Albspirit

Media/News/Publishing

Ylli Pango: Ëndrra miliardere

 

Kam njohur një njeri që mishëron sa askush, apo si shumë të tjerë, ëndrrën miliardere shqiptare të këtyre dekadave postçmenduri e çmenduri lloji tjetër njëherazi. Kur në verën e vitit ’90 u hapën ambasadat, ai ishte ndër të parët që u përgatit. I erdhi rrotull ambasadës disa ditë rresht, njohu mirë gjendjen, pa të hynin sa e sa dhe pastaj si një filooksidental i vërtetë, lindur për atë dhe vetëm atë botë, hyri qetësisht brenda në ambasadë, pikërisht ditën e fundit, atëhere kur u tha që do të mbylleshin portat. Në atdheun që po linte pas ishte marrë me gjithçka, që mund të arrinte të bënte një njeri i mendjemprehtë, i cili me inteligjencën e shkathësitë që kishte, nuk mund të pranonte të bënte jetën mizerabël që impononte ai sistem. Brenda ligjit por ca herë edhe jashtë ligjit. Gjente monedha të mbretërve të njëqind dyqind e kusur vjetëve më parë, aty ku nuk ja priste mendja njeriu, në shtëpi qytetarësh rënë nga vakti, në sëndyqe fshatarësh, në fshatra a vende nga më të largëtit e më të humburit.I rishiste e i këmbente ato që gjente a që i blinte për hiçmosgjë. Gjente gjela siç quheshin atëhere monedhat e arta e blinte me to sahatë, i nxirrte jashtë e i fuste brenda. Gjente stoli e objekte të vjetra. Shkurt bënte këto e sa e sa të tjera punëra kontrabandë që i kanë bërë dhe të tjerë, madje edhe vetë shteti hipokrit i asaj kohe. Por askush nuk i bënte si ai. Me talent e dashuri. Jo aq për fitimin që e rishpërndante bujarisht, se sa për vetë aksionin, shijen e tij e të rrezikut që mbartte. Kaq ishte protesta ekonomike që mund t’i bënte asokohe regjimit. Ligji i asaj kohe arriti ta “fshikte” veç një herë por jo aq rëndë. E provoi ca kohë burgun por veç një herë e jo më. Ndofta sepse jo vetëm ishte vetë i shkathët por edhe sepse i ruhej si dreqi humbjes së lirisë, që edhe ashtu ishte mjaft e kufizuar.

Kështu pra për t’ju kthyer verës së vitit 90, pas atyre peripecive në ambasada që dihen tashmë, u gjend në anije tok me emigrantë të tjerë me drejtim atdheun e dytë europerëndimor. Biznesin në botën e re e filloi që pa zbritur akoma nga anija. Nisi të ndante punët, ku do të shkonte njeri, e çfarë do të bënte tjetri. Parashikime e projekte të mëdha. Harruam t’u themi se zërin e kishte të ëmbël, ishte tregimtar i zoti e dinte të bënte për vehte cilindo që i kish mbetur qoftë edhe një fije sado e vogël besimi tek raca njerëzore. Kur mbërritën, mësoi shpejt e shpejt, a aq sa i duhej për dialog nga gjuha e vendasve dhe hyri menjëherë në negociata allishverishesh me ta. Solli në atdhe sa e sa ngarkesa mallrash të çdo lloji që nga veshjet e deri tek pijet dhe u angazhua u lidh e punoi me sa e sa biznesmenë të vegjël e të mëdhenj andej e këndej kufirit. Ndërkohë nëpërmjet njohjeve që bëri atje, ” importoi”(kuptohet ndër vite), nga atdheu familjen, të afërm, e miq, duke u bërë nder sa e sa njerëzve. Arriti disa here të kishte para plot, por edhe t’i harxhonte me shpejtësi marramendëse. Për vete por edhe për të tjerë se ishte hovarda. Kuptohet në nivele dhjetra apo dhe qindra mijra eurosh (disa thonë me siguri miliona), por asnjëherë të bëra tok, për arësye që porsa thamë. Edhe për një arësye tjetër. Ai synonte të bënte tok disa miliona, pa pastaj të mendonte, nëse do të bënte pushim, një lloj grumbullimi përfundimtar…apo pse jo, ndonjë investim akoma edhe më të fuqishëm për miliona e miliona pse jo miliarda të tjera…

Përmasat e ëndrrës së tij nuk njohën kurrë kufi. Edhe në momentet më të vështira,kur ishte i sëmurë a në prag të vdekjes, gjithnjë në mendjen e tij vërtiteshin njëherazi disa plane milionash “Një biznes nën dhjetë milion euro, nuk është biznes” e kishte zakon të thoshte. …Gjithsesi gjithë ç’pati e ç’nuk pati, nuk ju panë kurrë sa pati. Miqtë thonë se arriti disa here të bënte miliona, por ai nuk i llogariti dot kurrë se nuk i shkonte dot t’i rrinin asnjëherë të gjitha bashkë. Priste rastin e madh kur të mos kishte nevojë as për numërim, por veç të shtynte thesin e parave me këmbë, siç thoshte dikur miku i tij Ciu, edhe ky një personazh i këij lloji, tashmë në emigrim.

Dhe rasti i erdhi dikur, diku në atdhe të bënte dhe ai betejën e tij të madhe. Ja gjeti anën e fillin kryeministrit të aksh kohe të tranzicionit, e i mbushi mendjen që t’ i besonte kontratën e furnizimit me tagji (a grurë), të gjithë bagëtisë (a njerëzisë shqiptare).Tagjia do të ishte nga më e mira dhe do vinte drejt e nga hambarët më në zë të Perëndimit të bekuar. Mori dhe një kapar të mirë e u kthye në atdheun e dytë, në kështjellën luksoze që ia blatoi për do kohë një mik e partner vendas i atij shteti bujar që aq shumë i ndihmoi shqiptarët në atë fillim. Jetoi shumë kohë atje si kont, sepse veç fëmijëve të vet adaptoi dhe ca të tjerë, që sipas ligjit i jepnin veç parave edhe shpërblime e benefite të tjera të mëdha për aktin bujar. Nuk dihet si e qysh ndodhi por tagjia (a gruri) nuk shkoi kurrë në vend, ndofta jo për faj të tij. Ai u shpall non grata e nuk erdhi dot më në atdhe për një kohë daha të gjatë. Pastaj u muar me punë të tjera të mëdha si biznese reale a imagjinare gjerdanësh, xhevahiresh, diamantesh, porosira miliona tonelatash hekur për t’ i çuar më pas në Dubai, naftë të tipit të rrallë për Kaukaz etj etj, projekte madhështore që mbetën një pjesë e mirë në letër, por që e bënë të përjetonte iluzione ku e ku më të bukura se përrallat e të njëmijë e një netëve, piratëve të Karaibeve a të Ali Babës vetë.

Kur u lirua disi dora në Shqypni e u ndrruan regjimet “demokratike” me njeri-tjetrin, ju harrua bëma erdhi sërish në atdhe se e kishte marrë dhe malli. Ndërkohë aty na kishin hedhur shtat piramidat e Zoti e desh që në majë të piramidës më të madhe na kish hypur, vetë ai, shoku i tij i ushtrisë V. Miku që ja dinte aftësitë, sapo e takoi, e vuri menjëherë në komandën superiore të piramidës, direkt pas vetes. U bë kësisoj prapë me para, por jo tamam siç do donte. Nuk ja zinin syrin rrogat sado të mëdha të ishin. Synimi i asaj pune nuk ishin rrogat por ajo punë që do ta shpinte në atë qafën e lartë aq të dëshiruar. E po me rroga sado të mëdha, milionat nuk bëheshin dot. Kishte dhe shpenzime shumë në fakt. Kur ulej në Kafe Milioner e rrjepacukët i mblidheshin për rreth, i daroviste të gjithë bujarisht. Gazetashitësve u a blente tërë gazetat njëherësh. Të gjithë bashkaatdhetarëve donte tu jepte ndonjë gëzim, se tashmë ishte dhe i huaj për nga pasaporta. I vinte keq për ta dhe kurrë s’ u a tha një llaf të keq, madje edhe kur e bezdisnin shumë. Njëherë u tha ca lypësve se nuk kishte ç ‘u jepte gjë tjetër atë ditë veç parave. “U lutej shumë që së paku atë ditë të mos e lodhnin me kërkesa të tjera”.

Me ikjen e piramidave, iku dhe ai sërish në atdheun e dytë. Sërish pa e plotësuar ëndrrën e plotë…Vijoi më tej me projekte të mëdha me algjerianë, francezë, me dy marokenë, projektin e madh kinez, negociatat me rusët…Gjithnjë mes dy planesh të mëdha, apo me një plan të madh që do i sillte ca plane akoma më të mëdha, e më pas miliona. Gjithmonë në telefon do të dëgjonim një surprizë të re, një udhëtim të ri. Asnjëherë nuk e humbi iluzionin e bukur se një ditë do ta arrinte objektivin që e kishte munduar që në rininë e largët. As kur u sëmur rëndë herën e parë dhe mbijetoi jo vetëm se jetonte në një vend ku “është fat të jesh i sëmurë”por sidomos sepse, edhe atëhere nuk donte a nuk dinte të pushonte asnjëherë…Udhëtonte në kërkim të iluzionit të tij të artë, vinte sërish në vendlindje, bridhte nëpër Europë, më larg, për një zbulim të ri, për një premtim të ri, një negociatë të re me rëndësi.

Pastaj e goditi vala e dytë, sëmundja fatale. Mënyra se si ju tha nga një mjeke tuafe, ishte e ashpër: “Nuk ke veçse pak muaj jetë”. Shoku i parë psikologjik, ishte dërrmues. Por patën për të një kujdes të paparë. Si për çdo qytetar të atij vendi. Veç tani nuk udhëtonte dot më. Zuri shtratin, në shtëpi në fillim e më pas në spital. Për do kohë, çuditërisht (asnjë çudi për të), e rimori veten goxha psikologjikisht. Fliste në telefon për plane të reja, ide, udhëtime. Kur zuri shtratin e fundit, e hyri në dhomën e të dënuarve pa shpresë, dhe e kuptoi se nuk do ngrihej më, lëshoi shakanë e fundit: “Hej, miku im. Si është të vdesësh, më thuaj të lutem…Nuk e kam provuar asnjëherë…”.

Ditën që u nda nga kjo botë, nuk dukej fare si i sëmurë. Përkujdesjet ishin të atilla sa veç të tjerash edhe grimi i fytyrës bëhej ditët e fundit, zghaste me orë të tëra që të mos ngjiste fare si i sëmurë. Një mik i vjetër që i shkoi pranë, ndenji gjatë me të. Pastaj u largua, pa e qenë i sigurt se kishte ardhur tashmë momenti i fundit. Kishte ende shpresë. Ku ta dish. Me të ngjisnin gjithnjë çudira. Dikush i kishte thënë para do kohe se lëngata mund të zgjaste edhe nja një muaj. Ndofta edhe një vit. Por tek udhëtonte me tren për në shtëpi, mikut i telefonon e shoqja e të sëmurit. Kishte mbaruar. Ai u kthye pas një jave në atë qytet, për ceremoninë. I ndjeri kishte lënë porosi ta digjnin…

Sot ky njeri shqiptar i të dy epokave, prehet siç e deshi vetë, poshtë rrënjëve të një peme e s’ është veçse një grusht hi në një kuti, në qytetin e bukur ku e çoi fati, por sidomos vullneti i vet, një ditë vere të fillim viteve 90. Aty ku emigroi, ëndërroi e jetoi me familjen e miqtë e tjerë që solli më pas, mbi çerek shekulli. Sigurisht nuk është i vetmi.

Ka mjaft të tjerë, fate shqiptarësh të tjerë, mbetur udhëve në kërkim të milionit a miliardit të parë. Por unë së paku nuk gjej njeri që me jetën e tij të më kujtojë më fuqishëm ëndrën më të çmëndur shqiptare të këtyre tre dekadave, ëndrrën miliardere, iluzionin për të cilin u vranë e u prenë, u arratisën e terratisën,u çmendën e ëndërruan miliona shqiptarë. Ai e ushqeu tërë jetën këtë iluzion, jetoi pothuaj i lumtur me të. E arriti pothuaj, a ju duk se e arriti dhjetra here ëndrrën por pastaj vetë e shkapërdante atë. Dhe riniste sërish turravrapin e tij. Sikur të mos donte vetë ta arrinte atë. Sigurisht donte më mirë të jetonte, të vazhdonte të jetonte me ëndrrën a iluzionin, se sa me miliardin a milionin e ëndërruar nga sa e sa shqiptarë. Me iluzionin i cili jo rrallë është më i bukur se realizimi i ëndrrës, ashtu si gjithë jeta, si vetë ajo. Miku i tij i mirë, njeriu me “Nj” të madhe Xhil, shkroi atë ditë pas djegjes së trupit të tij dhe bashkë me të dhe të ëndrrës së tij të madhe: “I hipa trenit dhe lashë pas mikun tim të kthyer në hi. I dhashë lamtumirën e fundit, e putha në emrin e gjithë miqve që nuk mundën të ishin…do më mungojë tmerrësisht…u prehtë në paqe miku ynë i dashur, personazh “a multiple facettes”, (shumëdimensional) nga ata që rrallë lindin.

(Nga libri “Psikologji Shqiptare”)..

Please follow and like us: