Albspirit

Media/News/Publishing

Koço Kokëdhima: Rama punon për ndarjen e Kosovës

Intervista/ Kreu i Partisë “Zgjidhja”: Lëvizja studentore është një lëvizje e qartë anti-elitë. Është kundër kësaj elite drejtuese politike. Është kundër PS, kundër PD dhe kundër LSI. I inkurajojmë që të dalin me kërkesa politike, madje të krijojnë parti

Kryetari i Partisë “Zgjidhja” Koço Kokëdhima, i ka dhënë një intervistë televizionit A2 Neës, ku shpjegon qëndrimet politike në raport me ngjarjet e fundit, reformën zgjedhore, koalicionin e tryezës së partive për zgjedhje të barabarta dhe protestën e studentëve.

Sot ju vini me petkun e kryetarit të Partisë “Zgjidhja”, një forcë alternative, e cila ka lindur pas shkëputjes suaj nga Partia Socialiste. Sot lëvizjet në qeveri janë mbyllur me një dekretim të ministrit të Jashtëm dhe të zv.ministrit të Jashtëm. Doni të komentoni ndonjë gjë për këtë?

Nuk mendoj se ka ndonjë gjë për të komentuar. Rama vetë nuk ka lidhje me Kushtetutën. Është një atentator ndaj Kushtetutës dhe lirive republikane, është një armik i Republikës dhe një autokrat. Ai është i thjesht i pabesueshëm në këtë që bën.

Kur e zbuluat ju? Sepse ju e njihni kryeministrin që kur ka qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës?

Unë nuk bëj zbulime. Unë thjesht bëj lexime. Unë lexoj sjelljet, veprimet dhe iu vë atyre emrin që kanë. Rama në pushtet, ka dëshmuar të gjithë këtë profil që unë shpjegova. Gjithë këtë sjellje, plot armiqësi me liritë e tregut, me liritë politike, me liritë ekonomike dhe me liritë njerëzore në vendin tonë.

Le të bëjmë një koment për qeverinë. U bënë ndryshimet në qeverinë e re, si i konsideroni ato?

Unë e kam komentuar 2-3 herë këtë çështje. Në përgjithësi ministrat që u zgjodhën, ishin njerëz me profil të ulët, por nuk mund të jetë ndryshe. Nuk mund të ndodhë ndryshe. Nuk bën ndonjë ndryshim, nëse është Rama ministër i Jashtëm, apo do është dikush tjetër. Gjithë zgjedhjet që bën Rama janë të tilla, sepse ai zgjedh vetëm lajkatarë, servilë, njerëz të bindur, që zbatojnë çdo urdhër, pavarësisht ligjit. Zgjedh njerëz që nuk kanë ndonjë arsye për të qenë atje ku i emëron, por për të përligjur pretendimin e tij se ky është Zoti, ky është dielli, ky është shiu, ky është era.

Ka ndryshuar Z. Rama me kalimin e kohës apo kështu ka qenë? Sepse lind pyetja, se juve ju afroi sepse ishit lajkatar, apo ju largoi sepse nuk ishit lajkatar?

Ju e kini fjalën për afrimin tim kur shkova deputet?

Unë e kamë fjalën për marrëdhënien speciale që keni pasur më z. Rama.

Për çfarë konkretisht?

Ju thoni që Kryeministri afron lajkatarë. Atëherë ju pyes, kjo gjë, me sa e njihni ju individin z. Rama,..

Nuk më ka afruar mua ai. Ai më është afruar mua.

Ai priste që ju t’i bënit lajka, apo ju largoi se nuk i bënit lajka?

Jo ai kishte nevojë për mua. Kishte nevojë kur ai donte të vinte në pushtet. Edhe unë e kam mbështetur atë person. E kam mbështetur, jo për agjendën e tij, por për pritshmërinë time, se ky njeriu do t’i shërbente popullit, do t’i shërbente vendit. Pra, nuk do të kishte ato sjellje që manifestoi në pushtet.

Që të mos bëjmë analizën psiko-sociale të Ramës, më intereson aksioni i tij politik. Nëse kjo që ju thoni qëndron, pra që ai kërkon njerëz servilë, pra atëherë i bie që ministri i Jashtëm, de facto, do të jetë z. Genti Cakaj. Kryeministri do te jete de jure ministër i Jashtëm, këtë ai e ka thënë, të bëjë çfarë do t’i thotë Edi Rama.

Nuk ka dyshim fare kjo. Me ministrat ai bën si t’i dojë qejfi. Ai vendos vetëm lolo ministra. Po qe se nuk qenë të tillë, nuk janë ministra.

Atëherë, dakord. Dalim te përplasja institucionale, mes Presidentit dhe Kryeministrit që erdhi, sipas deklaratave të Presidentit, si pasojë e qëndrimeve të z. Genti Cakaj për ndryshimin e kufijve të Kosovës. Mendoni se qëndrimi i qeverisë shqiptare, i udhëhequr tanimë nga kryeministri dhe ministri i Jashtëm është i qartë në këtë pikë? Apo lë vend për ekuivok?

Qëndrimi i Edi Ramës, është një qëndrim shumë i gabuar, tërësisht anti-shqiptar.

Pse?

Sepse ky njeri ka përqafuar planin e Vuçiç dhe po punon për planin e tij, për ndarjen e Kosovës.

Është e fortë kjo deklaratë…

Nuk është e fortë. Është thjesht e vërtetë. Është një lajm i keq për ne. Por nuk është një lajm i ri ky.

Por mbi cilën bazë? Sepse nuk ka një deklaratë publike për ndryshimin e kufijve nga ana e qeverisë?

Ka shumë informacion për këtë çështje. Prandaj nuk flet dot ai. Ai bën sikur është OKB-ja. Kur flet për dialogun Kosovë-Serbi, dhe kur flet për çështjen e shtruar në tavolinë sot, për shkëmbim territoresh, si dhe për ndarjen e Kosovës, ai bën sikur është Kombet e Bashkuara, jo sikur është kryeministri i Shqipërisë.

Këto i keni konstatime personale, apo…

Ai bën sikur nuk ka qëndrime. Por thotë, unë flas për dialogun. Bën si presidenti i SHBA-së. Bën si Putin dhe si Trump.

Para disa ditësh keni pasur një takim me kryeministrin e Kosovës, z. Ramush Haradinaj. Këto që sapo thatë për kryeministrin janë akuza të forta. Pra, kryeministri sot, de jure edhe ministër i Jashtëm, është për ndryshimin e kufijve të Kosovës me Serbinë dhe po zbaton planet e Vuçiç. Këto i keni konstatimet tuaja apo kryeministri i Kosovës, Haradinaj, ka ndarë me ju shqetësime të kësaj natyre?

Unë nuk e di fare se çfarë mendon kryeministri i Kosovës për këtë çështje.

Nuk keni folur për këtë?

Nuk kam folur për asnjë person të veçantë. Për asnjë emër të veçantë. Dhe aq më pak për Edi Ramën. Sepse nuk është një person që më takon që të flas për të në takime të ndryshme. Unë kam shkuar në takim me kryeministrin e Kosovës, sepse kam respekt për Z. Haradinaj. Jo vetëm për faktin që familja e z. Haradinaj, i ka dhënë tre djem, tre vëllezër atdheut. Ka tre vëllezër dëshmorë të atdheut Ramushi dhe në këto periudha ka dëshmuar qëndrime me shumë kurajë, atdhetare dhe të mençura. Unë i kam shkruar këto. I kam bërë publike qëndrimet e mia dhe të partisë “Zgjidhja”. Ne mbështesim këtë qëndrim dhe këtë reagim të tij. Edhe papajtueshmërinë për planin e ndarjes së Kosovës. Edhe embargon, ose tarifën 100 për qind mbi mallrat e origjinës mbi Serbinë; Edhe përpjekjet e tij për të integruar Shqipërinë me Kosovën, për të hequr barrierat që i mbajnë shqiptarët në mënyrë të pamerituar, akoma edhe më të ndarë. Duke i vënë nga dy palë postblloqe, etj. I kam shprehur mbështetje kryeministrit të Kosovës, për qëndrimet që ka mbajtur ai dhe nuk kemi folur për qëndrimet e Edi Ramës.

Dakord. Sa e mundshme është që partia që ju kryesoni ka në planet e saj bashkimin kombëtar? Si e shihni me dy fjalë bashkimin kombëtar, pra sa i mundur është. Në qoftë se, pra është e pamundur për ju ndryshimi i kufijve si mund të realizohet bashkimi kombëtar? Dhe a po realizohet bashkimi kombëtar, duke shkruar drejt një bashkimi doganor. Sepse ju e kritikuat Edi Ramën, por kemi parasysh vendimet e fundit të qeverive, ku janë marrë vendime shumë të rëndësishme për integrimin ekonomik mes dy vendeve?

Ju e keni fjalën për heqjen e kontrollit të dyfishtë në doganë. Më lejo të them që ajo është meritë e kryeministrit të Kosovës, ide e tij, meritë edhe këmbëngulje e tij që ajo të realizohet.

Ju po thoni që Ramush Haradinaj i është imponuar Edi Ramës në këtë pikë?

Unë po them që eliminimi i kontrollit të dyfishtë në kufirin Shqipëri-Kosovë, është ide, iniciativë dhe meritë e Ramush Haradinajt. Për sa i përket shkëmbimit të territoreve, ne jemi absolutisht kundër ndarjes së Kosovës dhe shkëmbimit të territoreve. Sepse Kosova nuk ka asnjë centimetër tokë serbe brenda kufijve të saj. Përkundrazi. Kosova dhe Shqipëria janë të rrethuara nga toka historikisht të abonuar nga shqiptarët. Historikisht me mijëra vjet. Ne jemi një komb i copëtuar mes shumë shtetesh. Dy shtetet tona, ai i Kosovës dhe Shqipërisë, rrethohen nga territore të lëna jashtë kufijve të tyre. Ne nuk pranojmë kurrsesi që territoret shqiptare të shkëmbehen me toka shqiptare. Ne nuk e përligjim atë që ka ndodhur historikisht me copëtimin e trojeve tona. Sot ne nuk ngremë pretendime territoriale, ndaj asnjë shteti, por nuk pranojmë që të copëtohemi më tej akoma dhe të lëshojmë më shumë pjesë të territoreve historikisht shqiptare.

Pra, me Edi Ramën, kryeministër dhe ministër i Jashtëm, Shqipëria rrezikon të mbajë anën e Serbisë, në këto kushte?

Nuk guxon të dalë ai në këto çështje. Ai nuk ka kurajë që të dalë në këtë çështje haptazi. Nuk del dot haptazi dhe nuk ka për tu bërë dot dëm shqiptareve dhe Shqipërisë, si dhe Kosovës, sepse janë shumë të vetëdijshëm dhe shumë të bashkuar shqiptarët. Reagimi në Kosovës është shumë i lartë. Kontestimi për këtë plan është shumë i lartë. Ju e patë vet, se kishte shumë diskutime edhe për çështjen e Ushtrisë së Kosovës. Por, mori 107 vota në Parlament dhe kjo ishte një dëshmi e qartë që në Parlamentin e Kosovës, nuk kalon asnjë plan për ndarjen.

Pra i bie, që nëse ndjekim fillin e arsyetimit tuaj, Presidenti i Republikës, ka pasur të drejtë në argumentet e shprehur, nuk po flas nga pikëpamja ligjore kushtetuese, por në argumentet e shprehur për të?

Lë të bëjmë dhe një plotësim që është esencial e që e lashë bosh te pyetja e parë, për tezën tonë, për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Ne e kemi thënë se bashkimi kombëtar nuk është një çështje e zgjidhur. Ëndrra e bashkimit kombëtar është legjitime për Shqipërinë dhe shqiptarët. Por, ne nuk e shtrojmë këtë as me nxitim, as me urgjencë dhe as duke sfiduar partnerët tanë ndërkombëtarë, as duke tejkaluar ose imponuar ritme dhe zhvillime të cilat nuk do ishin të mirëpritura dhe të dëshiruara nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe nga Bashkimi Evropian. Por, brenda të gjithë të drejtës sonë, ne do punojmë për bashkimin e Shqipërisë, me Kosovën sepse është e drejtë legjitime e popullit tonë, që të jetë i bashkuar në një shtet të fuqishëm, në një shtet më të madh, në një shtet të vetëm, që mund t’i garantojë, shumë më mirë, edhe interesat e shqiptarëve brenda këtij shteti, por edhe të atyre jashtë kufirit.

Të gjitha partitë e vogla në Shqipëri dhe Kosovë, e kanë këtë projekt si pjesë e tyre për të marrë votat. Por sa e realizueshme është, sepse ju thatë që nuk dalim jashtë Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës?

Ne nuk e bëjmë këtë për të marrë vota. Ky është një vizion, është një projekt i cili edhe pse nuk mund të realizohet në një ditë, për të duhet punuar çdo ditë. Pra, duhet të integrohemi, duhet të trajtojmë Shqipërinë dhe Kosovën si një treg. Duhet të bëjmë zhvillim ekonomik. Duhet të eliminojmë barrierat doganore. Duhet të eliminojmë dallimet e mëdha, duhet të integrojmë arsimin e kulturën, pra të ulim kostot dhe të rrisim eficencën. Mund të jenë institucione të përbashkëta, siç mund të jetë Akademia e Shkencave e përbashkët, siç mund të jetë ndonjë gjë tjetër. Pra, ka shumë zhvillime që mund të jenë të unifikuara. Pra, duhet të punojmë çdo ditë për të afruar Shqipërinë me Kosovën. Po të punojmë me këtë vizion, e kuptojmë se sa marrëzi është t’i vendosësh taksë kalimi, të vetmes arterie që lidh Shqipërinë me Kosovën, rrugës së Kombit. Ajo taksë bie në kundërshtim me të gjithë integrimin dhe interesin e madh që ka Shqipëria dhe Kosova për të rritur shkëmbimet tregtare ekonomike, kulturore, arsimore e kështu me radhë.

Për të ardhur tek politika jonë e ditës. A çon ujë në mullirin e afrimit të shqiptareve në të dyja anët e kufirit, vendosja e ministrave nga Kosovës në qeverinë e Shqipërisë?

Nuk ka pikë rëndësie. Këto janë ato veprimet e Edi Ramës që nuk kanë asnjë kuptim real, nuk kanë asnjë rëndësi reale.

Dhe pyetja e dytë, duke ju dëgjuar për shqetësimin që thatë në lidhje me ndryshimin e kufijve, rreziku që i kanoset shqiptarëve. A ishte i përligjur shqetësimi i Presidentit të Republikës kur refuzoi Gent Cakaj, si Ministër të Jashtëm?

Nuk dua të diskutoj fare. Më lejo të them një gjë. Në kulturën time është prirja për t’i mbështetur vendimet dhe veprimet e kryetarit të Shtetit, si simbol i unitetit dhe i bashkimit kombëtar. Historikisht, unë në sjelljen time kam rezervuar një respekt të veçante për të gjithë Presidentët e Shqipërisë. Nga kjo pikëpamje jam i prirur që të shoh pozitivisht çdo vendim që merr Presidenti i Shqipërisë dhe cilido President i Shqipërisë. Nuk kam ndonjë arsye që të dyshoj tek kjo çështje. Unë mendoj se, si me z. Cakaj edhe pa të, ministri i Jashtëm i Shqipërisë do të ishte Edi Rama. Siç është që në çdo ministri, ai i mban ministrat vetëm për të firmosur, i lë të bëjnë korrupsion, i lë të bëjnë hajdutëri, i lë të bëjnë pará, i komprometon dhe pastaj i përdor gjithmonë dhe kur nuk e rrezikojnë, e në fund nuk e ka problem që t’i flakë.

Një detaj, sepse kryeministri e ka etiketuar Presidentin si Kryetar të LSI-së. atëherë ju pyes. Arrestimi i Klement Balilit, një personazh me të cilin edhe ju keni një foto, por do ta shtjellojmë pak atë, sepse mësova që ju kishte mbetur pak hatri nga fakti që ia përmenda Ministrit Çuçi në një intervistë në javën e kaluar. Por dua vetëm të dijë, që arrestimi i këtij personazhi mund të përdoret politikisht në betejën mes mazhorancës dhe Presidentit?

Me sa di unë, Balili, fillimisht Balilajt kanë qenë pjesë e Partisë Demokratike, dhe kanë mbështetur PD-në dhe në vitin 2013, Balilajt kanë qenë pjesë dhe mbështetës të LSI-së.

Për teleshikuesit, ju keni bërë një status të gjatë në FB. Në një moment kur Berisha, ju nuk ishit në Kuvend, është e viti 2016 dhe titullohet shpifja 1004 e Berishës. Në këtë status ju sqaroni të gjithë akuzat ndaj jush. LSI-ja emëroi edhe Rigels Balilin si kryetar të Bashkisë, Delvinë. Ju e njihnit vetëm si deputet i zonës. Dakord e gjithë kjo histori dhe përgjigja është shteruese për këtë. Por unë dua tju pyes, se a do përdoret kjo gjë politikisht. Pra, dua një analizë politike

Përderisa ai vetë, ka qenë pjesë e LSI-së, pa dyshim që do të përdoret politikisht. Sepse si Edi Rama edhe Sali Berisha, përdorin mbarë dhe mbrapsht, të gjithë robtë e shtëpisë të kundërshtareve dhe jo më raste apo individë të tillë, që ekspozohen përpara ligjit dhe bëhen persona kaq të lakuar dhe kaq të diskutuar. Kështu që nuk çuditem. Unë nuk kam pasur asnjë njohje me Balilin. Asnjë njohje. Unë kam shkuar një herë në inaugurimin e Santa Quaranta-s. Atje ka pasur shumë njerëz. Ajo ka ndodhur në vitin 2015. Ndërkohë që Balili është ekspozuar si personazh që akuzohet për drogë dhe të tjera, pas datës 10 maj të viti 2016. Nuk është detyra e deputetit të zonës që të zbulojë dhe të dijë, se me çfarë merret ndonjë person i tillë. Një deputet i zonës, shkon në çdo investim që inaugurohet dhe nuk do të thotë se ka ndonjë lidhje as me personazhin dhe as me ngjarjen.

Po kjo është shumë e drejtë.

Pra, kjo nuk ka lidhje as me mua.

Në dijeninë tuaj, meqë keni qenë deputet i zonës, ju po thoni që nuk keni qenë në Santa Quaranta në atë hotel?

Absolutisht jo.

Në dijeninë tuaj, deputetë, kolegë të tjerë, kryetari i Partisë Socialiste, vetë Edi Rama, ka qenë në Santa Quaranta?

Nuk e di. Këto nuk i di unë. Për këto pyesni ata. Por të shkoje te Santa Quaranta, nuk ka qenë ndonjë krim.

Jo jo patjetër, edhe unë kam qenë atje. Por, bëhet fjalë për akuza të tjera?

Ato nuk janë arsye që të jenë objekt i bisedës me mua. Ju duhet të pyesni ata që akuzohen. Për mua nuk ka ngritur akuzë askush. Unë si deputet i zonës, kam shkuar në atë inaugurim sepse më kanë ftuar dhe do shkoja në çdo inaugurim tjetër, për çdo investim. Unë edhe sot shkoj në çdo investim që bëhet dhe me ftojnë kudo në Shqipëri.

Kokëdhima kemi diskutuar bashkë ato pamjet që dolën para pak çastesh, të betimit të Edi Ramës si ministër i Jashtëm. Kemi folur për marrëdhëniet Shqipërisë me Kosovën, dua të prek një çështje tjetër, e cila përsëri e implikon Edi Ramën. Ajo është Pakti për Universitetin. Ju kam ndjekur dhe jeni shumë aktiv në FB, ndoshta kjo vjen për shkak të impenjimit tuaj në politikë. Keni kuptuar se ndoshta është një mënyrë e mirë për të folur me të rinjtë. Si e shihni ju zgjidhjen që qeveria u dha kërkesave të studentëve?

Partia “Zgjidhja”, ka qenë dhe mbetet mbështetëse shumë e vendosur e lëvizjes studentore për të gjitha ato kërkesa legjitime, të drejta dhe minimaliste që ata kanë artikuluar. Reagimi i Ramës, është pa dyshim i pandershëm, i pasinqertë dhe pa dinjitet. E ka katandisur arsimin e Shqipërisë në këtë gjendje. Nuk e ka bërë vetëm ky. Por, ky i ka dhënë goditjen e fundit. E kanë shkatërruar arsimin e Shqipërisë, siç kanë shkatërruar shtetin shqiptar dhe gjithçka tjetër në këtë vend. Sepse liderët e partive të vjetra e kanë kthyer shtetin vetëm në funksion të pushtetit të tyre.

Si e kanë shkatërruar arsimin? Sepse nëse qeveria thotë se dua deri diku të orientoj arsimin dhe të rinjtë ti drejtoj drejt arsimit profesional, sepse ka vetëm 100 studentë viti i parë të gazetarisë në Elbasan…

Të mos merremi me çfarë thuhet, por të merremi më çfarë bëjnë. Çfarë kanë bërë është ky realitet që kemi sot. Ky realitet nuk besoj se ka nevojë për të bërë komente të mëtejshme. Sot arsimi shqiptar është i pabesueshëm. Është një arsim me nivel shumë të ulët. Prodhon njerëz analfabetë. Prodhon njerëz me diploma që nuk iu hyjnë në punë, nuk zgjidhin perspektivën e tyre etj. Por pse ka ndodhur kjo? Sepse këto tri partitë që kanë qeverisur Shqipërinë në këto 30 vjet, PD+PS+LSI, e kanë shkatërruar çdo institucion të shtetit dhe arsimit shqiptar. Kjo ndodhi sepse këta, kudo vunë injorantë, i mbushën trupat akademike, arsimore etj, me militantë partie, me njerëz që bënin vota për partitë. Ata nuk interesoheshin për sukseset e arsimit, por interesoheshin për dominimin e arsimit nga detashmentet e tyre. Ashtu siç kanë bërë në çdo institucion të shtetit, siç kthyen çdo dikaster, çdo ndërmarrje shtetërore, duke i kthyer në inkubator votash për partitë e tyre dhe në ndërmarrje që prodhonin lekë, për militantët që emëronin dhe për partitë e tyre. Historia e shkatërrimit të institucioneve shqiptare dhe të arsimit të Shqipërisë, është pasojë e kësaj politike, e cila nga njëra anë, kërkonte pushtet dhe pasuri për lidershipin e këtyre partive, nga ana tjetër kërkon që të shkatërrojë aftësinë e këtij populli për të kërkuar llogarinë për interesat e tij të nëpërkëmbura. Pra, populli shqiptar duhet të jete i paaftë për të kërkuar llogari, i paarsimuar, i paditur dhe jo i pasur.

Ky është një konstatim që ju i bëni gjendjes së arsimit. Unë mendoj se deri në një moment të caktuar disa degë, të paktën gazetaria që unë kam mbaruar, ka qenë mjaft cilësore. Çfarë mendimi keni për lëvizjen studentore? Mënyra se si u organizua dhe zgjidhja që qeveria i dha?

Qeveria nuk u përpoq që të zgjidhë kërkesat e studentëve. Kjo është e vërteta, as nuk është përpjekur dhe as nuk do të zgjidhë gjë.

Jo më larg se dje, qeveria ka anuluar një koncesion në mënyrë që efektet financiare të tij, të kalojnë si fonde për Paktin e Universiteti?

Këto janë mashtrime. Ai koncesion është anuluar për arsye të tjera. Pra, për halle të tjera që ka kryeministri i Shqipërisë. Ai nuk e ka anuluar fare për këtë punë.

Mora një shembull. Por gjerat e tjera që kryeministri ka përmendur, janë rregullimi i konvikteve, krijimi i lehtësirave për studentët.

Unë jam shumë i qartë. Ai është një autokrat. Është një person i korruptuar e i inkriminuar, një person mafioz, i lidhur me lloj-lloj kriminelësh, një person që ka shkatërruar administratën e shtetit, një person që ka shkatërruar Partinë Socialiste, ka shkatërruar institucionet, Republikën, zgjedhjet, gjithçka. Ai është problem për Shqipërinë. Unë nuk pres zgjidhje nga ai. Ai është një manipulator që gënjen, është i pasinqertë dhe i pandershëm në të gjitha komunikimet publike. Ai e ka shkatërruar autonominë dhe lirinë e universiteteve. Nuk ka ndërmend të rregullojë ndonjë gjë. Ai përpiqet të kontrollojë gjithçka, çdo lloj pasurie në këtë vend. Unë nuk i besoj përrallat që thotë ai. Premtimet e tij janë shumë minimaliste dhe duhen plotësuar. Qeveria nuk po i plotëson dhe nuk ka për t’i plotësuar. Lëvizja studentore për mua është shumë e drejtë. Ajo është një shuplakë për të gjithë shoqërinë shqiptare. Një shoqëri e kalbur. Një shoqëri e pavetëdijshme dhe e pandërgjegjshme. Një shoqëri që gëlltit gjithë këto sjellje të shëmtuara të këtij pushteti, të kësaj qeverie dhe të kësaj elite politike.

Ju mendoni se ishte një protestë e pa organizuar, një lëvizje spontane, apo nisi si e tillë dhe më pas shkoi ashtu? Ndërkohë që kryetarja e LSI-së, tha se anëtarët tanë kanë marrë pjesë në protestë në Vlorë. Pra, unë po ju pyes se nëse janë përpjekur partitë e tjera në dijeninë tuaj, ta kontrollojnë protestën?

Lëvizja studentore është një lëvizje e qartë anti-elitë. Është kundër kësaj elite drejtuese politike. Është kundër PS, kundër PD dhe kundër LSI. Është kundër të gjithë politikanëve të korruptuar të këtij vendi dhe këtyre tri partive, që janë plotësisht përgjegjëse për rrënimin e shtetit, ekonomisë dhe çdo gjeje tjetër.

Një pyetje konkrete. A ka qenë një student i juaji, militant i partisë “Zgjidhja”, në Vlorë, në pyetjen që i ka bërë Kryeministrit në Vlorë?

Kjo nuk ka lidhje me Partine “Zgjidhja”. Arbri është anëtar i Partisë “Zgjidhja”, por nuk është i porositur nga partia “Zgjidhja”, që të bëjë ndonjë sjellje të caktuar, as të marrë pjesë në demonstrata.

Por, këtë thotë edhe Znj. Kryemadhi që ka pasur studentët atje?

Studentët në këtë protestë i kanë mbajtur gjate gjithë kohës larg, te cepi i ringut. Kjo revoltë studentore, edhe pse duket se kërkesat janë ekonomike, dëshmon se në të vërtetë ato janë thellësisht politike. Duket sikur është një protestë e pa organizuar, pa lidership, por është një protestë shumë e mençur dhe shumë inteligjente. Ka zbatuar praktika shukë të drejta për të përballuar gjithë këta armiq dhe kundërshtarë të egër të protestës?

Një pyetje për partinë tuaj. A janë studentët hambar i mirë votash, për parti si e juaja, që jeni dekoruar kundër tre partive të mëdha. Do të kërkoni votën e tyre?

Ne ndajmë idetë dhe kauzat me qytetarët e Shqipërisë, me rininë e Shqipërisë, me studentët e Shqipërisë. Ata janë të lirë të zgjedhin se cilat parti apo grupime do mbështesin. Një parti politike pa dyshim që do kërkojë mbështetje, sepse ne këto kauza, duam që t’i bëjmë kauza fituese. Këto bëhen në momentin kur i përkrah gjithë populli shqiptar.

Po në lidhje me termin “armiqtë e lëvizjes”, për kë e keni fjalën?

Elita politike dhe politikanët që drejtojnë. Ata janë përpjekur ta kontrollojnë nga brenda. Ta komprometojnë, ta reduktojnë, ta zvogëlojnë, me militantët e tyre, me njerëz të infiltruar. Janë përpjekur ta godasin me media, me ata analistët e paguar të tyre, me gjithë punëtorët e rekrutuar dhe të paguar nga qeveria, si me gjithë ato agjenturat e tyre brenda trupave pedagogjike dhe brenda administratës së Universiteteve.

Dy detaje të fundit. Unë pashë në këtë protestë dy gjëra. Një diabolizim të pedagogëve. Nuk e di se sa e shëndetshme është kjo për mësimdhënien në nivel akademik. Kemi pedagogë të korruptuar, absolutisht që po, por jo linçim publik. Tjetra, e konstatoni ju këtë gjë?

Unë mendoj që është tërësisht e shëndetshme dhe tërësisht e drejtë. Sepse këtu nuk ka reagim. Nuk ka institucione. Këtu janë të vërtetat sheshit. Shqetësimet artikulohen sheshit se këtu nuk funksionin asgjë. Kjo që unë them nuk është populiste dhe as revolucionare. Ata studentë kanë paguar sa e sa pedagogë të korruptuar, që i marrin para për nota. Unë kam dëgjuar shumë studentë, të cilët janë edhe aktivistë të “Zgjidhjes”. Jam habitur kur më thonë se sa kanë paguar për ketë apo atë pedagog. Kjo nuk është një gjë pasive që e bëjnë 2-3 njerëz. Është shumë masive, shumë e përhapur. Institucionet e drejtësisë, kur marrin një denoncim publik të studenteve, duhet të veprojnë.

E dyta ka të bëjë me artikulimin për krijimin e një poli të tretë, Partia e Studentëve. A shkon kjo përkundër frymës apolitike të lëvizjes apartiake të studentëve?

Partia “Zgjidhja”, ka arsyetuar që në fillim të protestës, se lëvizja duhet të artikulojë kërkesa të tjera, plus këtyre që janë. Sepse nëse nuk çlirohet Shqipëria, nëse nuk çlirohen zgjedhjet, nuk mund të çlirohet arsimi i lartë, nga kjo autokraci, nga këta të korruptuar nga kjo hajdutëri, si dhe nga ky trajtim barbar që i bëhet gjeneratave të reja në Shqipëri. Unë kam sugjeruar që kjo lëvizje të ketë formën e një lëvizjeje pastërtisht politike. Madje ne mbështesim edhe krijimin e forcave të reja politike.

Pra “Zgjidhja” do ta mbështesë krijimin e një partie studentësh?

Unë nuk them parti studentesh. Unë them parti politike që rezulton nga lëvizja e studentëve.

Vijmë te plani politik. Ditën e premte keni pasur një takim me partitë të tjera, që në sfond flitet për krijimin e një poli të tretë. Në takim keni qenë ju, PAA, PDS, si dhe AK…

Kanë qenë dhe 20 parti të tjera atje. Ai diskutim nuk është filluar të premten, por është i hershëm. Tryeza ka pasur si mision, luftën për reformimin e zgjedhjeve dhe demokratizmin e zgjedhjeve në Shqipëri. Sepse atje është goditur i gjithë sistemi politik i Shqipërisë. Duke goditur dhe duke kontrolluar zgjedhjet, këta janë bërë, sundues të këtij populli. Ne kemi bërë një sensibilizim të madh të gjithë institucioneve ndërkombëtare për të kuptuar se PD dhe PS, nuk kanë vullnet për të reformuar zgjedhjet shqiptare. Nuk duan t’i lëshojnë zgjedhjet nga kontrolli i tyre.

Ky është i vetmi objektiv që ju bashkon, reforma e kodit zgjedhor?

E vërteta është se kjo tryezë ka qenë e bashkuar mbi këtë bazë. Mbi një kauzë shumë legjitime, madje pa mbaruar këtë nyje, nuk kemi për të dalë nga të gjithë këto vështirësi të mëdha që kemi.

Si u larguat nga PD. Sepse në të vërtetë ishte PD që ua hoqi mandatin.

Shiko, mandatin e deputetit nuk e hoqi PD, atë e hoqi Edi Rama, Sali Berisha dhe për fat të keq edhe Ilir Meta. E bënë duke përdorur gjykatësit e korruptuar të Gjykatës Kushtetuese, pa asnjë motiv. Dhe kjo është një e vërtetë e njohur në Shqipëri. Nuk më hoqën mua nga parlamenti për çështje personale, as për armiqësi personale.

Ishte për betejë politike?

Ajo ishte për faktin se modeli im në politikë ishte një model që i preokupon ata. Është modeli, janë kauzat, është vizioni që kam në politikë. Janë kundërshtitë e thella që unë kisha me këtë politikë që këta zhvilluan në Shqipëri.

Një nga kauzat tuaja ka qenë edhe legalizimi i kanabisit

Por kjo ka qenë kauzë shumë e drejtë. Apo jo? Të gjitha kauzat e “Zgjidhjes”, janë kauza shumë të drejta. Ata më hoqën mua sepse më konsideronin të rrezikshëm për atë që kanë bërë ata për Shqipërinë. Mbase edhe për çështje më të rëndësishme se Kanabisi.

Duke mos qenë politike, ishit problem që të ktheheshit dhe të mos ktheheshit në PD, me Lulzim Bashën. Pse u larguat?

Ja ta shpjegoj. E kam takuar Lulzim Bashën sepse në pranverën e vitit 2017, artikuloi gjithë tezat e “Zgjidhjes”. Tezat tona, për gati 90 ditë, Lulzim Basha i ka artikuluar. Këtu futen, Republika e Re, Primaret, zgjedhja e deputetëve nga populli. Partia “Zgjidhja”, i dha mbështetje Lulzim Bashës, në këto qëndrime, pa e paragjykuar. I kam kërkuar në dy takime, i thashë, mos bëj pazar me Edi Ramën dhe mos i tradhto këto kauza. Në qoftë se ju distancoheni nga e kaluara kriminale e PD-së për zgjedhjet, sepse vjedhjen e zgjedhjeve, e mbolli Partia Demokratike dhe e thelloi Edi Rama dhe Partia Socialiste.

Ju flisnin për zgjedhje të barabarta dhe jo të ndershme?

Nuk ka zgjedhje të barabarta. Ka zgjedhje të lira dhe jo të ndershme. Të ndershme i thonë këta pasi vjedhin votat.

Pra, ju konstatoni një mungesë vullneti nga Partia Demokratike dhe Partia Socialiste për reformën zgjedhore?

Pa dyshim. Këta kanë mungesë të thellë konstitucionale. Këta bëjnë një puç. Shqipëria nuk sundohet nga ligji, Shqipëria nuk është Republikë. Shqipëria nuk ka sovranitet të popullit, sundohet nga marrëveshja e tri partive PD, PS dhe LSI.

Nëse nuk kemi reforma zgjedhore, do të hyjë “Zgjidhja” në zgjedhje apo jo?

“Zgjidhja” do të përgatitet për zgjedhje. Jo për pseudo-zgjedhje.

Do hyni vetëm apo me polin e tretë?

Zgjidhja është duke negociuar, me PAA, AK dhe me shumë parti të tjera, për të krijuar një koalicion të ri për zgjedhjet vendore dhe për zgjedhjet e ardhshme. Ne shpresojmë që të krijojmë një koalicion solid dhe të japim një alternativë më të fuqishme, të krijojmë një pol më të fuqishëm, për tu përballur me këtë situatë që ka Shqipëria, kur këta kanë bllokuar agjendën e integrimit evropian të Shqiptarëve. BE e ka vendosur si kryekusht reformën zgjedhore. Ju e keni parë se si ka ikur nga parlamenti Lulzim Basha, me demek se do rrëzojmë me revolta qeverinë  e Edi Ramës. Këto janë shakara dhe gënjeshtra. Dhe në vend që Lulzim Basha e ata që e quajnë veten opozitë. të ishin sot krah për krah me të gjithë popullin që kërkon reformimin e sistemit politik, çlirimin e zgjedhjeve dhe përtëritjen e elitës politike, ai shkon e bën bashkëpunimin anti-kombëtar me Rilindjen për të mbajtur peng zgjedhjet dhe për të mbajtur peng Shqipërinë./shekulli/

Please follow and like us: