Albspirit

Media/News/Publishing

Flamur Çani: LIDHJET E ÇANAJE ME HASKAJT, ME ÇIPAJT E KARDHIQIT, ME KUKAJT DHE TOPULLARËT E GJIROKASTRËS

 

 

Dajlan Haska i Parë kishte për grua Zuron nga Erindi. Ajo ishte vajza e Sheh Hysenit dhe motra e Sheh Mersinit.

Dajlani me Zuron bënë fëmijët: Musin Haskën, që u martua me Neslin, e cila qe nga Shehajt e Erindit. Musin Haska ka qënë shumë i pasur me dhënë, me toka buqësore, por sidomos me kullota. Ai ishte një njeri shumë mikpritës dhe duke patur Zemanin kushuri u lidh me Çerçizin duke e strehuar dhe ushqyer vazhdimisht atë dhe çetën e tij. Gruaja e tij, Neslia u sëmur dhe vdiq shpejt, që më 1945, ndërsa Musini vdiq në 1960. Ka qënë Pëllumja, nusja e Dajlanit ajo që i ka bërë shërbim të mirë.

Më pas Dajlani me Zuron lindën vajzat: Sabon, Mamudenë, Memishanë.

Sabon e martuan në Kardhiq te Ahmet Çipa, djalë i Merko Çipës. Merko Çipa dhe Ahmeti ishin në gjendje të mirë ekonomike, me prona dhe plaçkë në Shqipëri e sidomos në Greqi, në Thilipiadhë. Thonë se babai i Merkos ka qenë nga Kardhiqi, që mori Ali Pasha kur shkatërroi Kardhiqin, duke i vendosur ata në rrethinat e Janinës e Gumenicës në Filipjadhë. Atje ata siguruan me lekë një pjesë të pronave të tyre. Me punë e blerjen që bënë Merko Çipa e Ahmet Çipa i shtuan këto prona. Sabua ka qenë një grua e gjatë, e bukur, shumë e dashur dhe mjaft tërheqëse.

Mamudeja u martua me Feti Çanin. Fetiu ishte një burrë mesatar në trup, i shëndoshë dhe i zgjuar. Administrator i mirë i pronave, i ekonomisë, ndaj Merkua e kish caktuar edhe për ndjekjen e ekonomisë së tij së bashku me Ahmetin, djalin e tij. Fetiu kish aftësinë që të të bindte me logjikën e tij, kur kuvendoje me të. Ishte shumë i fortë edhe fizikisht, kështu që vendasit në Filipjadhë të Greqisë ia kishin shumë frikën. Ndërsa Mamudeja ishte një femër e gjatë, me dy gërsheta të pleksura, por nevrike. Ama shumë e dashur dhe bujare. Tek ajo ktheheshin e rrotulloheshin miqtë e Musinit e Sabos nga Kardhiqi e Gjirokastra si dhe njerëzit e Memishanes nga Çarçanajt e Fushëbardhës. Ajo u martuar me Azis Çarçanin. Sidomos në tre muajt e verës tek Mamudeja mblidheshin fëmijët e vëllait, të motrave, nipër e mbesa. Që të gjithë tek Mamudeja se ajo qe e dashur, me shtëpi në mes të fshatit e afër kroit Vithë që kishte ujë të ftohtë. Ata bënë djalë Eqeremin.

Kur lindi djalin, e ëma vdiq dhe fëmija u rrit tek njerëzit e afërm në Fushëbardhë, por më shumë në Mashkullorë tek ne (Çanejt). Qenë të urtë e të dashur dhe Mahmudeja i donte shumë. Eqeremi në moshën 20 vjeç doli partizan në Brigadën VIII dhe ra Dëshmor i atdheut. Pavarësisht nga vdekja e Memishajt mardhëniet me Çarçanajt i ruajtëm sepse kishim dhe lidhje të tjera. Musin Haska me Neslinë lindën djalë Sulo Haskën që u martua me Antigonin e këta bënë një djalë, Rolandin, arkitekt në Sarandë. Sulua duke qenë në gjendje ekonomike të mirë vazhdoi gjimnazin e Gjirokastrës duke vajtur e ardhur nga Gjirokastra në Mashullorë me kalë me shalë, sëbashku me kushëririn e tij Siri Çarçanin. Pas çlirimit vazhdoi një dy vjeçare dhe u bë jurist sëbashku me Vaso Cicin dhe gjykatësit Telemakun e Samiun. Ai ishte një nga juristët e parë të Gjirokastrës, me detyrë prokuror. U caktua prokuror në Gjirokastër dhe Tepelenë. Në 1956 ai u sëmurë nga nervat, rezultat i një shakaje të bërë nga shokët nga sedra dhe më vonë u sëmurë rëndë, u shtrua në spitalin e Vlorës për disa vjet dhe vdiq aty në Shtator të 1986. Sulua ishte djalë i shkëlqyer, i zgjuar e korrekt.

Musini e Neslia bënë vajzë Behon që u martua me Pertef Kadarenë, njeri punëtor, i urtë, shumë i ndershëm. Ndërsa Behua ishte një grua e urtë, nikoqire dhe e dashur, shumë mikpritëse. Ne djelmoshave shkollarë, të Mashkullorës, kur vazhdonim shtatëvjeçaren, shpesh ktheheshim tek Behua dhe ajo s’na kursehej kurrë, me cfarë t’i gjëndej në shtëpi. Ndonjëherë tek ajo shkonim; unë, Ismeti, Shahini, Hektori e Haxhiu, që kishim lidhje me të, por nuk mungonin dhe rastet kur merrnim edhe shokë të tjerë.

Ata (Neslia me Musinin) lindën edhe Gazen, që u martua me Xhevat Bistrin. Gazja ishte nikoqire e mirë, dhe ne, nipërve të saj, na ka shërbyer shumë. Xhevati ka qënë njeri i urtë e i dashur. Ai kurdoherë e bënte muhabetin të mirë, ka qënë partizan e më vonë oficer, por u sëmur nga stomaku e pastaj punoi në tregëti, kurdoherë i ndershëm. Gazja edhe Xhevati kanë lindur fëmijtë:

Letën, që u martua me Zigur Çakon, dhe kanë dy fëmijë: Adin dhe Endin të cilët jetojnë në Greqi.

Dianën, që u martua me Sami Elmazin në Vlorë, dhe kanë dy fëmijë: Elidonin dhe Lidën, të cilët jetojnë në Itali.

Tashën, që u martua me Fredi Gozhitën në Gjirokastër, dhe kanë dy fëmijë: Arbenin dhe Devidin.

Dashamirin, që u martua me Irenën në Gjirokastër dhe kanë tre fëmijë: Elën, Kristinën, Marinë.

Të gjithë fëmijët e tyre janë të dashur e të mirë. Ata ndodhen në emigracion në Greqi.

Musini dhe Neslia lindën dhe Lirinë, që u martua me Sulo Mihon nga Hormova. Këta lindën Drinin, që u vdiq para kohe; lindën dhe Agimin, Verën dhe Nevron.

Ata(Musini me Neslien) lindën dhe Izmet Haskën, doktorin që është stabilizuar në Tiranë e që është martuar me Mimozën e kanë lindur dy djem: Edlorin dhe Erjonin. Të dy djemtë janë ekonomistë dhe punojnë në Tiranë.

Musini dhe Neslia lindën dhe Dajlanin, që u martua me Pëllumbe Ahmetin, vajzën e Xhevdet Ahmetit e që kanë lindur: Rozën, Xhemalin, Fredin.

Dajlani ka qënë një nga blektorët më të mirë të fshatit dhe Cepos për delet. Ai ka qenë shembull në detyrë dhe një kushëri i mirë. I papërtuar dhe i gjendur në çdo sebep që kam patur në fshat. Dajlani çdo muaj hante një mish nga më të mirët e tufës duke e paguar. Nuk hante kurë therje të sforcuar këtë gjë e dinin të gjithë dhe ndaj shpesh e ngacmonin. Ai mori kullotat e babait, pronë e dikurshme në vitin 1991-1993 dhe ngriti shtëpinë në Kare. Më vonë u sëmur dhe vdiq në Shkurt të 2005.

Motra e Musinit dhe e Mamudies, Sabo Haska, u martua në Kardhiq tek Ahmet Çipa, djalë i Merko Çipës. Babai i Merkos, ishte Refati, që pas luftës së Kardhiqit me Ali Pashën, e mori së bashku me kardhiqotët e tjerë dhe me gruan e tij, i syrgjynosi në rrethinat e Gumenicës së Greqisë. Merkos gruaja e parë i vdiq dhe mori gruan e dytë me të cilën bëri këta fëmijë: Bajamen, e cila punonte në Teqen e Shtufit; dhe Bulen, që u martua në Pashunajt e Delvinës, e cila e kishte nënën nga Kadarejt e Gjirokastrës.(Nalon)

Shefikua ishte motra e Merkos dhe nëna e Qamos. Ajo u martua në Mashkullorë me Avdul Daden, ku lindi Qamon dhe Malo Daden, por meqë u humbi një kec dhe e kërkonte disa ditë rresht, i vunë mbiemrin Keci. Shefikos i vdiq burri, Avdul Keci, nga “gripi spanjollë”, prandaj u përkrah me gjithë fëmijët në Thilipjadhë tek vëllai dhe nipi. Atëherë vajti në Filipjadhë edhe Sabua me Bedullën e vogël tek Merkua dhe Ahmeti. Bedulla mbante në kokë feste me qëndisma floriri. Një mbasdite Bedullën e vodhën andartët grekë, por Shefikua doli në shkallë me armë duke qëlluar si burrë dhe i trembi andartët grek, të cilët e lëshuan Bedullën e vogël, duke i mbajtur vetëm festen e qëndisur me fije ari. Kur u dogj Kardhiqi, familjen e Merkos dhe të Ahmetit i mori dhe i strehoi Çuçi në Meçite që e kishin mik. Baba Sulejman Çeribashi(Baba i Teqesë së Shtufit) ishte mik i kardhiqotëve. Duke qenë në teqe vajza e Merkos, Bajamja(vajza me gruan e dytë e Merko Çipës) dhe duke qenë se aty punonte dhe Sheh Ibrahim Kuka, u bë sebep Baba Sulejmani për të martuar Bedullën me Teki Kukën,(Adon) vajzën e Sabos dhe e Ahmetit nga Kardhiqi. Tekiu kishte vëlla Baba Ibrahim Kukës nga Cfaka e Gjirokastrës. Kur u martua Tekiu me Bedullën u këndua dhe kënga:

“Bedullë, do të pi dollinë

Na bëre me miq të mirë.

Ne bëmë dhëndër Tekinë

Edhe krushk Baba Brahimë!”

Neimeja, motra tjetër e Merkos dhe e Shefikos u martua në Delvinë në fisin Shushaj. Atje lindi djalin, Arshi Shushin. Pasi i vdiq burri, ajo u martua në Dunavat me Zenel Sulfatin. Por edhe Zeneli vdiq, prandaj ajo u përqendrua tek pronat e Merkos dhe të Ahmetit në Filipjadhë, në Greqi. Arshiu, djali i Neimesë, u martua me një vajzë greke dhe ndryshoi edhe emrin e vet, duke e kthyer nga Arshi në Aristidh. Neimeja në Filipjadhë u bashkua me Shefikon, Sabon e Bedullën. Arshiu qëndroi tek pronat e Merkos. Atje shkonin edhe Musini, Tekiu dhe Mahmudeja. Tekiu, por dhe Çanua me Hysniun, vëllezërit e Fetiut nga Mashkullora, të gjithë së bashku punonin në pronat e Merkos, por dhe në pronat e tyre të blera atje pranë, që me kalimin e kohës i shtuan dhe i shumuan me ullinj, agrume, lajthi, kumbulla e dardhë. Mbillnin edhe oriz, grurë e misër, perime e fasule për nevojat e veta, por edhe për shitje, sepse merrnin prodhime të mira. Ato prodhime i shisnin në Janinë e Gumenicë. Me ndihmën dhe të argatëve vendas ata prodhimet i transportonin me karro e me kafshë edhe në fshat e Gjirokastër për nevojat e veta e për të shitur. Në këtë kohë u hapën punë të shumta në pronat e tyre në Filipjadhë, prandaj detyroheshin të merrnin edhe argatë nga ata që qenë përreth atyre pronave prej Shqipërisë dhe Çamëve. Me punëtorët silleshin mirë, ishin korrektë dhe i paguanin mirë, madje më mirë se të tjerët, e kjo bënte që të shkonin mirë midis tyre.

Qamua, mbesa e tyre, ishte vajzë jetime dhe ligjet e kohës nuk ia merrnin burrin ushtar. Meqë nëna e Çerçiz Topullit, Hasua dhe tezja e saj nga Haskajt, Lulja, ishin nga Kardhiqi, u interesuan dhe e lidhën Qamon e nënë Shefikon nga Kardhiqi, me Çerçiz Topullin dhe kështu u martuan bashkë. Qamua përkrahej në Filipiadhë, ndërkohë që Çerçizi me çetën e tij lëvizte nga një vend në tjetrin. Atje, në Filipiadhë përkrahej edhe Jonuz Topulli. Ky lidhi atje miqësi me Aristidh Shushin.

Merkua dhe Ahmeti i rritën pronat duke arritur deri në 6000 rrënjë ullinj, 76 pela për prodhimin e mëzave për ushtrinë. Lidhnin kontrata të rregullta me shtetin. Pasi i shtuan këto prona së bashku: Çipajt, Çanajt, Haskajt dhe Kukajt, filluan të organizoheshin më mirë. Me këtë rritje të sipërfaqes dhe të prodhimit, ata ranë në sy për keq për vendasit e sidomos karshi andartëve grekë, të cilët i ngacmonin shpesh, tjetër se këta ishin të fuqishëm dhe i përballonin presionet e tyre deri edhe në ato fizike. Më 1914 andartët grekë rrahën dhe vranë Ahmetin në klubin e fshatit. Ndërsa në maj 1915 helmuan Malo Kecin.

Këto incidente u bënë problem në Greqi. Disa ishin të nxitura edhe nga vetë qeveria greke, ku përmendim trajtimet që ata u bënin zonave të Kardhiqit e Kurveleshit. Sa për sy e faqe, të helmuarit, iu bënë analizat e meqë do diktoheshin nga përfaqësues të Qeverisë, thanë, për t’u shfajësuar, që nuk ishin helmuar. Ndërsa, kur e panë Malon, para se ta varrosnin në Mashkullorë, me analiza të tjera, mjeku konstatoi se ishte helmuar dhe se helmimi i kishte sjellë vdekjen. Në maj 1916 andartët grekë paguan vendas dhe vranë edhe Merkon, babanë e tyre. Kështu pronat në Filipiadhë mbetën në dorë të Arshiut, i cili së bashku me Jonuz Topullin i shitën dhe i vodhën ato më vonë. Nisur nga këto ngjarje që rrodhën njëra pas tjetrës prej ushtarëve grekë në Filipiadhë, në Delvinë, Kardhiq e Kurvelesh filluan indinjatat e kundërshtimet ndaj ushtarëve grekë. Njëri prej tyre ishte edhe nip i Sabos në Delvinë, i motrës së Bedulla Kukës, Sali Shushi. Ai karakterizohej për trimërinë.

Në Delvinë në atë periudhë ishte greku Thimjo Loli. Ai sillej shumë keq me popullin atje. Prandaj populli i Delvinës e kërkoi Saliun që të dilte në duel me Thimjo Lolin. Dhe Saliu doli në duel dhe u ndesh me Thimjon. Thimjua qëlloi i pari, por nuk goditi dot në shenjë, ndërsa Saliu e plagosi keq Thimjon, që në goditjen e parë. Prandaj edhe populli i këndoi këngën:

“Delvinionët të kërkojnë,

Të japin 300 napolonë,

Të bësh luft’ me Thimjo Lolë

S’është Saliu për zorrë.

Dil pusht’ të shohim shoshoqnë

Tek Çelemt në brinjë

Ngule syrin e vure gjunë

Lavose Thimjo Lolinë….. etj.” (SH.H, M.H)

Teki Kuka dhe Bedulla lindën plot djem e vajza, e këta nipër e mbesa që janë të shpërndarë në Gjirokastër, Tiranë e disa deri në Itali, Gjermani apo në Kanada e Amerikë, ku kanë shërbyer me dinjitet kudo. Ata kanë lindur:

Hatixhea – martuar me Andrea Kostën nga Berati.

Aliu – martuar me Violeta Mezinin nga Gjirokastra.

Fatua – martuar me Fadil Kokalarin nga Gjirokastra.

Selfua – martuar me Zenepe Erindin nga Gjirokastra.

Nedirja – martuar me Bujar Karagjozin nga Gjirokastra.

Fatbardha – martuar me Skënder Puton nga Gjirokastra.

Ahmeti – martuar me Vera Kokalarin nga Gjirokastra.    (S.K)

Të gjithë këto çifte kanë bërë shumë djem e vajza, që janë shpërndarë në Gjirokastër, Tiranë, Amerikë, Gjermani, Kanada, Itali e gjetkë, por dashuria e tyre për njerëzit, për Shqipërinë, Gjirokastrën, për fisin dhe të afërmit, është ruajtur e rritur përditë e më shumë.

Pasi u helmua dhe vdiq Fetiu, babai i tyre, thanë se u helmua kur ishte 28 vjeç në klubin e fshatit, që atëhere ishte nën ndikimin e andartëve grek, të cilët lëvrinin në fshat e në zonë. Më vonë djemtë e tij u përkrahën nga daja i tyre, që kishte shumë nevojë për punë në pronat e tij, e sidomos në bagëtitë, që i kishte shtuar në atë periudhë. Vdekja e tij e papritur bëri shumë trazira në fshat e në zonën e Kardhiqit. Musini në këtë periudhë ishte shumë i pasur me toka pjellore dhe me kullota e dhen e dhi të bollshme. Ai kishte nevojë për mbështetjen e nipërve të tij. Por nipërit, duke e mbështetur atë, rritën njëkohësisht edhe pronat e tyre. Ata shfrytëzonin kullotat e veta, por edhe të dajës së tyre. Kësisoj atëherë e zhvilluan mirë blegtorinë, prodhimin prej tyre dhe të ardhurat. Në atë kohë Musini bashkë me Sabon kishin kullotat më të mëdha në Kare e kodrat përreth saj, kullotën mbi plepat e Çiçaje, Lofatën, Viroin dhe kodrat përreth, si dhe kullotën rreth Grihotit. Më vonë Musini e shiti një pjesë të kullotave, ndërsa tjetrën e humbi në kumar së bashku me Rami Xhoxhin e Abaz Çanin, te Gusmarajt, Çiçajt dhe Roqejt e Gjirokastrës.

Më 1986 e pikërisht më 18 janar të këtij viti, kur unë vajta në Janinë brenda një delegacioni të Komitetit Ekzekutiv, më takuan 4-5 grekë me origjinë nga Kardhiqi. Me ta ishte dhe ish prokurori i Gumenicës dhe i Janinës (edhe ky nga Kardhiqi, Resul Mersini), që e dinte mjaft mirë problemin e pronave të Çipajve, Haskajve, Kukajve e Çanejve. Si duket kishte studime dhe donte prokurën që të ndiqte kthimin e tyre tek pronarët e ligjshëm. Ai ishte 93 vjeç kur u takuam. E lamë të takoheshim të nesërmen, por, si duket, nuk e kishin lejuar dhe takimi nuk u bë. Kjo lidhje nuk u bë as atëherë e as më vonë.

 

MASHKULLORA DHE TOPULLARAJT

 

Nëna e Çerçiz Topullit, Hasua ishte nga Kardhiqi. Prej Kardhiqit ishte dhe motra e saj, Lulja që u martua me Myrte Haskën. Të dy lindën: Shahen, Feimin, Kalon, Zemanin dhe Minenë.

Çerçiz Topulli shfrytëzoi lidhjen me tezen e tij, Lulen e me fëmijët e saj. Ai shfrytëzoi dhe lidhjet me Dajlanin e Musin Haskën, kushëririn e Shahes e Zemanit si dhe lidhjet me të afërmit e gruas së tij, Qamos. Pra, këto lidhje filluan t’i shfrytëzonin Çerçiz e Bajo Topulli, por edhe çeta. Te këto lidhje çeta gjente ngrohtësinë dhe furnizimet me ushqime, por edhe strehimin. Ata strehoheshin shumë në familjen e Shahes e të Zemanit, por më shumë tek Musin Haska, i cili ishte më në gjendje. Këto lidhje e afruan më shumë çetën me Zemanin, i cili u bashkua me çetën e Çerçiz Topullit dhe s’u ndanë më që nga maji i vitit 1903, nga njëri-tjetri. Zemani kishte një trup mesatar, i shëndoshë, shumë trim, i urtë dhe gjakftohë. Ishte administrator i shkëlqyer i çetës. Prandaj edhe çeta e quante Zemanin “mama e çetës”. Zemanin dhe çetën e merrnin herë pas here dhe fshatarët e tjerë trima, si: Bilal e Arif Hamua, Çano e Hysni Çani, etj. Është fakt që me çetën e Çerçiz Topullit në Korçë dhe Dhespotin e vrau i riu nga Mashkullora, Bilal Hamua, ku merrte pjesë dhe Arif Hamua, djemtë e Zulal Hamos nga Mashkullora. Bilali ishte 24 vjeç, ndërsa Arifi 26 vjeç. Ata iu bashkuan çetës së Çerçizit deri në Korçë ku çeta vrau dhespotin. Atje ata debatuan me Çerçizin, sepse, për të vrarë Dhespotin ishte caktuar një pjesëtar tjetër i çetës, ky ishte vetë Bajo Topulli. Por atë e kishte zënë gjumi. Kaloi Dhespoti dhe Bilali nuk priti më, por qëlloi dhe e vrau. Pas vrasjes së Dhespotit ata vanë dhe vodhën pasuritë e tij, sepse Dhespoti kishte shumë bizhuteri flori. Por duke qenë se rreth atij vendi kishte shumë ortodoksë dhe Çerçizi nuk i donte të tilla veprime, u grind me ta dhe Arifi e Bilali u larguan nga çeta dhe u kthyen në fshat.

Lidhjet miqësore të Çerçizit me Çiçajt, me Zekatët dhe me Baba Brahimin në Teqen e Shtufit ishin të mëdha. Në Teqe hynin që të vizitoheshin e të strehoheshin në hauret e tyre për shumë kohë, si në Levenisht në hauret e Zekatëve, tek hauri i Abaz Çanos, tek haurët e Çiçeve, etj. Por ata më shumë sistemoheshin tek Musin Haska dhe Shahe Haska, ku ishin më të sigurt dhe më në gjendje për t’u ofruar ushqim. Më 13 shkurt 1908 çeta e Çerçizit vrau në Gjirokastër Bimbashin. Pas këtij akti patriotik çeta u tërhoq dhe u fsheh tek shpella e Lenikut në Prongji, ku ruheshin nga prongjotët, kurse Damo Ligu ishte furnizuesi i çetës me ushqime. Pasi kaluan tre ditë nga vrasja e Bimbashit, ata u afruan tek hauret e Zekatëve në Levenishtë e prej andej në hauret e Çiçeje në Ngjole. Më pas erdhën në Mashkullorë te Musin Haska, ku u strehua Çerçizi, Mihal Gramenoja dhe Hajredin Tremishti nga Përmeti. Ndërsa pjesëtarët e tjerë të çetës u strehuan tek Shahe Haska, shtëpia që sot është e Veli Haskës.

Çerçiz Topulli, që kur mori Hajredinin në Tremisht, nuk e ndau më nga vetja, por e mbante pranë atë. Bashkë hanin e bashkë flinin. Kur çeta ndodhej në Tremisht, një grup të rinjsh dhanë fjalën se do shkonin me çetën, por kur çeta u nis, me të u bashkua vetëm Hajredini. Pasi çeta kishte bërë goxha rrugë larg Tremishtit, Çerçizi e provokoi Hajredinin: “Boll na shoqërove tani. Ktheu në fshat.” Mirëpo Hajredini nxori thikën e tij dhe duke ia dhënë Çerçizit duke i thënë: “Ja, prema kokën kështu e nuk kthehem unë në fshat…” Dhe ai vazhdoi pa u ndarë nga çeta, deri sa u vra më 18 mars 1908 tek hauri i Abaz Çanit.

Herë pas here çeta mblidhej tek Musini e Shahia dhe këndonin këngë patriotike, ku Çeçua ia merrte këngës, si:

“Abdyl prishe pasurinë

Një barrë flori…

Të shpëtoje Shqipërinë

se s’kishte njeri”.

Kësaj kënge ia thoshte mirë Musini Haska, ndërsa për ta mbushur mirë këngën ishin pjesëtarët e çetës.

Nga ana tjetër Shahia, si rapsod popullor e shumë shakaxhi që ishte, ia merrte:

 

“Kur bie poshtë të flë

I ziu gjumi s’më zë.

Kam zënë sevda me një

Nuk di ç’kallauz t’i vë.

Them t’i vë gjitonenë

Dhjetë lira jap për të.

Nga të dhjeta s’do asgjë….” Etj

 

 

Apo Musini ia merrte:

“Dolli bejka nga katundi

Gushebardha si pëllumbi

Ç’pate gushëbardhë, ç’pate

Çpate që ike nga fshati

Nga zilia, nga inati

Nga e ëma, nga i jati…”

 

Apo këngën:

 

 

“Mike në të kam për mike,

Kur të vdes të bënesh qyqe,

Të më qash me vaj e ligje,

Aman mike, o moj mike…” Etj

 

Ndërsa Çerçizi ia merrte prapë shtruar dhe këndonte gjithmonë të njëjtën këngë:

“Birbilenjë, Birbilenjtë të 13

Vanë në litarin vetë.

Ngrehu ngrehu birbil hidh litar

Dale bëj të ndez cigarë

Se, se s’jam çanaku me llallë

Por, por jam birbili me pallë

Që kam prerë e që kam vrarë…..” Etj.    (K.H)

Megjithëse të zënë me Çerçizin, Bilal dhe Zulal Hamua nuk ndaheshin nga çeta, por e ndihmonin atë. Pas shumë tentativave, forcat turke ranë në erë se ku ndodhej çeta e Çerçiz Topullit. Ushtarët turq rrethuan qysh në mëngjesin e datës 18 mars 1908 territorin ku strehohej çeta. Në ato çaste nënë Zurua hapi dritaren të shikonte dhëntë, por kur pa që nga koçelja po afroheshin ushtarët turq, u ngrit e njoftoi çetën, e cila u drejtua për te hauri i Abaz Çanos në Zhazhë, për t’u siguruar. Kur po hidheshin njëri pas tjetrit tek përroi i Kumanatit drejt haurit, komandanti i turqve iu drejtua kryeplakut, Metko Ahmetit: “Ç’janë ata?”. Ai u përgjigj:“Janë eshqellar(bucelabërës), bëjnë fuçi për bulmet dhe janë nga Çatista”. Çeta e Çerçizit u ndoq pas dhe filloi një luftë e paparë midis një çete prej shtatë vetësh me 200 ushtarë turq. Atë ditë çeta u ndihmua edhe nga përroi i Kumanatit, i cili kishte dalë nga shiu që kishte rënë dhe nga mjegulla. Prapa çetës, në drejtim nga Cepua, ndihmonin edhe Balil e Arif Hamua, Çanua, Hysniu e të tjerë mashkulloritë.

Xhafer Hamua kishte djalë Veip Xhaferin, Zylalin dhe Myftar Hamon që u vendos në Tragjas të Vlorës, tek Kalaja e Gjon Boçarit. Zylali kishte djalë Arifin dhe Bilalin. Myftar Xhaferi me grua nga Kardhiqi Merzon, bën fëmijët Hetemen, Qamilen, Ilxhinë, Lesienin dhe Rahimin djalë. Në 1914 ikën shumë mashkulloritë për në Vlorë në rrethinat e saj. Me ta iku dhe Myftar Hamua që u vendos në Tragjas të Vlorës, (tek Gjon çarët) që nuk u kthyen më në Mashkullorë, por i kanë mbajtur lidhjet. Ndërsa Zylali me Bilalin dhe Arifin nuk vajtën në Vlorë, por qëndruan në Mashkullorë derisa u vranë në luftë me grekët.

Para përfundimit të luftës së Mashkullorës Bilal Xhaferi(Hamua) doli në Zhazhë, e pa Çerçizi dhe e quajti Feim, vëllan e Zemanit, dhe i tha Zemanit: “E sheh Feimin?” Dhe Zemani i thotë: ”Vraje, se ndihmon turqit”. Atëhere Çerçizi e qëlloi në lule të ballit, por ai nuk kishte qënë Feimi, por Veip Hamua. Nga ushtria turke u vranë 9 ushtarë, ndërsa nga çeta Çerçizit ra në fushën e betejës i riu pjesëtar i saj, Hajredin Tremishti.

Populli i Gjirokastrës, i Mashkullorës dhe i gjithë Shqipërisë e ka përjetësuar Luftën e Mashkullorës në shumë këngë me avaze e dialekte të ndryshme. Më shumë nga të rinjtë e Gjirokastrës është kënduar kënga:

 

 

“Doli shkurti hyri marsi

Në Gjirokastër u vra Bimbashi

Tek Mashkullora, tek rrapi

Tek rrapi në mashkullorë

Foli Çerçizi me gojë

Mulazim largo taborë

Se ju skuq ju bëj me bojë

Çerçiz Topulli më thonë…”

Etj. (SH.Haskaj)

Por varianti më i kënduar është ai që këndohej nga Jaço e Fike Beqiri, ashtu shtruar e zgjatur:

“Shkurt e mars, s’mbaj mend mirë

Asqerë nga Janina vijnë.

Mblodhën fshat e parësinë.

Ku ka Zemani shtëpinë?

Te kullat e bardha në brinjë.

Kanë karshi Lunxhërinë….”  Etj ( SH.H, K.Haskaj)

Veip Hamua (Xhaferi), kishte dy djem: Bajramin dhe Afuzin. Ata ikën si mashkulloritët e parë dhe vanë në Izmir, në Turqi, së bashku me Muharem Mirten, Kaboçin dhe Qamil Ahmetin, Selfo e Muin Lamen. Bajrami dhe Afuzi nuk u kthyen më në Mashkullorë.

Lufta e Çetës së Çerçiz Topullit është kujtuar e festuar në çdo kohë. Ka marrë pjesë në festime rinia e qytetit, sidomos ajo shkollore edhe nga popullata tjetër. Mblidheshin bashkë të mëdhenj e të vegjël mashkulloritë e shumë të ardhur posaçërisht, për të kremtuar hareshëm dhe me një pikësynim të qartë patriotik. Midis të tjerësh kanë ardhur e kanë folur: Muin Çani, Jani Minga e patriotë të tjerë nga Gjirokastra e gjithë Shqipëria. Më 1942 atje foli oratori Memo Meto. Më 1943 Mustafa Matohiti e të tjerë. Fjalimet e tyre ngritën peshë rininë qytetare e atë mashkullorite. Pas mitingut shtoheshin radhët e brigadave partizane me luftëtarë të rinj për çlirimin e Shqipërisë. Vetëm atë ditë të 18 marsit të 1943, pas fjalimit që mbajti Birlbil Matohitit, (Mustafa Matohiti) dhe që ngriti peshë të gjithë së bashku në prezencë të xhandarëve italianë, dolën 131 partizanë të rinj, nga fshati dhe nga rinia Gjirokastrite.

Në Mashkullorë, Çerçizi kishte mik edhe Vasil Dulin e parë. Të gjitha bazat ishin zënë në anë të fshatit me qëllim që në raste gjurmimi dhe sulmi të shpërnguleshin sa më shpejt dhe më lehtë. Në luftën e Mashkullorës Zemani u tregua jo vetëm luftëtar i patrembur, por dhe strateg mjaft i zoti, sepse ai e njihte terrenin e fshatit. Ishte Zemani që e drejtoi çetën për të shkuar te Hauri i Abaz Çanos për të bërë qëndresën ndaj hordhive turke. Dhe pas luftës ishte Zemani që e drejtoi çetën te hauri i Shahinit në Çiçaj dhe jo në drejtim të Cepos, sepse mund të ishte zënë dhe binin në grackë.

Në Mashkullorë në 20 mars 1978 ka fol Enver Hoxha.

Please follow and like us: