Albspirit

Media/News/Publishing

Shqiptari imagjinar dhe zbulimi i vetes

Ergys Mërtiri

Vetja zhvillohet në saj të marrëdhënieve që kemi me të tjerët rreth nesh apo me grupin social në tërësi. Ajo formësohet nëpërmjet një aftësie të njeriut për t’u vënë në pozitën e të tjerëve, prej nga ai mund ta shohë veten ashtu siç ajo iu duket atyre. Nëpërmjet kësaj dalje nga vetja njeriu arrin, jo vetëm ta njohë e zhvillojë veten e tij, ta modifikojë e korrigjojë atë në përputhje me pritshmëritë e mjedisit social, por arrin gjithashtu të modifikojë e korrigjojë edhe vetë mjedisin social. George Herbert Mead e quan këtë refleksivitet, nëpërmjet të cilit njeriu arrin ta bëjë veten objekt të vetvetes.

Ai identifikon dy faza të gjenezës së vetes në fëmijërinë e individit, e cila ka të bëjë me identitetin. Në fazën e parë, të cilën ai e quan “faza e të luajturit”, fëmija mëson të përvetësojë qendrimet e të tjerëve, kryesisht prindërve, duke i imituar ata gjatë lojës. Në fazën e dytë, “faza e lojës”, fëmija zgjeron gamën e roleve që mëson të luajë dhe aftësohet ti vendosë këto role në raport me njëri-tjetrin. Ai arrin të kuptojë kështu pozicionin që secili rol ka në raport me grupin në tërësi, duke u aftësuar të funksionojë në një grup të organizuar. Në këtë fazë fëmija krijon identitetin e vet dhe fillon të shfaqë një personalitet.

Mead dallon gjithashtu dy aspekte të vetes, të cilat funksionojnë edhe si dy faza deri në realizimin e plotë të saj. Ai i quan këto: “unë” dhe “mua”. Të dyja janë procese që zhvillohen brenda vetë procesit të zhvillimit të vetes dhe çdo individ i bart të dyja, ndonëse dikush mund të dominohet më shumë nga njëra, ndërsa dikush tjetër nga tjetra. “Mua” shfaq tiparet e individit të zakonshëm, konvencional, konformist, i cili mishëron pritshmëritë e shoqërisë apo grupit social ku bën pjesë. Ajo e bën individin të nënshtrohet dhe të pranojë dominimin e shoqërisë, duke zhvilluar konformimin dhe integrimin e tij me grupin në tërësi. Ajo ushqen vetëkritikën, e cila përbën mekanizmin nëpërmjet të cilit shoqëria ushtron kontroll mbi individin dhe kultivon tek ai sjelljet që ajo kërkon.

Ndryshe nga kjo “uni” është aspekti reagues dhe kreativ i vetes. Sjelljet që vijnë prej tij burojnë nga vetvetja duke reaguar kundër “mua-s”. Ai bëhet kështu një burim i madh risie duke mbartur njëkohësisht edhe vlerat tona më të rëndësishme. Nëse “mua” i krijon individit mundësinë të integrohet dhe të jetojë në përputhje me atë çfarë kërkon shoqëria, “uni” bën të mundur ndryshimin social dhe forcën e individit për të reaguar ndaj mjedisit.

Teoria e Mead na ndihmon të kuptojmë se shoqëria shqiptare është në një stad ende primitiv. Ajo ndodhet në stadin e “të luajturit” ku fëmija kufizohet tek imitimi i prindërve, që në këtë rast personifikohen me Europën. Nëpërmjet imitimit, ajo mëson të përvetësojë qendrimet e të tjerëve me qëllim që të objektifikojë vetveten për tu bërë si ata. Ajo nuk është ngritur ende në nivelin e stadit të dytë, atë “të lojës”, ku fëmija kupton rolet e një grupi të gjerë individësh që përbëjnë bashkësinë dhe fiton aftësinë ti vendosë aktorët në raportet që kanë me njëri-tjetrin, për tu aftësuar të gjejë vendin e vet në grup. Nga kjo premisë mbetet të themi se shoqëria shqiptare është ende larg aftësisë për të pasur një identitet autonom dhe për të krijuar personalitet.

Shoqëria shqiptare nuk ka zhvilluar dot një “unë” të vetin për të bartur dhe dëshmuar vlerat e saj më të qenësishme. Përkundrazi, ajo po i humb edhe ato vlera që ka mundur të trashëgojë nga tradita, në funksion të përshtatjes, adaptimit, konformimit me shoqëritë e zhvilluara, e dominuar nga një “mua” që e udhëheq drejt krijimit të një veteje të projektuar në përputhje me atë çfarë ajo mendon se të tjerët duan prej saj. Vetë integrimi në Europë, mënyra sesi shqiptarët në përgjithësi e kanë kuptuar këtë proces, është një prirje që i përket “mua-s”, e cila i hap rrugën dominimit të të tjerëve mbi veten.

Vlerësimi i vetes, duke u nisur nga përcaktimet e të tjerëve është një fenomen i vjetër në Ballkan. Maria Todorova ka bërë të qartë sesi përfytyrimi i Ballkanit nga vetë ballkanasit është formuar mbi bazë të klisheve, paragjykimeve e stereotipeve perëndimore, që në fakt nuk kanë qenë aspak objektive. Kjo ka ka bërë që ballkanasit të vetëstereotipizohen, duke e njohur vetveten nëpërmjet rrëfimeve të tjetrit. Duke e parë veten me sytë e europianëve ballkanasit kanë mësuar të paragjykojnë vetveten duke u vetëfrustruar për gjendjen e tyre.

Për të pasur një proces të suksesshëm integrimi, shoqëria shqiptare duhet të forcojë unin e saj, përkundrejt muas. Ajo duhet ti rikthehet trashëgimisë së saj kulturore, të rigjejë lidhjet e saj me të kaluarën, duke u përpjekur të vendosë ekuilibrin e duhur në realitetin modern. Vetëm forcimi i unit të brendshëm dhe xhelozisë për rrënjët kulturore mund t’iu japë shqiptarëve një personalitet, të aftë për të qendruar modestisht dinjitozë përballë popujve të tjerë. Një prirje e tillë, do të rriste kreativitetin dhe vendosmërinë për të prodhuar modele të reja të shëndetshme shoqërore e kulturore, të cilat do të mund të shërbenin, jo vetëm për të mundësuar një shoqëri të konsoliduar, por edhe një imazh të respektueshëm për vendin.

*Shkurtuar nga “Shqiperia në moshën e pubertetit”, Revista Medius nr. 4

Please follow and like us: