Albspirit

Media/News/Publishing

Sotir ATHANASI: Se ka ca njerëz (1)

 Triptik i jetuar
PJESA E PARË
U shkëputëm nga çekimi. Një numër përbri një germe vendosur në biletat tona përcaktonte saktë hollin e nisjes për fluturim. Mjaft që të ndiqnim përpikërisht drejtimin e shenjave aty-këtu në atë rrjet kalimesh.
Para nesh një prift me çantë e kapelë në dorë, veshur me sqimë, ndonëse me nishanet e një kleriku ortodoks, vajti e u ndal te bufeja.
Ne qëndruam në fillim s’di se ku, pastaj zumë vend në një nga tryezat më këmbë për t’u vetëshërbyer. Po pinim me nge kafen, kur prifti me çantën në njërën dorë dhe kapelën tek tjetra kaloi përbri nesh dhe u mat të na fliste. Se atij i lexohej qartë mëdyshja dhe ishte i pakuptimtë ngurrimi a druajtja që ia ndrydhi dëshirën e komunikimit.
Ishim në aeroportin e Athinës. Tepër i madh e lehtësisht për t’u përudhur në të. E, megjithatë, pasiguria dhe hutimi, karakteristika këto për të gjithë rishtarët, qenë të huaja për këtë gjashtëdhjetëvjeçar. Vështrimi i tij i butë ngjante më së shumti me kundrimin. Aq më pak me një përhumbje. Kurrsesi me mahnitjen që të provokojnë hapësirat e këtyre përmasave.
Ai vështrim ishte soditës dhe i ngrohtë. Të tillë e mora unë dhe i atij lloji ai qe. Se ka ca njerëz, vështrimi i të cilëve mbetet dhe lë gjurmë tek tjetri pikërisht kur ai largohet. Dhe urata tanimë sikur qe shqitur e shtyrë tutje, si me përtesë e dukshëm ngathtësisht. Pavendosmëria si një lavjerrës qe drejtuar asaj që quhet pendesë.
Ime shoqe, atë çast, që e kishte mendjen gjetiu, nuk e vuri re uratën dhe u ndal për të blerë ndonjë dhuratë në një nga pavionet e ‘Hondos Center’.
Për ne ishte vajtje rutinë në Tiranë. Dendur e bënim atë rrugë me mjetin tonë nga Kakavija dhe, ndonëse rrallë, edhe me avion. Dyqani ynë turistik në Pire vërtet tregtonte artikuj kulturorë, duke përfshirë këtu edhe librin, simbolet apo kasetat e CD- të shqiptare, por, gjithsesi, ai ishte një biznes dhe si i tillë kërkonte t’i qëndroje në krye.
Veç të tjerash, qe domosdoshmëri lëvizja. Madje s’është aspak teprim të thuhet gjezdisje. Një shkak i tillë bënte që ne të udhëtonim shpesh.
Në mos çdo muaj, një herë në gjashtë javë patjetër në Tiranë rruga do të na shpinte. Kjo e sotmja përkonte me dyzetvjetorin e ndarjes nga jeta të Fan S. Nolit.
Miku im në revistës “Pelegrin”, që del në Athinë periodikisht, më kishte porositur të shikoja se çfarë përgatitet në mjediset letrare, apo edhe sallonet artistike të kryeqytetit për këtë aristokrat të kulturës sonë kombëtare, prandaj bëra kujdes që ta nisja prej këtu detyrën. Kështu, u hodha te pavioni i shtypit të huaj.
Shitësja nuk qe aty dhe një bashkatdhetar imi me gazetën Shekulli, hedhur mbi banak, dhe La humanite në dorë, lëshoi një thirrje të butë, por tejet të zgjatur, karakteristikë për anglosaksonët:
– Ooooo!
Unë nisa të mbledh dy a tre gazetat e vetme që kishin mbetur te stenda, ndonëse s’ishin të freskëta. Se të pardjeshme ato qenë.
Informacioni, miqtë e mi, nuk është ushqim që s’hahet bajat. Ai, edhe pse i tillë, përtypet. Prandaj bëra të njëjtin veprim me atë të klientit bashkatdhetar: vura mënjanë gazetat. E zonja e pavijonit ndërkaq u shfaq.
Qe një flokëverdhë deri në gjysmën e kokës. Simetria tjetër ishte e zezë, po sterrë ama. Në tiparet e saj tejet tërheqëse binin në sy qerpikët e gjatë e gjithashtu mavijosur si dhe një fjongo e dalë sipër leshrave si bri.
Ngjante me një cingëlane, veçse, tejet të bukur. Por…
i hodhi një sy “Shekulli”-t dhe e kuptoi me kë kishte të bënte. “Një allvanos më thërritkërka mua: «O-o-o?!? Kështu duhet të ketë menduar se buzët (ato buzë tejet sensuale para ca çasteve) iu bashkuan vështrimit përçmues dhe surrati i mori një pamje thuajse agresive. Pati kujdes që: të arrakati pyetjen me zë të ulur:
– Dini greqisht, zotni?
Tundja e kokës dhe gjuha si e nepërkës i doli jashtë dhëmbëve si për t’i helmuar ato tri fjalë.
– Ui…, Pardon! Ne, që do të thoshte Po, – u nxitua t’i përgjigjet patrioti im greqisht, i zhytyr tanimë në faqet e shtypit francez. Ai nuk ia ktheu sytë asaj driade, por edhe pispilluqe tejet, të paafrueshme.
– Atëherë pse nuk flisni greqisht? – tha shitësja.
Kësaj here ishte vetulla e djathtë e ngritur përpjetë si akrep që kërkonte të plotësonte helmin e pamjaftueshëm spërkatur me gjuhë.
Tjetri ndaloi leximin dhe vetëm atëherë ngriti kokën i hutuar.
Unë isha gati të flisja në emër të tij. Por s’qe aspak e domosdoshme.
Ai me një qetësi papnore tha:
– Se jemi në pavijonin e shtypit të huaj KRISTIANEMU
(e krishtera ime, dhe përdori kështu një shprehje karakteristike greke).
Për të vazhduar me sarkazmën therëse:
– Ajo që nuk di, jeni tepër e re për t’u quajtur zonjë dhe po kaq e patakt, për t’u quajtur zonjushë. – Jeni… dhe ai qeshi me një tjetër ironi që kapte pa mëdyshje kuotën më të lartë të talljes:
– As te hupa, As te hapa, do të thoshte Shekspiri me gjuhën e Malvoljos te NATA E DYMBËDHJETË. DHE…
Ai mbase donte të thoshte edhe diç tjetër, ngaqë pezmi i saj i papërligjur nuk mund të shpërfillej e të lihej të kalonte ashtu lehtë pa u ndëshkuar. Por s’mundi.
Një afroamerikan i tërhoqi vëmendjen grekes me thirrjen:
– Ooo! Nju Jork Taims? – dhe ai bëri me nojma që do të thoshte se nuk po e gjente gazetën që kërkonte.
Një tufë syresh amerikane kishin mbetur në një cep të skajuara, kushedi për ç’arsye, midis të cilave edhe Taimsi.
Shitëses i qenë skuqur faqet e bërë njësh me buzët e lyera vesh më vesh.
Ajo nuk e deshi veten pas kërkesës fshikulluese të njeriut me ngjyrë, origjina e të cilit vinte nga matanë oqeanit. Dhe sikur të mos mjaftonte e gjithë kjo, bashkatdhetari im, në vend të saj, iu përgjigj tjetrit me një anglishte tingëlluese dhe zëëmbël:
– Ja ku i keni, zotni! – dhe i tregoi tufën e gazetave. – Por kjo
sorkadhe sorra s’duhet të ketë pasur kohë t’i sistemonte që ju t’i gjenit lehtësisht.
– O je!
Dhe tjetri jo vetëm buzëqeshi, por kur pa se shqiptari im lexonte La humanite, duke e marrë për francez, shtoi:
-”Mersi, mister…, La fontenë, – pas kësaj u shkri së qeshuri. Kuptohet: figura e sorkadhes i kujtonte atij fabulistin e njohur dhe kujdesin e kaprolles për t’u pispillosur, duke braktisur detyrat.
Ne paguam në heshtje dhe ajo briartë na hodhi një shikim të akullt, ftohtësia e së cilës të kujtonte një tjetër oqean: atë të Arktikut që, gjithsesi, duhet të qe më i pranueshëm sesa ngrica e acari nacionalist te kjo zhajkë e fytyrëfyçkë. Se atë nuk e kthjelloi as fakti i zotërimit të tri gjuhëve të huaja nga klienti me të cilin u përball.
Është fatkeqësi që njëgjakësit e mi do të kenë rast të ndeshen dendur me këtë përçmim. Në mos në një formë, në një tjetër, veçanërisht tani, pas liberalizimit të vizave, me të ata do të ndeshen. Trajtat është e natyrshme të ndryshojnë: me munxa ose pa to. Por në çdo rast diçka të ngjashme me nëpërkëmbjen ato do të kenë. Dhe njerëzit tanë, që s’e kapërdijnë lehtë shijen e hidhët të diskriminimit, do të kenë përplasje. Kjo kuptohet: asnjëherë nuk është e mirë. Se mund të bëhet shkak që ta humbasësh Europën për pesë vjet. Ky dënim shkuar absurdit, do ta turpëronte edhe vetë Europën se do të kthehej në… mallkim.
* * *
Tutje, pranë banakut të bufesë, syri më kapi sërish priftin.
Lexonte një nga reklamat e panumërta të kozmopolitizmit që, aq me tepri trumbetohen në Greqi.
Unë tunda kryet për këtë mashtrim, ndërsa kleriku, si të qemë marrë vesh me televalë, u shkëput nga ajo afishe e pavërtetë e mashtruese. Ai, me kupën e çajit në dorë, u nis drejt koshit të mbeturinave. Më pas nxori nga çanta një tip broshure.
Tashmë ishte në ndarësen e fundit. Piketat dhe shiritat blu tregonin se pas portës së qelqtë, ku ato përfundonin, ishte vendi ku kryhej kontrolli elektronik.
Nuk e di pse, por kisha ndjesinë se kleriku me librin e hapur në dorë më priste mua. Unë time shoqe. Ajo kishte psonisur me dy a tri qese, jo vetëm te filiali Hondos Center, por edhe gjetiu, ku pijet dhe çokollatat, edhe nga jashtë qeses, përhijonin.
Kur erdhi pranë, unë isha thuajse një hap larg atij të krishteri me nishanet ortodokse, i cili qe zhytur në faqet e librit që lexonte. Madje dukshëm binte në sy thellimi në të, se ndonjë psalm do të qe.
– Mbaji këto, – më tha gruaja dhe m’i la në dorë çantat plastike.
Prifti, i shkëputur tashmë nga libri, buzëqeshi ëmbël dhe më hapi udhë.
Atë çast ne u gjendëm pranë konvejerit ku viheshin sendet personale në ca kuti plastike, si ato të marketeve.
– Nxito! – më tha gruaja. – Nuk e sheh? I zumë vendin uratës. Ai bënte të njëjtën në një tjetër kuti ku vendosi ca libra, çantën përbri dhe pasaportën amerikane në krye. Pas kësaj, ktheu kryet dhe tha:
– Nga ju kemi dhe për ku shkoni, o bashkatdhetarët e mi?
Zëri ishte i plotë, kumbues dhe tepër, po tejet i ëmbël, po ju them.
– Nga Tirana jemi, imzot, – vura unë menjëherë togfjalëshin,
– dhe në Tiranë shkojmë, – nënvizova.
Ai tundi kokën dhe buzëqeshi. Po me atë vështrim të butë. Po me atë kundrim të ëmbël. Po me atë ngrohtësi. Na sodiste si tablo, tek qe kthyer për vete në një ikonë. Se ai shikim, në mos të prekte, diçka me ledhatimin prindëror brenda do të kish.
– Po ju, imzot, nga Ju kemi dhe për ku udhë e mbarë po shkoni?
– Nga Bostoni jam dhe atje shkoj.
– Nga Bostoni!?! – nxitova të pyes unë dhe me ngut ta ripyes:
– Dhe keni lindur atje?
– Po.
– Dhe e flisni kaq mirë gjuhën tonë shqipe?
Ai tundi sërish kryet dhe ngutej të vinte diç tjetër në kutinë plastike.
Duhet të nxitonim edhe ne, se kutitë tona tashmë kishin kaluar matanë aparatit.
Por unë s’e kisha fare mendjen atje. Ngutesha ta pyesja këtë prift më keq se një shegert i krishterë. Si bie fjala:
– Dhe jeni shërbestar atje, në Boston? Në kishën e ngritur nga i përndrituri Fan S. Noli?
Siç duket i kisha zbrazur këto në mënyrë të pandërgjegjshme dhe mora përgjigjen më të paimagjinuar.
– Po, – tha ai dhe do të vazhdonte natyrshëm:
– Kam lindur në Boston dhe jam gjashtëdhjetë vjeç. Prindërit e mi ishin nga Boboshtica e Korçës, në e paçi dëgjuar.
– Kam qenë ushtar atyre zonave, imzot.
– Oh, – tha ai. – Njëzetvjeçar. E unë vajta tani. Në këtë moshë.
– S’prish punë, imzot. Se, më në fund, vajtët. Ia mbërritët.
– Po. Më dajandisi xhani dhe nuk më plasi sa të sosja. Dhe
m’u duk se i njihja ato vende. Për Krisht të them, – dhe atë çast puthi kryqin që e mori nga kutia plastike dhe e vari në qafë. Ndihej tepër i gjallëruar dhe artikulonte një shqipe për t’u pasur zili.
– Më dukej se i njihja ata njerëz. E njihja edhe atë ajër të bekuar nga Fuqiploti. – Sytë iu skuqën, – i njihja, – vazhdoi. – Se për të gjitha këto më kishin folur prindërit e mi vite e vite të tëra.
– Unë mbeta pa zë.
– Edhe ju, të nderuarit e mi. Që sefte më shëmbëllyet me PORTRETE të njohura.
Vini re! Nuk tha FYTYRË, as ÇEHRE. Jo. Tha PORTRETE. Ky përshkallëzim gjuhësor përdoret më së shumti në art, kur duam të flasim për njerëz të hijshëm e të nuratuar.
– Kur dëgjova të flisnit shqip, nuk e di pse ngurrova. Mbase ngaqë m’u mblodh diçka këtu, ndër grykët dhe, që të mos lotoja, u shtyva diku më tutje. Edhe pse zemra më thoshte: qëndro! Mos e bëj si javën e shkuar, kur zbrite në Athinë nga Amerika dhe kishte frikë t’u flisje shqiptarëve nga gjithë ato përralla me keqbërës. Ja, i sheh? Janë si ata që le atje ndë Boboshticë. Si edhe ata të tjerët ndë Tiranë e Rinas te ‘Nënë Tereza’. Si ata, me të cilët u ndave plot mall, kur zbrite në këtë aeroport të Athinës, ardhur nga Tirana.
Pas kësaj psherëtiu i lehtësuar.
– Është faji ynë që nuk ju kuptuam, imzot, – munda t’i them unë.
Zëri i kontrollorit, urdhërues, por tepër i sjellshëm, mbase nga që bashkatdhetari ynë ende pasaportën amerikane e mbante në dorë. E kjo bënte që tjetri të sillej me rezerva.
Gjithsesi, do të bigëzoheshim në dy drejtime të kundërta. Ne, njëmend që i përkisnim të njëjtit trung racor, por qemë mbjellë e ngulur mijëra kilometra larg njëri-tjetrit. Prandaj duhet të ndaheshim këtu. Tani.
– Moment, ser!
Kontrollori buzëqeshi ëmbëlsisht dhe ngriti gishtin e madh në përgjigje të së njëjtës shenjë nga urata.
– Kam qenë nxënës i të përndriturit Fan Stilian Noli. Ai erdhi në këtë botë ditën e Ujit të Bekuar. Pra më 6 janar 1882. Dhe u nis në Udhën e Qiellit javën e dytë të marsit të 1965-s. Saktësisht më trembëdhjetë. Manushaqet e para sapo kishin çelur dhe unë mora trembëdhjetë të tilla dhe i mbylla në valixhe që pasnesër, në ditën e shënuar të përcjelljes t’i vendos në meshën që do të bëjmë enkas për ta kujtuar.
– I paharruar kujtimi dhe vepra e tij.
Kaq munda të them dhe u përshëndetëm e përqafuam si dy miq të vjetër.
Ai na hodhi një vështrim të ngrohtë përpara se të largohej.
Janë ca shikime që mbeten gjatë në shpirtin e atij që i merr në çastin e ndarjes.
Këtë po i thosha sime shoqeje ndërsa zumë vend në ndenjëset e hollit ku për pesëmbëdhjetë, e shumta njëzet minuta, do të dilnim të merrnim avionin.
Një nga detyrat e atij fluturimi qe edhe veprimtaria për Fan S. Nolin.
Nxënësin e tij ne sapo e takuam dhe shkojmë në Tiranë! Ç›paradoks!
Se po të ishim pak më të vëmendshëm, në mos një intervistë të mirëfilltë, një bisedë të pranueshme, aty në kafe, edhe mund ta bënim. Kjo, sigurisht, e përkryer mund të mos qe. Por më e përshtatshme, pa dyshim që po. Kështu që lexuesit e “Pelegrin”-it nuk do të mjaftoheshin në kaq sa unë po shkruaj, por do të merrnin më shumë kënaqësi sesa vetëm shuarja e kuriozitetit të këtij takimi rastësor e të bukur.
– Të kujtohet kur doli Hygerta Sako “Mis Shqipëria”? – më tha ime shoqe.
– Sigurisht. Por nuk kuptoj ç’lidhje ka kjo me këtë paradoks!
– Ka, si nuk ka. Mjaft të sjellësh në mend bisedën e atyre dy djemve pas ndenjësve tona. Njëri, me sa kuptuam, duhet të ishte nga Sukthi, vendi që e nxori këtë “Miss”, i tha shokut të tij gjithë gëzim që kurorën e fitoi ish-banorja e qytezës së tyre.
– Ne gjuanim për vajza demek të bukura në Shijak e Durrës, kur e bukura e Dheut Shqiptar ishte në lagje, në oborr.
– Po, – thashë unë. – Ky është paradoks.
Por s’qe e thënë që kjo mbresë të mbyllej këtu. Se… një polic mbante për krahu një djalosh me duar të prangosura pas shpine. Kuptohet se ishte shqiptari ynë dhe kishte pothuajse gjysmën e moshës së klerikut nga Bostoni.
Njeriu i rendit pas pak e shprangosi. I la në dorë biletën e udhëtimit si edhe ca letra të tjera dhe i kumtoi (greqisht) se ai, që nga ai çast ishte i lirë dhe se së shpejti do të hipte në avion për në Tiranë.
Çuditërisht ushtaraku u soll me të jo vetëm korrekt, por edhe më se njerëzisht. Më në fund u largua.
Kjo skenë, tepër e rrallë në llojin e vet, dhe sigurisht e jashtëzakonshme, na befasoi të gjithëve. Pse jo, edhe na preku në shpirt. Pas kësaj, na dukej si pa kuptim të prisnim edhe më për të fluturuar. Kjo ndjesi e përgjithshme vihej re edhe nga ngutja e secilit nga ne për të parë orën e dorës. Dëshira për të fluturuar, sa më shpejt të qe e mundur, kishte rrokur mendjet e të gjithëve. Por atë nuk e kishte në dorë askush.
Nga ana tjetër, çfarë duhet të bënim ne, të ngopurit me LIRI, për të porsaardhurin? Për këtë bashkatdhetarin tonë?
Pashë orën dhe ajo tregonte se duheshin edhe dymbëdhjetë minuta deri në nisje.
Bukur!
Ai mund të ketë dëshirë të përtypë diçka. Se nuk është se u kthye nga ishujt e Egjeut ku kishte shkuar për pushime! Ai sapo ishte shprangosur dhe kaq mjaftonte të dridhëronte çdo zemër nëne e çdo thinjë floku në kryet e një flokëbardhi, siç isha dhe unë. Ai mund të dëshironte ato çaste një filxhan kafe, miqtë e mi.
Nuk më zinte vendi.
Vijon
Please follow and like us: