Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: Një shpirt i helmuar që kullon vrer

 
Përgjigje shkrimit të botuar në gazeten DITA
“Avdulla Kenaçi revizionon dëshmorët e LANÇ”Jam shumë i indinjuar prej publikimit të shkrimit me titullin e mësipërm në gazetën tuaj “Dita” të datës 16 maj. Masoviku Fitim Çaushi në mënyrë tendecioze e me paramendim ka shkëputur nga konteksti i komenteve në facebook copëza të vogla që duke i bashkuar me ligësi krijojnë fyerje dhe denigrim të dinjitetit tim dhe reputacionit publik. Për 40 vjet me radhë kam qenë gazetar në organet më të rendësishme të shtypit shqiptar, thuajse pandërprerë, me përjashtim të tre muajve në asistencë më 1992 dhe pushimit nga puna për motive politike më 2007 nga RTSH ku isha drejtor i Programit Satelitor. Në mënyrë spekullative, autori ka lënë jashtë citimit esencën e diskutimit tim të mëposhtëm: “Në Komisionin për dhënien e Statusit të Dëshmorit, janë shqyrtuar disa raste, vërtetë të dhimbshme, por që sipas ligjeve ekzistuese nuk mund t’i jepet Statusi. Nuk lejon ligji të shpallet dëshmore një vajzë 18 vjeçare që ishte pushkatuar nga gjyqi partizan sepse dikush e kishte akuzuar për probleme morali, megjithëse kemi një precedent, rastin e Ramize Gjebresë (pushkatuar për të njëjtën arsye nga gjyqi partizan), të cilës i është dhënë Statusi i Dëshmorit, ose rastin e një djali të ri, as 20 vjeç, që kishte mbi dy vjet partizan, që e akuzuan për vjedhjen e një defteri me letra duhani dhe u pushkatua nga gjyqi partizan dhe, Komisioni nuk mund t’i japë Statusin e Dëshmorit”. Këtë fragment e shkëputa nga një shkrim i botuar në gazetën “Dita”, 3 maj 2016 shkruar nga Anëtari i Komisionit Qendror për Statusin e Deshmorit të Atdheut, Shaqir Vukaj. Pastaj ky thotë se nuk ka një listë të saktë dhe se nuk është berë një studim i plotë, pastaj se ç’përmend një Vendim të Komisionit për dëshmorët e LANÇ më datën 5 Korrik 1948 dhe aty numuri është më pak nga çfarë them unë…(Janë botuar edhe ca faksimile nga gazetat sikur janë 3500).
Çaushi shkruan me cinizëm se mua më bluan meraku për numrin e saktë të dëshmorëve të Shqipërisë “me sa duket detyrat e tij speciale e obligojnë për këtë gabim…”. Çfarë janë këto detyra “speciale”, pse nuk jep fakte, por me paturpësi bën insinuata? As më pak as më shumë, por ky është prototipi i shpifsit profesionist. Debati për numrin e dëshmorëve nuk është as i ri e as i vjetër, pra ende nuk dihet numri i saktë sepse mungon një libër i tillë, apo siç quhet “Libri i Artë”. Kjo gjë është e njohur botërisht. Pak më lart unë citova pikërisht një veteran, Shaqir Vukaj që është Anëtar i Komisionit për Dëshmorët e LANÇ. Po këtë figurë të nderuar, veteran e komunist, çfarë detyra “speciale” e obligojnë? Me ç’të drejtë shpif dhe etiketon ky kalemxhi ordiner? Është njësoj sikur unë të them me që Çaushin e ka braktisur gruaja, me sa duket ai është impotent.
Më poshtë ai thotë se paskam dalë nga deviza staliniste dhe jam rreshtuar me devizën hitleriste. E para, unë kam lindur pas Luftës së Dytë Botërore dhe e dyta unë nuk njoh ndonjë devizë hitleriste. Ky nuk është lapsus, por defiçencë intelektuale. Shton se jam i pamposhtur në misionin famëkeq. Të shkruash në mediat elektronike, të japësh mendime mbi probleme të diskutueshme “qënka mision famëkeq”? Vetëm një mendje e sëmurë dhe e ligë mund të bëjë deduksione të tilla. Ai avancon më tej duke më quajtur antishqiptar. Mirëpo ai harron se unë kam mijra shkrime, reportazhe, filma dokumentarë dhe emisione televizive për katër dekada me radhë. Të gjithë kanë në bosht atdhedashurinë. Tashmë e gjithë vepra ime është e arkivuar dhe mund të provohet me lehtësi. Mos vallë është e kundërta, ai antishqiptar dhe unë jam patriot? I vjen keq atij për një misionar serb që abuzon me vajzat shqiptare në mal sipas tregimit të Agim Shehut dhe ka mision të sulmojë e të shpifë ndaj ne të dyve së bashku me vëllain e tij siamez, Laver Stroka?
Ky njeri qelbet jo vetëm ligësi, por edhe manifeston mangësi në kulturë. Ai citon një pasazh nga komenti i mikut të tij Laver Stroka kur thotë se “Këtë shifër (5000 të vrarë) e dha Balli Kombëtar në gazeten “Tomorri”, kur dihet se gazeta fashiste e mësipërme, më 1942 ishte mbyllur dhe akoma ishin përpara dhe dy vjet luftë ku kanë rënë shumica e dëshmorëve. Pra, gorricat pikla të Laverit trushkulur i shet për të vërteta nga që ky as vetë nuk e di kur u hap e kur u mbyll gazeta “Tomorri” e cila u botua nga viti 1940-1942.
Sepse unë them: “Jeta e Agim Shehut ka kaluar në presë të briskut. Mund të ishte një i burgosur si Halil Lazaj (bir dëshmori). Në Metalurgjik ka shkuar me ndëshkim. Haki Toska ka qenë një nga përkrahësit e tij”. Dhe pikërisht për këto të vërteta që unë kam qenë dëshmitar, mik i Agimit, fqinj në bllok në Tiranë, etj. Çaushi plot “kompetencë”, masoviku në fshatin Erind të Gjirokastrës, thotë se nuk janë të vërteta dhe unë qënkam një spekullator bastard. Ku e gjen guximin për të fyer në këtë mënyë, pa asnjë fakt sikur ai paska qenë pas derës time? Fjalë të tilla mund të dalin jo nga një gojë njeriu, por nga një gropë septike. Ai vazhdon në mënyrë ironike: “Nuk ndodhte që Agim Shehu të dënohej kot, kur kishte anëtarin e Byrosë Politike, Haki Toskën përkrahësin e tij…”. Po Bahri Omari që kishte kunat Enver Hoxhën si u pushkatua? Unë mund të sjell qindra raste të dënimit edhe nga farefisi i të afërmve të kuadrove të larta të Partisë. Ky kalemxhi qëllimisht deformon për t’i shkuar deri në fund ligësisë së tij.
Kur merr përsipër të ekspozosh një debat, duhet të zgjedhësh edhe mendime të kundërta. Në asnjë lloj gazetarie nuk bëhet kjo përzgjedhje me lupë të zezë dhe në mënyrë të seleksionuar. Gazetari i vërtetë ka dinjitet dhe përgjigjet para lexuesve të gazetës, përpara opinionit dhe është i detyruar të jetë objektiv, por ky është i vetemëruar “gazetar”, ai as ka punuar kurrë në një organ shtypi. Ai qëllimisht ka lënë pa përfshirë mbështetësit e mendimit tim në debat dhe unë jam i detyruar t’ia kujtoj:
Adriatik Këllëçi: “Eshtë mirë të mos gënjejmë vetveten më 2018 me beteja imagjinare. Është manipulim i sistemit që kaloi dhe jo e vërtetë. Jam shumë dakort me Avdulla Kënaçin kur thotë numrin e dëshmorëve”. Agron Leskaj (Shqip Eria): “Nuk duan të vërteta këta. Janë mësuar me intrigat e asaj kohe. Të paturp e të pacipë kanë qenë e janë…”
Albert Rroshi: “Agim Shehu është burrë që s’lë qime t’i qepet në kadife…”
Myhyre Ziguri Mustafaraj: “Shumë bukur, një tregim i shkruar me mjeshtëri (për Agim Shehun), shumë nga ju që veshët rroben jeshile po e merrni në ballë për atë sistem jezit. Shikoni të përgjithshmen e vendit e gjykoni më drejt. Lëreni rehat atë që di e shkruan një të vërtetë se diçka do mësoni, nuk keni humbje…”.
Lorenc Bega: “Njerëz ishin edhe partizanët e luftëtaret tona ashtu edhe si misionarët jugosllavë. Ngjarje e përditëshme dhe e përbotëshme”.
Unë mund të citoja edhe shumë të tjerë që nuk janë golëmas, por partizanë të së vërtetës, ndërsa Çaushi mashtron dhe bashkëfshatarë të mi ai përmend vetëm ata që zgjedh ai, madje në mbështetje të idesë së tij, ka përmendur edhe një emër që nuk është golemas, Xhevat Serjani… Me sa duket nuk i kanë dalë tamam llogaritë dhe merr hua nga diku tjetër. Pra, mashtron ditën për diell e me paturpësi. Por ja si e portretizon studjuesi e gazetari Sejmen Gjokoli: “Në farë Fitim Çaushi i cili në një mënyrë apo tjetër ka nisur të hedhë baltë e të ngatërrojë jo pak bij Labërie. Ç’është vallë ky njeri i pa din e i pa iman që s’dihet as nga vjen e as ku shkon apo ku rron që na u përgjëruaka kaq shumë për Luftën Nac-Cl, për Enver Hoxhën apo për ca vlera identitare Labërie e Shqipërie???… Nuk mund të rri sehirxhi kur me gjuhë helmi e plot poshtërsi ky farë f. ç. po fut jo pak përçarje mes njerëzve e si shesh mejdan ka zgjedhur Labërinë. Ky njeri që me çantë të kuqe përdore, ku erret, nuk gdhihet, apo ku e zë darka, s’e gjen dreka…”
Unë bëra një kërkim në internet dhe nga profesori i tij, Agron Fico, po ju sjell këtë citim: “Të fantazosh, të përçudnosh dhe të denigrosh, kjo nuk është normë qytetare… Zoti Fitim (Çaushi) mban një qëndrim emocional dhe ofendues e disa herë rëndues ndaj figurës dhe veprës shkencore të akademikut Vasil Tole duke përdorur edhe ironinë e sarkazmën”. Vini re; denigrim, ofendim, përçudnim… Në një shkrim tjetër ai atakon shkrimtarin e shquar Ismail Kadare pse ai shpreh një mendim për kinematografinë shqiptare, akoma më tej denigron gazetarin e shquar Xhevdet Shehu, etj. I mungonim edhe unë e Agim Shehu për të plotësuar enturazhin e tij të shpifjeve, fyerjeve, denigrimeve dhe urrejtjes, pjellë e përroit të tij psiqik. Tipa të tillë me gjuhë helmi dhe zeher nepërke zakonisht kanë një fëmini dhe jetë të vështirë, kanë qenë të abuzuar apo të përdhunuar. Ata urrejnë gjithë botën dhe kur mëkëmben hakmerren me gjithë çfarë u del përpara. Në kalemin e tij të helmuar ne na vuri një bashkëfshatari ynë, pikërisht Laver Stroka. Ai na e ka borxh.
Gjatë shkrimit të botuar në “Dita”, në vend që Çaushi të përmendë emrin e mbiemrin tim, ashtu si më quan fshati, shokët e shkollës, të punës e kudo, ashtu siç kam firmosur mijëra e mijëra emisione, reportazhe dhe shkrime, ai në mënyrë ironike, në dy faqe artikull, më thërret 17 herë “Dulla”, ia them se ky shkurtim i qëllimshëm e me konotacion negativ, është për të një bumerang. Ia kujtoj këtë nga që ai pretendon se mbron trashëgiminë e Enver Hoxhës.
Avdulla Kënaçi
Toronto, Kanada
22/ 06/2018

Please follow and like us: