Albspirit

Media/News/Publishing

Sadik Bejko: Mbi poezinë e Martin Camajt

 

 

1.

Në një bisedë, në kafe, me mikun tim Z. D., rasti e solli të flasim për poezinë “Drekë malsore” të Martin Camajt. Kur u ndamë, sepse kisha përshtypjen që në vargjet a në detajet që përmendëm, diçka nuk shkonte. Dyshimi nuk po më ndahej. Sa u ktheva në shtëpi, hapa librin e poezive dhe pashë që vërtet kujtesa ime kishte çaluar… Kjo ndodh rëndom… Citimet nga kujtesa gjithmonë nuk japin siguri. Por, mendoj, se thjesht harresa, hutimi a ngatërrimet e rastit nuk ishin shkaqet e vetme të atyre ndryshimeve që u kisha bërë vargjeve të poezisë në fjalë të M. Camajt… Duhet të kishte, sigurisht, dhe diçka më shumë, më të ndërlikuar, mbase diçka më të pashpjegueshme. Duke mos qenë vetëm lajthitje të kujtesës, atëherë janë arsye të një lloji tjetër dhe mbase të një natyre që është e vështirë për t’i sqaruar.

Mundet që shkaku jemi ne si lexues, … mundet… vetë ne i ndryshojmë vargjet e një poezie. Ne, fare pavetëdijshëm, ndërhyjmë në tekstin që e mësuam përmendësh, dhe korrigjojmë a modifikojmë fjalë, vargje, imazhe. Mbase në këtë procedim ende të panjohur nga ne, nga dija jonë, procedim që, hë për hë, po e ngjasojmë me një rrjedhë të nëndheshme a me një ndërfutje të fshehtë, fjala neutrale “pavetëdijshëm” nuk është krejt me vend. Ne ende nuk mund ta dimë se ç’zona të panjohura të vetëdijes sonë përpunojnë në padijeni, në terr, fare jashtë kontrollit tonë, tekstin e poezisë dhe mandej ndërhyjnë edhe në të kujtuarit, në riprodhimin ndryshe të vargjeve prej nesh. Kjo, në veçanti, ndodh me poezitë më të mira, apo, së paku, me ato më të pëlqyerat prej nesh. Mbase ne duam që vargjet e këtyre poezive të jenë ndryshe, jo ashtu si i ka shkruar autori. Në veten tonë, në shijet, në leximet tona ne kemi struktura, lidhje sintaksore, gjedhe poetike, shprehësi imazhesh që u bëjnë rezistencë prurjeve të reja të gjuhës poetike, risive të mjeteve shprehëse. Dhe kështu, padashur, por barbarisht i modifikojmë fjalët e origjinalit… dhunojmë autorin.

Por mbase, duke modifikuar tekstin në kujtesën tonë, ne shkojmë drejt përvetësimit të origjinalit, drejt asaj që përfundimisht vargjet e një poezie mundimshëm “t’i bëjmë tonat”, dhe pse me pak korrigjim nga ç’janë në origjinal. Do të duhen rikthime, lexime e prapë rilexime të tjera të poetit, ndalim i frymëmarrjes dhe i përfytyrimit te vargjet e te imazhet e tij, për t’i marrë ato, për t’i rrëshqepur si mishin dhe gjakun prej origjinalit, për t’i rrokur përfundimisht e saktësisht me çdo shkronjë, gjer me çdo lëvore a mbështjellje të përfytyruar tingullore. Kështu ne do t’i sëritim në kujtesë rreshtat e saktë, me fjalët në numër të përpiktë  rrokjesh, në ritme të matura e të peshuara të një poezie që, pa na detyruar askush, thjesht e duam, e pëlqejmë, e mësojmë përmendësh.

Në bisedën me Z. D. unë jo vetëm që kisha ndryshuar vargje, por… edhe kisha shtuar…kisha shtuar se: zogjtë dhe thneglat pinë gjak kau. Kisha shmangur ujqit. Dhe hënën e kisha zëvendësuar me yjet: yjet pinë gjak në prroje. Ç’na paska ndodhur? Gjakun e kaut të therur për drekën e mortit e pinë insektet, zogjtë, njerëzit deri dhe yjet. Dita shkrihet në natë e bëhen njësh të dyja, rrjedha e kohës shmanget… se asht marrë një gjak. Dy plumba kanë lëshuar përdhe një burrë. Një përfytyrim nga toka në qiell… gati kozmik.

Ndryshimet dhe shtesat që i kisha bërë poezisë në bisedë me mikun tim në kafe, nuk i dëshiroja, ato nuk dihet si kanë ndodhur pa dijeninë dhe pa dashjen time. Se përse dhe se si kisha ndërhyrë kaq shumë në tekstin e një poezie, kjo është gjëja që nuk e kuptoj dhe që mbase kurrë nuk do ta mësoj. Është diçka që nuk do ta di si ka ndodhur ky rreng në kujtesën time. Mos vallë më ka ngjarë ngaqë këtë poezi e pëlqej shumë? Ky mund të mos jetë argument. Nëse e pëlqej shumë, duhet ta mbaj mend me saktësi siç e ka shkruar autori dhe jo ta ndryshoj.

Poezia “Drekë malsore” ka një monumentalitet tragjik mu në thjeshtësinë e lirshmërinë  e vet. Në ngjeshjen e fjalëve dhe të imazheve, në dendësinë e saj. Në ajrin ngjethës dhe konkret midis rreshtave dhe imazheve të saj seç fryn era e fatit, një erë e drejtë, e thikët si rënia  e sëpatës nga lart-poshtë, e rëndë si trupat e aheve, trupa me rremba të stoikes dhe të vetasgjësimit, të epikes dhe të vetëshkatërrimit njëherësh.

2.

Në shtëpi hapa librin dhe lexova që: “kur vdiq im atë, premë dy qè/ me ngimun… thneglat e lamit” (Elegjia e parë). Në poezinë “Gjakmarrja”, e kundërt si gjendje me “Drekë malsore”, përmenden “korbat e zez…  mbi qarrat e vjetër”. Siç shihet, unë kisha marrë imazhe nga poezi të tjera me të njëjtën temë te Camaj dhe i kisha ndërkallur te “Drekë malsore”.

Prapë këto “ngatërrime” që po më ndodhnin, nuk duhet të më vinin në siklet. Përkundrazi. Në një çast më pas mendova se kështu Martin Camaj paskësh bërë vend në thellësi tek unë, kishte zënë vendin e vet krahas poetëve të tjerë që më pëlqejnë. Nxitjet për ta kujtuar përmendësh, për ta lexuar, për t’i verifikuar ato që mbaj mend a për të gjetur diçka të re në rilexime, janë dëshmi e nevojës sime për një komunikim të pandarë me këtë poezi. Harold Bloom-i te libri “Si dhe përse të lexojmë” flet për rilexime të heshtura dhe të shpeshta… të cilat duhet të ndiqen me doemos nga recitime për veten, me vetveten derisa të bindemi se e zotërojmë me të vërtetë një poezi. Leximet e përsëritura janë dëshmi e lidhjes sonë të qëndrueshme me një shkrimtar.

Gjithmonë kam menduar se fillimisht ndodh pranimi logjik i një shkrimtari. Pra, pasi e lexojmë dhe e pëlqejmë ne logjikisht e pranojmë atë si autor, e pohojmë si vlerë artin e tij. Në leximin e parë ai ka trokitur fort, pastaj ne e lexojmë prapë dhe kështu shkallë-shkallë ai hyn deri në njohjen tonë, zë vend aty si artist me rëndësi. Në rastin e Camajt njohja erdhi pak me vonesë dhe si e flakur midis nesh, si e hedhur midis sheshit, prej gazetave, prej politikës, sikur të thoshin: ja, shiheni çfarë poeti, çfarë poezie…! Ju që vini nga shkollimi komunist, nga estetika e realizmit socialist, nuk e kapni dot artin e Camajt. Por, pavarësisht këtyre deklarimeve, që me leximet e para pas vitit 1990 arti i Martin Camajt u mirëprit.

Por vetëm pranimi logjik, ajo ndjesia që, po, jemi para një autori me peshë, nuk mjafton. Mund ta pranosh një autor dhe, pas një leximi, atë e hedh në një kënd, nuk komunikon më me të. Është i mirë, po le të zërë një cep në bibliotekën tënde. Kaq.

Pranimi i vërtetë vjen me kohë, do kohën e vet, vjen atëherë kur një autor e kemi përvetësuar edhe emocionalisht. Mund t’i mbajmë a mund të mos i mbajmë përmendësh vargjet e tij, por jemi mbushur plot me përfytyrimet e poezisë së tij, me ndjeshmëritë që burojnë prej shtresimeve të tekstit të tij; me kuptimësitë a optikën e vet të papërsëritshme me të cilën ai e rrok njeriun dhe botën… tani këto pasuri të tij janë bërë tonat; kur të na “duhen”, u kthehemi, na vijnë vetiu ndër mend, ose marrim librin dhe i rizbulojmë.

3.

Libri i parë që kam nga Camaj është “Gedichte”, (Poezi), një përmbledhje me 44 poezi dhe 7 proza poetike, libër dygjuhësh, me përkthim në gjermanisht nga Hans-Joachim Lanksch, botuar nga Kyrill&Metod në Mychen, 1991. Shtatë prozat poetike të këtij libri janë marrë me po atë renditje nga libri “Njeriu më vete e me të tjerë”, 1981.

Libri “Gedichte” në kapakun e brendshëm mban shënimin  “Dhuratë e autorit”; unë e kam marrë në redaksinë e gazetës “Drita” më 23 prill 1992. Më vonë kam lexuar të tjerë libra të Camajt, por me këtë libër jam lidhur prej asaj kohe dhe vazhdoj ta lexoj edhe sot.

Është një përzgjedhje me dijeni të autorit në fund të jetës së tij.

Janë poezi të shkurtra që nuk e kalojnë faqen.

Toni mbizotërues i këtij libri është trishtimi. Aty gjejmë Martin Camajn intim, të mërguar, “Larg nga ata që flasin si unë” dhe njëherësh  të rikthyer me mjetet e poezisë  në vendlindjen e munguar. Dy temat kryesore të këtij libri, ajo e vetmisë dhe e vdekjes janë vënë në sfondin e Dukagjinit, në erën mitike të Veriut, të Veriut si klimë, si simbolikë, si sfond malesh, si vend i durimit stoik, si qëndresë në mungesat më elementare jetike dhe si tërheqje urtake në vete. Ky mërgim prej mërgimit, a shtegtim prej mërgimit, kjo vendosje në mal, në primitivitet, është e sajuar artistikisht, e ëndërruar, e ndërtuar si ngrehinë virtuale, si ajër për t’u mbrojtur  e për t’u arratisur nga shpërbërja.

Autori thellë-thellë të jep përshtypjen se është nisur në udhën që të çon larg nga bota e të gjallëve. Si tek njeriu në jerm, njeriu me frymëmarrjen e rënduar të fundjetës, kjo poezi flet me të vdekurit, me atin, me nënën, të cilët nuk janë më (kur është botuar ky libër), pastaj… lë dhe amanetet e fundit. Atje, në largësi, “Larg atyre që flasin si unë”, poeti kujton dhe të vëllanë që ende jetonte në Temal…

4.

Poezia “Drekë malsore” i përmbahet parimit që Camaj shpreh te poezia “Trajta”: ‘Pendël e lehtë në dukje/ por e randë hekur në peshë/ tingull ose ngjyrë/ e kthjellët deri në dritë’.

Poezia vjen e shtrirë në një rrjedhë lineare, të qetë në dukje, rrjedhë të qetë që e ndalin përsëritja tri herë e vargut: “Sot âsht marrë një gjak”. Autori nuk ndalet në anën morale a shoqërore të çështjes. Jo, tema është dreka malësore e mortit, drekë që sjell pajtimin, qoftë dhe të përkohshëm nga një ndërprerje e dhunshme, me plumb, e jetës së njeriut. Malësorët e pranojnë marrjen e gjakut. Tri herë përsëritet kjo. Por “Drekë të mëdha po bahen sot”. I vdekuri, riti i drekës së mortit, janë të shenjta. Një ceremoni e përzishme dhe solemne.

Detajet janë ato që me kursim plotësojnë kuadrin: dy plumba lëshuen përdhe një burrë. Tuni (myka) i spatës pëlcet rrashtën e kaut te prroni. Gjama e burrave përzihet me aromën e mishit ndër zjarrme. Gjethi i vjeshtës bie mbi kapuçat e bardhë ndër tryeza jashtë. Natë. Në varreza tokë e re, hanë e re. Dhe i mazhi i fundit: Ujqit pinë gjak nga kau i prerë për  mort në prue. Kaq. Asgjë më shumë.

Nuk përmenden as i vdekuri, as familja. Në malësi jeta dhe vdekja i takojnë bashkësisë. Dreka, përcjellja e të vdekurit si situatë, e merr të gjithë rëndesën. Dreka e mortit si zakon pajton bashkësinë, sjell harmoni. Pajton njeriun me vdekjen. Kthimin e njeriut te natyra, te toka. I vdekuri mbyllet në tokë si kanatat e një porte që nuk hapet më. Jeta me drekën e mortit nis nga e para. Ky fillim i ri e do një fli: gjakun e kaut. Njerëzit shpëlajnë duart me vdekje, shpëlajnë dheun, lotët e gjamën dhe ulen në tryeza. Jeta vazhdon. Mbas kësaj kemi tokë të re, hanë të re. Mbas kësaj harmonie gati kozmike, pajtim të njeriut me tokën, të bashkësisë me vetveten, edhe ujqit urtësohen … nga gjaku i flisë mortore.

Drekë malsore

 

Sot âsht marrë një gjak.

Dy plumba lëshuen përdhè një burrë.

 

Sot âsht marrë një gjak.

 

Nën tunin e spatës

Pëlset rrashta e kaut te prroni.

(Drekë të mëdhá po bâhen sot!)

 

Sot âsht marrë një gjak.

 

Gjama e burrave tërbueshëm

përzihet me erën e mishit ndër zjarrme.

E gjethi i vjeshtës bie

i djegun mbi kapuçat e bardhë

ndër tryeza, jashtë.

 

Natë. Në vorrezat mbi kodër

tokë e rè, hanë e rè

 

Ujqit janë ulë prej malesh

e pijnë gjak në prrue.

 

 

 

 

Please follow and like us: