Albspirit

Media/News/Publishing

Yzedin Hima: At(dheu)

Tregim

Kur treni u shfaq në stacion me vargun e gjatë të vagonave, befas i shkrepi mendimi se edhe jeta njerëzore me sekondat, minutat, orët, ditët, javët muajt, stinët, vitet rrëshqet si ky tren drejt honit të errët, nga ku askush nuk është kthyer dhe të sillte një dëshmi se çfarë ishte atje tej.

“Ndaj do jetuar çdo sekondë e kësaj jete, mendoi”.

Diku kishte lexuar një poezi që bënte një paralelezëm të tillë të jetës me trenin elektrik. I vetmi ndryshim ishte se trenat e metrosë, këtu në New York, derdheshin shpejt e me rropamë, plot e përplot me njerëz, ndërsa vagonët e kohës në atë poezi rridhnin si hemoragji gjaku bosh dhe teksti poetik të linte një trok trishtimi ndër mend. Poezia përfundonte me një lutje nga subjekti mendues: “E dashur, nëse nuk e ndalon dot trenin, vër në të pakëz dashuri!”

Në punë, dikush e thirri për ta respektuar me emrin profesor. “Mos më thirr profesor”, i tha kolegut të punës dhe i tregoi një ngjarje nga atdheu i tij.

Ai punonte si mësues letërsie dhe ende qeshte kur kujtonte Lamen, kasapin e lagjes së tij, i cili nuk dinte të trishtohej, ndonëse kishte një mal me halle.

Një pasdite Lamja e ftoi për kafe në shtëpine e tij. Nuk donte të shkonte sepse Lamja do t’i lutej pas kafes për një lojë shahu dhe e tërë pasditja do të shkonte duke luajtur e bërë qyfyre me Lamen. Po a mund t’ia prishte Lames?

Ai futi krahun dhe u ngjitën në ballkoni e katit të pestë. Pasi pinë kafetë, Lamja hapi kutinë e shahut. Ndërkohë që vinte gurët, i thirri gruas: “Më sill pak profesorin, – dhe nisi të zgjidhte këpucët. Qe ngritur në orën katër të mëngjesit dhe këmbët nuk i ndjente të tijat, siç mëmëriste.

Miku e pa me habi, por ai se kishte mëndjen tek i ardhuri, ndërkohë që hiqte çorapet. Gruaja i solli një legen të vogël plastik me ujë të ngrohtë, por Lamja, si nopran që ishte i bërtiti: “Jo këtë, atë kryesorin”.

I ardhuri ngriu duke parë herë Lamen, herë gruan e tij. Lamja më në fund e mblodhi mendjen. “Ooooo, më fal! Më doli nga mendja që…”.

Mësuesi ia dha i pari të qeshurit dhe pas tij edhe Lamja. Me ç’dukej profesorët qenë legenët e Lames. Nuk e pyeti se si e qysh. Fëmijët e Lames nuk ia thoshin fare në shkollë dhe Lames, me ç’dukej, i kishte plasur shpirti duke u dhënë mish falas profesorëve të djemve. Në shenjë “nderimi” për ta kishte harruar fjalën legen.

– Mos kërko falje Lame, unë nuk jam profesor, jam thjesht mësues, – i tha fqinji i tij duke qeshur.

Kishin kaluar njëzet vjet në këtë vend të huaj dhe i dukej se kishin kaluar vetëm njëzet ditë. Në këtë vend, kishte ndijesinë se koha ikte shumë më shpejt se në atdheun e tij, që përgjumej për shekuj në brigjet e Mesdheut. Vendi i tij këto dekadat e fundit qe zgjuar “nga gjumi” dhe si çdo ngritje pas një gjumi të gjatë, zgjimi qe traumatik. Sidoqoftë kishte një mall, që i rëndonte plumb në shpirt për atë vend.

Dikur qeshte me qesëndi, kur dëgjonte se emigrantët, kur ktheheshin nga vendi, krahas rakisë, trahanasë, turshive, rahanisë, nuk harronin kurrë të sillnin nga Shqipëria edhe disa grushte dheu, të cilin e ndanin ndër emigrantët sipas krahinave të tyre. Udhëtari asnjëherë nuk ngatërronte dheun e Elbasanit me dheun e Korçës apo të Beratit. Secilit i sillte dheun e vet.

Vitin e kaluar, kur një shoku i tij e lajmëroi se po nisej për në Shqipëri dhe i kërkoi të porosiste diçka nga vendi i tij, ai i tha pa asnjë mëdyshje: Nje grusht dhe, vetëm një grusht dhe…

Shoku e pa me habi duke tundur kokën në shenjë pohimi dhe nuk i foli më tej. U kthye shoku i tij dhe i solli qeskën e vogël të mbushur plot me dhe. E mori dheun dhe, pasi e puthi, e hodhi në një vazo të shtrenjtë dhe e la në një cep të ballkonit. Ku erdhi pranvera, dheu në vazo shpërtheu në filiza të njomë.

Po si ka mundësi?!- pyeste veten ish mësuesi i letërsisë. Ai nuk kishte hedhur asnjë farë luleje në atë vazo. Sidoqoftë i vaditi bimët e brishta me kujdesin dhe dashurinë e një atdhetari të vërtetë. Bimët po rriteshin dhe harliseshin çdo ditë. E gjelbëra e tyre i kujtonte livadhet e vendlindjes. I dukej sikur kishte në ballkonit e tij pakës atdhe të gjelbër, që çdo ditë rritej e lulëzonte, deri ditën kur erdhi për vizitë një miku i tij nga Lumi i Vlorës.

-Paske lajthitur, – bërtiti ai sapo pa bimët në ballkon. Paske guxim prej të marri!

-Pse? – pyeti i habitur ish mësuesi.

-Po si guxon ti dhe mbjell kanabis në ballkon e ku, këtu në Amerikë?!

Mësuesi i letërsisë, që nuk i njihte dhe aq mirë bimët, u tmerrua. I shkuli me vrull dhe i dogji në oxhakun e shtëpisë. Sidoqoftë dheun e ruajti aty, në vazon e shtrenjtë, si një pjesë të atdheut, paçka se ca i ndotur, por gjithmonë i dashur.

 

Please follow and like us: