Simbioza e krimit me politikën largoi Antoneta Sevdarin
Çerçiz Loloçi
Vetingu në drejtësi ka larguar tashmë shumë gjyqtarë dhe prokurorë, por në asnjë prej tyre nuk ka pasur reagim qytetar dhe të medias siç ndodhi me prokuroren Antoneta Sevdari. Studente e shkëlqyer në Drejtësi dhe në Fakultetin e Ekonomisë, me shkollë magjistrature po të shkëlqyer, zonja Sevdari kishte tashmë karrierën e saj në organin e prokurorisë.
Por befas kjo karrierë iu ndërpre në mes nga Kolegji i Posaçëm i Apelit, një trupë prej 5 vetësh, për shkak të një dyshimi të pavërtetuar. Pak kohë më parë ajo kishte konkuruar në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe kishte marrë besimin e krejt komunitetit të prokurorëve për të qenë në krye të këtij institucioni të ri.
Kjo pesëshe e Kolegjit të Apelit, pavarësisht se është zgjedhur nga maxhoranca e sotme, ka në përbërjen e saj gjyqtarë të periudhës së qeverisjes së Partisë Demokratike, gjyqtarë të periudhës qeverisëse të Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Megjithatë, me ndonjë përjashtim, trupa e zgjedhur ka aq shumë mëkate dhe zullume sa do iknin edhe natën për të shpëtuar prej tyre. Sidomos në aspektin e pasurisë që asnjë prej tyre nuk e justifikon dot thjesht e vetëm nga rroga që ka marrë në ushtrimin e drejtësisë.
Antoneta Sevdari, si prokurore ka dhënë akuzë në emër të shtetit dhe ka vënë para drejtësisë eksponentë të lartë të PD, PS dhe LSI. Pikërisht për këtë Kolegji i Posaçëm i Apelit ka zbatuar urdhërin e treshes partiake por edhe të krimit të organizuar për ta larguar përfundimisht nga radhët e drejtësisë. Ngaqë ky largim është i padrejtë, të pestët e kolegjit janë strukur si skuthë, ndërsa ka pasur indinjatë nga shumë profesionistë të drejtësisë, ata të ndershmit që gjenden sërish në këtë vend në gjykatë, në prokurori, në avokati, etj.
Çuditërisht ka heshtur edhe Partia Demokratike, megjithëse edhe kryetarin dhe sekretarin e përgjithshëm i kanë me shkollim drejtësie dhe ky largim është thjesht dhe vetëm politik nga kundërshtarët e tyre.
Kolegji cënoi besimin te drejtësia me shkarkimin e Antoneta Sevdarit
Denisa Daka: Shkarkimi i padrejtë i Antoneta Sevdarit, një zonjë profesioniste e drejtësisë
Arsen Rusta: Kur shteti të flak në rrugë, rasti i prokurores Sevdari!
Antoneta Sevdari u shkruan ndërkombëtarëve: Hetoni shkarkimin tim të padrejtë