Albspirit

Media/News/Publishing

Bold News apo Fake News, kur portali kthehet në llagëm që nuk e lan as uji i detit

 

Çerçiz Loloçi

 

Një portal i quajtur Bold News, pa adresë dhe pa person kontakti ka publikuar një shkrim redaksional me titull “Vrasja e Jurgen Kurtit/Ja kush është prokurori i Durrësit që e “toleroi” në 2017” që në thelb akuzon dhe bën me përgjegjësi prokurorin Bledar Bejko.

I ndërtuar si shkrim kronike, ai ka marrë si referenca disa fragmente nga vendimi i gjykatës si dhe disa prononcime që ka dhënë bashkëshortja e të ndjerit, por nuk ka asnjë prononcim nga zëdhënësi i Prokurorisë së Përgjithshme, nga Policia e Durrësit që ka kryer arrestimet në flagrance, nga avokati i palës akuzuese dhe ai i palës mbrotëse.

Në një proces gjyqësor në Shkallë të Parë apo në Apel, prokuroria që mbron akuzën në emër të shtetit është një nga palët në proces, ashtu siç është edhe avokatia dhe vendimin përfundimtar e jep gjykata.

Po ashtu pavarësisht nga prokurori që mbron akuzën, përpara se të shkojë në gjykatë, ajo diskutohet kolegjalisht në prokurorinë përkatëse, siç është vepruar edhe në çështjen e vrasjes në Durrës.

Emri i tij nuk është regjistruar në hetimin e prokurorisë pasi nuk është referuar si i dyshuar nga Policia e Durrësit dhe nuk është arrestuar. Fillimisht ai nuk është kallzuar natën e krimit as nga gruaja e të ndjerit Arapi, ndërsa më pas ka pretenduar se gjendej në vendngjarje.

Portali duke thyer elementët më fillestarë të një raportimi gazetaresk ka kryqëzuar vetëm prokurorin Bledar Bejko, kur së paku mund të ngriheshin dyshime apo akuza për vendimin që ka dhënë gjykata e Shkallës së Parë dhe ajo e Apelit.

I njëjti portal ka sulmuar vazhdimisht edhe prokurorët Donika Prela, Genci Qana e Kolë Hysenaj, duke u mbështetur në shpifje ose në copëza bisedash që bëhen shpesh herë nga humbësit e gjyqeve.

Natyrisht mendja të shkon se evidentimi i vetëm një prokurori është një luftë brenda llojit, ish gjyqtarë e prokurorë që janë larguar nga vetingu për shkak të paaftësisë apo krijimit të pasurisë marramendëse, akuza të ish ministrave deputetëve, ish zyrtarëve të lartë, por kjo gjë më shumë se diskretiton ata, vë në pozitë të vështirë portalin që i publikon.

Po ashtu nuk janë të pakta rastet kur media të caktuara, portale ose të media të shkruara, e përdorin këtë profesion si presion për të marrë mbështetje finaciare dhe për të vënë gjoba dhe natyrisht ky akt na bën pis të gjithëve ne që merremi vetëm me këtë profesion dhe nuk e shohim mbështetjen as te pozita dhe as te opozita.

 

 

Please follow and like us: