Albspirit

Media/News/Publishing

‘KOMPLEKSI ELEKTRA’ & UJËRAT E ÇMENDURA NË DETIN JON (5)

Sotir Athanasi

Filloi ta lidhë të atin e saj duke nisur nga këmbët dhe duke përfunduar pak mbi gjoksin e tij të leshtë. Këmishën ai nuk e la ta mbërthente. Kur përfundoi, hyri në studio e ëma.
Ajo pa së pari Elektrën që po mundohej të vendoste ganxhën në një bullon nga mbrapa karriges-kolltuk dhe i ranë qeset nga duart.
Pamja nuk qe vetëm befasuese, por edhe e pakuptimtë për gruan ajo s’mund të qe. Gjithsesi, tek pa lotët e së bijës, ndjeu dramën e nënkuptuar që mund të kish ndodhur. Prandaj edhe klithi:
– Çfarë të ka bërë babai që po e lidh, moj bijë?
Dhe, pa pritur përgjigjen e saj, lëshoi dyshimin: – Mos vallë tentativën për përdhunim?
– Ç’është kjo pyetje, mami? Si ta nxë goja ta thuash?
Laerti, na thotë Homeri i verbër, ishte babai i Odisesë e për pasojë kurthi te ky njeri së pari duhet ta kishte folezën. Gracka dhe laku i saj në dorën e këtij njeriu shtrëngohej. Pikërisht këtë dyshim, e për pasojë këtë pyetje, kishte parashikuar mikrobiologu Laert. Qe radha e tij të zhbënte sythin e lindur nëntëmbëdhjetë vjet më parë dhe që hera- herës rritej e zhvillohej. Mbase me ca stinë të ndryshme nga ato që njohim ne, njerëzit e zakonshëm për kohën. Sepse, si çdo marrëzi, edhe ajo e krimbit të dyshimit në errësirë rritet dhe meqë terrin ajo kërkon, vështirë të gjejë kalimin.
“Pranohet nga shkenca se: edhe disa enzima kundër tumoreve malinje në trupin e njeriut errësirën kërkojnë. Të jenë krijuar nga natyra për baraspeshë të së keqes këto? Prandaj këshillohet nga shkenca që gjumi të bëhet në errësirë të plotë. Por jeta kërkon syçeltësi, Laert”.
Këto mendonte ato çaste mikrobiologu ynë. Por le t’i kthehemi tregimit:
– Pra, përgjigjen e more, grua, apo kërkon që vajza ta përsërisë?
Tjetra nuk foli.
– Tani më bie mua detyra të pyes për copëtimin e kësaj qëndisme, a shpërdredhjen e këtij gërsheti, a… litari. – Pse dyshove për tentativë përdhunimi? Është vajza ime kjo, apo jo? Se po të qe e imja, shkencërisht gjaku nuk e lejon shprishjen e tij. Për pasojë, nuk do të lindte dyshimi. Dhe këtë ti e di mirë. Se, edhe kur gabimisht gëlltisim një gjilpërë, ajo nuk i drejtohet me majë zemrës, por me pjesën e pasme për të mos e shpuar atë. Ky është ligji i gjakut. Për njeriun normal e jo të çmëndur. Vetëm nëse ajo ka një tjetër baba, mua do të më shikojë si mashkull dhe për këtë nuk më vjen aspak turp ta them se është pikërisht kështu. Edhe unë, sigurisht, si femër atë sot e kam parë.
U rrokullis kështu e zuri më në fund vend një heshtje e rëndë si mëkati i gremisur. Apo edhe si guri i Sizifit, që një fuqi largqofti e risjell nga humbëtira për të tromaksur heronjtë.
Vajza shihte të ëmën e dyzuar. Dyshimi se idhulli i saj Laerti nuk qe babai i saj, ishte më pranë së vërtetës se kurrë. Kjo përligjte… pse të mos e themi: dashurinë e vajzës për atë që vetëm ligjërisht qe i ati. Dhe, natyrisht, tejet i rrallë, por jo i padëgjuar ky shpjegim, ishte. Ashtu si e pandodhur edhe kjo bëmë nuk mund të mos qe.
– Grua! – i foli Laerti me ton tejet urdhërues.
Nuk mund të thuhet se ishte britmë. Sepse si ulërimë, ajo doli. Shpirti i një burri të nëpërkëmbur sillte për ne, miqtë e mi, thënien shekspiriane: “TRADHTI QË E KE EMRIN GRUA”. Në sytë e së shoqes mikrobiologu ynë këtë mbase lexonte. Dhe s’ishte e lehtë. Por a kishte të drejtë? Këtë do ta shohim.
Gruaja u shkund e tëra. Për të parën herë e shihte të shoqin në këtë shpërthim të panatyrshëm dhe tejet të frikshëm. Thirrja e të parëve qe kthyer në një KUSHTRIM TË NJËMENDTË. APELI PËR SYÇELTËSI, që: në mos ulërinte, me ton të lartë bërtiste, gjithashtu.
– Hape sirtarin dhe nxirr që andej atë që është brenda.
Ajo veproi si i tha i shoqi dhe lëshoi një klithmë. Elektra u afrua dhe si e ëma, po ashtu bërtiti përpara se të thotë:
– Ç’është kjo revole, i ëmbli im? Ç’kërkon të bësh me të? Po qe se për t’u qetësuar të duhet të vrasësh dikë, ja ku më ke. Më vrit mua!
– Është e nevojshme të bëjmë ADN-në, apo ke ndonjë shpjegim? – e rinxiti Laerti të shoqen dhe e shpërfilli vajzën. Gruaja sërish s’qe e gatshme të fliste. Befasimi. Ngrirja. Ballafaqimi me një mëkat ndodhur gati dy dekada më parë s’qe aspak i lehtë edhe vetëm të ftillohej. Se po rijetonte ato sekonda: Skenën. Kohën. Vendin. Çmendinë.
Të tria këto koncepte kishin ngatërruar vendet dhe kuptimin fillestar, për të nxjerrë në sipërfaqe një tjetër nocion: marrëzinë.
– Shën Marinë mbase e kam besuar më pak se ty. Jo se kishe të njëjtin emër me të.
Por se dashuria jonë kështu më thoshte.
A ka qenë ndonjëherë si tani, kaq i sinqertë me gruan ky personazh me emrin LAERT? Nuk mund ta dimë. Veçse, gjykuar nga zëri, vibrimi i tij, pauzat për formulimin e fjalive, dridhjet e buzës së poshtme, gjykojmë se bëhet fjalë për statusin e një BURRI TË ZHGËNJYER. Dëlirësia e tij, besimin ndaj familjes, përkushtimin ndaj shkencës.
Të gjitha këto i sillnin trazim dhe, siç është e kuptueshme, parapëlqeu përqafimin e një pozicioni më të ashpër e po kaq të skajshëm.
– Tani e shoh, se qenkërkam gabuar dhe tradhtuar.
Më në fund e shoqja e Laertit, gjithashtu më se e tronditur, me lotët që po i zinin grykën, shpërtheu me të qara, po ashtu.
– Nuk është kështu, Laert. Nuk është kështu! – dhe zëri i saj dridhej në nota rrëqethëse.
Qe aksident. Rastësi. Apo kurth nga shoku yt, Odiseja.
– E mora me mend, – tha Laerti. Dhimbja, keqardhja dhe mëshira për pafuqinë e gruas përbënin trekëndëshin mbi shokun e tij. Pikën ku duhet të shënohet shpagimi.
Njeriun që interesohej më shumë për kremtimin e ditëlindjes së Eelektrës sesa rrezikun për burgim të përjetshëm që e priste.
Vajza desh të pyeste për arsyen, por, ndonëse i dhembi, s’guxoi.
E shoqja, pa u interesuar për shkakun, tha:
– Ai meriton plumbin.
– Pse?
– Se ditën që të përcollëm për disertacionin, në kthim pata një dhimbje të tmerrshme koke. Ai nxori nga kroskoti i makinës një tabletë dhe ma dha gjoja për të më qetësuar. Ajo ishte kokainë dhe atij nuk iu durua as të shkonim deri në shtëpi kur e kuptoi se ajo veproi menjëherë tek unë. Kaq duhej që të më linte shtatzënë me Elektrën në sediljet e makinës.
– Domethënë: babai im i vërtetë është Odiseja? – pyeti menjëherë vajza me ngazëllim. E ëma pohoi me krye.
Vajza kishte një ndjesi dyfishe. Atë të faktit se kishte idealizuar, jo babanë e saj, por një mashkull të vërtetë, edhe pse të paktën dy dekada më të madh. Prandaj edhe e kishte dashuruar. Nga ana tjetër, ndiente dhimbje për Odisesë. Emailet e tij në prag të ditëlindjes e hovëzonin si ta kishte prind. Sepse edhe ai të kësaj natyre ia qëndiste aq bukur ato.
– Zgjidhmë! – iu drejtua Laerti Elektrës. Vajza e pa me vërejtje, se e trembi toni.
– Më thuaj se ç’do të bësh, i ëmbli im. Ose prit. Do ta mbyll sirtarin me çelës, pastaj do të të zgjidh.
Ai gjeti tanimë forcat ku ta drejtonte shënjestrën e goditjes fatale. Ndaj buzëqeshi lehtë.
– Arma doli nga skena. Radhën tani e ka Mikrobiologjia. Thjesht do të bëj një telefonatë, – tha.
Vajza u bind. Më kot e siguroi armën me çelës dhe e zgjidhi Laertin.
– Tani, – i tha së bijës, – jam në rolin e qymyrshitësit dhe mori receptorin.
Nënë e bijë shihnin të tmerruara Laertin. Ky kishte formuar numrin dhe sapo dëgjoi përgjigjen e Odisesë matanë kabllit, tha:
– Odise! Plaga në supin e Oficerit Madhor, ndonëse e shpuri në udhëtimin e gjatë për te Zoti dhe tani duhet të ketë mbërritur në Parajsë, s’është asgjë me gabimin tjetër tëndin të para nëntëmbëdhjetë vjetëve. Prandaj përgatit dy strishe. Njërën për vete, që të udhëtosh për në FERR dhe të mos e shohësh kurrë vajzën time, kurse tjetrën për mua.
Kaq tha. Nuk priti përgjigje dhe e uli mbi fole dorezën e zezë.
Elektra nisi së bashku me të ëmën të mbledhin zarzavatet e shpërndara në dysheme.
Laerti u ul përpara laptopit me një qetësi apostolike.
Nga dritaret e hapura u dëgjua sërish fërshëllima e rioshit. Elektra hapi televizorin në një kanal që kishte muzikë. Befas ajo ndaloi dhe spikerja dha një lajm të beftë:
– Ndërpremë transmetimet tona për një ngjarje të jashtëzakoshme. Policia, me fletën e arrestimit lëshuar nga prokurori, shkoi të shoqëronte për në vendet e paraburgimit mikrobiologun z. Odise Trakopullos.
Dyshimet për gabimin e bërë nëntëmbëdhjetë vjet më parë, shkak për të cilin ndërroi jetë një Oficer Madhor, e rëndonin së tepërmi mikrobiologun. Por atë e gjetën ende me frymë, pasi kishte kryer një vetëvrasje të padëgjuar deri tani. Ai qe infektuar me një strisho të atij mikrobi që Oficeri Madhor javën e kaluar u përcoll me nderime për në banesën e fundit. Gjesti i mikrobiologut flet për një ndërgjegje të pastër dhe një karakter tepër të lartë.
“Karakter tepër të lartë”!?
O Zot, ç’fsheh nëntoka të gjitha fëlliqësitë që ndodhin mbi ‘të.

Në radio dëgjohej muzikë funebër.

Shënim: Katër pjesë e para të kësaj novele gjenden në portalin albspirit.

Please follow and like us: