Albspirit

Media/News/Publishing

Ibrahim Vasjari: Duke hyrë e dalë në një fotografi

Image result for ibrahim vasjari

Ibrahim Vasjari

 

Aty pardje, me shokun tim të gjimnazit Batjar Gjishti, duke vërejtur këtë foto të rrallë që ai e kish ruajtur me aq kujdes, përjetuam emocione, na trazoi keq malli e nostalgjia.
Është matura A e gjimnazit ‘’Ali Demi’’ Vlorë në ditën e fundit të shkollës, fundmaj 1957 (25 djem dhe 7 vajza). Mes nesh në foto, mësuesit tanë të nderuar: Harilla Kuçuli (n/drejtor i shkollës), Kristaq Suli (mësues kujdestar), Janaq Syko, Xhorxhi Skrame, Stefan Pina dhe Fejzie Fisheku.
Unë në fillim s’po e gjeja dot veten në foto.
-Po unë s’qenkam, ku jam unë këtu?, – i thashë Batjarit.
-Je, ore, je, – më tha Batjari, – ja këtu, sa ke nxjerrë kokën mes këtyre të radhës së parë.
-Oh, po, ky duhet të jem, – i thashë, -ky sikur ngjaka me mua.
Rikujtuam ca episode, buzëqeshëm me ca çapkënllëqe shkolle… po shpesh binim në pauza, ashtu pa fjalë, të heshtur, të përhumbur në kohë e vite. Aty-këtu, ndonjë psherëtimë sikur na çlironte, përpiqeshim të përzinim tutje ca re të hirta trishtimi, që në këto raste të përthithin në vorbullën e tyre. Kujtuam me mall Jani Kondilin, Tomor Shkurtin, Stavrin, Myrveten, Nikollën…na dhimbnin ata që s’ishin më!.
Pastaj shfletuam ca kujtime. Disa nga shokët tanë kryen studimet jashtë vendit, si: në BS, Çeki, Poloni e Rumani. Batjari mbaroi shkollën ushtarake në BS, më vonë u kualifikua në Kinë. Tomori u diplomua për inxhinieri në Çeki. Rangun më të lartë e arriti Justin Papajorgji në diplomaci. Ky është nga të vetmit që unë s’e takova dot asnjëherë qysh nga ndarja në maturë. Justini rrinte një bangë para meje në klasë dhe shpesh mësuesi na tërhiqte vërejtje kur shkëmbenim ndonjë fjalë me zë të ulët. Ishte tip i shkathët, ashtu kuqalash e buzagaz. Më kujtohet një orë e rusishtes kur mësues Kristaqi po pyeste një nxënës të ngritur në mësim dhe Justini u përgjigj padashur nga vendi.
-Justin, ç’bën? Pse flet nga vendi?,– iu hakërrye mësues Kristaqi.
-Më shpëtoi, -tha i skuqur nga turpi Justini.
Atë çast gjithë klasa ia shkrepi të qeshurit. Qeshi edhe mësues Kristaqi. Pastaj i tha me ironinë e tij karakteristike:
-Shtrëngohu herë tjetër,.mos të të shpëtojë më!
Me Batjarin kaluam një paradite të këndshme, brodhëm nëpër lëndina kujtimesh, duke hyrë e dalë në këtë foto me nostalgji e trishtim; nostalgjinë e kishim të përbashkët e të dukshme, ndërsa trishtimin disi të veçantë, të thellë e të padukshëm.
Ca gjëra i kaluam shkarazi, se s’deshëm t’i kujtonim. Atëherë ishte viti 1957, viti kur u hap i pari Universitet shqiptar. Por jo të gjithëve na u dha e drejta e studimit. Unë dhe 3 shokë të tjerë u lamë jashtë për ‘’biografi të keqe’’. Ishte koha kur politika na ndau në disa të ‘’nënës’’ e disa të ’’njerkës’’. Në të vërtetë, me njëri-tjetrit nuk u ndamë kurrë. Herezia e lidhjeve tona shoqërore i rezistoi Inkuizicionit. Unë nisa punën si mësues në Gorisht, duke fituar të drejtën të vazhdoja studimet e larta me korrespondencë. Studioja natën me kandil, por shkëmbeja letra edhe me Stavri Koçollarin që aso kohe vazhdonte studimet në Rumani. Takohesha përzemërsisht në sezone provimi në Tiranë me shokët që vazhdonin ditën. Merrja prej tyre shënime leksionesh që më mungonin. Më kujtohet që Myrvete Muçon e kisha takuar disa herë, se konvikti i vajzave ishte pranë Filologjisë ku unë jepja provime. Ndonjëherë kur s’gjeja dot hotel, më merrte në shtëpi Jani Kondili që kishte ardhur ca kohë me banim në Tiranë. Ndiheshim vërtet vëllezër (me ‘’nëna’’ të ndryshme, por me ‘’baba’’ të përbashkët).

Me Batjarin kujtuam edhe një takim të pasvitit 90. Rastësisht një ditë unë, si deputet (tashmë i ‘’nënës’’) po dilja nga salla e Parlamentit kur befas dikush më thirri:
-O Bimi, Bimi!
Këtu s’më njihte njeri si Bimi. Vetëm pak çaste u deshën që ky zë të më kthente 40 vjet pas në rrugicat e ngushta të Vlorës, kur i thërrisnim njëri-tjetrit për të lozur me top lecke. Ktheva kokën. Ishte Batjari (tashmë i ‘’njerkës’’) që diçka shiste me një tezgë të vogël në një pazar të improvizuar pranë Parlamentit. U përqafuam me mall se kishim vite pa u parë. Shkëmbyem fjalë të sinqerta, po diçka sikur na ngacmonte, një dorë e padukshme përpiqej të na hiqte veshin si dikur për ‘’herezinë’’ e lidhjeve tona shoqërore. Eh, dreqo punë! E paskemi mallkim dybarkësinë mëmësore.
Që pas ‘’naivitetit’’ naimian: ‘’Shqipëri, o mëma ime…’’, ka rreth 100 vjet që institucionin e mëmësisë e kanë marrë si konçension partitë, ‘’nuset’’ e reja që kanë hyrë në këtë derë dhe që kacafyten me njëra-tjetrën korridoreve.
Ah, o xha Naim, duket sikur je ti që ‘’gabove’’ i pari! Shqipëria na bie gjyshe, jo nënë. Edhe Dritëroi kot ia fut, askush nuk i përgjigjer kur thërret: ‘’Nënë Shqipëri, nënë Shqipëri!’’. le pastaj ai Fan Noli që mburret me djemtë e ‘’njerkës’’ në Amerikë. Kushedi, ndofta ashtu e ndienin apo ndofta edhe ata u çoroditën nga kakofonia e ‘’nuseve’’.
Mes kësaj katrahure zërash të çjerrë, Nënëmadhja Shqipëri veç hesht me dinjitet, ndonëse i dhëmb në shpirt kjo heshtje. Gjithsesi, ajo na ka rritur, në prehrin e saj të ngrohtë gjithnjë ka pasur vend për të gjithë, aty mblidhemi e mbështesim kokën, aty rreth vatrës atërore, ku flakëron zjarri i pashuar i shqiptarizmit.

Please follow and like us: