Albspirit

Media/News/Publishing

Letër e hapur/Antoneta Sevdarit, prokurores së veshur me petkun e Dinjitetit dhe padrejtësia e “taksidarëve” të Vettingut

E dashur Antoneta! Sikur të mos ishte ajo ndodhi e tri ditëve më parë kur një trupë kolegji në emër të “drejtësisë së Re”, veproi si mashë e drejtësisë së vjetër, ndoshta nuk do ta kishim kuptuar buzëqeshjen tuaj ironike drejtuar kamerave në dhomën e Vetting-ut, për një vendim haptazi të padrejtë, që ndërpreu karrierën në drejtësi. Sot si kolege jotja, sepse për mua paçka atij vendimi absurd, Ti do mbetesh e tillë, bazuar mbi rastin më duhet të vendos një pikëpyetje të madhe mbi atë çfarë do jetë nesër procesi i Drejtësisë së Re. Më duhet të vë në dyshim mbi të gjitha vullnetin tim dhe të kolegëve, për të luftuar krimin, sa kohë që Ti u ndëshkove në emër të luftës që ndërtove si prokurore, ndaj krimit dhe korrupsionit në nivelin më të lartë të lidhjes me politikën.

Ti, unë, e shumë prej nesh, e mirëpritëm Vettingun, sepse menduam se do të pastronte radhët tona nga të korruptuarit. Sepse Ne, e dimë që në mesin tonë, kemi shumë të padenjë, që më veprimet e tyre korruptive, na kanë përbaltur, na kanë detyruar të mbajmë mbi supe një barrë të rëndë, duke u përballur përditë me akuzat e forta se “të gjithë ne jemi të korruptuar”. Në fakt, nuk është aspak kështu. Shumica jonë janë njerëz të arsimuar, profesionistë, të ndershëm, etikë, që në përditshmërinë tonë, kemi zbatuar ligjin dhe vetëm ligjin. E tillë ishe edhe Ti. Më shumë se kushdo, i di mirë vështirësitë me të cilat përballeshe, teksa hetoje dosje, që shumë kolegë të tjerë, refuzonin ti preknin me dorë. E di sa shumë e respektojë shprehjen: “Përpara ligjit të gjithë jemi të barabartë” dhe sa fort e doje të Drejtën. E tillë ishe gatuar.

Teksa të pashë të ngjiteshe në majën e karrierës, duke u bërë anëtare e Këshillit të Lartë të Prokurorisë, jo vetëm unë, por edhe shumë kolegë të tjerë filluam të shpresonim se drita në fund të tunelit ishte ndezur, se prokurorët e ndershëm po vlerësoheshin, e se ditëve kur të ndershmit anatemoheshin padrejtësisht, po u vinte fundi. Se drejtësia e re, po trokiste, se në fund të fundit “haka po shkonte tek i zoti”.

Por nuk ishte e thënë. Shpresa u shua shpejt, kur me një të rënë të lapsit, Ti u flake jashtë sistemit, për të cilin kontribuove.

Heshtja e gjithëanshme e politikës së ditës na tregoi se vendimi që u mor ndaj teje (duhet theksuar haptazi arbitrar) dhe pajtimi më këtë vendim është marrëveshja ogurzezë që paralajmëron se çfarë do të jetë nesër ajo, që sot gjithë sekëlldi e quajme si drejtësia e nesërme.

Sepse askush nuk mund të besojë që një prokurore, që hetoi një prej skandaleve më të mëdha të lidhura me politikën siç ishte skandali CEZ-DIA, të shkarkohet nga vettingu vetëm sepse bashkeshorti i saj nuk ka deklaruar të ardhurat e punës si emigrant, madje pasuri të vëna përpara martesës.

Vendimi i KPA-së ishte shokues për të gjithë Ne. Disa menduan dorëheqjen, e të tjerë u dekurajuan. Sepse një zonjë e ligjit, që e deshi dhe respektoi atë, që luftoi për drejtësi, nuk mund të hidhet në rrugë. Jam e bindur që Ti do dish të ringrihesh, sepse brenda vetes ke forcë, energji, dinjitet, ke njerëz që të mbështesin për atë çfarë je, por tani barra e rëndë bie mbi Ne.

Sepse do na duhet tashmë me luftojë me disa “taksidarë”, sic i quajti në shkrimin e tij redaktori i BIRN, Besar Likmeta, disa nga anëtarët e Kolegjit.

“Vendimi i Kolegjit të Apelimit për shkarkimin e Sevdarit nuk është në frymën e ligjit të vetingut dhe as në frymën e ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi, të cilat kishin për qëllim të nxirrnin nga sistemi prokurorë dhe gjyqtarë të korruptuar, që kanë abuzuar me detyrën dhe ligjin, dhe jo t’i kthente anëtarët e Kolegjit të Apelimit në policë tatimorë dhe taksidarë të rëndomtë. Nuk duhet të jesh një jurist dhe aq më pak anëtar i Kolegjit, për të kuptuar se vendimi për shkarkimin e Sevdarit është jo vetëm i padrejtë, por mbase dhe i paligjshëm. Është i padrejtë ndaj prokurores dhe të singjashmëve të saj në sistem, të cilëve puna e ndershme dhe e ligjshme u cilësohet si një cen që cënon besimin e publikut te drejtësia. Është i padrejtë gjithashtu ndaj taksapaguesve shqiptarë, të cilët i deleguan organeve të vetingut vullnetin për të pastruar sistemin nga korrupsioni dhe rikthyer besimin e publikut tek drejtësia. Fatkeqësisht, ky vendim i Kolegjit të Apelimit vetëm sa e thellon hendekun e mosbesimit midis shqiptarëve dhe institucioneve të tyre kushtetuese”, shkruante Likmeta.

Rasti juaj, na dëshmoi se Vettingu, tek i cili fort shpresuam është shndërruar në një kandërr, që po “ha” të ndershmit.

Kjo na dëshmoi se të ndershmit, nuk i duhen askujt, pasi nuk bëhen palë me politikën apo me kriminelët. Dhe kjo bie ndesh me parimet e tyre, por jo me parimet e Tua, që mbrojtje e jam e bindur do vijosh të mbrosh.

Ndaj e dashur Antoneta buzëqeshja jote ironike drejtuar trupës gjykuese në KPA, që ju përjashtoi nga sistemi i drejtësisë, tregoi në thelb gabimin tënd të madh, peshën e fajit që su përkul, që Ti u kishe shkelur shumë lart në kallo. Çfarëdo nisme tjetër qesharake do ishte thjesht përbuzje, për një sistem të kalbur ku afërmendsh do ishte përjashtues në rastin tënd. Po e dashur Antoneta, Ti ke bërë një gabim shumë të madh, sepse nuk u bërë si ata dhe kurrë nuk iu binde urdhrave të tyre. Sigurisht kjo nuk ta lehtëson peshën e fajit, por në sytë e çdokujt, aq më tepër Ne, komutetit të prokurorëve,  Ti meriton fjalën “Dinjitet”. Ishim dhe jemi të nderuar ne si kolege që të patëm ne mesin tonë, ishte e nderuar shoqëria që përfitoi nga frytet e një prokurori të ndershëm, por me bindje e them që humbi shumë Drejtësia e Re.

-Shkruar nga një kolege prokurore.

PS: Të kërkoj ndjesë që s’mund të identifikohem sepse Ti e di që “çekani” i vettingut qëndron mbi kokë./gsh.al/

Please follow and like us: