Albspirit

Media/News/Publishing

Zyhdi Morava: Firmat që pushkatuan poetë

 

 

Sprovë

 

O perëndi, vëre dorën në zjarr dhe jepi secilit vendin e vet! Se ti, o Zot, s’na mëson që të vrasë vëllai vëllanë!

Mjaft poetë shqiptarë i shtynë drejt varrit të zi duar poetësh të tjerë. Poshtërimi moral nuk njohu kufi.

Fat tragjik dhe varfëri të thellë pati brilanti i poezisë shqipe, Lasgush Poradeci. Vdiq në mjerim edhe pse me artin e tij e vendosi veten në majat e poezisë sonë. Ata që ishin në pushtet dhe lakejtë e tyre të bindur ia nxinë jetën poetit që me këngët e tij ndriçon shpirtra njerëzish. Të njëjtin fat pati miku e bashkëqytetari i tij, stilisti i madh dhe tregimtari i mrekullueshëm Mitrush Kuteli. Martin Camaj vdiq në mërgim i ndaluar. Po në mërgim, në moshë ende të re dhe mjaft misterioze vdiq tregimtari dhe poeti Bilal Xhaferri.

Pushkatohet poeti Trifon Xhagjika që veç artit të tij na la pas britmën që shpreh revoltë e përbuzje: “Nuk vriten poetët, o të marrë”!

Dhjetra poetë të tjerë u burgosën, u internuan, u përjashtuan nga Lidhja famëkeqe e Shkrimtarëve dhe Artistëve sepse guxonin të kishin zërin e vet. Por, kush mban përgjegjësi për krimin ndaj tyre? Po përsëri si rëndom mund të thuhet se për gjithë krimet e bëra në Shqipëri janë fajtorë Enver Hoxha dhe Ramiz Alia? Jo! Ku janë sot ata që me thikën e fshehur pas shpinës së shtetit vranë njerëz…qoftë edhe me një firmë?

Si krerët e shtetit diktatorial, Hoxha dhe Alia kanë peshën më të madhe të krimit. Po nuk mund të përjashtohen nga pjesa e tyre e krimit ata që përgatisnin lakun për të kapur kokat e vëllezërve të tyre, ata që mbushnin dosjet me spiunllëqe dhe ekspertiza letrare.

Ç’ishin këta eksperët? Ç’lidhje kishin me Sigurimin e Shtetit dhe ç’borxhe i kishin që që I shërbenin me aq zell? Ku e gjenin forcën për të ngritur dorën kundër poetëve? Kishin frikë? E kishin bindje realizmin socialist dhe PPSH-në? Sidoqoftë në ndërgjegjen e tyre (nëse kanë) rëndon krimi i vrasjes së njeriut e aq më tepër i poetit.

Kush e detyroi të arratisej Bilal Xhaferrin? Qarqet letrare të asaj kohe e dinë mirë se shkaku ishte diskutimi i tij në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve…Shumë vetë e kujtojnë thirrjen e Fadil Paçramit që duke ndërprerë Bilalin iu drejtua sallës: “Ky njeri është biri i një armiku pushkatuar nga partia, u munduan t’i jepnim dorën, por ai vazhdoi në rrugën e tij armiqësore”. Nuk e kanë harruar edhe lëvizjen e dorës dhe fjalët e Dh. S. Shuteriqit për Bilalin: “Jashtë, jashtë nga kjo sallë”!

Këto mendime më trazuan, ndërsa lexoja një tufë dokumenta e poezi që m’i solli një shoku im i burgut, me lutjen për të bërë një shkrim. Dy poetë nga Librazhdi, djem të rinj, Vilson Blloshmi dhe Genc Leka ishin pushkatuar vetëm për dy poezi e për ca shënime në bllok. Poezitë “Saharaja” e shkruar nga Vilsoni dhe “Oxhaku” nga Genci ishin midis më të mirave që ata kishin shkruar. Bashkë me poezitë shoku im i burgut më kishte sjellë edhe edhe akt-ekspertimet letrare të shkruar për to nga njerëz të letrave. Një çast hezitova, ashtu si çdo njeri që tronditet para një të vërtetete tronditëse. Por pastaj shkrova…për të thën një të vërtetë…

Cili ishte Vilson Blloshmi?

Lindi dhe u rrit në një familje të dëgjuar, patriote dhe nacionaliste e Blloshmëve të Bërzeshtës. Dëshira për të mësuar e nxiti të bëjë saktificë e të vazhdonte shkollën e mesme Pedagogjike të Elbasanit ku jo vetëm u dallua në mësime por edhe në prirjen e tij për të mësuar gjuhë të huaja. Mësoi italishten, frëngjishten, anglishten e gjermanishten, nëpërmjet të cilave jo vetëm që lexonte litaraturë në ato gjuhë, por edhe përkthente autorë të mëdhenj. Arrestohet për Agjitacion e Propagandë kundër Partisë e shtetit.

Hetuesi i Degës së Brendshme në Librazhd, Ligor Kondili, pasi lexon materialet në ngarkim të të pandehurit Vilson Blloshmi, konstaton se në banesën e të pandehurit mes materialeve të tjera gjen edhe poezi të shkrura prej tij. Për këtë hetuesi vendos:

“Të bëjë ekspertizën e tyre duke thirrur si ekspert Myzafer Xhaxhiun, pedagogu i letërsisë së huaj pranë Universitetit të Tiranës, të cilit do i shtrojë këto pyetje:

  1. Të nxirret përmbajtja armiqësore që i dërgohen për t’u ekspertuar.
  2. Nga cilët autorë janë kopjuar këto poezi e nëse janë në qarkullim veprat e tyre?

Dhe pedagogu Myzafar Xhaxhiu përgjigjet.

 

Akt-Ekspertimi Letrar

Sot, më datën 29 tetor 1976, në Tiranë, unë, Myzafer Xh, pedagog i letërsisë pranë Universitetit të Tiranës, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të D.P.B Librazhd, Ligor Kondili, me vendimin e tij, datë 28.9.1976, bëra ekspertimin letrar të disa materialeve që i përkasin të quajturit Vilson Blloshmi. Nga eksperimentimi i bërë këtyre materialeve rezulton se:

Në këto blloqe ka shënime të ndryshme në formë proverbash, fjalë dhe shprehje të ndryshme të mbledhura andej e këndej të përkthyera në gjuhë të huaja. Këto, si dhe vjershat e ndryshme, fragmentet e shkëputura nga libra të ndryshëm, flasin qartë për një tendencë nihiliste, pesimiste, flasin për mërzitjen, për vdekjen, mohojnë jetën, kuptimin e punës së dobishme. Ja çfarë thuhet në një vend: “Nuk ka asgjë me të vërtetë të bukur, përveç asaj që nuk shërben për asgjë. Gjithçka që është e dobishme është e shëmtuar”. Ose: “Njeriu është lindur skllav, ai është skllav i domosdoshmërisë absolute”.

Vjershat në frëngjisht janë të poetëve dekadentë, pesimistë, regresivë si, Shatobriani, Lamartini, Rembo, Bodler, Syli Predon etj.

Nga këta autorë, në shqip nuk është përkthyer asgjë, sepse vepra e tyre ka përmbajtje negative reaksionare. Në këto vjersha i këndohet mërzitjes, trishtimit, vdekjes, pabesisë, thuhet se jeta nuk ka asnjë kuptim, u këndohet ideve patriarkale, çdo gjëje të vjetruar, të destinuar të perëndojë etj.

Edhe kur është marrë ndonjë citat nga shkrimtarë përparimtarë si Shekspiri, Hygo, Bajron, Gorki etj., është marrë ajo që është më negative. Kështu p.sh. përmendet një citat nga Gorki: “Nuk ka njeri që të jetë egoist më i madh se i sëmuri”. Përsa i takon vjershave si “Saharaja” mund të merret në kuptimin direkt, por edhe si aluzion.

Myzafer Xhaxhiu, Tiranë, 29 tetor 1976.

 

Intermexo

Ju kam nderuar, profesor Xhaxhiu, deri çastin kur mësove se veç titujve të tjerë. Paski patur edhe titullin e shëmtuar “Ekspert letrar i Minsitrisë së Punëve të Bremdshme të Enver Hoxhës”. Tani së fundi ju keni botuar edhe një antologji me poezi botërore. Ndërsa tani që u njoha me profesionin juaj të fshehtë, një profesion që groposte poetë, ndihem i zhgënjyer deri në dhimbje. Ju e të tjerët si ju kishin në dorë interpretimin e një vepre letrare. Dhe e dinit fort mirë, profesor Xhaxhiu, se prej interpretimit që ju do i bënit materialit të Vilson Blloshmit, këtij poeti të ri e të talentuar, varej pjesërisht jeta e tij. Pse keni gënjyer në mënyrë kaq të ulët duke i sharë si reaksionarë poetët e lartpërmendur, profesor, kur ju vetë i keni dashur e përkthyer ata? Sa jeni paguar për këtë punë të ndyrë? Për një jetë poeti të ri, sa profesor?

Në antologjinë me përkthime botuar së fundi prej jush, të titulluar, si për ironinë tuaj, “Vesë lotësh”, ju profesor Xhaxhiu, keni përfshirë edhe të ashtuquajtur dekadentë e reaksionarë, e madje në parathënie citoini poetin August Kerner:

Dhembje e thellë është poezia

Ajo është e përsosur

Kur buron nga dhembja.

 

Citoni Hahnin:

Gëzimi e dhimbja shkojnë bashkë

Shokë të pandrë gjithmonë.

Clit t’i besojmë profesor? Xhaxhiut të ekspertizës apo Xhaxhiut të 20 vjetëve më pas? Dhe habitem kur pasi keni bërë atë gjëmë, në parathënien e këtij libri gjeni kurajon të shkruani: “Jetojmë në një botë kur virtytet e vlerat njerëzore janë përdhosur nga cinizmi dhe egoizmi i shfrenuar, nga krimi e korrupsioni, nga prostitucioni shpirtëror që shkëmben ndjenjat me mallra”.

Kë akuzoni, profesor Xhaxhiu? Dhe a keni të drejtë të akuzoni të tjerët për llumra që mjerisht I keni brenda vetes?

 

******

E ndërsa dy poetët e arrestuar rënkonin, në qelitë mesjetare të Minsitrisë së Punëve të Brendshme, kriminelët kërkonin gjak. Hetuesi i Degës së Brendshme të Librazhdit, Lulo Ymeri, pasi ka konstatuar se i pandehuri Vilson Blloshmi ka shkruar një vjershë “Saharaja” për të përcaktuar përmbajtjne e veprës vendos:

“Të bëjë ekspertizën për këtë çështje duke thirrur si ekspert Koçi Petritin, mësues I letërsisë në shkollën e mesme të Librazhdit, i cili do i japë përgjigje pyetjes: Cila është përmbajtja e vjersësh Saharaja”?

Dhe për këtë poezi, Koçi Petriti shkruan:

 

Akt-Ekspertimi Letrar

Është vjershë hermetike d.m.th e errët nga përmbajtja dhe figuracioni. Është vjershë simbolike dhe vende-vende kalon në alegori (domethënë flet për një gjë dhe kërkon të aludojë për diçka tjetër). Në këtë alegori fshihet një mendim tjetër.

Vjersha hermetike është rezultat i ndikimeve të rrymave letrare dekadente si simbolizmi. Manifestime të figuracionit të errët i kritikoi Plenumi i IV i KQ. Shoku Enver Hoxha në këtë Plenum, midis të tjerave tha: “Në poezi është shfaqur prirja e përdorimit të një figuracioni të errët, në kundërshtim me traditën e poezisë aq të qartë shqipe. Disa të paktë poetë të rinj filluan të adaptonin në poezitë e tyre hermetizmin. Kjo është farë e huaj për letërsinë tonë”. (Raport në Pl. IV, fq 20)

Cili është kuptimi i kësaj vjershe hermetike dhe simbolike? Për të kuptuar këtë duhet qartësuar se çfarë kuptimi ka simboli “Sahara” dhe simboli “natë”.

Vjersha në fjalë nuk është një peizazh i thjeshtë, d.m.th, përshkrim mbi shkretëtirën e Saharasë Afrikane. Po të qe kështu ajo do të kishte detaje të një shkretëtire, ndërsa këtu përmendet vetëm emri dhe rëra.

Së dyti, kuptimin direkt të kësaj shkretëtire me një hapësirë shumë të madhe e ngushton vargu “Saharaja është një copë tokë”.

Së treti dhe më e rëndësishmja është se nuk ka kuptim që njeriu të shkruajë një vjershë për një vend që nuk e njeh, që është jashtë sferës së vëzhgimit të tij. Ky interesim gjeografik, në qoftë se do të supozohej se do të ishte kështu, apo do të pretendohej, është gjithashtu absurd, është pa lidhje.

Së katërti, po të ishte ky thjesht një peizazh, atëherë në vjershë nuk do të gjente vend mendimi se kjo shkretëtirë ngrihet si një mallkim, i krijuar prej njerëzimit. Në vjershë del mendimi se ky njerëzim e thërret kujtimin e shkretëtirës kur urren e mallkon. Kjo ka lidhje me atë mallkim që një njeri ia drejton një tjetri, apo një vendi, apo botës duke u shprehur: U shkretofsh! U bëfsh si shkretëtira!

Pra, vjersha po të ishte peizazh do të dilte si pjellë e natyrës dhe jo si pjellë e njerëzimit e shoqërisë njerëzore. Simbolikën e vjershës e kuptojmë deri në një farë shkalle, po të kemi parasysh pozitën e vetë autorit të saj. Çfarë qëndrimi mban ai ndaj realitetit tonë socialist? Me çfarë syri e sheh ai jetën tonë? Pakënaqësia ndaj këtij realiteti e bën atë të shpreh mendime dhe ndjenja regresive, nihiliste.

Simboli “Sahara” është në adresë të një vendi të caktuar, përveç shkretëtirës së vërtetë të Saharasë. Atëherë cili mbetet të jetë ky vend, që në vjershë del pa miq e shokë, pa bij e bija? Simboli “Sahara” është sqaruar deri në një far mase me vargun “Saharaja është një copë tokë”, si dhe me detajet “Shkëmb e gurë” dhe nata këtu gjen veç gurë për shtrojë”.

Po kështu edhe në vargun “Saharaja e mban vesh e qesh etj.” kur ai “për keq e mban në gojë” Këtu, “ai”, mbase është fjala për njerëzimin, apo për ata “miqtë e shokët” që Saharaja nuk i ka. Aludimi më i afërt, pra është për një vend të vogël, një copë tokë që është në konflikt edhe me “miqtë e shokët” që nuk i ka dhe me “natën”, me të cilën nuk shkon mirë.

Nga fryma e përgjithshme e vjershës, për autorin “kjo copë tokë” pa miq e shokë, është shkretëtirë, e rrethuar nga armiqësia dhe mallkimi, e si një plagë mbi shpinë të rruzullit, ajo i shërben njerëzimit si mallkim që del në momente urrejtjeje. Kjo copë tokë nuk shkon mirë as me natën. Po cila është kjo natë? Çfarë simbolizon ajo? Që nata këtu është një simbol, kjo duket nga detajet: “nata nuk shkon mirë me shkretëtirën”, natës nuk i pëlqen të ketë veç “gur për shtroje”, “perçja e saj e zezë nuk ka ç’të mbulojë”, sepse në shkretëtirë që “është një copë tokë”, “fjalë e dashuri e njerëz nuk ka”, “nuk ka as lot të qajë” “as këngë të këndojë”, “nuk di të ëndërrojë kjo copë tokë” etj. Kështu pra, kësaj cope toke i mbetka vetëm mallkimi, që e thërret nga skuta kujtimi i dehur.

Ideja e vetmisë, e shkretëtirës, përsëritet gjatë gjithë vjershës dhe mbyll edhe fundin e saj “Shkretëtirë e shkretë mbetet shkretë”. Po le të kthehemi te simboli “natë” që është në konflikt me simbolin “shkretëtirë”. Shkretëtira, siç thotë vjersha, ka dy lloj forcash me të cilat nuk shkon mirë: me shokët dhe miqtë që nuk ka dhe me natën. Këtu nata qenka jashtë sferës së shokëve dhe të miqve që “shkretëtira” nuk i ka. Domethënë “nata është një forcë brenda sferës së “Saharasë” dhe, konkretisht, mbi të si perçe e zezë, po që nuk ka se ç’të mbulojë. Simboli “natë” është mjaft i pakuptueshëm. Po të jetë “nata” një forcë që e simpatizon autori, ajo duhej të ishte në rrethin e “miqve dhe shokëve” që nuk i ka kjo “copë tokë”. Atëherë mbetet të jetë një simbol i një force që nuk e do as autori, që për atë është natë. Çfarë mund t’i duket natë në realitetin tonë autorit? Në qoftë se simbolet i qëndrojnë këtij interpretimi, në vjershë aludohet (bëhet fjalë në mënyrë alegorike, të tërthortë) për këtë “copë tokë” të shkretuar, të braktisur, të vetmuar, ku sipas autorit jeta qenka shkretëtirë. Aty nuk ndërtohet asgjë. Bile kjo “copë tokë”, ndieka kënaqësinë (fillon të gëzojë) kur e përdorkan si mallkim. Vjersha ka frymë pesimiste, nihiliste, mohon gjithçka që lidhet me aktivitetin e njerëzve, simbolika e bën atë me një alegori, e cila e bën me një përmbajtje reaksionare. Vjersha ka edhe mjaft vargje pa kuptim, të errët e kontradiktorë, që në fakt shprehin çoroditje, pakënaqësi nga realiteti ynë dhe frikë për të mos e thënë direkt mendimin. Nuk e besoj që vjersha të ketë interpretim jashtë simbolit dhe alegorisë që përdor. Por simbolin ajo e ka vende-vende të pakuptueshëm dhe manovrues.

Eksperti letrar Koçi Petriti, Librazhd, 20.I.1977.

 

Intermexo

Pse kështu Koçi Petrit? Në vend të gjithë këtij vreri që ke vjellë ndaj atij djali që s’të kishte asnjë faj, a s’mund ta thoje një fjalë të mirë? Të paktën një zë. Por ti ke nxirë faqe të tëra kundër tij. Të kam dëgjuar kur me ndonjë gotë verë a raki përpara ke folur për letërsinë, për të mirat e demokracisë, për planet krijuese. Por tani…tani më dhemb në shpirt për poetin e pushkatur.

Katandisur keq e më keq, Koçi Petriti! Si mundet që një poet t’i shërbejë krimit dhe errësirës? Dhe pas pushkatimit të poetëve të rinj, të pranojë si shpërblim për krimin ardhjen në Tiranë, e si për ironi me detyrën përgjegjës për letrarët e rinj në Lidhjen e Shkrimtarëve e Artistëve. A të ka ardhur ndonjëherë turp? A nuk të është neveritur ndonjëherë vetja tek sodit në bibliotekën e shtëpisë librat e tua me poezi të botuara në kohën e diktaturës si “Firma e popullit tim” e ndonjë tjetër? Mjerim!

 

Kush ishte Genc Leka?

Që në shkollën e mesme pedagogjike të Elbasanit u shqua për mirësi, zgjuarsi, për dije e talent poetik. Më pas punon mësues, por gjithmonë merrej me studime e poezi. Intelektual i plotësuar, por me “biografi të keqe”. Kjo bëhet shkas që në vitin 1968 të pushohet nga arsimi dhe të shkojë punëtor krahu në ndërmarrjen pyjore. Më tepër se lodhje puna e rëndë i bëhet një torturë, një fyerje e madhe.

Gajtë kontrollit që iu bë nën shtëpi edhe Gencit iu gjetën disa poezi, të cilat iu dhanë për ekspertizë Diana Çulit. I referohemi këtu vetëm ekspertimit të saj për poezinë “Oxhaku”, pasi të tjerat nuk i kemi në duar. Ja çfarë shkruan Diana Çuli:

 

 

Akt-Ekspertimi Letrar

 

Genc LEKA: Oxhaku

 

Bora mbulon tokën e gjërë,

Dhe natyra duket në gjumë;

Ky oxhak e dogj një pyll të tërë,

Ky oxhak ka parë ngjarje shumë!…

 

Dhe kur shpesh fryn era dimërore,

I kujtohen këngë partizane.

Miq… biseda… gjurma… flokëbore,

Gjithçka që mbeti kësaj ane!

 

Ndaj oxhaku tymin nxjerr përpjetë,

Si një plak që qetë pi duhan…

Në mendime bije nëpër netë;

Dhe në shpirt diçka të shtrenjtë mban…

 

E, sa gjurma mbetën kësaj ane

(E, sa miq ka pritur ky oxhak…)

Këtu rrodhën këngë partizane

Diku rrodhën disa pika gjak!…

 

Bora prap mbulon tokën e gjërë,

Prap natyra duket si në gjumë;

Ky oxhak që dogj një pyll të tërë,

Është i thjeshtë, por ka parë shumë!…

4.12.1965

 

Sot më datën 19.11.1976 në Tiranë, unë Diana Çuli, redaktore për poezinë në organin letrar “Drita”, organi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë, sipas kërkesës së bërë nga ana e hetuesit të Degës së Punëve të Brendshme Librazhd, Selim Caka, me vendimin e datës 28.9.1976 për akt-ekspertimin letrar të disa materialeve letrare që i përkasin të quajturit Genc Leka.

Nga ekspertimi i bërë këtyre materialeve rezulton se:

Vjersha “Poezi pa titull” është një vjershë pesimiste, ku autori shpreh dëshpërimin që i ka kaluar jeta e fëmijërisë, e cila ka qenë e bukur për të, ndërsa tani nuk është më dhe, në jetën e tanishme, i kanë mbetur vetëm gërmadha dhe gurë. Dy vargjet e fundit “që flenë mes gurësh përgjithnjë në ëndrrat e mia” e shprehin qartë idenë se jeta e tij e tanishme nuk është aspak e bukur dhe se ëndërrat që kishte nuk iu plotësuan.

“Këngë për miqtë e parë”. Kjo vjershë paraqet interes. Në katër strofat e para, autori flet për ca “miq”, të cilët nuk i përcakton se kush janë. Këta miq vijnë në fshat dhe kur largohen, nëpër monopate mbeten gjurmët e tyre, pra mbetet kujtimi për ta. Kënga e këtyre miqve “tretet nëpër erë”, pra zhdukej nuk e dëgjonte më njeri, kurse ata ecnin “natën nëpër rrugë”. Autori kujton me nostalgji kohën kur ata vinin dhe i sillnin atij “veç gëzim”. Duket se këta miq autori i ka parë kur ishte fare i ri në moshë (vargu “unë i vogël isha atëherë”) dhe nuk i ka parë më, vargu “vitet shkuan, ne më s’jemi parë”, këta miq të parë, siç i quan ai, e kanë frymëzuar, i kanë dhënë një flamur, vargu “Ju o miq më dhatë një flamur” pra një ideal, idera. Në strofën e katërt del se këta miq mbanin “Krahut maliher” dhe se “kishin parë shumë nga jeta dhe ishin trima me fletë”.

Në strofat e tjera, që vinë më pas, dhe që i përkasin të njëjtës vjershë, por me një ndarje, sikur të jenë shkruar më vonë, karakteri i vjershës papritur ndryshon. Autori thotë se, këndon për ta me mall dhe se ata u bënë fli për lirinë, megjithatë janë përsëri gjallë. I quan çlirimtarë, u thotë “veç ta shihnit Shqipërinë si është bërë sot”, po përsëri i quan miq të parë. Në strofën e tetë duket se bën fjalë për partizanët, me që flet se gjaku i tyre ishte fjala e Partisë, për ata që kanë luftuar për liri, për gjakun e tyre (fjala dëshmor, hero, partizan nuk përmenden) për fjalën e Partisë, për Shqipërinë sot. Por këto strofa bien në kontradiktë me strofën e parë, ku flitet për ca miq që ecin nëpër rrugë dhe u tretet kënga. Nga ana tjetër, nëse autori e ka fjalën për partizanët, pse i quan ata miq dhe aq më tepër “miq të parë”, kur kjo fjalë nuk është përdorur ndonjëherë as në letërsi dhe as në popull, ata janë quajtur gjithnjë dëshmorë (vjersha është shkruar më 1962).

“Oxhaku”, kjo vjershë ngjan disi me vjershën për miqtë e parë. Autori flet për oxhakun, rreth të cilit janë ulur shumë miq, po janë dëgjuar dhe këngë partizane. Oxhaku ruan diçka të shenjtë. Kjo diçka nuk përcaktohet. Gjithashtu, vargu “Dikur rodhën disa pika gjaku” është i errët, sepse nëse autori e ka fjalën për kohën e Luftës Nacionalçlirimtare, në atë kohë nuk kanë rrjedhur vetëm disa pika gjak. Ndërsa vargu “ky oxhak e dogji një pyll të tërë”, nuk merr shpjegim në vjershë. Pse e dogjën pyllin? Kur, si, për ç’arsye.

“Kjo rrugë”. Vjersha nuk është shumë e qartë. Autori flet për një rrugë malore, “me gjurma në zall”, e cila humbet diku nëpër pyje dhe për të ai ndjen një mall të madh. Kjo nuk është rruga e shtëpisë së tij, sepse ai thotë që “fëmijët i lashë”, pra po ikën nga shtëpia, por shpreson se një ditë dhe ata do të nisen drejt “rrugëve të reja”. Rruga diku e çon autorin, por ai nuk e tregon se ku, gjithashtu nuk shpjegon pse ndjen mall për të. Ndoshta ajo i kujton mjaft gjëra të kaluara, të bëra në kohë më parë, ndoshta ajo e shpie drejt një mendimi të caktuar. Rruga mund të përfaqësojë edhe idetë e tij (se cilat janë nuk shpjegohet) ide që dikur i pati humbur dhe i gjeti përsëri.

“Rrethi i hënës”. Kjo vjershë ka tingëllim pesimist. Duket se autori flet sikur i është nxirë jeta. Vargjet “o hënë pse dole kaq e trishtuar” mos vallë për mua, “hënë ti mban zi” tregon qartë për mendime të zymta. Në strofën e dytë duket sikur vjersha është shkruar për një vajzë që e braktis i dashuri, (dy vargjet e fundit të strofës së dytë), por në tërësi vjersha është pesimiste, shpreh trishtim dhe mërzi ndaj jetës.

“Cigani i vogël”, vjersha është me dy kuptime i pari, jeta e vështirë e ciganit, i dyti, shpreh vështirësitë që mund të heqë në jetë njeriu dhe në të vërtetë ai e ka shkruar për këtë qëllim, sepse në vendin tonë s’ka më karvane me ciganë. Ai thotë: “Oh, fli, djalosh sa është natë dhe mos derdh lotë mbi lumë”, pra se është jetë e zezë, më mirë fli e mos qaj, bëj sikur s’sheh, se do vij koha kur do të nisësh rrugën e gjatë e të lodhshme (pra koha për veprim). Cigani nënkupton vetë autorin, do eci vetë nëpër këtë rrugë (përpara është nisur karvani, pra shokët e tij), por nuk do të jetë kaq e lehtë, sepse do të hasë pengesa të shumta (vjeshta do të hedh sipër ciganëve gjethe e fletë).

“Harabelët” vjersha ka një farë alegorie. Me zogjtë që s’mund të jetojnë në dimër, mund të nënkuptohen njerëzit që jetojnë në një atmosferë të rëndë dhe kërkojnë të largohen (si zogj në vende të ngrohta, pra, duan qiell pa re (jetë pa vështirësi). Megjithatë, zogjtë e duan këtë vend (si njeriu atdheun) dhe, edhe pse është keq, ai nuk do të largohet prej vendit të tij (si zogjtë që kthehen përsëri).

Vjershat “Fillim pranvere”, “Milingonës”, “Lumes”, “Viti i ri”, etj., nuk paraqesin ndonjë interes.

Siç shikohet nga vjershat që bëhet fjalë më sipër apo nga vargjet që citohen, autori shkruan me një frymë pesimiste, shpesh dëshpërim, kujton me nostalgji të kaluarën, bën aluzion për një të ardhme dhe shkon me alegori, gjë që tregon se ai ka një tronditje të theksuar ideologjike ose vetë autori nuk është i kënaqur nga realiteti i sotëm dhe quan të rëndë ambientin ku jeton, se për të është mbytës dhe i padurueshëm, prandaj kërkon rrugë për të dalë.

Diana Çuli, Tiranë, më 19.11.1976.

 

Po japim një strofë të poezisë “Pa titull” për të cilën Diana Çuli shkruan: Vjersha “Poezi pa titull” është një vjershë pesimiste, ku autori shpreh dëshpërimin që i ka kaluar jeta e fëmijërisë, e cila ka qenë e bukur për të, ndërsa tani nuk është më dhe, në jetën e tanishme, i kanë mbetur vetëm gërmadha dhe gurë. Dy vargjet e fundit “që flenë mes gurësh përgjithnjë në ëndrrat e mia” e shprehin qartë idenë se jeta e tij e tanishme nuk është aspak e bukur dhe se ëndërrat që kishte nuk iu plotësuan.

Pastaj më ngjan sikur bën zë

E ndrojtur fëminia

Që fle mes gurësh përgjithnjë

Në ëndrrat e mia…

(Genc Leka)

Më thuaj lexues, se ku e ka armiqësoren kjo strofë? Përpjekje për të gjetur gjilpërën në kashtë.

******

Është dhimbje e tronditje e madhe kur mëson se në krimet që janë bërë në vendin tonë gjatë 50 vjetëve kanë përgjakur duar edhe disa “poetë e shkrimtarë”. Neveri kur sheh se pikërisht në emër të artit, njerëz të ashtuquajtur artistë e letrarë u janë vërsulur poetëve për t’i shqyer, future në burgje e pushkatur.

Pas firmave të njerëzve të tillë, njerëz si Aranit Çela, Kryetar i Gjykatës së Lartë dhanë vendimin “në emër të popullit”.

“…Siç del nga të dhënat e gjykimit të çështjes, të gjykuarit Genc Leka e Vilson Blloshmi janë persona me prejardhje klasore e përbërje të keqe politike. Këta rrjedhin nga familje të pasura që bashkëpunuan me Ballin Kombëtar.

Gjykata e lartë duke shprehur në tërësi këtë çështje dhe duke pasur parasysh edhe diskutimin e masës së gjykimit, lë në fuqi vendimin e Gjykatës Librazhd për dënimin me vdekje, me pushkatim të dy të gjykuarve Genc Leka e Vilson Blloshmi”.

Më pas, “komandanti legjendar” Haxhi Lleshi, Kryetar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, në mbledhjen e datës 16. 05. 1977 refuzoi kërkesën për falje të dy nënëave qyqare duke theksuar që ekzekutimi të bëhej me pushkatim.

E mes mendimeve të trazuara që më kishin pushtuar ndjeva zërin e dy martirëve: “Shkruaje të vërtetën! Thuaje me zë të lartë! Poeti është zëri i së vërtetës. Bashkëpunëtorë me kriminelët do të bëhen ata që do të heshtin. Dheu na hëngri jetët, na hëngri këngët. Ato firma e shumë të tjera si ato janë mallkim”.

Dhe pastaj zërat e tjerë të poetëve të martirizuar. “Nuk vriten poetët, o të marrë…” dëgjoja zërin e Trifon Xhagjikës.

 

Tribuna Demokratike, mars 1995

 

Please follow and like us: