ata kanë gjurmët e tyre gjithandej: në toponomi, si Varri i Çifutit në Bilçë apo Qafa e Çifutit në Gërricë, gjen motive e reflekse hebraike në kisha dhe ikona, në xhami dhe teqe, në porta apo dyer, në tavane apo kanate si Yllin e Davidit psh. Që në Berat e gjen edhe në fasada godinash të ndërtuara dhe kur, (në gusht 1943(!), i gjen të gdhendura në gur apo në dru, etj. Në Berat gjen dhe martesa të përziera, kur Brena, hebreje, e bija e Selomesë, martohet me Prendin, të birin e Gjokës në vitin 1686.

Besoj se, Muzeu “SOLOMONI” do të krijojë një ide më të qartë, të plotë për lagjen hebreje, duke filluar nga lista e kryefamiljarëve të viti 1526, çfarë përshtypjesh e mbresash iu linin të huajve që vinin si vizitorë apo studiues, do të ketë listën e plotë të mbi 600 hebrenjve të strehuar në Berat në Kohën e Holokaustit, listën e beratasve pritës, strehues e shpëtues, do të shoh foto të hebrenjve në Berat, objekte me motive e simbole pikante hebraike, do të shohë dokumente autentikë që tregon se si fëmijët hebrenj mësonin bashkë me fëmijët beratas, shqiptarë në një shkollë, në një klasë, në një bankë, do të njohë sagën e hebrejes që rrugës humbi emrin e saj, por jo emrin e Moisiut, etj, etj.

Do ketë para syve profilet e dy hebrenjve që kanë punuar gjatë në Berat, të mjekut dhe kirurgut , Zino Matathia që për 14 vjet (1966-1980) shërbeu në Berat si mjek dhe si drejtor i Spitalit të Beratit, si dhe të ing. kimiste, Taisa Pisha Batkina që provoi vetë në lëkurën e saj të gjitha llojet e acideve të diktaturës, burgun, izolimin, diskriminimin, etj.
Muzeu ka një konceptim dinamik në ndërveprimin, komunikimin vizitor-objekt, shikimtar-dokument, ku vizitori vërtetë i jep jetë faktit që sheh, por edhe objekti i shikuar e sheh vizitorin duke i dhënë atij gjallëri, një meditim aktiv.

Pra, muze që të thotë: më jep jetë, të të jap gjallëri! Materialet e servirura mbartin ide, mesazhe, aq sa kur del, atë e mbart me vete edhe si apel.
Përmbajtja, materialet do të jenë afishuar apo vendosur në silueta kolonash.

Besoj se do të jetë një vlerë e shtuar, me rrezatim origjinal në peizazhin muzeor të qytetit të Beratit.

Si i pari muze privat në Berat, Muzeu “SOLOMONI”, është një fillim që besoj se do të ndiqet edhe nga shumë të tjerë, për shkak të pasurive të shumta mendore, kulturore, artistike, shpirtërore që mbart Berati, pra një larmi muzeumesh me specifika të tematikës, të profilit që do ta gjallëronin kaq shumë jetën e qytetit i cili do të ndjente kështu që të rridhte nëpër venat e rrugëve të tij “gjaku” dinamik i turistëve.



 

Please follow and like us: