Albspirit

Media/News/Publishing

Projekt – propozim për vende të lira për shoqërinë civile në Parlamentin e Shqipërisë dhe këshillat e njësive vendore

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

UNIONI SHQIPTAR I SHOQËRISË CIVILE

Nr. 32/1 Prot. TIRANË, më 20 mars 2019
PROJEKT-PROPOZIM

Drejtuar:
Parlamentit të Republikës së Shqipërisë
Presidentit të Republikës së Shqipërisë
Parlamentit Europian
Trupit Diplomatik të akredituar në Shqipëri
Partisë Socialiste të Shqipërisë
Partisë Demokratike të Shqipërisë
Partisë Lëvizja Scialiste për Integrim

Lënda: Projekt – propozim për vende të lira për shoqërinë civile në Parlamentin e Shqipërisë dhe këshillat e njësive vendore.

Nisur nga dëshira e mirë për të dhënë ndihmesën tonë në përmirësimin e gjendjes politike në Shqipëri, Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile (USHC), që në fillim të veprimtarisë së vet, ka ndjekur me përgjegjësi zhvillimet politike, ekonomike e shoqërore në vend.
Me këtë rast vlerësojmë arritjet e shoqërisë dhe politikës shqiptare, duke u ndalur në ato çështje që duhen përmirësuar.
Të shqetësuar për gjendjen në të cilën ndodhet Shqipëria sot, të bindur për nevojën e ndryshimeve radikale në të gjitha fushat, USHC ka hartuar një projekt-propozim, me të cilin i afron Politikës Shqiptare dhe Bashkimit Europian një rrugë-zgjidhje të guximshme. Ky projekt – propozim, synon përmirësime të dukshme në favor te demokracisë dhe vendimmarrjes në Parlamentin e Shqipërisë. Propozimi ynë mbështetet në argumente realë, pasi merr në konsideratë:

I. SITUATA POLITIKE NË SHQIPËRI

Afro tre dekada më parë, nisi udhëtimin e vet pluralizmi politik në Shqipëri. Duke u përballur me vështirësi të mëdha, shoqëria shqiptare filloi të ecë në rrugën e ekonomisë së tregut, me arritje dhe dështime të njëpasnjëshme. Protagonistë të periudhës së tranzicionit politikë në Shqipëri u bënë tri forca politike, Partia Demokratike, Partia Socialiste, e pasuar nga Levizja Socialiste për Integrim. Këto forca politike u bënë bartëse të përgjegjësive për nivelin e ulët ekonomik, emigracionin e madh dhe standartin e ulët të jetës së qytetarëve.
Liderët politikë, të djathtë e të majtë, u bënë shëmbuj negativë, pasi shfaqën para popullit modelin e korrupsionit dhe papërgjegjshmërisë, u pasuruan me rrugë të paligjshme në një kohë të shkurtër dhe shkelën me të dyja këmbët mbi besimin e zgjedhësve të tyre. Me kodin zgjedhor në fuqi dhe me ligjet që kanë miratuar tre partitë kryesore parlamentare, e kanë monopolizuar tërësisht jetën politike, ekonomike e shoqërore në Shqipëri.
Administrata shteterore, drejtësia, buxheti i shtetit dhe perspektiva e të ardhmes së Shqipërisë, mbeti peng i tre kryetarëve uzurpatorë. Nuk ka vend tjetër në Europë, ku prej afro tridhjetë vitesh, politikën dhe shtetin ta drejtojnë të njëjtit njerëz, të cilët u vendosën në krye të vendit me përkrahjen e strukturave të “Dikataturës së Proletariatit”.

II. EKONOMIA E SHQIPËRISË – PENG I POLITIKËS, BIZNESEVE KLANORE DHE NEPOTIKE PRANË SAJ

Në fillimet e pluripartizmit dhe ekonomisë së tregut, të cilat i hapën rrugën zhvillimit të demokracisë në Shqipëri, u bënë gabime te mëdha sidomos në privatizimin e ekonomisë kombëtare dhe me ligjin 7501, me të cilin shteti u bë bashkëgrabitës i pronës së qytetarëve dhe nxitës i konfikteve sociale. Njerëz që erdhën nga zonat malore dhe periferitë e qyteteve, pushtuan tokat e pronarëve të vjetër dhe i përvetësuan ato, duke ndërtuar mbi pasurinë e tjetërkujt, shtëpi e biznese, pa u dhënë asgjë pronarëve të ligjshëm.
Gabimi u thellua më tej kur u miratuan ligje për legalizimin e këtyre pronave, pa pyetur për pronarët e vërtetë dhe interesat e tyre. Vështirë të gjesh një vend tjetër që, me ligje të Parlamentit, të legalizohet vjedhja e pronës private, duke varfëruar në mënyrë të skajshme pronarët dhe pasuruar me të padrejtë ata që përfituan jashtë ligjeve e moralit të kohës.
Në këto vite tranzicioni ndodhi polarizimi i skajshëm i ekonomisë kombëtare. U pasuruan politikanë shqiptarë, punonjës të drejtësisë, si dhe njerëz të afërm të tyre. Ata u bënë zotër të ekonomisë së vendit dhe jashtë konkurrencës së ndershme, vunë pasuri të frikshme dhe vendosin për fatet e popullit.
Me paratë e fituara padrejtësisht, në Parlamentin Shqiptar kanë hyrë njerëz të panjohur nga opinioni publik, që nuk përfaqësojnë interesat e shqiptarëve, por vullnetin e kryetarëve të partive. Kësisoj, në ekonominë e vendit sundon monopoli në të gjitha fushat, si në tregtinë e brendshme e të jashtme, në prodhimin vendas, në bujqësi, në turizëm e kështu me rradhë.
Duke qënë Parlamenti në shërbim të politikës dhe jo të popullit, kriza ekonomike e morale ka përfshirë jetën e qytetarëve në të gjitha aspektet, për pasojë ata kanë humbur shpresën dhe i kanë kthyer sytë nga emigracioni.

III. SHQIPËRIA DHE EUROPA E BASHKUAR

Në protestat e para kundër diktaturës, në pankartat që u shfaqën para opinionit publik, njerëzit panë fytyra të intelektualëve të shquar, si dhe kërkesën: “E duam Shqipërinë si gjithë Europa”. Ky slogan paraqiste në thelb aspiratën e shqiptarëve për t’u integruar dhe për ta parë vendin e tyre, sa më parë, në gjirin e Europës së Bashkuar.
Populli shqiptar, i ndarë padrejtësisht në disa pjesë nga Kongresi i Berlinit (1878) dhe më pas prej Konferencës së Londrës (1913), e ka merituar përkrahjen e plotë të politikës evropiane. Ndihma e dhënë nga shqiptarët për të ndalur hordhitë osmane, në fushatat e ndërmarra prej tyre drejt Europës, ka qënë dhe mbetet kontribut i dorës së parë për qytetërimin perëndimor. Këto dy momente duhej të vlerësoheshin më me dashuri dhe përgjegjësi nga Europa dhe popullit shqiptar duhej t’i hapeshin me kohë “dyert e mikëpritjes”. Lënia e Shqipërisë për tridhjetë vite jashtë Europës, ka frenuar zhvillimin ekonomik të vendit dhe ka mbajtur gjallë tensionet nacionale me vendet kufitare, Greqinë, Serbinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.
Mëgjithatë, mbështetja që kanë dhënë Europa dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, ka qenë e rëndësishme dhe nuk mund të mohohet. Ajo ka qenë prezente dhe shumëplanëshe në këto tri dekada në Shqipëri, për të cilën populli shqiptar u është mirënjohës. Por shqiptarët kanë shpresuar se Komuniteti Europian do të investonte më shumë në Shqipëri, për të frenuar emigracionin dhe për të rritur më tej standartin e jetës, pasi dihet që shqiptarët janë faktorë stabiliteti në Ballkan.

IV. DIASPORA SHQIPTARE

Një faktor me rëndësi për të ardhmen e zhvillimeve në Shqipëri, në aspektin ekonomik, politik e social, është dhe diaspora. Jashtë territorit të Shqipërisë, në shtete të ndryshme të Europës dhe më gjerë, jetojnë një numër i madh shqiptarësh, të cilët janë lënë jashtë vëmendjes, pasi nuk janë bërë asnjëherë pjesë e votës së lirë, e ndihmesës në përmirësimin e mënyrës së qeverisjes, por dhe të drejtimit politk dhe ekonomik të vendit. Shqiptarët në diasporë kanë bërë hapa përpara, janë shkolluar në universitete me emër, në shumë raste ata i shohim si pjesë të administratës shtetërore të atyre vendeve, në nivele të ndryshme. Ata kanë krijuar e zhvilluar bizneset e tyre, sigurojnë të ardhura të mjaftueshme për familjet, por edhe kanë akumuluar rezerva jo të vogla financiare. Me forcimin e shtetit ligjor në Shqipëri dhe përfundimin e refromës në sisetmin e drejtësisë, hapen rrugët që shqiptarët e diasporës të bëhen pjesë e administratës shqiptare, si dhe të investojnë në sektor me rëndësi strategjike.
Unioni Shqiptar i Shoqërisë Civile, i shtrirë brenda dhe jashtë atdheut, disponon kapacite të mjaftueshme profesionale, për të hartuar dhe zbatuar projekte me rëndësi, që lidhen me realizimin e pjesëmarrjes aktive të diasporës në zgjidhjen e çështjeve themelore me të cilat përballet kombi shqiptar.

V. NJË VARIANT ZGJIDHJEJE: VENDE TË LIRA PËR SHOQËRINE CIVILE, NË PARLAMENTIN SHQIPTAR

Unioni i Shqiptar i Shoqërisë Civile (USHC), në bashkëpunim me organizata të tjera joqeveritare, po punon që brenda vitit 2019, të organizojë Kuvendin e Parë të shoqërisë civile, i cili do të zgjedhë organet drejtuese, asamblenë kombëtare, këshillin e të urtëve dhe kryesinë. Këto organe do të vendosin për kandidatët e mundshëm për në Parlamentin e Shqipërisë.
Po punojmë me shpresën se do të gjejmë financimet e nevojshme për këtë veprimtari madhore.
Prania e shoqërisë civile në legjislativ është e domosdoshme sepse:
a) Prej afro tri dekadash, në zgjedhjet vendore dhe ato parlamentare në Shqipëri, shpesh herë është manipuluar vullneti i zgjedhësve, duke sjellë në Parlament militantë të partive dhe jo përfaqësuesit e vërtetë të popullit.
b) Me inisiativën e kryetarëve të partive kryesore, janë bërë ndryshime kushtetuese, me të cilat është synuar forcimi i kompetencave të kryetarit të Partisë dhe kreut të ekzekutivit, duke ngushtuar hapësirat demokratike dhe shpërdoruar vullnetin e zgjedhësve.
c). Përqëndrimi në pak duar i resurseve të ekonomisë shqiptare, ka çuar në politika të gabuara, të cilat kanë dëmtuar rëndë në mënyrë të veçantë bujqësinë, agroturizmin dhe sektorë të tjerë me mundësi zhvillimi të shpejtë e të gjithëanshëm.
d). Sot në Shqipëri importohen produkte bujqësore e blegtorale nga tregu rajonal dhe ai europian. Mirëpo, politikat mbështetëse ndaj prodhimit bujqësor në vendet fqinjë dhe mungesa e praktikave të tilla në Shqipëri, ka bërë që të dëmtohen dhe hidhen poshtë qindra apo mijëra tonë produkte ushqimore të fermerëve shqiptarë. Këto prodhime, për të cilët janë hedhur shuma të mëdha financiare dhe është derdhur djersa e fermerëve, nuk arrijnë të dalin në treg për shkak të konkurrecës së pandershme dhe politikave të gabuara ekonomike.
e). Mungesa e investimeve në këta sektorë, i ka hapur rrugën emigracionit të shqiptarëve, i cili ka ardhur në rritje. Gati gjysma e popullsisë së vitit 1990 ka emigruar në vende të ndryshme të Europës e më gjerë, shifër kjo ndër më të lartat në botë, pasi vështirë të gjendet vend tjetër, ku hemoragjia e emigracionit të jetë në këtë shkallë.
f). Politikat e gabuara ekonomike në Shqipëri kanë reflektuar edhe në trevat e tjera të banuara me shqiptarë, duke frenuar bashkëpunimin gjithëshqiptar dhe lëvizjen tonë kombëtare. Tashmë dihet që, pa një Shqipëri të zhvilluar ekonomisht dhe të stabilizuar politikisht, nuk mund të ketë zgjidhje të drejtë dhe afatgjatë të çështjes shqiptare në Ballkan.
g). Monopolizimi i politikës dhe pushtetit në tërësi, ka bërë që në Shqipëri të kemi:
– Një administratë shtetërore të mbushur me militantë partiakë, shpesh të paarsimuar si duhet, jo profesionistë, por me lidhje nepotike e klanore, praktikë e cila përsëritet në çdo rotacion pushteti.
-Sistem drejtësie tërësisht të korruptuar që sjell privilegje për njerëzit e politikës dhe të klaneve pranë tyre. Shembulli më përfaqësues në këtë fushë është VETINGU, që po zgjat shumë dhe vështirë të arrij objektivin e caktuar.
-Parlamenti ndodhet në duar të një grupi politikanesh dhe hierarkësh të Partisë Socialiste, asaj Demokratike dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, me nivel intelektual e profesional që lë për të dëshiruar. Shumica e tyre nuk japin asnjë mendim, por vetëm zbatojnë urdhërat e kryetarëve të partive.
-Organizmi dhe vlerësimi i zgjedhjeve nga një komision qëndror i politizuar, ka dhënë përherë rezultate të kontenstuara.
Në këto kushte shtrohet si detyrë urgjente:

Dobësimi i rolit përfaqësues dhe përcaktues i tri forcave politike kryesore parlamentare, PS, PD, LSI.

Kjo mund të realizohet nëpërmjet pjesëmarrjes direkte të Shoqërisë Civile në institucionet vendimmarrëse, si Parlamenti i Shqipërisë apo këshillat e njësive vendore etj. Në të kundërt, asnjë grup shoqëror nuk mund të fitojë vende në pushtetin vendor apo Parlamentin Shqiptar, nëse ka përballë këto tri forca politike sepse ato zotërojnë të gjitha instrumentet e duhura për ta mbajtur pushtetin për kohë të gjatë.

Për të gjitha këto arsye mendojmë se populli shqiptar, i dalë nga një sistem diktatorial, ka përjetuar dhe vazhdon të përjetojë krizë të thellë morale, ndaj duhet ndihmuar.

Për të krijuar një raport të ri të përfaqësimit në Parlament dhe në këshillat e njësive vendore, nëpërmjet Delegacionit të Bashkimit Europian në Shqipëri, u propozojmë institucioneve të Bashkimit Europian të ndikojnë që:

Të lihen në dispozicion të shoqërisë civile, 15 % e vendeve që ka Parlamenti i Shqipërisë dhe po kaq në numrin e përgjithshëm të këshilltarëve të njësive vendore.

PËR UNIONIN SHQIPTAR TË SHOQËRISË CIVILE

PRESIDENTI USHC: Ing.Jur.Dashamir URUÇI.

SEKRETARI: Msc. Indrit BALLIU.

Image result for dashamir uruci

Please follow and like us: