Albspirit

Media/News/Publishing

Në hotelin e ‘Lord Byron’, aty ku nisi të shkruhej ‘Childe Harold’

“Hoteli të vjetër në Athinë, i lënë ashtu, siç ka qenë më shumë se dy shekuj më parë, kur gjatë vizitës në Greqi, pasi kishin zbritur nga Janina, Lord Byron (Bajron) dhe miku i tij Hobhouse, kishin qëndruar atje tre muaj”

Luan Rama

Është një e papritur e bukur kur gjendesh para atij hoteli të vjetër në Athinë, i lënë ashtu, siç ka qenë më shumë se dy shekuj më parë, kur gjatë vizitës në Greqi, pasi kishin zbritur nga Janina, Lord Byron (Bajron) dhe miku i tij Hobhouse, kishin qëndruar atje tre muaj. Portokallet për të cilat shkruante dikur Hobhouse në kujtimet e tij nuk ishin më aty, përveç atyre gurëve antikë në oborr dhe një obelisku që tregonte për qëndrimin e Bajronit. Dritaret dhe gjithçka përreth të fusnin menjëherë në mjediset e asaj shtëpie të dikurshme të vejushës Makri, gruas së zëvendës-konsullit anglez me tri vajzat e bukura të saj apo „tri hiret“ siç i quante Bajron, ku më e bukura ishte Tereza, e vogla, me flokët e saj të lëshuara që i derdheshin gjer ne bel. Në atë kohë, Bajroni shkruante këngët e para të poemës së gjatë “Childe Harold”, të cilën, siç do të shkruante ai, e nisi “në Janinë, Shqipëri, të filluar në 31 tetor 1809”. Në kujtimet e Bajronit “Memoires de Byron”, botuar nga miku i tij i afërt Thomas Moore, përshkruhet dhe gjithë udhëtimi i tij drejt Athinës.

Ai e kishte lënë Prevezën i shoqëruar nga 40-50 shqiptarë, kishte kapërcyer Akarninë dhe Etolinë dhe ishte nisur bashkë me mikun e tij drejt Moresë, duke ndaluar në Utraqi. “Në mbrëmje, – tregonte më pas ai, – meqë portat e fshatarëve ishin të mbyllura, bëmë përgatitjet të hanim darkën jashtë bashkë me shqiptarët tanë. Një dhi u pre dhe u poq e tëra në zjarr. Katër zjarre u ndezën dhe rreth tyre u ulën shqiptarët. Pasi hëngrën e pinë, ata u mblodhën rreth zjarrit më të madh, ku ne, më të vjetrit, qëndronim të ulur në tokë. Ndërkohë që qëndronim ashtu, ata i dhanë duart njëri-tjetrit dhe kërcyen rreth zjarrit me britmat e këngëve të tyre dhe me një energji të habitshme. (Subjekti i këngëve ishin gjithnjë bëmat e kleftëve, që këtu u thonë kaçakëve, hajdutëve, që në këtë kohë në Shqipëri e Greqi e kishin për nder. Po kështu quheshin edhe ata që kishin marrë malet e fshiheshin duke luftuar kundër tiranisë së Turqisë). Njëra nga ato këngë zgjati një orë. Ajo fillonte kështu: „Të gjithë kleftë nga Parga, ne ishim gjashtëdhjetë”… dhe pastaj vinte refreni: “Të gjithë kleftë nga Parga”…

Kur buçiste kjo strofë me gjithë forcën e mushkërive, ata ktheheshin me vrull rreth zjarrit dhe binin në gjunjë, duke përsëritur refrenin. Zhurma e dallgëve mbi gurët e vegjël të bregut ku ishim ulur, mbushte intervalet e këngës me një muzikë më të butë, por jo aq monotone. Nata ishte e errët, por nga dritat që hidhte zjarri shikoje drurët, shkëmbinjtë dhe pamjen e atyre valltarëve, çka i jepte atij vendi një pamje të habitshme dhe misterioze…“Kur kishin mbërritur në Athinë, dy anglezët, kishin qëndruar tre muaj në shtëpinë e vejushës Theodhora Makri që priste e përcillte anglezë që kalonin andej. Ishte Theodhora me tri vajzat e bukura të saj, Katinka, Marjana dhe Tereza, ku më e bukura ishte e vogla me leshra të lëshuara”. Tereza, Katinka e Marjana, – shkruante Bajroni në kujtimet e tij , – kishin shtat mesatar dhe mbanin në kokë nga një kapuç të kuq shqiptar me një xhufkë blu, si dhe shami me ngjyra mbi kokë, kapur në tëmthat e tyre. Atje, Bajroni dhe miku i tij kishin vizituar Akropolin që nderej mbi kokat e tyre. Madje Byron kishte shkuar dhe në Sunio, gjithnjë i shoqëruar nga shqiptarët e tij. Në kujtimet e tij ai shkruante sesi në Sunio, desh e kishin rrëmbyer ca kaçakë maniotë nga Mani i Peloponezit, por kur kishin parë dy shqiptarët pranë tij, ata kishin menduar se të tjerë shqiptarë vinin pas tyre dhe ishin larguar me shpejtësi, pasi me shqiptarët ishte e vështirë tê ndesheshin…

Para se të largohej nga Athina për në Pire, për të marrë një anije angleze që shkonte në Smirnë, siç shkruante Thomas Moore, ai i ishte drejtuar vajzës së Theodhorës, duke i thënë: „O virgjëreshë e Athinës! Para se të ndahemi kthema zemrën time!… Duke përsëritur këto vargje, mu shfaq gjithashtu dhe portreti i asaj vajze në tablonë e bukur të piktorit francez André Chalon, një francez i rritur në Londër, meqë ati i tij kishte mërguar atje. Ishte një piktor i njohur në rrethet aristokratike dhe i parapëlqyer i mbretëreshës Victoria, të cilës i kishte bërë disa portrete. Portreti i kësaj vajze adoleshente u pikturuar dhe nga shumê autorë tê tjerë, veçanërisht anglezë.

Ishte kjo ditë plot diell rrëzë Akropolit në Athinë, që më solli në mendje Bajronin e madh dhe piktakimin e tij me shqiptarët. Vite më parë, në librin „Në udhëkryqet e kohës“ (Korrespondenca Paris-Tiranë), për Bajronin kisha shkruar një kapitull, që padyshim, duhej të vazhdonte…

 

«Porta e fshehtë» e Lordit Bajron

Adoleshenca jonë është përkundur me këngët e Çajld Haroldit, çka nuk ndodh tani. Ne ishim krenarë për vargjet e poetit anglez për Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët i shihte si një popull i virtutshëm dhe i veçantë nga të tjerët. Sigurisht ishte ndjenja jonë patriotike në një vend totalitar, ku si kishte mbetur gjë tjetër ku të kapej, veç disa adhuruesve të së kaluarës, si Xhorxh Gordon Bajron. A nuk shkruante ai në letrat dërguar mikut të tij John Moore se «I dua shumë shqiptarët… Arnautët ose shqiptarët, më kanë habitur me ngjashmërinë që kanë me skocezët e Hightlands… malet e tyre kanë një pamje si të Kaledonisë, me një klimë të këndshme. Edhe pse veshja e tyre ishte e bardhë, silueta e hollë dhe e shkathët, dialekti i tyre disi celtik në veshin tonë dhe jeta e tyre e ashpër, gjithçka më çonte në Morven»…

( Fragment nga libri “Me arvanitët udhëve të Greqisë”)

Please follow and like us: