Albspirit

Media/News/Publishing

Shqipërime të Arqile Garos nga poeti Zacharias Papandoniou

PASDITE TE TRISHTUARA

 

 

Në lagjen tonë të varfërisë,

mendja më rri tek një sokak,

pasdite e trishtë, mbushur farmak,

e djelë dhe gjethi nuk lëvis.

 

Nën diellin që përvëlon

një vajzë e vyshkur, pa shkëlqim,

ujit zambakët në ballkon,

pa zë, pa shpresë, pa hidhërim.

 

Asnjëri rrugës nuk kalon,

po dhe ajo nuk pret njeri,

ka veshur një fustan të ri,

që ndrin më kot e kuqëlon.

 

Si magjistricë gëlon një plakë.

Bri një rrënoje ndënë mur,

hij’ e fëmijës bredh mbi gurë

tinguj këmbane vijnë që larg…

 

E ndën ato të errëta re,

do zhytet dielli pas pak.

Si psallmë e fundit veç ai zë,

i tregëtarit endacak.

 

Gjithçka u step, u ndal atje.

Mbrëmja nuk thotë të vijë, mënon ….

E shpirti im buçet, gulçon.

E djelë pasdite, helbete!

 

Shqipëroi: Arqile Garo, Janninë, mars 2014.

 

PAPAGALLI

 

 

Porsa mësoi të thosh natën e mirë,

një papagall u ngref e tha pastaj:

“Qënkam i mënçur, shqipen unë e thaj

ç’ bëj k’tu në errësirë!”

 

Xhaketën ngjyrë jeshile hedh në krahë

e në kongres të zogjve niset shkon,

t’ u thotë një mendje truri që ndriçon.

E merr një pozë serioze tek u grah,

kollitet ca, hedh sytë në hapësirë

dhe flet: natën e mirë!

 

Fjalimi i tij u prit me ovacion

Sa i kënduar! Llafi mori dhenë,

Do jetë i ditur shumë, një fenomen,

derisa njerëzishtçe kuvendon!

 

I ardhur nga India, kush e di

sa libra ka me vete e histori,

me ç’ dijetarë ka folur e sa mend

ka nxënë ky filozof në atë vend!

 

“O profesor, a do të kemi fat

ta marrim vesh idenë tuaj të dlirë?!”

dhe papagalli kollet në të thatë,

po çfarë të thotë? E prapë: natën e mirë!

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, mars 2014.

 

MARIGOJA

 

 

Po kjo çupa, për ibret,

si nuk bën një punë të mbarë.

Na harron gjellën në zjarr

ëndërron fshatin e vet.

 

Duart k’tu po, domosdo,

mend’ e saj në fluturime.

Iku pjata, copë, thërrime…

Marigo, moj Marigo!

 

Kur niset për ujë kaluar,

rri me veten e kujton.

“Çelën lulet në ballkon?”

Harron rrugën nga ka shkuar.

 

“Kali me pikën tek balli?

Derri ynë vallë, sa u rrit?

Dhe për gjyshin, më merr malli…”

Maro, Marigo, moj shpirt!

 

“Rosa vezët i klloçiti,

dolën bibat në bregdet,

sa do që të mbyllet viti,

gjyshja mirë është me shëndet?”

 

Pa i vjen një gulç në zemër,

i djeg loti në qerpik.

Dhe një pjatë mbetet pa emër,

Marigo, të rëntë një pikë!

 

Vishi prapë Maro çitjanet,

lidh shaminë, shtrëngo futanë,

e merr rrugën për tek stanet,

Marigo moj, gjeç belanë!

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, mars 2014.

 

 

LUTJA E VAJZES SE VOGEL

 

 

Zot, që sheh shtëpizat tona

varfërisht, nuk bëhet ndryshe,

një fole me dallëndyshe

në pullazin tonë dërgona.

 

Ti që ke hënën si gogël

edhe ëngjejt me pekule,

bëj që kjo saksi e vogël

të më mbushet plot me lule.

 

Dërgo Zot në kthinën time

dy pëllumba të praruar,

që t’ u jap me këto duar,

ujë e grurë e plot thërrime.

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, mars 2014.

 

LUTJA E FUKARAIT

 

 

Imzot tani që darka vjen, të falem përgjëruar.

Veç shpirtit tim në këtë botë kërkënd nuk kam trazuar.

Të dashurit më lanë mbi trup veç njolla lemerie.

Unë dhimbjen time e përball. Të botës pse ma bie?

 

Gëzimet shkuan edhe vanë. Të kthehen s’ u kërkoj.

Pres të më vejë zi e më zi. Mëkat që të shpresoj.

Me ngazëllim e adhuroj unë tmerrin sterrë të natës.

Në derën time s’ troket kush veç erës dhe shtërngatës.

 

Lëvdata s’ kam. Të thjeshta qenë bëmat e jetës time.

Dëgjova shiun ëmbëltar. Sodita perëndime.

U dhashë fëmijëve plot gaz dhe përkëdhela qëntë.

Pa përshëndeta plot barinj që ktheheshin me dhëntë.

 

Tani nuk kam asgjë të zboj, asgjë s’ kam për të mbajtur.

Edhe nuk pres asnjë shpërblim. Aty mendjen s’e çova.

Më bëj gajret të nisem shpejt të shkoj ku duhet vajtur…

Faleminderit për ç’ do mal, për fushat që gëzova!

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, shkurt 2013.

 

 

I PADURUARI

 

 

Sapo që pula vezët kish klloçitur,

e po gatitej që të  nxirrte vocërrakët,

njëri nga zogjtë, me sqepin tek kapakët,

matanë lëvozhgës, foli i mërzitur:

 

“Sa do më lënë të mbyllur këtu brënda?

nuk mund të pres as edhe një dekikë!

Si the? Eshtë kohë e humbur edhe pikë!

Se aty jashtë më presin punë të rënda!

 

Me siguri do dal një gjel trimosh, i pashëm,

me lafshë të bukur, pendëartë e i hatashëm.

Natës dhe ditës do t’ u shtoj veç bukurinë,

do ndjell agimin si tenor që sokëllin!

 

Mbi gardh, e në oborr, ndën retë e zeza,

ushtrinë e pulave me zell do komandoj!”

Dhe flet daj gjeli me çibuk në gojë:

“Avash o xhan, pa dil njëherë nga veza!”

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, mars 2014.

 

APOLOGJI PARA KAFSHEVE

 

 

Kur më shikojnë e zhduken larg gjithë tmerr e frikë maçokët,

mendojnë se kanë para një div që dot s’ i gjenden shokët,

kam qejf t’ jau heq k’të iluzion sa pa më rënë gjithë flokët.

 

Hija që rend të fshihet shpejt në fund të rrugës time,

natën që kthehem në shtëpi mes territ me thëllime,

sikur ta dinte që unë vetë dridhem dhe nga një qime!

 

Duket se rrojnë me një instikt që u kanë lënë të parët

edhe vazhdojnë nga njerëzit, thjesht të kenë frikë qyqarët,

ndoshta dhe unë, kur qeshë fëmijë, hyja te zullumqarët.

 

Ama tashmë që ndjej mëshirë e dashuri thellë vetes,

u them shpirtërave mëkatarë: një thelb të së vërtetës,

gërgitj’ e një koteleje, është vetë kuptimi i jetës.

 

Në shurdhërinë që na rrethon, në k’ të vetmi vrastare,

hapat e saj kur mrekullisht vjen pranë pa u ndjerë fare

a nuk e bëjnë heshtjen flori, fjalën britëm barbare?!

 

Memece prekja e plot kuptim në prehrin e durimit,

tek ledhaton atë gëzof nën rrezet e agimit

e i flet për llumin njerëzor, skëterrën e mashtrimit.

 

E le të jetë një mace e aq, një kafshëz e dëbuar,

natën! në ngricë! në një sokak të ngushtë e kruspëlluar,

e sharë prej hyzmeqareve, prej plakave mallkuar

 

e trembur prej fëmijëve, nga ndjekjet e friguar,

për ngrohtësi! për dashuri! për ledhë e përmalluar

që unë me shpirt ta lumturoj, kështu të jetë e shkruar!

 

 

Shqipëroi: Arqile Garo. Janninë, mars 2014.

 

Please follow and like us: