Albspirit

Media/News/Publishing

Xhezo Cana & Ibrahim Vasjari: Hysoskëndajt e Vasjarit

 

Fragment

Për procesin e formimit dhe konsolidimit të shtetit shqiptar, qysh nga përpjekjet e para të pashallëqeve e deri në shpalljen e Pavarësisë, duke vijuar më pas me sfidat e mbijetesës gjatë një rruge e fati të vështirë kombëtar, kujtesa kolektive ruan të freskëta në çdo fshat e krahinë histori gjaku e sakrificash. E, ndonëse përpjekja për mbijetesë kombëtare është e gjithëkohshme, ajo merr forcë të veçantë mobilizuese në periudha ngjarjesh madhore, ku spikatin ide e ideatorë të shquar. Në këto periudha, në vorbullën e historisë ‘së madhe’ shkumëzojnë me uturimë edhe historitë e ‘’vogla’’ të fiseve, fshatrave e krahinave, të cilat numërojnë shembuj të panumërt përkushtimi patriotic me heronj e bëma heroike.

Hysoskëndajt hyjnë me dinjitet në radhët e atyre fiseve që nuk e kanë ndarë veten nga fati i atdheut. Të zgjon interes për vlerat dhe mesazhet që përcjell historia mbresëlënëse e këtij trungu familjar që, nga brezi në brez, ka dhënë në vazhdimësi kontribute patriotike e personalitete me emër, rreshtuar varg njëri pas tjetrit në tre shekuj si një zinxhir i vetëm, pa asnjë hallkë të këputur.

Fillesat e sagës së ndritur të këtij fisi, brezat e të cilit ia kalojnë stafetën njëri-tjetrit nga dora në dorë, pa e lënë të bjerë në shesh gjatë këtyre tre shekujve, nisin qysh nga gjysma e dytë të shekullit XVIII kur bëmat e tyre i gjejmë të dokumentuara në arkivat e kohës, në korrespondencën, librat dhe kujtimet e botuara nga mjaft autorë vendas e të huaj, por edhe të ruajtura e të përjetësuara në këngën e pavdekshme të popullit.

 

Miti

 

Për fisin Hysoskëndaj të Vasjarit ka edhe një gojëdhënë që e jep gjenezën sipas versionit të vet. Fabula është e thjeshtë, personazhet janë të rëndomtë, të marrë nga jeta reale, ndërsa elementi që përbën të jashtëzakonshmen, është një lëkurë kau, e cila të befason me rolin çudibërës dhe situatën humoristike që krijon. E kaluar gojë më gojë nga brezi në brez, ajo njihet në të gjithë krahinën dhe tregohet edhe sot në Vasjar. Madje, të vjetrit vënë buzën në gaz sa herë që detyrohen të tregojnë këtë histori. Bëhet fjalë për këtë fis të ardhur relativisht vonë nga Nivica e Kurveleshit dhe që kërkoi strehim një Vasjar, shpërngulur ndofta për t’u larguar nga ndonjë hasmëri në fshatin e vet.

Të ardhurit nga krahina malore përtej Vjosës u treguan të respektueshëm, paqësorë dhe modestë në kërkesat që i drejtuan parësisë dhe këshillit të pleqve të Vasjarit. Ata u lutën si hallexhinj që t’i pranonin në Vasjar në një copë truall, ku ta shihnin të arsyeshme vendasit. Kërkesa e të ardhurve niviciotë për të gjetur strehë në një fshat me toka të buta pjellore e kullota dimërore buzë Vjosës, tërhoqi vëmendjen dhe zilinë e disa fshatarëve, të cilët nuk kishin ndërmend ta ndanin këtë begati me të tjerë, aq më pak me këta malësorë të dyshimtë, që vinin nga një krahinë e përmendur për kaçakë e kusarë.

– Le t’i dëgjojmë njëherë se ç’kërkojnë, – thanë më pleqtë. I pari i fisit bujtës, plaku Hyso, erdhi në krye të një taborri me burra, djem e fëmijë. Pas tyre, rrinin ca gra të ngarkuara me djepe.

Pleqtë e dëgjuan me vëmendje bujtësin. Pastaj ulën kokat të menduar, thithën çibukët e diç pëshpëritën me njëri-tjetrin me zë të ulët. “Qysh do t’ua bëjmë këtyre jabanxhinjve? Në hall të madh janë e duken njerëz të mire”.

Më plaku i fshatit i tha:

– Sa tokë doni që të vendoseni këtu, o njerëz hallexhinj?

– Aq sa zë një lëkurë kau, – u përgjegj jabanxhiu Hyso, duke u përkulur me respekt para pleqve të Vasjarit.

Këshilli hapi sytë me kërkesën qesharake të bujtësve.

Dikush qeshi nën mustaqe, të tjerët shkëmbyen ca vështrime të shpejta ku ndihej keqardhje, por edhe ironi ndaj kësaj lypësie mjerane. Por kryeplaku i Vasjarit i priti mirë fjalët e jabanxhinjve, u ngrit në këmbë dhe u dha dorën miqësisht duke u thënë:

– Hallall ju qoftë, o njerëz dhe bëfshi hair e prokopi në Vasjar!

Por të ardhurit e përtejlumit nuk paskeshin qenë aq modestë në kërkesat e tyre sa ç’u dukën në fillim. Ata morën lëkurën e kaut, e prenë shirita-shirita të hollë dhe rrethuan një territor aq të madh sa fshati u revoltua. Plasën grindjet midis krerëve të parësisë. Disa mbronin mendimin se të ardhurit ishin mashtrues dhe duheshin ndjekur nga fshati sa më parë. Disa thoshin se duhet rishikuar marrëveshja. Ndërsa më të maturit kërkuan një interpretim të ri të kanunit dhe të precedentëve të tij. U bë edhe një konsultë me stërpleqtë. Por fjala ishte dhënë dhe burrat nuk e kthenin dot mbrapsht. Ishte koha kur burrëria dhe fjala kishin pushtet hijerëndë.

Mbas një viti, thuhet se aty kaloi një dervish që qëndroi për t’u çlodhur e për të shuar etjen te çezma e fshatit. Ishte prag dimri dhe oxhaqet e fshatit kishin nisur të tymosnin. Dervishi vërejti se në njërën nga lagjet e fshatit, tymi ecte më drejt se në lagjet e tjera. Kur mori vesh se aty ishte ngritur një lagje e re me të ardhurit nga përtejlumi, fërkoi mjekrrën dhe tha: ‘’Pas 100 vitesh kjo do të bëhet derë e parë me pasuri dhe emër jo vetëm në fshat, por edhe në krejt krahinën’’. Dhe me të vërtetë, pas 100 vitesh pasardhësit e tyre jo vetëm u shtuan e u pasuruan, por u ngritën në rangun e parësisë së fshatit, duke shpalosur aftësi e vlera të larta luftarake e patriotike dhe duke përfaqësuar denjësisht fshatin dhe krahinën me pjesëmarrjen e tyre aktive në të gjitha ngjarjet madhore nëpër të cilat kaloi vendi gjatë këtyre 200 vjetëve të fundit, gjithnjë në lidhje të ngushtë me komunitetin e, mbi të gjitha, të palëkundur në krahun prokombëtar, pavarësisht ideologjive.

Fisi i ardhur nga Nivica për të cilin legjenda spikat zgjuarsinë e dinakërinë labe, gjithsesi u afrua e u miqësua shumë shpejt me fshatin, krijoi lidhje të qëndrueshme e respekt reciprok. Patën dhe ndonjë krushqi të rrallë në fshat, siç ishte rasti i motrës së Agos dhe Veiz Vasjarit, martuar me Gushon në lagjen Miran të Vasjarit. Nga martesa e tyre lindi Sadiku, ndërsa djali i tij, Zeneli, u zhvendos më vonë nga Mirani te dajot, në lagjen Betaj.

Një pjesë e Hysoskëndajve hynë me kohë në agallëkun e fshatit, ndërsa Ibrahim Vasjari mori titullin “bej” nga Porta e Lartë e Stambollit. Nga ky fis kanë dalë shumë burra që u shquan si trima në luftë e të mençur në kuvende. Fshati i ka nderuar e respektuar si bij të tij, por, sidoqoftë, edhe lëkurën e kaut nuk e harron kollaj, ua kujton gjithnjë me humor thumbues që ta mbajnë vëth në vesh.

 

Historia

Hysoskëndajt duhet të kenë ardhur në Vasjar aty nga fillimi i shekullit XVII. Në këtë përfundim arrijmë nisur nga koha kur dokumentohet jeta dhe aktiviteti i të parit personalitet të këtij fisi, Ago Vasjarit, cili duhet të ketë lindur rreth viteve 1750, (mbështetur në të dhënat e Pukëvilit që e ka njohur nga afër dhe që thotë për të se ishte 72 vjeç më 1822); pra, mendohet që brezi i xhaxhallarëve të tij, Osmanit dhe Barjam Vasjarit, të kenë lindur afërsisht në fillim të viteve 1700. Kësaj familjeje që në këtë kohë ishte bërë me pasuri dhe emër, patjetër i është dashur kohë për t’u formuar si e tillë të paktën 3 breza. Kështu që Hysoskëndajt mendohet të kenë ardhur rreth viteve 1600-1630. Edhe ardhja nga fshati Nivicë i Kurveleshit nuk është se mbështetet në ndonjë dokument. Origjina niviciote mbetet më e besueshme, mbështetur fort te kujtesa popullore që e ka përcjellë gojarisht nga brezi në brez. Në mbështetje të këtij versioni ka edhe argumente të tjera rrethanore që e lidhin këtë fis me pjesën e tij të mbetur në Nivicë e të shpërngulur më vonë në krahina të tjera. Ka dhe një fakt interesant që ia vlen ta përmendim: Myslim Vasjari, nipi i Agos,  në letrat që së bashku me Abdyl Frashërin u dërgonin Fuqive të Mëdha për mbrojtjen e interesave tona kombëtare në vitet 1870-1880, firmos jo vetëm si përfaqësues i Toskërisë, por edhe i Kurveleshit ku bën pjesë Nivica e prejardhjes së tij.

Hysoskëndajt duhet të kenë pasur një traditë të hershme luftarake, një përvojë kaçakësh, por edhe mercenarizmi, çka aso kohe ishte tepër e përhapur në Labëri. Duket se kanë qenë njerëz të shkathët, trima e punëtorë. Shumë prej tyre shërbenin me ofiqe në ushtri dhe xhandarmëri në Janinë, More e gjetkë.

Shkaqet e shpërnguljes në Vasjar mund të kenë qenë të ndryshme, ndofta për t’i ikur ndonjë hasmërie, por edhe për të gjetur kushte më të favorshme zhvillimi e jetese, duke pasur parasysh se Vasjari me shtrirjen e vet që nga buzëlumi Vjosë e deri lart në kodrat e Miranit, në një hapësirë, tokë dhe klimë të përshtatshme për bujqësi e blegtori, me kullota dimërore e kodra të veshura me ullinj, ofronte mundësi më të favorshme sesa Nivica malore. Kjo u krijonte atyre mundësi ekonomike për të shtuar pronat në Vasjar e fshatrat përreth, për të blerë kullota e për të mbarështuar blegtorinë. Natyrisht jo të gjithë ishin të suksesshëm dhe jo të gjithë ecën njëlloj në karrierë e pasuri. Mjaft prej tyre nga brezi në brez u rrënuan ekonomikisht, por mbetën gjithnjë trashëgimtarë të denjë të të parëve të tyre, njerëz të ndershëm e me vlera morale.

I pari i fi sit Hysoskëndaj kishte njohje qysh më pare me Bame Adushin që jetonte në lagjen përfund fshatit Vasjar, aty ku fusha dhe kullotat zbresin gjer buzë lumit.

 

… dhe degëzimi

 

Ngulimi i Hysoskëndajve në Vasjar mund të ketë ndodhur edhe me ardhje të pjesshme në disa interval kohore. Më të hershmit, pasi zunë vend e krijuan marrëdhënie miqësore me fshatin duke fituar besimin e vendasve, mundësuan kështu dhe ardhjen e pjesës tjetër të fisit.

Duke folur për strukturat sociale të organizuara në fise të shqiptarëve në Jug dhe Epir, Oliver Jens Schmitt vëren se këtu mbizotëron një sistem me struktura të pjesshme, si fara. “Këto gjini të pjesshme shpesh jetonin në lagje të veçanta fshati, më së shumti në shtëpi të fortifi kuara… Gjinitë e pjesshme shpesh quheshin sipas të parit, ndaj kishin emra si: Vasilenj, Nikaj ose Panajotenj’’.2 Hysoskëndajt ishin të një trungu, ‘’të një zjarri’’, siç thuhej në popull, por të ndarë në tri vatra të veçanta, në tri gjini të pjesshme, që më vonë u identifi kuan me mbiemrat: Veizaj, Shemaj e Zaçaj, si të prejardhur nga të parët e tyre.

Ashtu si tradicionalisht, të tri degëzimet e kësaj farefisnie kishin marrëdhënie të ngushta me njëri-tjetrin, bazuar në lidhje gjaku. Për këtë, është domethënës një dokument i dhjetorit 1834 në gjuhën greke, ku valiu i Janinës Mahmut Pasha ngul këmbë që të sigurohej mbështetje “nga toskët Veiz Vasjari, Hamit Vasjari e Zaçe Vasjari që ishin vasjaras e konsideroheshin një shtëpi, por Toskëria për shkak të grindjeve të vjetra me Emin Pashën nxori në skenë Tafi l Buzin… Kjo revoltë e shqiptarëve është me rrënjë të thella”. 3.

Nuk dihet nëse Hamit Vasjari, njëri ndër tre emrat e përmendur nga valiu i Janinës, është ai që në dokumentet e periudhës së Ali Pashës përmendet disa herë si vëllai i Agos dhe i Veizit apo bëhet fjalë për tjetër person.

Mendojmë se në informacionin që jep valiu i Janinës më 1834 duhet të jetë shkruar gabim Hamit për Hamet (Ahmet).

Është më e besueshme që të mos jetë fjala për Hamitin, vëllanë e Veiz Vasjarit, por për Hamet (Ahmet) Vasjarin, sepse valiu përmend tre përfaqësues degësh të dala nga trungu i përbashkët fisnor, jo për dy vëllezër të një familjeje.

Hamet apo Ahmet Vasjari (variant shqiptimor i të njëjtit emër) është përfaqësues i njërit degëzim fisi, atij që më vonë mbajti mbiemrin Shemaj, por që atëhere ‘’konsideroheshin si një shtëpi’’. Është ky Hamet apo Ahmet që përmendet edhe 13 vjet më vonë në kryengritjet kundër Tanzimatit, si firmëtar i letrës drejtuar mbretit Otton të Greqisë më 1847.

  1. Oliver Jens Schmitt, “Shqiptarët”, T 2012.
  2. Petrika Thengjilli: Kryengritjet popullore te viteve 30 te sh.XIX, Dokumente f. 167.

 

 

Please follow and like us: