Albspirit

Media/News/Publishing

Avdulla Kënaçi: DISIDENTI

 

Tregim

 

Ai ishte një djalosh rreth të tridhjetave, trup mesatar, me sytë në formën e bajameve dhe qerpikët e gjatë. Kishte mbaruar Akademinë e Ateve për pikturë. U prezantua vetë duke më zgjatur dorën, me një thjeshtësi natyrale, sikur të ishim njohur prej kohësh.

– Indrit, më quajnë. Më kanë caktuar nga Ministria për të punuar me ju. Nuk di në se jeni informuar? Unë jam operator filmash dokumentarë në Konostudjo, – më tha duke më vështruar drejt e në kokërdhokë të syve. Atëherë unë isha në moshë, të paktën, një dhjetëvjeçar më i madh se sa ai. Ky profesionist që po më prezantohej, më interesonte shumë. U ulëm në kafen më të afërt. Thjesht, për kortezi, iu përgjigja:

– Është kënaqesi, le t’i marrim çështjet një nga një. Jam në dijeni çfarë do të bëjmë, por nuk kuptoj pse u kanë caktuar ju, kur unë kam propozuar të tjerë emra.

– E po qeveria, ata, aty lart i dinë më mirë punët tona, – tha duke rrezatuar një buzëqeshje të ëmbël. Dukej që nuk pati hatërmbetje pse nuk e kisha përfshirë në listë. Pastaj vazhdoi duke buzëqeshur – të siguroj se me mua do ta kaloni mirë, nuk jam djalë i keq.

–  Më intereson figura që do të prodhosh, filmimet e jo kortezia. Duhet të përgatitim një dokumentar për liqenin e Ohrit, nuk di në se ke info? Duhet të jetë fare ndryshe nga çfarë shikon në ekran. Dokumentari do ta ketë kollonën zanore në anglisht dhe do t’i niset UNESKO-s. Kjo është punë me spec, mik i dashur, figura duhet të jetë perfekte, sa më artistike, po kështu edhe montazhi e muzika. Kemi një muaj në dispozicion, – rrokëzova unë duke u përpjekur ta përfshija emocionalisht me projektin.

– Ah, – tha ai – nuk e dija se do ishte një punë me kaq përgjegjësi, por sinqerisht po të them se nuk është vetëm vlerësim, por edhe nder i madh për mua që kjo vepër do të dalë jashtë vendit tonë. Pastaj Pogradeci, Lasgushi…

– Sigurisht. Ashtu e kuptoj edhe unë, – ia ktheva -uups, desh harrova, duhet të pajisesh me leje kufitare sepse do të xhirojmë nëpër skaje, sidomos në “brezin e butë”.

U duk që nuk e priste. Kërceu përpjetë sikur ta kishte pickuar gjarpëri, u tjetërsua i tëri dhe nuk dinte si t’i mbante duart. Mbi ballë iu formua një rrudhë e thellë dhe fytyra i mori ngjyrën e dheut. Po matej të thoshte diçka, por nuk e formulonte dot mendimin nga që ishte i kontraktuar. Më në fund tha:

– Unë në kufi? Nuk kuptoj çfarë është ky “brez i butë”, kujt i thonë kështu?- pyeti i habitur. Dhe mua më duhej t’ia shpjegoja me urtësi.

– Ti e di që liqeni i Ohrit ndahet me Jugosllavinë. Toka që ka rrotull kufizohet me ne. Sipërfaqja që punohet, pra ajo që vjen përpara gardhit me klon, quhet “tokë e butë”. Parcelat gërmohen jo për t’i mbjellë me ndonjë lloj bime, por që aty të mos mbijnë kurrë bimë, qoftë edhe të egra. Ne do të na duhet të hyjmë edhe atje për të filmuar. Nuk ka lidhje me “mjeshtërinë” tonë kjo tokë.

– Pse s’thua, qënkemi njerëz të besuar të partisë e të pushtetit, – tha me ironi pasi e kishte mbledhur veten. Buzëqeshi hidhur duke zbardhur një palë dhëmbë të drejtë e të harkuar simetrikisht.

I shpjegova se do na duheshin dy javë xhirime. Gjatë kësaj periudhe do të akomodoheshim në hotel “Turizmi”. Kishim një shofer në dispozicion të cilin ai mund ta përdorte edhe si ndriçues. Skenarin do t’ia sillja të nesërmen për ta lexuar. Duhet ta bluante ndërmend me kujdes dhe anash, me laps, mund të shënonte vërejtjet përkatëse. Gjithashtu i tregova se kisha lexuar literaturë shkencore të huaj për liqenin e Ohrit të cilën e kisha siguruar në Institutin e Gjeografisë. Ai aprovonte gjithçka duke tundur kryet, por ende nuk e kishte të qartë se përse duhet të filmonim prej “brezit të butë”.

– Do të ta shpjegoj kur të mbërrijmë atje, – ia preva shkurt, por edhe të nesërmen, ai bëri ç’bëri dhe kujtoi “brezin e butë”.

– Dëgjo, – i thashë – një tokë e punuar, një ugar i butë, kur shkel mbi të, regjistron apo “fotokopjon” gjurmën tënde. Pikërisht ato gjurmë kqyrin ushtarët sa herë inspektojnë “brezin e butë”.

– Pse s’thua se kjo qënka një tokë spiune, – tha më në fund, pak i mendur, i bindur se çfarë roli special kishte “brezi i butë” në mbrojtjen e tokës së Atdheut.

Kureshtja dhe pyetjet e tij nuk më çuditën aspak sepse shumë intelektualëtë asaj kohe që kufirin e kishin tabu, i bënin ato pyetje, sa herë binte fjala për brezin kufitar. Veçanërisht prej atyre që kurrë nuk u jepej rasti për ta parë. Kishte nga ata që vdisnin pa e vizituar asnjëherë gardhin me tela që quhej klon. Kufiri hynte ndër sekretet shtetërorë. Madje disa prej tyre, ata më të guximshmit,shkonin akoma më tej, pyesnin edhe se si e kishin organizuar shtetet fqinje mbrojtjen e territorit të tyre, apo atdheut siçi thoshnim ne.

***

Të pajisur më së miri: kamera e re, bateritë të karikuara, kaseta për regjistrim elektronik dy kuti dhe lejet kufitare në xhep, të tre me shoferin, u nisëm herët në mëngjes në drejtim të Pogradecit. Moti ishte kthjellët dhe të nxehtit çdo ditë e më shumë ngrihej lart. Sa për Pogradecin, edhe në ditët e verës bën freskët. Kush ka udhëtuar shpesh, e di se në raste të tilla, gjatë rrugës, bëhen edhe biseda koti, nga ato që quhen “për të kaluar kohën”. Kështu edhe me ne; secili tregonte mbresat e veta nga vizitat në qytetin malor me lartësi 850 metra mbi nivelin e detit.

– Ndërsa unë, – kur më erdhi radha, u thashë dy bashkëudhëtarëve, – kam një kujtim jo edhe aq të këndshëm nga ky qytet. Desh kam ngrënë plumbin.

– Mos, – tha Indriti – kishe hyrë në zonën kufitare?

– Jo, isha në shtëpinë e komandantit të kufirit.

– Plumbin në shtëpi? Po si, qysh? – gati folën në një zë si piktori ashtu edhe shoferi.

– Atëherë punoja në gazetë, kisha marrë porosi për të shkruar për një veteran të Luftës i cili nuk ishte më, por në Pogradec kishte dy fëmijët e tij, të birin komandant kufiri dhe të bijën sekretare rinie të rrethit. Gjëja më e lehtë ishte të gjeja sekretaren e cila dëshironte të merrja kujtime prej nënës së saj si dhe të shihja një album me fotografi ku kishte dalë i ati, veterani pra, siç ju thashë. Në shtëpi gjetëm plakën dhe kunatën e sekretares, bashkëshorten e komandantit të kufirit, një nuse e re, simpatike, me profesion mjeke. Besoj se kishte kaluar rreth dy orë bisedë në shtëpinë e tyre. Në atë moment nusja e komandantit po shpjegonte fotot nga një album dhe unëherë pas here thoshja “po” duke bëre ndonjë pyetje sqaruese. Nuk e ndjeva fare si u hap dera, veç kur ngrita kryet pashë një grykë kobureje përballë meje e cila më ishte drejtuar mbi ballë. “Ti, çfarë do këtu?”, thirri një zë pas kobures. Qënkish një ushtarak. Nuses i ra albumi i fotove nga duart. “U çmende vëlla?”, bërtiti sekretarja të cilën ushtaraku i verbuar nuk e kishte vënë re. Plakës iu mbushën sytë me lotë. Oficeri, kur pa se në atë dhomë ishin edhe dy të tjerë, u zgërdhesh, uli koburen dhe nuk dinte se si të justifikohej. E shoqja e tij ishte skuqur gjer tek e bardha e syve dhe ende nuk po e mbidhte veten.

– U trembe, u tmerrove kur pe grykën e armës? – më pyeti Indriti.

– Në sekondat e para jo, por kur nuses i ra albumi nga dora, e kuptova se qënkisha në rrezik jete. Gryka e kobures m’u duk si grykë topi.

– Po me çfarë mëndje hyn ky torollak në shtëpinë e tij me armë në dorë? Ky paska qenë kriminel, – tha shoferi.

– E kam vrarë mendjen gjatë, më vonë, sigurisht unë isha në krye të detyrës. Edhe mund ta denoncoja, por mendova se ishte një xheloz i sëmurë, domosdo një trung. Nuk ka shpjegim tjetër. Ai mendonte se në shtëpi gjeti një mashkull të cilin ia kishte sjellë e shoqja kur ai ndodhej me shërbim.

– Ja çfarë tipa zgjedhin për të ruajtur kufirin, as surratin nuk dua t’ia shikoj këtij maskarai, – tha Indriti i mbushur gjithë mllef.

Ndërkohë kishim kapërcyer Qafën e Thanës dhe kthesë pas kthese po rrëshqisnim drejt liqenit. Përpara u shpalos një bukuri përrallore, një pëlhurë e kaltër rrethuar nga male e kodra të buta. Ujëra të pastra e të kulluara si pika e lotit që shtriheshin gjer tutje, në horizont ku majë malesh zbardhte dëbora edhe pse ishte mesi i muajit maj. Më afër kishim fshatin Lin i cili dukej sikur kishte marrë vrapin e papritur, i befasur nga bukuria e liqenit kishte ndalur në thep të kodrës.

– A qëndrojmë të filmojmë, ajri është shumë transparent? – propozoi Indriti.

– Pse jo, – iu përgjigja unë – veç dielli bie pingul mbi liqen, mos duhet të presim sa të bien rrezet nga perëndimi?

– E drejtë, por unë shoh nga ky kënd si rrezet përthyhen mbi valëza në miliona pasqyra; duket sikur ato lodrojnë me valëzat. Ku është kufiri?

– Nuk na duhet kufiri, është larg, diku nga mesi i liqenit, nuk ka piramida Indrit, por vetëm koordinata, – bëra humor unë – vazhdo filmo pa e vrarë mendjen për kufirin.

E ndoqa gjithë kërshëri se si filmonte. Siç u tregova, ishte bashkëpunimi i parë me të. I përqëndruar mbi objektin, i qetë dhe i sigurtë, kështu filmonte ai. Pastaj kameran e tërhoqi nga liqeni dhe e drejtoi për nga bregu. Kapi fëshfërimën e kallamishteve që dukej sikur i bënin fresk ujit. Bëri zum mbi një blanjë toke ku kishin mbirë lule të egra shumëngjyrëshe, pastaj panoramoi fshatrat me radhë… Dukej që ishte profesionist i zoti dhe i pasionuar pas punës. Kjo më gëzoi.

– A mundemi të bëjmë një panoramim, një karel nga hekurudha që shkon buzë liqenit? Nuk di, kanë punëtorët e mirëmbajtjes së hekurudhës ca karroca metalike që bëjnë transportin e materialeve? Përmbi to mund të bëhet një karel mbi liqen, – sugjeroi ai.

– Ndërsa unë mendoj ndryshe, – iu përgjigja – vjen nga tuneli me tren, hipur në lokomotivë, me kameran të ndezur, filmon dhe liqeni do të zbulohet befasisht sa kalon këtë kodrën e vogël. Në ecje e sipër mund të xhirosh pandërprerë planin për tre minuta. Pra, e zbulon liqenin ashtu si e ndjen dhe e sheh një pasagjer që udhëton për herë të parë në këtë lartësi, – i propozova unë. Indriti hezitoi pak, pastaj bëri ç’ bëri, u pajtua me idenë time.

***

Dhomat e hotelit nuk ishin të këqia, edhe pse të thjeshta, dy ishin me ballkon nga liqeni dhe njëra me vështrim nga qyteti. Pas drekës u rehatuam secili në dhomën e vet, por qysh më parë ramë dakord të takoheshim aty nga ora gjashtë mbasdite, poshtë, në kafene. Unë shkova fiks në orën gjashtë. E kam zakon, i respektoj oraret. Aty gjeta vetëm shoferin. Pritëm ca, por Indriti nuk dukej. “Ngjitu një vrap në dhomë, mos e ka zënë gjumi”, i thashë atij. Ai u kthye menjëherë duke ngritur supet. “Kusur e ke, pa dil kërko edhe andej, buzë liqenit, djathtas, mendoj se aty duhet të jetë”, i thashë. Pas pak, kur shoferi u kthye i gëzuar, tha: “Pikës i re, po pikturonte buzë liqenit, sa të ngjitë veglat lart në dhomë dhe vjen shpejt, ne porositim ndërkohë kafetë”.

– Këtu gjithçka është një mrekulli, të ngopen mushkëritë me ajër të freskët, ujët është transparent dhe ka fushëpamje, që larg dukej qyteti i Ohrit. Kam dëgjuar se në kohën e mbretit Zog punonte një motobarkë në linjën Pogradec – Strugë. Një nga banorët më tha se ujët e liqenit është i pijshëm, në thellësi të tij ka burime uji, -fliste Indriti entusiast duke nisur bisedën që larg. E lashë gjersa u rehatua në karrige dhe i thashë:

– Ujët e këtij liqeni vjen nga Prespa me rrugë nëntokësore, del në Tushemisht apo Volorek, si i kanë thenë dikur dhe zbrazet në govatën e liqenit. Është ujë që qarkullon vazhdimisht. A e dini se në shtëpitë e fshatit Tushemisht burimi i ujit del nga njëra qoshe e shtëpisë e zhduket në tjetrën?

– Po si, mbi ujë jetojnë ata? – pyeti i habitur shoferi.

– Jo tamam mbi ujë sepse burimi është i mbuluar me dërrasa guri, por po qe se u duhet për të pirë, ngrenë një rrasë guri dhe mbushin kovën me ujë. Në dimër ai burim është më i ngrohtë se ambjenti dhe në verë, më i freskët…

– Do shkojmë ta filmojmë, – tha Indriti i gëzuar duke përplasur duart si një fëmijë – për të huajtë kjo është një detaj i jashtëzakonshëm artistik.

Pas kafes shoferi shkoi për “një dorë bilardo” dhe unë e Indriti ecëm buzë liqenit duke shëtitur. Era po shtohej dhe valëzat që vraponin prej thellësive të kaltra, njëra pas tjetrës, puthnin me pllaquritje bregun. Atë mbasdite valët vinin të urta e lozonjare, por ka pasur raste që në stuhi, ky liqen egërsohet aq shumë sa mund të përmbysë çdo lloj motobarke. Sidomos kur fryn murlani që vjen nga Struga.

– Kam dëgjuar, – tha Indriti – që në kohë stuhie dallga përplas në breg peshq, sidomos ata më të mëdhenjtë.

– Në kohën e mbretit Zog, në një nga stuhitë, aq shumë peshq nxori në breg ky liqen, sa u qelb qyteti. E di kush i pastroi? Një austriak i cili pagoi për t’i mbledhur e hedhur në vreshtin e tij që e kishte marrë me qera. “Është i lajthitur”, thanë pogradecarët, por kur panë vitin tjetër se sa prodhim dha vreshti, e kuptuan që e kishin gabim. Peshku ka fosfor dhe rrushi të bëhet, do fosfor, – u thashë unë.

– Ja, pra, një i huaj dha përvojën e tij, po sot ne na duhet çdo gjë ta bëjmë me forcat tona. Jemi rrethuar si ky liqeni, nga të katër anët me male, por edhe ky e ka një dalje, në Strugë. Interesant, buron nga Shqipëria, hyn në Maqedoni dhe del përsëri në Shqipëri. Haka shkon tek i zoti. Po sikur të hapet një tunel e ky liqen të zbrazet në Prrenjas? – pyeti Indriti.

– Pikërisht për këtë bëhet edhe dokumentari, liqeni i Ohrit duhet të bëjë pjesë në trashgiminë botërore, nuk duhet të preket, atëherë nuk do të ketë ndërhyrje sipas qejfit. E di që këtu kultivohet një nga peshqit e egër më të rrallë, korani, – i thashë unë.

– Aman, kur do hamë një tavë peshku me koran?

– Duro, në brezin kufitar.

– Në brezin kufitar? Mezi pres, dua ta shoh këtë brezin kufitar.

– Vetëm kujdes, – e porosita i shqetësuar – mos e hap me njeri tjetër atë punën “me forcat tona”. Sa më lag të jetë e mundur rri larg prej politikës, të lutem. Do na marrësh më qafë. Mirë ti që je beqar, po unë që jam me dy fëmijë? Provinca është e tmerrshme, Indrit, spiunojnë si pa teklif njëri-tjetrin. Janë të doktrinuar deri në atë pikë sa për çdo fjalë “jashtë vijës së Partisë” raportojnë në Degën e Brendshme. Dhe këtë e quajnë detyrë patriotike. Këtu, në këtë qytet, gabimi më i madh është të pyesësh psh se ku bie, ku kalon kufiri.

– Faleminderit që ma the, faleminderit që ma kujtove, sinqerisht të jam mirënjohës, – m’u përgjigj me një lloj pendese – po për Lasgush Poradecin, mund të pyes? Jam shumë kurioz, në rrethet letrare të Tiranës kam mësuar se ai ka një të dashur gati 30 vjet më të re.

– Për Lasgushin mos merr leje nga askush, regjimi komunist asnjëherë nuk e ka pasur për zemër. Nuk ka shkruar asnjë vjershë për partinë, ama dashurinë e ka ngritur si askush tjetër në art, në eter.

– Ja, këtij i them unë poet kurajoz dhe me integritet, – tha Indrit Gjoni duke folë më shumë me veten e vet.

Dalngadalë, po binte muzgu. Erdhi një moment dhe perëndimi u përflak i tëri. Mbi syprinën e liqenit zbriti ngjyra e kuqe, onufërjane, pastaj ajo u shua si nga një frymë magjike dhe liqeni u bë i errrët, i heshtur… Tej në horizont dy qytetet me shqiptarë, Ohri dhe Struga ndriçonin për gjithë natën me fasha drite duke reflektuar mbi sipërfaqen e ujit, ndërsa në këtë anë, në lagjet e Pogradecit, pllakosi errësira. Duhej të kalonte edhe një orë gjersa të ndizeshin dritat e rrugës. Qyteti kishte hyrë në regjim kursimi. Ne, mysafirët nga Tirana, kishim harruar errësirën, liqenin dhe po merreshim me vjershat e Lasgushit. Dashuria për krijimtarineë e tij brilante, na lidhi më shumë me piktorin që tashmë ju e dini se quhej Indrit Gjoni.

***

Ishim të përfshirë nga ideja se vepra jonë, dokumentari që do të prodhonim, kishte për të kapërcyer kufirin dhe do të përfundonte diku larg, në një organizatë ndërkombëtare, ndoshta në New York. Ishte hera e parë që punonim pa normë, pa u sforcuar. Kishim fituar një lloj lirie relative. Qëllimi i të treve ishte të bënim art të madh, ta ekspozonim liqenin e Ohrit në një kënd të ri, të paparë. Të gjitha filmimet i kontrollonim me merak mbasdite vonë, para se të binim për gjumë. Shpesh kalonim mesnatën duke debatuar, sugjeruar e qëmtuar detaje të reja. Indriti kërkonte të realizonim një dokumentar problematik, ndërsa unë një dokumentar informues, por me nivel të lartë artistik. Gati sa nuk u përleshëm me grushta kur ai kërkonte të përfshihej uzina e pasurimit të hekur-nikelit e cila për shkak të hekurudhës ishte ndërtuar buzë liqenit. Unë ia refuzova. Nuk duhej përfshirë oxhaku dhe tymi i saj i zi që përhapej në qiell pa pushim. Më në fund Indriti u “dorëzua”, ama nuk iu durua pa më thënë se unë isha i mbrujtur me “autoçensurën”. “Ti ke frikë të zbulosh të vërtetën për të tjerët dhe për vete”, tha ai i nevrikosur.

-Dëgjo, or mik, kjo që thua është një punë me spec djegës. E di kush përfundon në pranga, pas hekurave, i kyçur me dyzet brava? Syleshët si puna jote, – iu hakërreva duke i drejtuar gishtin. Për habi nuk m’u zemërua.

Indriti nuk linte rast pa pikturuar, gati çdo mbasdite, ishte pasioni i tij i parë ku ndjehej i lirë. Kur punonte në natyrë, rrotull tij mblidheshin fëmijë kureshtarë të qytetit, por më shumë e shoqëronte një piktor i ri. Ishte mik i Lasgushit dhe pretendonte se dinte “sekretet” e tij. Ai thoshte se mësuesja korçare me të cilën kishte rënë në dashuri Lasgushi ishte shumë e bukur, rreth 44-45 vjeçe. Kishte një bukuri të jshtëzakonshme dhe një shpirt të dhimbsur. Ishte e zonja dhe guximtare. Edhe pse e martuar, nuk donte t’ia dinte se si do ta gjykonin të tjerët dashurinë e saj. Kishte fytyrë vezake dhe një buzëqeshje të ëmbël, sy të mëdhenj, vetulla të gjata e të harkuara në mënyrë të përkryer, flokët gështenjë. Asaj nuk i vinte turp për moshën e poetit, përkundrazi e kishte krenari. Dera e shpirtit të saj ishte gjithnjë e hapur për Lasgushin rebel. Qëkurse poeti kishte rënë në dashuri me mësuesen, mosha e tij kishte ndalur në vend. Ai po bëhej gati të botonte një vëllim poetik kushtuar vetëm mikeshës së tij. Ishte i dalldisur pas kurmit dhe personalitetit të saj, të mos themi i çmendur. Dhe një ditë Indriti më tregoi një pikturë me temën e dashurisë së poetit, realizuar me bojra vaji në kanavacë, 31×45 cm. Një varkë druri në mes të liqenit. Ishin duke vozitur mësuesja korçare dhe Lasgushi, pranë e pranë, si dy miq të pandarë. Sipas vizatimit, ajo vërtetë dukej shumë e bukur. Në sytë e saj ishte ndezur flaka e atij pasioni të pamposhtur. Fytyra e hollë dhe inteligjente e poetit dukej e hutuar. Pas shpatullave të tyre, një dallgë e madhe me kulm të ndritshëm formonte një perde, si një bregore nga ana e qytetit. Blu e errët, gri në të bardhë, kafe dhe jeshile, këto ishin ngjyrat që mbizotëronin në atë copë kanavacë.

– Çfarë ke dashur të thuash Indrit, pse vetëm një dallgë dhe kjo nga ana e qyetit?

– Liqeni mbron të dashuruarit nga thashethemet e njerëzve provincialë, ziliqarë e shpirtvegjël. Për çiftin liqeni është si pylli që fsheh drerët, ndërsa dallga është dora e Zotit. Dallga është mbrojtje, por edhe kërcënim.

– E kuptova, pra qenka pikturë surealiste.

– Mua nuk pelqen të pikturoj sipas udhëzimeve të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Tek Lasgushi shoh njeriun e lirë që thyen rregullat, normat dhe tabutë. Tek mësuesja shoh gruan, femrën me dinjitet që respekton ndjenjat e veta. Dashuria nuk pranon arësye. Dashuria e vërtetë, e zjarrtë, pasionante është gjithnjë e mbështjellë me një velaturë misteri.

– Këtu ke të drejtë, – i thashë unë – historitë e dashurive nuk duhen gjykuar me mend, me arësye. Janë një kimi që ose funksionon, ose dështon qysh në takimin e dytë. Megjithatë, si më i madh në moshë, do të këshilloja që këtë vepër të mos ta përfshish në ndonjë ekspozitë. Do të të hapë probleme. Nuk ka “bir nëne” që të mbron.

Nuk ishte e vetmja vepër që mund t’i hapte telashe Indritit, ai kishte edhe të tjera. Një ditë, kur ndodheshim vetëm në dhomën e tij, më tregoi një tablo ku dukej një dem i zi, i hutuar në mes të stuhisë. Sundonte ngjyra e kuqe, blu e errët dhe e zeza. Tri tufa resh në qiell të cilat zbraznin shi, larg nga njëra tjetra, të tria me ngjyra të ndryshme. Dukeshin si çizme të grisura të kthyera kokëposhtë. Në një tjetër tablo njerëzit u ngjanin insekteve, gunat e tyre dukeshin si krahë për fluturim. Ngjyrat transmetonin ndjenja të fuqishme. Kishte një teknikë perfekte pikturimi ky djalë. Sundonin tri ngjyra: okra e artë, bluja mesdhetare dhe e kuqja verbuese. Të trondiste me zgjidhjet kompozicionale, krejt origjinale, të mahniste me plasticitetin dhe befasinë. Veprat e tij kishin freski dhe koloristikë të papritur, magjinë e një këndvështrimi modern. Padyshim që ishte një talent i jashtëzakonshëm.

***

Driloni është nga vendet më të bukura të liqenit të Ohrit. Aty rrjedhin burimet që vijnë me rrugë të nëndheshme që nga liqeni i Prespës. Nën qiell të hapur, bëjnë një copë rrugë gjersa derdhen në liqen. Ato ujëra kanë një kthjellësi dhe transparencë të jashtezakonshme. Edhe pse dy metra thellë, në fund të kanalit vezullojnë guruçka të vegjël, të ndritshëm e të lëmuar që vijnë nga udhëtimi i nëndheshëm. Liqeni ishte i lëmuar si pasqyrë. Bari i njomë e i ujëshmë ishte harlisur cep më cep. Pemët e parkut ishin të gjitha të lulëzuara duke strehuar në kurorat e tyre lloj-lloj zogjsh që cicërinin papushim. Kamera e Indritit i përfshiu të gjitha këto, pa harruar të ndalet në shelgjet lotues me ngjyrë të argjentë degët e të cilëve zbresin gjer në tokë me kast sikur duan të fshehin trungjet nga syri njerëzor. Në Drilon pranvera kishte shpërthyer me të gjitha ngjyrat; qershitë dhe dardhët ishin veshur me vello të bardha. Kudo zotëronte harmonia dhe paqja. Në lëndinë ishte aq qetësi sa dëgjohej edhe zukatja e bletëve përmbi lule.

Të nesërmen, pasi kishim filmuar edhe një skuadër peshkatarësh që kthehej nga gjuetia, u habitëm kur numuruam kasetat e xhiruara. Mungonte një prej tyre. Ku nuk kontrolluam, por as ramë dot në gjurmët e saj. E pyeta Indritin se mos e kishte harruar diku, por ai ishte i sigurtë se e kishte lënë në dhomën e hotelit. E mbante mend me saktësi sepse para se të binte në gjumë, çdo kasetë e shoqërote me një letër sqaruese, futur në kuti, ku ai shënonte të gjitha planet e xhiruara që përmbante. Ishte kaseta e Drilonit, plot një ditë punë, xhiruar me pasion e vëmendje maksimale.

-Nuk kemi rrugë tjetër Indrit, duhet të lajmërojmë policinë, dikush ka futur duart në pajisjet tona. Me këtë projekt është i angazhuar vetë Kryeministri, nuk bëhet shaka.

Sa dëgjoi emrin e policisë, ai u zbeh në fytyrë, diçka po më fshihte. Mos vallë kishte filmuar vilën qeveritare për të cilën unë e porosita disa herë që t’i shmangej?

-Jo, nuk e kam filmuar atë, por kam futur në objektiv ushtarët e gardës që ruajnë vilën. Të lutem, nuk dua të kem të bëj me policinë, më japin alergji edhe kur i shikoj rrugës. Nuk e vë re që këta këtu janë të mbyllur si në një kuti xhami? Ta harrojmë atë kasetë, shkojmë përsëri për ta filmuar, – më tha ai me zë lutës.

U vura në vështirësi, nga njëra anë kolegu im, piktori me papjekurinë e tij dhe nga ana tjetër prestigji i ekipit: kush ishte ky njeri i padukshëm, kompetent që bënte inventarin e punës sonë? Kush na kishte futur në survejim? Dyshova tek nëndrejtori i hotel “Turizmit” ku ishim mysafirë. E dija se ai kishte lidhje me Sigurimin. Më hipën xhindet; duhet t’u jepja një mësim. Vrapin e ndala tek kryetari i komitetit ekzekutiv të rrethit, një kuadër i ardhur rishtas nga prodhimi. Ai nuk ishte as i zgjuar, por as idiot. I revoltuar ia shkoqita se për këtë projekt ishin të interesuara organet më të larta të partisë e të pushtetit. Në se nuk gjendej ajo kasetë, isha i detyruar t’i njoftoja. Dikush në rrethin e Pogradecit po përpiqej të sabotonte projektin. Ai mbante shënim çdo fjalë timen. Dhe u largovanga zyra e tij i bërë tym. Atë ditë nuk i vazhduam xhirimet. As të nesërmen. Ishim në pritje të përgjigjes. Indriti u bë i heshtur, as pikturonte dhe as poezi të Lasgushit nuk deklamonte më.E kishte mbuluar një ndjenjë pështjellimi e pikëllimi. Zhgënjimi i lexohej qartë në sytë e tij. Ishte i tronditur nga çfarë po ndodhte. Ngushëllimin e gjeti tek duhani. Kishte blerë një paketë cigare dhe kishte nisur të tymoste. Vazhdimisht tërhiqte tymin i menduar. “Pikturat nuk i kanë prekur, më tha pas ca, kanë qenë të interesuar vetëm për xhirimet në Drilon dhe pikërisht për atë kasetë”.

Pas 48 orësh Indritin e thirrën në Degën e Punëve të Brendshme për t’i dorëzuar kasetën.Vizita ime tek kryetari i komitetit dha efektet e veta. “E sqaruan” se një adoleshent kishte hyrë fshehurazi në dhomën e tij dhe kishte rrëmbyer një kuti pa e ditur çfarë ishte dhe se sa rëndësi kishte. Me këtë rast, i thanë: “Jemi kuriozë të dimë për filmimin e ushtarëve të Gardës, e ke bërë pa dashje, kishte marrë urdhër nga shefi, apo si”?

– Janë pjesë e pejsazhit, – u ishte përgjigjur Indriti gjoja pa teklif – nuk mund t’i mënjanoja dot, nuk desha t’i fyej duke u thënë të largoheshin nga kuadri, më erdhi keq për ta, por as Drilonin nuk mund të rrija pa e filmuar, është gjëja më e bukur që ka ky liqen, kurora e tij. Ushtarët mund të shmangen në montazh, rrini pa merak. Kjo kasetë nuk dërgohet jashtë shtetit.

– Ashtu si ke mënjanuar vilën qeveritare, ashtu mund të anashkaloje edhe ushtarët, – i thanë ata sikur të gjithë të ishin në një mendje.

Kur u kthye, më gjeti vetëm në kafe. Lëshoi mbi tavolinë kasetën. Dukej sikur ishte kthyer nga një marshimi gjatë. E mora në dorë kutinë, e hapa me kujdes. Dukej që kishte kaluar përmes shumë duarsh. Vura re ca gërvishje, e kuptova se e kishin kopjuar. Po si? E paskanë dërguar në Tiranë, mendova, nuk mund të kopjohej në Pogradec, aty u mungonte teknika. Ishte e qartë.  Për ta paskan qenë problem i madh ushtarët e vilës që ruanin Udhëheqësin i cili pritej të vinte. Ashtu si vepruan, merrej me mend se na ishin qepur sikur do të zbulonin ndonjë grup sabotimi. Kishim shkelur pa dashur në tokë të minuar. Kuptohej, nga Tirana ishte marrë përgjigja se si do veprohej me ne.Paskishim shpëtuar paq.

– Mos mendo se ti i ke më mirë punët se sa unë, – më tha Indriti pasi thithi fort një cigare.

– Indrit, unë i njoh më mirë se ti dhe i di lëvizjet e tyre, prandaj bëhem i bezdisur duke të porositur vazhdimisht. Nesër do të filmojmë në brezine butë. Edhe aty do të jemi të survejuar, prandaj të them të jesh i vëmendshëm. Ato pikturat i mbaj në valixhe me kyç sa akoma nuk u ka shkuar mendja t’i kontrollojnë.

– Provinca qënka e tmerrshme, si jeton këtu i mjeri Lasgush? Akoma më heroike qenka mikesha e tij korçare,- tha ai më shumë duke folë me veten e vet se sa me mua.

Vazhduam të punojmë edhe ca ditë të tjera pa na trazuar askush. Indriti pak më shumë se një orë në ditë ia kushtonte si gjithmonë pikturës, ndersa unë leximit të ndonjë libri artistik. Ishim me fat nga se kureshtarët që e ndiqnin pikturën e Indritit nuk kishin haber nga rrymat moderniste. Nëndrejtori i hotel “Turizmit” nuk na binte në sy qysh prej humbjes së kasetës së Drilonit. Na kishte mbetur pa filmuar fshati Lin. Ai bën pjesë në zonën kufitare. Hyn në ujë si kiçi i një anije pasagjerësh që është gati për nisje. Është vendosur aty për shkak të burimeve të ujit që shpërthejnë nga nëntoka,gati me vijën ndarëse të liqenit. Ishte dita e fundit e shërbimit në Pogradec. Gjithë paraditen u morëm me Linin të cilin e filmuam në të gjitha pozicionet.

– Përfytyro sa i pasur do të ishte ky fshat sikur këtu të lejohej të vinin turistët e huaj, – i thashë Indritit kur ai kishte lënë kameran e po kundronte syprinën e liqenit ku herë pas here vezullonin peshqit që kërcenin të gëzuar nën rrezet e diellit.

– Mos më hap biseda me “jashtë shtetit” se akoma jam i stresuar me ndodhinë e kasetës, – më tha ai.

– Hiqe mendjen, prej nesh duan një dokumentar ekselent. Mos mendo se na kanë zgjedhur rastësisht. E ke mësuar ku do ta hamë drekën?

– Ku? – pyeti i gjallëruar nga lajmi.

– Në brezin e butë, do të jetë vetë kryetari i komitetit ekzekutiv. Sigurisht vjen për të na respektuar e “mundësisht të themi ndonjë fjalë të mirë për të në Tiranë”. Mendoj se nuk duhet ta hapim kameran aty, na fut në telashe, Indrit. U dogjëm një herë nga qulli, tani duhet t’i fryjmë kosit.Ka dhe një problem tjetër: shoferin nuk e kanë ftuar, nuk e di pse.

– Vërtetë? Me sa duket nuk e llogarisin si krijues, sa shpirtvegjël….

– Pas një ore duhet të jemi aty, e kemi shumë afër, njëzetë minuta me këmbë…

Përgjatë brezit kufitar na shoqëruan dy ushtarë të kufirit. Ata mbanin krahëqafë automatikë sovjetikë dhe kundërgaz. Unë i pyeta sa kohë kishin të ndarë nga familjet. Më shumë se një vit, më thanë. Indriti as e kishte mendjen tek kjo bisedë. I kishte bërë sytë katër, vëzhgonte nga të gjitha drejtimet me një vemendje të jashtëzakonshme. Përfitonte prej ushtarëve që nuk kthenin kryet mbrapa, veç na udhëhiqnin nëpër ca shtigje të padukshme. Ja ku u futëm në brezin e butë. Gjurmët tona vizatoheshin mbi baltën shterpë. Kjo ishte gracka ku kishin mbetur shumë të arratisur që vinin nga Tirana me shpresën se kufiri ishte afër. Fshehur, pas shkurreve, në pyll, kalonte kloni, pas tij vinte edhe një sipërfaqe tjetër e quajtur neutrale, por në të vërtetë ishte tokë shqiptare. Ngritur në lartësi, të maskuara për bukuri, ishin shpërndarë kabina të vogla druri me katër dritare që vigjëlonin nga të katër anët e horizontit.

Mbrritëm. Buzë liqenit, njëri pas tjetrit ishin parkuar dy xhipa ushtarakë kinezë.Dihej, njëri ishte i kryetarit të komitetit ekzekutiv, po tjetri?Vetëm kur u afruam, pas shkurreve, vumë re një çadër jeshile, ushtarake ku ishte shtruar dreka. Për të gatuar kishin marrë guzhinierin e hotel “Turizmit”. Kryetari i komitetit që ment i pëlciste gusha nga shëndeti, mori një gotë verë dhe nisi të flasë për punën tonë fisnike, përkushtimin dhe vlerësimin që kishte partia dhe pushteti qëndror duke na besuar një vepër të tillë ku Pogradeci dhe liqeni do të bëheshin të njohura nëpër botë. Pastaj u soll edhe tava e famshme e koranit, pjekur në tavë balte. “Sekreti i saj, tha guzhinieri, është ujët e liqenit, vetëm ai ia jep shijen e duhur, ama duhet marrë nga thellësia”.

Sa pa mbaruar fjalën, dikush pengoi dritën që hynte nga e vetmja e çarë e çadrës, dera. Ishte dora vetë, komandanti i kufirit. Si nuk ia kisha vënë re ngjyrën e syve që e kishte si prej kallaji? Bëri sikur nuk më njohu, ashtu bëra edhe unë. Ju servilos kryetarit të komitetit dhe u ul pranë tij duke shtyrë më poshtë një oficer, vartës të tij. Indriti po e vëzhgonte me kujdes dhe unë kuptova se portreti i tij diku do të plazmohej në një tablo të ardhshme, ama nuk isha i sigurtë se çfarë lloj kafshe apo insekti do të ishte ai. Njeri jo se jo. Kryetari i Komitetit tha se jugosllavët na kanë akuzuar se po lëshojmë trofta në liqen dhe ato hanë të vegjëlit e koranit. “E sheh, më tha Indriti me zë të ulët, ne vetëm budallallëqe dimë të bëjmë”. Kryetari ngriti një dolli të fundit për partinë dhe u largua më herët se të tjerët, “për arësye pune”. Pas tij u ngrit edhe komandanti i kufirit. Ai dukej si zgjatim i kryetarit…Realisht nuk kishte arësye të dilte, por me sa dukej nuk i pëlqente ballafaqimi me mua; e qartë, kishte frikë se mos ia kujtoja incidentin.

– Ai ishte, – i thashë Indritit me zë të ulët.

– E mora me mend, – tha ai – aq bukur e ke vizatuar portretin e tij duke na e treguar gjatë rrugës kur erdhëm.

Bënte mot i bukur dhe ishte kënaqesi të shikoje peisazhin përreth. Një buzëqeshje ironike ishte stampuar në fytyrën e Indritit. Dielli në perëndim e mbulonte liqenintej e tej me një dritë të ëmbël. Vazhduam të pinim verë me dy oficerët e kufirit dhe guzhinierin që mbetën të fundit. Pasi mbaruam shëndetet e të pranishmëve, Indriti ngiti dolli për automatikët sovjetikë. Situata u bë e pavolitëshme. Oficerët e kufirit në fillim shtangën, pastaj qeshën me të madhe. Na e kthyen “borxhin” duke ngritur shëndet për aparatin e filmimit të markës “Sony”. Nuk e vumë re se si mbi syprinën e liqenit kërcenin pikat e shiut si në një vallëzim baleti. Në qiell po shkarkoheshin me nxitim ca re arrakate që kishin humbur toruan. Duhet të largoheshim prej kufirit pa rënë nata. Dhe u ngritëm duke ikur përmes shiut pranveror. U futëm përsëri në thellësi të tokës sonë.

***

Pas dy vjetësh, piktori Indrit Gjoni ishte arratisur në Jugosllavi dhe kishte përfunduar në New York ku më parë kishte “dërguar” emrin e tij nëpërmjet filmit dokumentar për liqenin e Ohrit. Me vete kishte marrë vetëm pikturat surealiste. Domosdo edhe pikturën e Lasgushit me mësuesen korçare. E dini cilën rrugë kishte ndjekur? Shtegun e kufirit afër fshatit Lin, pikërisht aty ku ishim së bashku për drekë, pas xhirimeve dyjavore në Pogradec.

 

Toronto, 31 dhjetor 2018.

Image result for avdulla kenaci

 

 

Please follow and like us: