Albspirit

Media/News/Publishing

Emil Asdurian: SHKOLLA DHE STRUKTURA E SHOQËRISË

 

Mund ta them me krenari dhe me plotë gojë që jam Kosovs, se bëj pjesë ne atë grup njerëzish të privilegjuar, që u ulën në bagat e kësaj shkolle fillore, e cila në kohën, kur kurikulat dhe gjithçka e lidhur me to ishin të standartizuara nga Vermoshi kryelartë në Sarandën e shtruar me atë det perlë të bukur e të qetë, ish e veçantë. Nuk, do të them “ne”, ata, që u bëmë këta dhe ata, ministra, kryeministra, presidentë apo akademikë, artistë e tjerë e të tjerë, (vetë, një qytetar fare i thjeshtë, emigrant), se këtë rrëmihje krenarie e kryen mendërisht, kushdo, në çdo cep të globit, i bindur se sishokët e tij të famshëm, se dhe ai, dhe për këtë, është paksa si ata, po aq i përvetshëm.

Nuk di si pëfundova aty, nga kopështi 11, q’atëherë ish mbrapa Ministrisë së Mbrojtjes Popullore, diku ku sot ndodhet Katedralja e Kishës së Shenjtë Orthodokse. Di që, ditën e parë, të parën fare, imcak si cingël, me një tufë me lule e një përparëse të zezë, me jakë të bardhë, si fustanellë mbi pantalloonat e shkurtëra, prisja në mes të një rreshti, ca me frikë e ca me kurreshtje, të filloja një jetë të re. Ndoshta, më pranuan për hir të prindërve, nënës më shumë, q’e kishte afër punës së saj, por dëgjoja përreth të pëshpëritej që kisha fat, se ish një nga shkollat më të mira në Tiranë dhe “fëmijët e Bllokut shkonin aty”!
Ç’e mirë zeza, oborri më duket ish gjysëm i shtruar, pjesa e mbetur e ish tokë argjile, me një ngjyrë të verdhë të shplarë në gri, që linte gjurmë mbi rrobat e hekurosur me kujdes. Një godinë një katëshe, në formë L-je, e cila përfundonte me një pjesë gjysmë të rrënuar në fund të oborrit, përballë derës që hapej për nga Liceu Artistik, nga vinin herë herë çuditërish tinguj të magjijshëm. Klasa, të gjitha klasat ishin njëlloj, si kishë protestante me mure të bardhë, me një portret si i vizatuar me karbon dhe banga të zeza, ngjyer kështu, që të mos dukej boja e shkrimit, q’e mbanim në shishe të vogla a sfera plastike, që pretendohej se nuk pikonin. N’atë kohë, shkruhej me penë, me majë hekuri të mprrhtë dhe bojë, që gjyshet na e thërrisnin kallamar. Derdhej, dreq’ i mallkuar, derdhej dhe sa më shumë kujdes aq më keq. Sa herë kam ngrënë “dru” për këtë.
Di që nga ajo ditë, vrapoja tërhequr nga dora e nënës, për të mbërritur pa rënë ende zilja, të bëhesha tjetër.

Ç’e bën këtë shkollë të veçantë, tani, (kur mbyllen shumë të tjera), sa kryeministri ynë i nderuar mori pjesë në përurimin e saj, e rrënuar dhe e harruar për disa dhjetëvjeçarë? Malli i elitarëve që dolën prej andej? Nuk besoj, ndoshta se binte me në sy tek “udhëheqja”! Por jo! Tani qe e mendoj, s’ish aspak ajo afërsi politike dhe gjeografike. Aty kishte punë e jo llafe, të ishe kush të doje, bir kryeministri a i Ministrit të Brendshëem, aty ishe një trumcak i pamësuar e asgjë më tepër. Ai oborr kish kaq shumë dashuri, sa ne që e ndamë s’u harruam, emrat akoma i di dhe fytyrën fëminore parasysh edhe pse më vonë shkëmbenim një përshëndetje të heshtur me kokë apo me sy. Ato mure vende-vende të rrezuara q’u shtrinë përdhe për ne, që të fluturonim të lirë…. s’janë më. Kushedi kush ua vodhi tullat?

Shkurt dhe pa mall, e veçantë ish këmbëngulja e mësuesve të përkushtuar për të na dhënë më shumë, për të bërë më shumë me ne dhe në gjithë atë marrëzi fëminore ditën ta gdhendin tek çdo njëri. Shkolla ish model, dhe mbet e tillë, për nga mësuesit e saj, pa tituj. Të gjithë, një nga një, mësuan ne dhe një plejadë mësuesish të rinj, nga gjithë Shqipëria ime, q’erdhen dhe ikën të mbushur, por të panginjur. Përpjekja për dijen, për një hap më tej në rrugën e saj, me dije. Të gjithë e mbajnë mend mësuesen e parë, unë timen: Minerva Rusin, po se po. Ngeli ajo e imja edhe pse qe e të gjithëve. E rreptë, por mua më donte fort, kështu besoj ende, dhe kur më qortoi. A vallë më qortoi ndonjëherë! Si unë u ndjenë gjithë të sajët, të barabartë dhe të veçantë!

Struktura, ndërtimi i shoqërisë së re, pas Luftës së Dytë Botërore, në Shqipërinë, që më vonë do të bëhej fanar, e gjeti brezin tonë, ne katin e parë dhe fillimin e të dytit, se në ndërtim punohet dhe në disa njëkohësisht, sa ish shkatërruar ndërtesa e vjetër, me bazë mbi të ndryshmen dhe pronën, në një të re ku paraja s’kish më vlerë, dhe e ndryshmja sillte dallime dhe këto te fundit, prishnin unitetin dhe nënkuptonin shfrytëzimin e njeriut nga njeriu. Prona po se po! E reja, po ringrihej me fabrika, uzina dhe kulturë me hapa të shpejta. Nxitja duhej sa frika dhe pikërisht aty, nisi të ngrejë kokë, të zvarritet e të ngjitet në trup të saj privilegji. S’qe pagesë, sa më jep të jap, duhej të jepje shumë më shumë, por i dukshëm dhe i prekshëm. U kthye në mënyrë jetese. S’kishe makinë tënden, por mund të jetoje në shtepinë e ish aristokratëve, qoftë dhe vetëm në një pjesë të saj, por dhe, po të kishe qënë nga të parët e Lëvizjes (përmbysëse) pse jo dhe në të tërën, rrethuar me ushtarë, në “Bllok”. Këtu hynte emërimi dhe pashaportizimi në Tiranë, q’erdh e u shndërrua në qytet-shtet, oborr a majë piramide. Çdo gjë aty më e mira. Shkollat, bibliotekat, dy, e vjetra tek Rruga e Elbasanit me librat e etërve françeskanë dhe të renë, Pallatin Tempull të Kulturës. Universiteti i vetëm kombëtar.

Por jo vetëm kaq, Opera ish aty, Radio Televizioni, ah harrova Bulevardi dhe Broadway ku flitej, e ecej dhe bisedohej ndryshe. U shfaq dhe në gjuhë, flitej me një dialect të vjetër me shumë fjalë arabisht a turqisht, “a-të” u shndërruan në “o”, apostrofet si nga të Fishtës nuk shkruheshin, por me to merrej frymë, sa ata të rretheve, sapo të ardhur s’mund ta vidhnin dot, dhe të lindurit aty, n’atë fat dhe kohë, krenarinë e shprehnin me një lirëshmëri q’ia kishin zili vetes. Ish n’atë kat, që linden klasat, ku shumica e barabartë, pa pasur kurrëfarë fuqie, u miklua me klasën brenda vetes. Ndjehej q’ishe Tiranas, “ Tirons”, siç ndjehet që je Parisian, edhe pse ekonomi e tregut, lëvizja e lirë e popullsisë, emigracioni dhe globalismi po i fshinë, sa e dinë dhe e ndjejnë vetëm ata që janë, se niveli i arsimit, si dhe ai i jetës është kudo i njëjtë, nga Lioni ne Dyselfdorf e kudo, në Europën pa kufij.
Duam apo s’duam, ndërtesa e shoqërise së sotme, ende në themel, se gënjyen, do grihet dhe më lart. Numri i shkollave dhe universiteteve private në qytetet kryesore është shtuar, ndërkohë kur shkollat në periferi po mbyllen dhe arsimin e mbaron dhe pa dije. Arritja dhe rritja e standartit të përcaktuar, s’di nga kush, organizma ndërkombëtare, nën trysninë e njësimit të diplomave për arrati a drenim mendjeje, ndërkohë është lënë pas dore investimi më i rëndësishem, ai njerëzor, jo për nga gradat shkencore, por në karakterin e pakorruptueshëm, të pjesës më jetësore të shoqërisë. Burimin!
Jam i bindur, s’ka humbur as tek ne, dhe po, do të bëhet të vijë. Duhet me doemos të vijë. Te tjerat janë të lehta dhe së bashku me përmirësimin e vazhdueshëm të programeve dhe laboratoreve do të krijojë një nivel të lartë e të barabartë, ne çdo krahinë. Dikur Voskopoja kish universitet, kur e gjora Tiranë, s’ishte bërë ende nuse. Shumica e universiteteve më me zë në SHBA janë larg Washingtonit dhe New York-ut, si të ishin në Vlorë a Shkodër, pa përmendur traditën shekullore, qysh nga koha e Buzukut. Ështe e qartë qe investimi më parësor për një shtet të ri si i yni, s’është tjetër por Arsimi! Nje arsim elitar, ku më shumë se kudo tjetër publikja të konkurojë me privaten, lira dhe e drejta e saj njerezore, të luftojë, segrecionin ekonomik, q’ajka të jetë ajkë, jo e bisnesit, por e kombit.
Po, Shkolla ‘Kosova’ me kangjella dere të shtrëmbëruara, e vogël si një kasolle, mbi një oborr me pluhur, ishte perlë për mësuesit e saj, ata që pa asgjë, paguar varfër si të gjithë, krijuan tek nxënësit e tyre dëshirën e zjarrtë për dijen, u zbuluan vlerën e saj, lirinë dhe detyrën, talentin e tyre. Nga ata mësuam t’i dashurojmë, po aq sa dhe dashurinë. Shpresoj që në hyrjen e kësaj shkolle të jenë vendosur, jo emrat e nxënësve të shquar (politikanë a të tjerë), por ata, të mësuesve të atij brezi fisnik e te pakorruptueshëm.
Ka ardhur koha, të mos jemi historikisht krenarë vetëm për luftëtarë botëshpëtues si Skënderbeu, a piktorë artistë të shquar si Onufri, sot, këngëtarë e futbollistë, por për mëndje të mençura. Einsteini u bë kush ish, jo nga geni a ethnia, nga “komb i zgjedhur”, por nga shkollat dhe kolegjet ku mësoi, nga sivetët që kishte përreth dhe ndau mendje dhe ide parreshtur.
Po! Jam Kosovs, ata më kanë mësuar, por mezi pres qe Kosovse të jetë e gjithë Shqiperia. Nëse na duhet te mëkëmbemi, aty, n’atë truall tashmë të asfaltuar, me godinën e lartë me tulla të kuqe, është guri i parë i themelit të vërtetë, nëse arrimë ta kuptojmë se një s’është veç një fillim! Shërimi, aty dhe ringjallja!

Please follow and like us: